TAKIMI. Tregim nga Alma Lamcja

 

Pati njëzgjim të hershëm, edhe pse nuk di në kishte arritur të bënte gjumë të mirë atë natë. Në fakt kishte disa netë me radhë që nuk po flinte si duhet.Vetëm kur e çonte mendjen se çdo të ndodhte sot, apo nëse do të ndodhte diçka, stresohej.

Po bëheshin gati pesë vite që e kishte harruar ndjesinë që i jepte ankthi nga e panjohura.Po ashtu, po bëheshin pesë vite që i mungonte boshllëku stresues që i bëhej në stomak,nga situatat e vazhdueshme qëai i shkaktonte pa shkak.

Ca gjëra, ashtu sikurse disa njerëz janë të destinuar të rrinë të ndarë. Sheqeri, kripa apo mielli duhet t’i ruhen gjithmonë lagështirës, sepse i humbin vlerat e tyre, dhe me ujin ose elementët e lëngshme duhet të bëhen bashkë vetëm kur përdoren për një qëllim të caktuar. Zakonisht për përftimin e diçkaje të mirë…

Kur mori vendimin të martohej me Yllin, ishte në një gjendje të tendosur dhe me moral të rënë përtokë. Si një shok të mirë që e kishte, me të cilin ndante të gjitha shqetësimet e saj, edhe ato të zemrës, ai i ishte gjendur gjithmonë pranë, pa i dhënë vetes komoditetin të jepte opinionet e tij, sidomos për lidhjen e saj që rezultoi e dështuar, fiks sipas parashikimeve që ai kishte bërë.

Nuk e kupton që është duke të thithur të gjithë energjinë që të karakterizon? – i ishte drejtuar Ylli, tek e shihte të dërrmuar nga ajo lidhje e saja.

Ai i kishte qëndruar gjithmonë pranë, pa i shfaqur as më të voglën ndjenjë të dashurisë që kishte për të. Ishte pajtuar me idenë që mund të ishte edhe një mik i mirë i saj, vetëm për ta pasur afër. E adhuronte elokuencën e ëmbël në çdo fjalë që shqiptonte,dhe elegancën karakterizuese në çdo dimension të qenies së saj. Për të, Andrra ishte personifikimi i femrës së kompletuar.

Edhe propozimin për t’u lidhur së bashku,Ylli ia kishte bërë në një mënyrë shumë unike, në një moment të vështirë për të. Atëherë kur ajo as nuk e priste:

Andrra, ti je njeriu më i veçantë që kam hasur në jetë. Unë prej fillimit kam qenë i gatshëm të jem në çdo lloj marrëdhënie me ty. Kam pranuar të jem miku yt më i mirë, duke luftuar fort ndjenjat e mia, të cilat flasin për një lloj tjetër miqësie.

Unë përsëri mund të jem shoku yt më i mirë, por njëkohësisht dua të jem partneri i jetës tënde.

Lërmë të të dua më shumë se një shok, dhe të premtoj që s’do të pendohesh kurrë.

Asaj i ra shumë e papritur gjithçka dëgjoi, sytë iu veshën me lëngun e kripur, e shikoi me një mprehtësi therëse drejt e në sy, dhe i tha:

Po më thua që gjatë të gjithë kësaj kohë ke ndjerë për mua dashuri?

Po më thua që nuk më ke parë thjesht si një shoqe të mirë?

 

Në tërë jetën ti do të jesh shoqja ime më e mirë, Andrra. Unë po të propozoj një formulë tjetër:

Harroje dashninë me dashni!

Lërmë të të dua në një mënyrë që ti e meriton të duhesh. Të premtoj që nuk do të pendohesh për këtë.

Ajo ishte e bindur që ishte e bekuar që kishte Yllin në jetën e saj, por se kishte menduar asnjëherë si të dashur.

Një nga elementet më të bukura në martesën e saj katërvjeçare, përjashtuar dritën e syve të saj, trevjeçarin e mrekullueshëm Dorian,ishte lidhja solide bashkëshortore e krijuar në besim dhe mirëkuptim. Ata kishin lidhur një kontratë martesore që e respektonin jashtëzakonisht shumë që të dy, gjithashtu, i kishin krijuar hapësirë personale vetes për miq dhe mikesha personalë, që nuk duhet të ishin domosdoshmërish edhe miqtë e partnerit, siç ndodh rëndomë. Këtë e vlerësonte shumë në këtë martesë, ashtu siç i çmonte vlerat njerëzore të të shoqit.

Tani, tek bëhet gati për të shkuar në takimin e rezeveruar pesë vite të shkuara, ndjen një farë keqardhje për të shoqin që e kishte pasur para syve gjithë kohës dhe nuk e kishte menduar kurrë si partner të sajin. Insistimi i tij që të mos e humbiste atë takim, ia bën më të lehtëvajtjen.

Çdo herë që e mendon atë periudhë të para pesë viteve, habitet ku e ka gjetur forcën të duronte një lidhje aq stresuese. Nuk arrin të kuptojë si e ka pasur të pamundur të largohej prej tij.

Si më ka pas futur trutë e gomarit? – dëgjoji veten ti thoshte këto fjalë me zë dhe u rrëqeth tek e kujtoi.

Sa bëhej gati të tërhiqej, përsëri e gjente veten në krahët e tij, edhe pse e dinte që e nesërmja do ta gjente prapë të nervozuar nga ndonjë zënkëe rastit, që vetëm ai kishte aftësinë ta krijonte. Nuk arrinte ta frenonte veten dhe të largohej, sepse aq e fuqishme ishte tërheqja ndaj tij, sa nuk  dinte ta shpjegonte. E fali dhjetëra herë, duke gjetur një mënyrë për të arsyetuar xhelozinë e tij të pakuptimtë.

Çdo herë pasi pajtoheshin ai bënte ndonjë veprim që atë e linte pa fjalë, dhe e bënte ta donte edhe më shumë. Gjithmonë gjente një mënyrë të veçantë për ta surprizuar dhe për ta bërë të harronte ç’i kishte thënë një ditë më herët.

Mund të kalojnë edhe pesëdhjetë vite dhe ajo nuk mund të shlyejë nga kujtimet e saj, ditën kur ai e dehu me të puthura prej momentit kur iu shfaq përpara.

Hej zemër, si të të pres?- i tha ai me një zë epshndjellës, të miksuar me lutje, kërkimfalje dhe dashuri.

Më prit me kollare! – i foli ajo prerë. Ishte e sigurt që nuk do ta vinte kollaren, sepse ai e urrente.

Nuk dëgjoji t’ia pohonte në telefon që do ta vinte, e gjatë të gjithë rrugës sa mbërriti tek ai, mendonteçfarë do t’i thoshte. Ajo ende ishte e prekur me trajtimin që i bëri disa ditë më parë, dhe teksa u gjend para derës së tij, kishte një ankth dhe pasiguri që i lexohej në sy. Nuk kishte as dëshirën më të vogël të çonte dashuri me të, por vajtja atje ishte mënyra e vetme për t’ia thënë në sy ngërçin e mbledhur në gryke prej fjalëve të rënda që kishte përdorur. Kishte vendosur të ndahej atë ditë, e meqenëse ai i shmangej takimit në ndonjë kafene, kjo ishte mënyra e vetme për ta bërë.

Sapo zgjati dorën të trokasë në derë, ajo u hap dhe ai s’po dukej gjëkundi. Errësira e shkaktuar nga mungesa e dritës në korridor, e drejtoi nga drita që vinte prej dhomëssë tij të fjetjes. E pa tek rrinte gatitu vetëm me kollaren në trup. Aq e papritur iu duk ai gjest i tij, sa filloi të qeshë me të madhe. Ai filloi ta puthë gjithandej fytyrës.

Sapo ajo bëhej gati të fliste, e gjuante buzëve me të puthura.

Ajo donte të fliste,ai e puthte fort, ajo qeshte me zë.

Kur ai ishte në kulmin e kënaqësisë, kur fytyrën e kishte të sheqerosur nga ndjesitë që askush nuk ia kishte ofruar në këtë mënyrë, e me sytë e mbyllur shijonte gjellën e gatuar me miellin e dashurisë dhe të spërkatur me kripën e jodizuar që dinte t’ia afronte vetëm ajo,e ndjente reagimin e saj dhe përsëri i gjuhej me të puthura të forta.

Ajo vazhdonte të tentonte të fliste, ai vijonte ta puthte fort, ajo pasonte me të qeshurat pafund. Kështu, vazhduan derisa ajo përplasi dorën në shenjë dorëzimi. Ai lëshoi pasthirrmën e fundit të kënaqësisë, u shtri i sfilitur përbri saj në anën e djathtë të shtratit, ia tërhoqi butësisht kokën me duar, duke ia vënë në kraharorin që i gufonte nga rrahjet e shpeshta të zemrës. Ajo qetësisht priti qetësimin e zemrës së tij, ndërkohë që e veta tashmë ishte qetësuar.

Nuk tentoi të flasë më, nuk kishte forcë dhe as dëshirë të prishte gjithë atë që ndodhi.

Sa herë që i kujtohet ajo ditë, nuk mund të gjejë shpjegim pse nuk e ndalte dot të qeshurën. Nuk arrin ta shpjegojë si arriti ta dehte në atë mënyrë me të puthura, sa të qeshte gjithë kohës pa u ndalur. Sa herë që i shoqi qesh nën efektin e pijes, automatikisht ndjen një skuqje në fytyrë, i jep një puthje të zhurmshme dhe kujton dehjen e saj.

Ajo s’ishte dehur kurrë nga pija, por një herë e një kohë kishte arritur të dehej nga dashuria.

Sado që përpiqet ta harrojë, ajo nuk mund të shlyejë nga kujtesa, as herën e fundit që ishin bashkë.

Hej zemër, si të të pres? – i tha përsëri me zërin e tij epshndjellës, të miksuar me lutje, kërkimfalje dhe dashuri.

Më prit me përparëse kuzhine – i foli përsëri prerë, e sigurt që ai nuk kishte një të tillë.

Përsëri e gjeti duke e pritur me një kapele kuzhinieri dhe përparëse kuzhine të veshur mbi një trup të lakuriqtë.

Ajo përsëri qeshi me të madhe, tek e pa aq qesharak, ndërsa ai e drejtonte nga kuzhina, duke iu ngjitur nga pas dhe pëshpëritur në vesh:

Kur ti të jesh duke gatuar, unë do të tëvi kështu nga pas.Ti nuk do të arrish dot të më kundërshtosh, ndoshta do i kesh duart me brumë ose do jesh duke gatuar ndonjë ushqim të shijshëm për mua.

Filloi ta zhveshë dhunshëm, eta puthë ashpër. Ia mbuloi duart me të tija duke mos i lënë mundësinë të kthehej ta shihte në fytyrë, sepse e dinte që sytë e saj të frikësuar do ta lusnin që të ndalej. Ia largoi flokët me mjekër aq sa buzët ti depërtonin pas veshit, t’ia ndjente aromën e parfumit dhe të lëkurës, por edhe asaj t’i shkaktonte rrëqethjen që do ta bënte të dorëzohej.

Ai ia njihte mirë zonat erogjene, kjo gjë i jepte përparësinë të eksperimentonte duke i kaluar edhe limitet.

Ajo u dorëzua. Tani e kishte në dorë.

Si trupmadh që ishte, e mori në krah dhe e shtriu mbi tavolinën e kuzhinës, të cilësparaprakisht i kishte shtruar një çarçaf.

Do të të dhembë fundshpina disa ditë, edhe do të shfaqen të mavijosura, por besomë se ia vlen.

Edhe këto fjalë ia pëshpëriti në vesh, me atë zërin e miksuar që vetëm ai dinte ta bënte.

Ia vendosi këmbët mbi shpatulla, e tërhoqi drejt vetes dhe shijonte pamjen tek futej brenda saj.

Andrra, dashuria për ty po fillon të më çmendë!

I tha këto fjalë dhe filloi të shtojë dozën e egërsisë. Ajo përfitoi nga rasti të tërheqë këmbët dhe t’i mbështesë shputat tek tehu i tavolinës, pa pasur mundësi të zbriste.Duart i shtrëngonte në anësoret e çarçafit me idenë që e ndihmonin të mos rrëshqiste, pa iu hequr për asnjë çast frika që mund të lëndonte shtyllën kurrizore.

Ai vazhdonte të ishte brenda saj, e vazhdonte ti thoshte se dashuria për të e ka tjetërsuar.

Në kushtet e një dhimbjeje fundshpine, të frikës që mund të rrëzohej dhe ta lëndonte atë, ajo përjetonte frikën dhe kënaqësinë në një tjetër dimension. Kjo zgjati aq sa e pa veten të shtrirë në batanijen e butë në dysheme. Ai vazhdonte të ishte brenda saj, derisa ajo u kthye në realitet.

Ende nuk arrin ta shpjegojë, çfarë i bëri që ajo ta dëshironte pas gjithë atij përjetimi të çuditshëm. Përfunduan të përqafuar, çuditërisht ajo duke e puthur me trupin që i dridhej ende nga kënaqësia, pa frikën e disa momenteve më parë.

Përkundër tërheqjes së fortë që kishin për njëri-tjetrin, ajo arriti në përfundimin që lidhja e tyre nuk do të ishte jetëgjatë, jo pse ende si ishin shëruar të mavijosurat në fundshpinë, apo nga dhimbjet e forta gjithandej trupit. Ajo mund t’i duronte ato, mund t’i duronte edhe netët pa gjumë tek mundohej t’ia fikte xhelozinë e kotë, por s’mund të duronte t’i diktonte mënyrën e sjelljes. Ai kërkonte nga ajo qasje më të rezervuar me njerëzit, sidomos të ishte më e kujdesshme në shoqërinë me meshkujt, të mos ekspozohej aq shumë kafeneve të qytetit me lloj-lloj tipash, sado që mund t’i lidhte puna me ta.

Andrra, ka qindra mënyra për t’i ikur bashkëbisedimit verbal me njerëzit. Një e-mail shpjegues, është mënyra më e mirë – i sugjeronte ai gjithmonë, kur ajo përpiqej ta bindtte që puna e saj ishte e tillë.

Çdoherë që hapnin këtë temë përfundonin duke u zënë për Yllin, mikun e saj më të mirë. Ai e shfaqte hapur antipatinë që kishte për të, dhe ia shprehte në mënyrë të pacipë dyshimin që ata ishin në një marrëdhënie së bashku.

Për çudinë e saj,kafenë e fundit që pinë bashkë,ishte ftesë e tij. Asaj i ishin larguar dhimbjet e fundshpinës dhe ishte duke drekuar me Yllin, teksa ai i telefonoi dhe i tha që po e priste te kafene “Union” brenda tridhjetë minutash. Gjatë rrugës për atje ajo mendoi që ndoshta e kishte parë duke drekuar, dhe të qeshurat nga humori i hollë i Yllit, mund ta kishin acaruar.

Nuk e kishte parë ndonjëherë me një pamje të tillë, edhe kur ishte në ditët e tij më të këqija. Situata vazhdonte të ishte përafërsisht e njëjtë, ajo mundohej ta bindtte që s’kishte arsye të bëhej xheloz për mikun më të mirë të saj. Ai mori një pamje edhe më serioze, duke iu drejtuar me këto fjalë:

Andrra, ti e di që të dua shumë, ti je njeriu që dua ta kem gjithmonë pranë në jetën time. Arsyeja që të dua kaq fort e të ndjej pjesë të qenies sime, mendon se të ka vënë në një pozitë favorizuese dhe ti mund të bësh ç’të duash.

Çfarë jam duke bërë gabim? – iu drejtua ajo butësisht.

Të lutem mos më ndërprit, lërmë të them ç’kam për të thënë dhe pastaj vazhdo ti.

Andrra, po ta përsëris:Do të doja të kaloja gjithë jetën me ty, duke të dhuruar të gjithë dashurinë e mundshme, por kështu nuk mundem më.

Filloi ti përmendte të gjithë miqtë me të cilët ajo ndante kohën e saj, duke hedhur dyshime për secilin prej tyre, e duke ia bërë me dije seështë vend i vogël ku njerëzit flasin. Po fliste gati përçart.Në një moment të caktuar shtoi:

Sikur të dish vetëm dhjetë për qind të fjalëve që janë thënë për ty, do më jepje të drejtë. E di ti Andrra që ka qenë një periudhë tek dëgjoja se çfarë flisnin për ty, fillova të mendoja që ose je e sëmurë ose vuan nga ndonjë gjë?

Si? E di çfarë je duke më thënë?– iu drejtua ajo e çuditur.

Situata po dilte nga kontrolli, ajo nuk po e njihte më, dhe foli ç’i erdhi në mendje:

Që tri vite sa jemi bashkë dhe ti nuk ke marrë mundimin të më njohësh çfarë njeriu jam? Kaq pak besim paske tek unë?

Andrra, të thashë, përkundër fjalëve unë vendosa të të dua!

Donte të vazhdonte të fliste, por fjalët i mbetën në grykë dhe s’mundi të nxirrte asnjë zë.

Andrra, sa më përket mua, po ta përsëris që mund të më kesh përjetë, por ti duhet të ndryshosh.

Ajo donte t’i thoshte shumë gjëra por zëri si dilte. Ishte mësuar tashmë me reagimet e tij spontane dhe xhelozitë e tepruara, po nuk e prititë kishte të tilla mendime për të, aq më tepër ta vlerësonte në atë mënyrë.

Ky ishte vërtet fundi.

Bëri një shkëputje të plotë nga realiteti, vendosi veten në një hapësirë neutale duke e qetësuar atë plotësisht, i dha një buzëqeshje të ëmbël që t’i depërtonte menjëherë në vena dhe shtoi:

Hej, sot është dita e parë e verës dhe ti më ke sjellë në të njëjtën kafene kur kemi pirë kafenëe parë. Ke dashur t’i japësh simbolikën e ndarjes, duke më komunikuar vendimin tënd të njëanshëm dhe duke më fajësuar mua për problemet e thella që ke me veten.

Në rregull, e mbyllim këtu, por ky vend do të mbetet simboli i bashkimit.

Pas pesë vitesh, në të njëjtën orë të pres të pimë kafen tjetër!

Kushedi si e kishte bërë fytyrën sepse ai u shtang nga reagimi i saj dhe s’po pipëtinte asnjë zë.

Betohu që pas pesë vitesh do të jesh këtu në të njëjtën ditë dhe orë!

Ai u trondit nga zëri i saj i fuqishëm, disi i çjerrë dhe pohoi me zë:

Besën e ke se këtu do të më gjesh.

Ja ku ishte sot, pas pesë vitesh të plota duke u bërë gati të takohej me të.

Ajo kishte vendosur të jetontee qetë dhe çuditërisht ishte e lumtur. Ndodhte që nganjëherë ta mundonte qetësia e tepërt dhe kujtonte atë, por përsëri ishte falënderuese për gjithçka kishte në jetë.

Mes këtyre mendimeve këmbët e çuan tek kafene “Unioni”. Ai ishte ulur përballë hyrjes, sigurisht për të shijuar ardhjen e saj. Andrrës iu lehtësua edhe më shumë ndërgjegjja, kur ndjeu se nuk iu shfaq asnjë ndjesi kur e pa.

Ishte tërësisht e qetë.

U përshëndetën me një të shtrënguar dore, u zgjat ta përqafonte por ai iu shmang.

Si ke qenë? – i tha ajo ëmbël.

Ishte mjaft komode në pozicionin e saj, sepse nuk po shfaqte as më të voglën ndjenjë për të. Iu duk që kishte një njeri të zakonshëm përballë.

Andrra, nuk paske ndryshuar fare, qenke bërë edhe më e bukur nga ç’ke qenë.

Ajo e kuptoi që ai fliste në mënyrë të rezervuar, por nuk donte ta vriste mendjen për këtë.

Mëmësia të jep një tjetër nur dhe tjetër hijeshi. Jam nënë e një djali trevjeçar dhe…

Sapo e kuptoi çdo t’i thoshte ai e ndërpreu menjëherë.

Po, dhe je bashkëshortja e njeriut që na ndau.

I foli me një zë tejet cinik, ku ende shfaqej antipatia që kishte për Yllin.

Gjithmonë e kam ditur që ju do përfundonit bashkë, sepse mënyra si të dëshironte ishte unike brenda llojit.

Është e kotë të them si rrodhën ngjarjet, sepse nuk do më kuptoje, po të lutem më trego ti si je, si po të shkon jeta?– iu drejtua ajo përsëri butësisht.

Andrra vazhdoi duke u munduar t’i shpjegojë qënuk kishte mundur të marrë asnjë informacion për të, edhe pse lutej shpesh që të ishte mirë dhe punët ti shkonin mbarë. Ai e dëgjonte duke marrë një pamje të përmalluar dhe shtoi:

Jam larguar për në Suedi kur ti u martove dhe mbrëmë jam rikthyer pas katër vitesh.

Jam martuar dhe gruaja pret të lindë fëmijën tonë të parë, që do të jetë vajzë dhe do të quhet Andrra.

Ajo shtangu e tëra. Ai ende zotëronte aftësinë për tasurprizuar. U mek.S’dinte çfarë ti thoshte.

Miri!

Kishte pesë vite që nuk e thërriste këtë emër, as me veten nuk e bënte.

Miri, unë të desha shumë, u mundova me mish e me shpirt që lidhja jonë të funksiononte, por nuk ia arrita.

Ajo u mundua t’ia shpjegojë që edhe pse e deshi shumë, ai nuk i la zgjidhje tjetër duke kontribuuar në ndarjen e tyre.

Andrra, unë nuk ta kam thënë asnjëherë, por luftova shumë me veten. Sa herë më kapte paniku që Ylli mund të të rrëmbente nga unë, ecja me orë të tëra derisa rraskapitesha e këmbët me zor më kthenin në banesë.

Fytyra e tij mori një pamje të dhimbsur, sa asaj filloi t’i vinte keq për të. Filloi të shfajësonte veten edhe për fjalët e thëna pesë vite të shkuara, se kur i pa atë ditë duke drekuar, e ajo duke u gajasur së qeshuri prej fjalëve të tij, ishte dorëzuar.

Ai kishte durimin që mua më mungonte.Kjo ishte arma e tij më e fortë dhe me atë më mposhti në heshtje– u përtyp dhimbshëm teksa tha këto fjalë.

Miri ishte njeri i surprizave, njeriu që dinte ta surprizonte si askush tjetër në botë.

Eç’tensionuan situatën duke folur për gjërat e bukura që kishin bërë gjatë këtyre viteve, për karrierën e tyre, për mënyrën si e kishte njohur bashkëshorten e tij, për dashurinë si nocion dhe element të rëndësishëm në qenies së njeriut. Folën për jetën, të mirat dhe të këqijat që ajo t’i ofron.

E përfunduan këtë takim, duke lënë të ardhshmin pas pesë vitesh me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre.

Ajo u largua e lehtë si një pendë dhe e dehur siç vetëm ai dinte ta dehte.E bindur edhe më shumë se ca gjëra dhe njerëz, janë të destinuar të qëndrojnë të ndarë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here