TË LIRË PA QENË TË LIRË, poeme nga Xhane Sherif Imeraj

1.
Të lirë,
frerëtërhequr…
Vorbullës së erës
së çmendur,
shekuj rreth vetes
sjellur.
Të lirë,
frerëtërhequr…

2.
Të lirë,
udhëve
shtegmbyllur.
I njëjti vrap,
i njëjti hap
pa gjurmë.
Të lirë
udhëve
shtegmbyllur…

3.
Të lirë,
zëmbytur
heshtjes së zhurmshme
ku flasin e nuk të qasin,
numërzbritur
pa ikur.
Të lirë,
zëmbytur
heshtjes së zhurmshme…

4.
Të lirë,
dallgë më dallgë
brigjeve përplasur.
Fat varkëmbytur
vorbullave të lotit.
Të lirë,
dallgë më dallgë
brigjeve përplasur…

5.
Të lirë,
kohës
akrepndalur.
Dita i mbeti ditës
borxh një shekull.
Të lirë,
kohës
akrepndalur…

6.
Të lirë,
nën lak ylberi.
Shtatë pa shtatë
ngjyra mbetur.
Të lirë
nën lak ylberi…

7.
Të lirë,
pa e ditur
ç’është liria.
Asfiksuar nga tymrat
e kohëve
të vjetra e të reja.
Të lirë,
pa e ditë
ç’është liria…

8.
Të lirë,
nën gur
kokën zgjasim
për të parë yjet.
Qielli shumë lart,
veç lutja e arrinte.
Të lirë,
nën gur kokën zgjasim
për të parë yjet…

 

 

9.
Të lirë,
as në ëndërr
dritëshuar nëpër mjegull.
Nën qiellin me re
realitet,
lumë shtrat’humbur.
Të lirë,
as në ëndërr
dritëshuar mjegullinës…

10.
Të lirë,
pa qenë të lirë
humbur në shkretëtirë.
Fat varkëpërmbytur
brigjeve dallgëdalldisur.
Të lirë,
pa qenë të lirë
nëpër shkretëtirë…

  • Shkëputur nga libri im i dytë, “KOHA E PAKËT E DRITËS”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here