PËRROI
Shtratin ua ndante një përrua
Trupat nën instikt bashkuar,
lagur janë prej stërkalash.
Rrëqethur, bashkuar, ndarë
si dy peshq të mbetur mbi zall.
Kur ajo deneste zemërthyer
përroi, vinte vrullshëm, rrëmbyer.
Kur qeshnin të dy nga puthjet bashkuar
përroi thahej nga ujët harruar.
E kur fjala në buzë iu bëhej vetëtimë
përroi, fryhej gjëmonte, derdhej
lumit të rrëmbyer, i kërkonte ndihmë.
Përroi i tyre ishte i pastinë
një përrua që veç ata derdhjen ia dinë.
TË KAM FALUR HËNË
E zbrazur, ndihem e zbrazur
si një shishe tapëhequr lënë në breg.
Edhe mendimin e fundit ma mori zbatica
t’ua rrëfejë sirenave,
kur mbi shkëmb të ulen për të kënduar magjishëm.
E në mesditë, uji do ta mbushë prapë
shishen e zbrazur të mendjes sime
me ujë të ngrohtë e të turbullt
që bregun përmbyt.
Të kam falur hënë për sa herë
ke tërhequr dhe lëshuar ujin
ke tharë e mbytur bregun.
Të kam falur, se aq herë
kam pushuar së jetuari
dhe përsëri, kam rilindur unë.
AMANTES AMENTES
Të dashuruarit janë të marrë,
A s’i ke parë kur qeshin pa shkak,
ndërsa njëri-tjetrin vështrojnë thellë në sy?
Pastaj përhumben,
harrojnë për të tjerët aty.
Të dashuruarit janë të marrë,
Flasin për shpirtëra që askush s’i ka parë.
Kur yjet bien, shtrojnë gosti.
Kalamenden ndër ëndrra,
heshtin me pasion,
grinden me dashuri.
Të dashuruarit janë të marrë,
Të marrë, të verbër si vetë dashuria.
NJË JETË ME TIK- TAK
Kohë, nëse nuk do të ishe ti,
do të kisha ende ngërç në fyt
lotët për humbjet e mia.
Ishin minutat, orët, vitet e kaluara,
që zbehën kujtimet e trishta
e i dhanë ngjyra botës gri.
Nëse nuk do të ishe ti,
do të përhumbesha në gëzime
duke i numëruar me gishta.
E shkuara, e tashmja, e ardhmja
flenë në prehrin tënd të tria
si bija që kurrë nuk takohen.
Tik- tak, tik- tak
Ritmi i pakthyeshëm i vazhdimësisë
shoqëruesi besnik i jetëve tona.
E KA THËNË EDHE SCHOPENHAUER -i…
Për njëri- tjetrin kanë lindur ata
ndaj takohen lehtësisht.
Përqafohen veç me shikime
me një buzëqeshje, lënë takime.
Dielli sikur iu lëshon rreze më shumë
kur të njëjtës udhë shkojnë.
Secili ka copë- qiellin e tij
po prapë, në të njëjtin takojnë.
Edhe shiu nuk ua prish dot takimin
as bora dhe toka e ngrirë,
era që fryn si e tërbuar
nuk e zbeh dot të tyren dëshirë.
Edhe sikur njëri prej të dyve larg të ikë
patjetër do të kthehet një ditë
e këmbët pa menduar do ta çojnë
atje ku takimet për fat, nuk mungojnë.
Do të buzëqeshin befas të dy
dhe njëri- tjetrit do t’i drejtohen me gisht:
– Ata që për njëri tjetrin kanë lindur,
takohen më lehtësisht.
FAJIN, NUK MA KA FUSTANI
Sa herë e kam hedhur tutje fustanin
sikur fajin për gjithçka të ma kishte ai.
I kam mbledhur bashkë copëzat e mia
për një tjetër ëndërr, për një fillim të ri.
Trishtimin kam fshehur pas një buzëqeshjeje të mpakur,
që vjen si një rreze e mekur mbi tokë.
Kam qeshur, kam qarë, kam qeshur përsëri
për të qenë pjesë e të madhes botë.
Jam rrotulluar bashkë me të në një bosht
në ditët që kanë kaluar pa u ndalur.
Fustanin e hedhur e kam veshur përsëri,
fajin, ma ka bota…
AJO, nuk ka vend për ëndrrën time,
fajin fustan, nuk ma ke ti.
PËRSE MENDOHET NJË LULEDIELLI?
Nëse do të zgjidhja të isha lule
do të doja të isha një luledielli.
Të ndritshmit t’i gëzohesha
në çdo rreze lëshuar nga qielli.
Flokët- petale të verdha
do ia dorëzoja dritës së tij,
veç kokën, nuk do e mbaja ulur
por do e shihja drejt e në sy.
Askush nuk të ka pyetur lulediell
pse kokën ulur e mban ti,
a thua të jesh grindur me diellin
dhe si çapkëne i mban mëri?
Lule e diellit tim dua të jem
nën ngrohtësinë e tij të hedh shtat,
me trupin lastar të gjelbër t’i rri pranë
ta përqafoj pa i mbajtur mëri aspak.
Përse një lulediell mendohet,
asnjëherë nuk do ta kuptojë njeri.
Frytet do t’ia pjekë dielli
e plotë dhe e begatë do t’i gëzohet atij.