U festua edhe në Romë, ditëlindja e Kosovës sonë të lirë. Mbrëmë, në një mjedis tërësisht dinjitoz, elegant, të ngrohtë e mbushur plot me njerëz, Kosova kremtoi 18-vjetorin e Pavarësisë së saj. Ambasada e Republikës së Kosovës kishte menduar më së miri të zgjidhte një nga vendet më sqimatare dhe më elegante të kryeqytetit italian, Grand Hotel Parco dei Principi, ku u mblodhën përfaqësues, zyrtarë e diplomatë të institucioneve më të rëndësishme nga e gjithë bota, si dhe anëtarë të komunitetit kosovar e miq të shumtë të vendit.
Mes autoriteteve në sallë ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Tilman J. Fertitta dhe Presidenti i Gjykatës Kushtetuese italiane Giovanni Amoroso, Ambasadori i BE-së pranë Selisë së Shenjtë dhe FAO-s, Sh.T. Martin Selmayr; Kreu i Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Itali, Sh.T. Claudio Casini; Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Sh.S. Majlinda Frangaj dhe shumë personalitete të tjera nga Trupi Diplomatik, të cilët përfaqësonin disa nga shtetet mike dhe partnere të Kosovës, si Malta, San Marino, Japoni, Republika Domenikane, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi etj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Ambasadorin e Finlandës, Sh.T. Matti Lassila, Ambasadorin e Estonisë, Sh.T. Lauri Bambus, Ambasadorin e Austrisë, Sh.T. Michael Rendi, Ambasadoren e Turqisë, Sh.S. Elif Ülgen Comoglu, Ambasadoren e Kolumbisë, Sh.S. Liria Margarita Quessep Bitar, Ambasadorin e Sulltanatit të Omanit, Sh.T. Nazar Al Julanda Majid Alsaid, Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T. Abdulla Ali AlSubousi, Ambasadorin e Malajzisë, Sh.T. Zahid Rastam, si dhe figura të njohura të administratës italiane dhe botës politike, shumë personalitete të tjera nga institucione të rëndësishme italiane si: Policia e Shtetit, Guardia di Finanza, Poste Italiane, Prokuroria Ushtarake (Procura Militare) dhe Gjykata e Kasacionit (Corte di Cassazione).
Ambasadorja e Kosovës në Romë, Nita Shala, në fjalën e saj, u ndal në vuajtjet, sakrificat, gjakun, mundin që i është dashur të derdhë popullit kosovar për të fituar pavarësinë dhe lirinë e shumëpritur prej shekujsh. Ajo shprehu optimizmin dhe shpresat për një të ardhme të begatë, të një populli që meriton çdo gjë, pasi po vazhdon të punojë dita- ditës me përkushtim, për ndërtimin dhe zhvillimin e një vendi të drejtë e të barabartë për qytetarët e vet.
Zonja Shala u ndal edhe në përshkrimin e gjendjes aktuale në Kosovë si dhe në kërkesat e një shteti të ri, të një Kosove të re, që, me praninë e figurave dhe personaliteteve të larta më mbrëmjen e djeshme, konfirmon edhe një herë statusin e një shteti të barabartë me të tjerët, i gatshëm për të marrë vendin që i takon në një Europë të Bashkuar. Për këtë, ajo u bëri thirrje dy aleatëve të mëdhenj të Kosovës, Italisë dhe ShBA-së, që të vazhdojnë e të kujdesen si gjithmonë për fatin e një populli të vogël, por vital.
Artistë kosovarë, të ftuar për të performuar muzikë dhe këngë tradicionale kosovare e shqiptare, si dhe bufeja e pasur me gatime tipike dhe verëra tradicionale, i dhanë mjedisit të djeshëm, ngrohtësinë e shtëpisë, si dhe u dhanë mundësinë të ftuarve të shijojnë dhe të njihen me shije autentike të Kosovës.
Më poshtë po japim fjalimin e plotë të Ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, Nita Shala:
Të nderuar të ftuar,
I nderuar President i Gjykatës Kushtetuese, Prof. Giovanni Amoroso,
Përfaqësues të nderuar të institucioneve italiane,
Shkëlqesi, miq të Kosovës, bashkatdhetarë të dashur,
Mirëmbrëma dhe mirë se vini…
Sonte jeni ftuar në festën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe jemi të lumtur të festojmë së
bashku lindjen e njërit prej shteteve më të reja në botë. Ka kaluar pak kohë nga ai 17 shkurt i bekuar
i vitit 2008 dhe neve, ky vend i ri, që pa dyshim po rritet dhe nuk i ngjan askujt tjetër, na pëlqen
shumë. Siç duket, është rasti të themi: “secili me fatin e vet”.
Unë dhe grupi im i punës, jemi krenarë që përfaqësojmë këtë vend të vogël, i cili ndodhet në
zemër të Gadishullit Ballkanik. Prania juaj këtu na mbush me gëzim dhe na dëshmon se kemi arritur
t’i përballojmë sakrificat dhe sfidat e papërshkrueshme të së kaluarës, falë mbështetjes dhe ndihmës
së 121 vendeve mike që e njohin Kosovën si shtet sovran dhe të cilave do t’u jemi përjetësisht
mirënjohës. Natyrisht, falënderimet më të përzemërta i shkojnë vendit që po na mirëpret, Italisë,
ndihma e së cilës ka qenë vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Italia, së bashku me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten aleatët tanë më të afërt dhe
shpresojmë të jetë sot e mot kështu.
Për ne, Kosova nuk është vetëm “një grusht dheu dhe dy gurë”, por shumë më tepër: është e
gjithë jeta jonë dhe e fëmijëve tanë, që sot kanë fatin të lindin dhe të rriten në liri. Është jeta e
mohuar e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, vlera e të cilëve është e paçmueshme, sepse u
sakrifikuan deri në atë kufi të skajshëm, ku, fjalët, të mposhtura nga dhimbja, nuk arrijnë dot ta
përshkruajnë.
Kosova për ne është dinjiteti i munguar i një populli të tërë deri para pak kohësh. Është gjuha e të
parëve tanë, e ndaluar dhe e censuruar për shekuj me radhë. Është toka e një populli të guximshëm
që nuk ka reshtur së luftuari dhe vazhdon të luftojë për mirëqenien e merituar. Për atë të drejtë që në
kohët moderne e marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë — lirinë — duke e menduar si një të
mirë të përbashkët.
Por nuk është aspak kështu. Historia na kujton se, në disa raste, liria është një synim që duhet
fituar me çdo kusht dhe kur bëhet e vështirë ose pothuajse e pamundur, bëhet më e çmuar se vetë
jeta.
Tani po festojmë përvjetorin tonë të tetëmbëdhjetë, me një Kosovë që garanton barazi të të
drejtave për të gjithë qytetarët e saj dhe që synon të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit
Evropian. Pikërisht këto ditë kemi zgjedhur qeverinë e re të Kryeministrit Albin Kurti dhe kjo na
garanton një tjetër hap drejt stabilitetit dhe normalitetit të vendit. Punohet vazhdimisht për forcimin
e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Me vendosmëri dhe largpamësi po luftojmë korrupsionin,
po promovojmë lirinë e shtypit dhe të mediave dhe kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se zhvillimi
ekonomik i vendit po rritet çdo vit e më shumë.
Që nga mesi i vitit 2024, kur modestisht jam ngarkuar të përfaqësoj Republikën e Kosovës në
Itali, mund të them me bindje se jam angazhuar për përmirësimin e marrëdhënieve me këtë vend.
Italinë e konsiderojmë një nga aleatët tanë më të rëndësishëm. Këtu jetojnë aktualisht rreth 40.000
kosovarë që janë krenaria jonë, sepse me përkushtimin e tyre japin një kontribut të çmuar për
shoqërinë në Itali.
Këtu jetojnë edhe Arbëreshët, historia dhe gjaku ynë i përbashkët, me të cilët do të organizojmë
Festivalin e Filmit Kosovar në Arbëri, shpresojmë në pranverë… dua të them, shpresojmë në mot të
mirë, por nëse kemi arritur të formojmë qeverinë, me siguri do të arrijmë të ndalim edhe shiun.
Me shumë gëzim, po ju njoftoj se, edhe këtë vit, do të përfaqësohemi në Bienalen e Venecias me
pavijonin tonë, ku arti, tradita dhe talenti bashkohen, duke shpresuar të përfaqësojmë dhe të
afirmojmë artistët tanë bashkëkohorë në arenën ndërkombëtare.
Mund të theksoj gjithashtu marrëveshjen në fushën e administratës publike, marrëveshjen në
fushën e drejtësisë, marrëveshjen në bujqësi, në kulturë dhe Paktin e Miqësisë mes dy kryeqyteteve,
Prishtinës dhe Romës, për të cilat vazhdojmë të punojmë dhe që do të jenë përparësi e Ambasadës
sonë.
Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen e patentave mes dy vendeve tona dhe asaj për
heqjen e tatimit të dyfishtë, mund të themi më në fund se nevoja për bashkëpunim ekonomik është
gjithnjë në rritje.
Prandaj jemi gati të presim me shumë besim ardhjen e sipërmarrësve italianë në Prishtinë dhe
gjithashtu rikthimin tonë në Rajonin e Friuli Venezia Giulia, ngjarje për të cilat jam angazhuar
personalisht.
Në fund, ju ftoj të vizitoni Kosovën, që shkëlqen me medalje ari në xhudo, dhe të shihni bukurinë
natyrore që ofron vendi ynë i vogël, por me një ndjenjë të madhe mikpritjeje.
Duke filluar nga shtatori, falë bashkëpunimit me Aeroportin e Romës, do të jetë edhe më e lehtë,
sepse do të nisin fluturimet direkte nga Roma në Prishtinë dhe anasjelltas.
Ju ftoj tani të ngremë të gjithë së bashku një dolli për Republikën e Kosovës.
Rroftë Kosova — dhe rroftë miqësia mes Kosovës dhe Italisë.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali
Sh.S. Znj. Nita Shala
Romë, 17 shkurt 2026


















