Të kam pritur me ditë,
të kam pritur me netë,
në acar dhe në shi.
Shumë të kam pritur…
të vije drejt meje
të më përqafoje si një fëmijë.
Do të të mbaja aty strukur në gji,
të ledhatoja, parfumin tënd të ndieja
dhe pak frymë të merrja nga ti.
Doja të të jepja gjithë dashurinë,
kokën ta mbështesja në supin tënd,
dhe të strukesha brenda, atje
në thellësinë e shpirtit tënd,
mos të të lëshoja më kurrë.
LOTI
Me lotët e dhimbjes
bëra një gjerdan,
ta mbaj si kujtim
të varur në thedhësin
e shpirtit tim.
Një nga një lotët
i mblodha me kujdes,
me rreze drite i pershkova,
i struka thellë në gji
që mos t’i shikojë asnjë njeri.
Sa herë rrezja
e diellit rrezaton
mbi gjerdan
pika lotësh pikojnë
permbi gjoksin tim.
PRITJE NË PAFUNDËSI
Ngjita shkallët e Olimpit
të vija tek ti, të takoja,
të adhuroja e të dashuroja
si u dashurua Psikika me Erosin.
Më thanë se vendi ku erdha
s’kishte mbetur më asnjeri,
të gjithë ishin larguar, vetem ti
më prisje aty ku të dashuruarit
ulen dhe presin në pafundësi.