Alo! Jam Vjollca,….Vjollca e hotelit të gjuetisë, besoj se nuk më ke harruar…Kam ardhur në New York, e prej gati një vit jetoj këtu si një emigrante e re…Të lutem në se nuk e quan krejt të harruar kohën e njohjen tonë para njëzet vitesh dhe e keni edhe kohën e mundësinë kam dëshirë të takohemi e shihemi…Të lutem më mirëkuptoni, vetëm dëshirë të shihemi e të flasim sado pak në kohën e shkuar. E ndjeva si detyrim moral të lë mesazh…Ato kujtime jetojnë akoma dhe ne jemi gjallë….
Sapo hypa në makinë e hap celularin që e kisha lenë në karikim dhe më shfaqet para syve ky mesazh….
Ua, paska ardhë “miss gjuetia”…..kështu e thirrnim Vjollcën, shoqen tonë të kohës studentore.
Ishte dikur një çapkëne e vërtetë, një vajzë pa komplekse, studente shumë e zellshme për librin e leksionet e saj ishin model, të shkruara bukur e që lexoheshin kollaj dhe me nënvizime e ngjyrime të fjalive a frazave kryesore.
E kishte pasion poezinë dhe me të gjithë e niste bisedën me vargje dhe ishte tepër miqësore me shoqet e me shokët e kursit, bile ajo ishte e afruar edhe me vajza e djem të grupeve të tjera paralele si edhe ma ata të kurseve të viteve më të larta.
Ishte shumë e njohur në fakultet pasi ishte ndër dy a tre vajzat më të bukura.
Ishte një zeshkane simpatike, gojë embël dhe me një paraqitje që binte në sy nga larg për veshjen e saj paksa ekstravagante me fustane të shkurtëra e pantollona të ngjitur mirë në trup ku linjat e saj e sidomos të pasmet e dalura pak binin në sy.
E ndjeva embël ketë mesazh të papritur. Ai ishte një zë që kishte ngelë i pa shlyer në memorjen time. Dhe pa dyshim mu shfaq përpara syve si në një ekran të madh me ngjyra filmi ynë, kēshtu po e quaj historinë a lojën tonë naive të para shumë vitesh në hotelin e gjuetisë të qytetit bregdetar, kur me dy shokët e mi dhe Vjollcën e dy shoqet e saj darkuam e fjetëm një të shtunë që mbeti për shumë kohë e shtuna e gjuetisë dhe Vjollca si përsonazh kryesor i asaj nate, Vjollca e gjuetisë.
Atë natë e tepruam në pije, ne djemtë i rreshtuam pa numër birrat e Korçës dhe vajzat u tërbuan me ponxhin e embël. Mbasi e kryem darkën bëmë një shëtitje midis pishave përrreth hotelit e gati u harruam jashtë…Po të mos na vinin re rojet e hotelit mesiguri do të na çelte mëngjesi midis pishave të humbur si robinhud në ishullin e pa banuar…
Të lodhur nga pija por edhe të dehur më shumë nga çlirimi që ndiem atë natë prej detyrimeve të shkollës e prej largimit të syve të kontrollit rutinë të gjithçkaje nga jeta jonë studentore donim që ajo natë të zgjaste pa fund dhe kishim humbë edhe kontrollin e kohës. Ndoshta në ato momente nuk dinim as ku ishim pasi nuk dinim as numrat e dhomave të hotelit…
Duke ndjekë si pula pa krye rojet e hotelit erdhëm tek sporteli dhe u shprazëm në dy kolltuqet e pritjes sikur të ishim në urgjencën e ndonjë spitali ashtu ngjitë njëri me tjetrin…
Vetëm Vjollca dukej se ishte si kujdestarja e jonë e kontrollonte situatën. I merr tre çelësat e dhomave me numerat 21, 22 e 23 që për çudi ishin numra të njejtë me moshat tona të tre djemëve. Unë isha atëhere 21 vjeç, Berti ishte 22 dhe Pirroja 23.
Vjollca më drejtohet mua si më i riu : – Ja çelësin e dhomës dhe shkoni ju i pari në dhomën 21, ju në dhomën 22 i drejtohet Bertit e ju në dhomën 23 Pirros që i keni sipas moshave o dashnorët e Venedikut thërret me të madhe.
Ne vajzat do vijmë më vonë. Ne do zgjedhim dhomat pasi ju të shkoni.
Dhe ashtu u bë, mbasi në djemtë u larguam vajzat bien dakord të vijnë në dhomat e djemve sipas një formule tjetër e jo sipas moshës.
Ato kishin vendosur që të zgjidhnin djemtë pa e ditur dëshirën e njëra tjetrës, por vetëm vendosen radhën se cila të shkonte e para, e dyta dhe e treta për të zgjedhur djalin që dëshironte…
Shorti i bie Vjollcës të zgjedhte e para dhe ajo vjen në dhomën time…
Më kishte zgjedhur mua për të fjetur bashkë atë natë në dhomën e hotelit me numër 21.
Sapo vjen ajo përplaset mbi mua krejt e shfrenuar dhe pa ndrojtje u puthëm edhe në buzë.
Hera e parë që putheshim ashtu ngjitë. Edhe herë tjetër ishim puthë por jo kurr në buzë.
Pas pak minutash dëgjojmë trokitje të lehtë në derë, ishte diçka e papritur dhe e pa kuptimtë…por ja, e hap derën dhe…Dhurata hyn brenda e qeshur dhe më afrohet gjithë afsh gati për t’mu hedhur në qafë…në atë moment hidhet rreptë Vjollca: – Dhurata jam unë sonte këtu…Unë e kisha radhën për të zgjedhur…
Atë moment ja kthen menjëherë Dhurata: – Ju na keni mashtruar! Ju e keni zgjedhur njëri tjetrin prej kohësh dhe na e keni fshehur…Ju kam lexuar muaj më parë që ju duheni, e kam parë në sytë e tuaj por unë budallaqja…dhe kthehet menjëherë pas e përplas derën me forcë…
Pas mbylljes së derës ndryshon atmosfera në dhomë.
Vjollca më drejtohet: – Ju djemtë jeni të pabesë, e ti e paske të dashur edhe Dhuratën, pasi ajo nuk kishte pse të vinte këtu…Hë më thuaj dhe në se është e vërtetë po dal dhe e thërras Dhuratën të vij ajo këtu e të flej me ju…
– Jo i them, vetëm miqësi e shoqëri ashtu si me ju, ju jeni shoqet e mia e jo të dashurat e mia…e pas disa minutash kërcet prapë dera dhe në dhomë futet edhe Klejda…
Edhe ajo sapo e sheh Vjollcen e pezmatuar në fytyrë na drejtohet: – Ah, Vjollca ju e paske zgjedhur…Të dy më keni mashtruar dhe e keni mbajtë fshehtë lidhjen,…edhe ju bukurosh që sillesh si engjëll me ata sy nuk jeni pa faj….po unë krejt si torollake erdha pas teje për ata sy të bukur….dhe edhe ajo kthehet krejt nerva e duke e përplas derën edhe më shumë se Dhurata del në koridor.
E menjëherë Vjollca e pezmatuar nga zgjedhjet e shoqeve të saj që edhe ato ishin magjeps pas djalit të saj të dhomës 21, më drejtohet prapë me krejt hundë e buzë: – Tani më bëj edhe një rrenë tjetër për Klejdën, edhe ajo vetëm shoqe, jo e dashura jote qënka….e ashtu si shoqe dashka me fjetë sonte me ty…Hë, gjithë vajzat të zgjodhën ty o Don Zhuan, e pse ..?!
Sepse i ke sytë e bukur,…Ah, të shkretat ne vajzat që rrëmbehemi e joshemi nga bukuria e djemve…dhe biem viktimë e pastaj akuzojmë dashurinë që ikë prej nesh…
Duke folur me vehten e saj, me pyetje e përgjigje më drejtohet:- Nuk do sillemi keq, Ti mbështillu si një mëzat qumështi aty vetëm në krevat e unë do të rri këtu në ketë kolltukun e vogël si një dhi e egër, sepse vërtetë e meritoj, e nesër në mëngjes do të sillemi sikur gjithçka është në rregull e të mos bëhemi më shumë qesharakë.
Ashtu bëmë, unë pa gjumë në krevat e ajo pa gjumë në kolltuk i kaluam ato pak orë që kishin mbetë deri në mëngjes…
Në dhomat e tjera kishte ndodhë edhe atje gati aksident si në dhomën tonë. Pirroja nuk kishte shkuar tek dhoma e tij por tek Berti dhe kishin ndezur cigare e kishin filluar të këndonin me mandolinë një serenatë korçare me zë të ultë duke menduar se në hotel kishte edhe të tjerë….e harruar se ishte vjeshtë e vonë e në hotel, në katin tonë ishim vetëm ne gjashtë studentët në tre dhoma.
Dhurata kishte zgjedhur Bertin si varjant të dytë dhe sapo futet në dhomën e tij kur gjen aty edhe Pirron e ndryshon menjëherë klimën e sjelljes duke u përpjekë të shmang tronditjen që kaloj me zgjedhjen e parë në dhomën 21. – Oh, sa mirë e dua edhe unë një cigare dhe gjuhet si një pulëbardhë në prehërin e Bertit…e nisë edhe ajo të këndojë…Nuk do flejmë sonte por do të festojmë natën e parë të dhendërrit në dhomën 21, ha, ha qesh ajo dhe e pasojnë duke qeshur edhe Berti edhe Pirroja.
Në bisedë e sipër troket dera dhe Klajda e skuqur në fytyrë hyn brenda. Ajo, pasi kishte gjetur bosh dhomën e Pirros ndjek zhurmën në dhomën e Bertit e kur i sheh të gjithë duke qeshur e duke kënduar futet edhe ajo në lojën e tyre e hidhet në prehërin e Pirros e i merr nga goja cigaren e tij e tymos me gjithë shpirt duke lëshua një afshamë kënaqësie. Kështu e kalojnë natën, natë i thënshin se ishin vetëm pak orë para se të niste mëngjesi.
Të nesërmen morëm autobuzin e parë që ishte në gjashtë të mëngjesit dhe ashtu të lodhur e pa gjumë u kthyem pas 3-4 orësh në konviktet tona. U përshëndetëm me njëri tjetrin gati ftohtë, u puthëm me vajzat si më parë në faqe dhe…të katër njëherësh si në kor kur u puthem unë me Vjollcën thirrën: në buzë, në buzë por ne nuk u puthem më e vetëm qeshëm.
Tani pas gati njëzet vjetësh më kthehet kjo histori e freskët…Vetëm pak muaj pas asaj nate rinore e naive takoheshim më rrallë e të gjithë mendonin e na shikonin mua e Vjollcën si të dashuruar dhe flitej se ishim çifti më i mirë në fakultet. Në verën e atij viti e lamë shkollën të gjithë dhe u larguam njëri pas tjetrit të gjithë në vënde të ndryshme në Europë e mua më solli fati në Amerikë.
Ikëm si të ishim pas një mortaje pa u pêrshëndet njëri me tjetrin.
Ne nuk dinim as se ku po shkonim dhe si zogjtë e hutuar fluturuam në vende të pa njohura…
Pas shumë vitesh falë edhe rrjeteve sociale e kemi gjetur njëri tjetrin por secili në botën e tij nuk kemi harxhuar kohë në mesazhe për të njohur në detaje historitë e jetët e njëri tjetrit.
Kështu edhe me Vjollcën kisha krejt pak dijeni se si i ka shkuar jeta, e tani ky mesazh më vuri përpara faktit që të kthehesha pak vite pas e të prekja nga afër miqësinë e vjetër me kujtime edhe të bukura.
U takova me Vjollcën disa herë e për nja tre katër javë biseduam gati çdo ditë në telefon. Unë edhe pse isha shumë i ngarkuar në tregun e makinave, prej 4-5 vjetësh si menazher në një kompani të madhe makinash e gjeta kohën dhe me dëshirë e takoja e ajo e priti më shumë gëzim gatishmërinë time për ta takuar e shpenzuar kohë sëbashku.
Pas çdo takimi vura re se ajo afrohej më shumë. Më 14 shkurt ditën e të dashuruarve të vitit të kaluar e lamë të darkonim bashkë në New Jersey, në qytetin tim në një steak restorant të famshëm.
E mora me makinën time në Brooklyn tek banesa e saj ku jetonte me një shoqe dhe siç kishim renë në ujdi pas darke do të shkonim në banesën time.
Ishte veshur bukur, dhe flokët i shkëlqenin dhe kur hyri në makinë e mbushi atë krejt aromë që të them të vërtetën më pëlqeu dhe më dhuroj energji sa nuk durova e i bëra edhe komplimente.
E ajo sapo u ulë në sedile më dha edhe një puthje tjetër e kësaj radhe në buzë që e prita më shumë ëndje. Ishte puthja e dytë në buzë, e para ishte ajo në hotelin e Gjuetisë në dhomën me numër 21 para njëzet vitesh.
Pasi shkuam në restorant e lamë palltot në para dhomën e restorantit kamarieri na drejtoj tek tavolina me numër 21. Të dy u stepëm…ah, kjo rastësi….edhe magjike, edhe e bukur…ndoshta që të dyve na befasoj por edhe na pëlqej…Mbasi e pimë një shishe verë të dy bashkë, edhe Vjollca e kishte qef verën e kuqe dhe porositëm të dytën më bie zilja e celularit…Një klient që kishte blerë një makinë nga unë disa vite më parë kërkonte të blej një tjetër makinë dhe më pyet se a mund të kthente makinën që e kishte përdorë dhe që e kishte në gjëndje të mirë. Edhe pse kishte shumë milje më shpjegon se makina kishte histori të pastër dhe pa asnjë aksident. Duke i kërkuar falje Vjollcës për bisedën të cilën po e ndiqte dhe ajo pasi e kishte mësuar anglishten me përpikmëri të admirueshme vazhdova ti shpjegoj ish klientit tim se e kemi të pamundur riblerjen e makinës së vjetër, për faktin se kompania jonë ka një rregull specifik që pranon makinë të vjetër për ndërrim vetëm kur kjo makinë është mbajtur nga një shofer, pra që është e shitur vetëm një herë dhe makina juaj është shitur dy herë dhe ka ndërruar dy pronarë…Më vjen keq i them e ja shpjegoj edhe një herë se e kemi të pamundur…
– Ju nuk merrni një makinë që është në gjendje të mirë pse ka kaluar dy pronarë e unë kam marrë ish të dashurën time në shkollën e mesme, edhe ajo me shumë milje, e pasi është martuar e divorcuar dy herë më thotë duke qeshur…
Edhe unë e pasova fundin e bisedës me klientin duke qeshur po ashtu.
Pasi u përshëndeta me klientin e mbylla celularin e vërej se Vjollca më dukej pak si e prishur në fytyrë dhe kërkon të shkoj në banjo. Mbas disa minutave kthehet por në fytyrën e saj prapë shihej vranësinë dhe sytë e saj e humbën shkëlqimin e mëparshëm…Ah, mendova ndoshta vera…e në çast vjen kamarieri dhe e njofton se kishte ardhë taksisti. Kthej kryet prej saj dhe i habitur e pyes: – Sikur e kishim lenë të rrinim këtu sonte, në apartmentin tim e nesër do të kthehesh…apo…
– Jo, ma ktheu Vjollca prerë…Do të shkoj sonte…
– Më fal më drejtohet, e kam të pamundur…Dhe Faleminderit për të gjitha..
Ngrihet nga tavolina, më përqafon në faqe si atëhere kur zbritëm nga autobusi pasi u kthyem nga hoteli i gjuetisë dhe ikën…
E që atëhere nuk mora më asnjë thirrje a mesazh nga celulari i saj…Biseda për rikthimin e makinës së vjetër e shakaja e klientit tim për martesën me ish të dashurën e tij të divorcuar dy herë me sa duket e kishin lënduar në sedër…


















