Nuk di ç’më ndodh kësaj kohe të koronvirusit. Kur dielli perëndon dhe nata vesh gjithçka në të zezë, më shfaqet në përfytyrim njeriu në formën e breshkës me shtëpinë e tij mbi kurriz.
Karantinë më absolute dhe të sofistikuar në kohën e koronvirusit, zor se gjendet.
Bota e breshkuar fle e qetë dhe duket sikur tallet me virusin vrasës që si merimangë pret gjahun në rrjetën e saj.
Përfytyrimi për njeriun-breshkë mbaron bashkë me natën, duke ia lënë radhën përfytyrimit për njeriun-kërmill i strukur brenda shtëpisë së tij prej guacke.
Frika e rrezikut të jashtëm mposhtet nga pamundësia për të jetuar vetëm brenda shtëpisë-guackë.
Fillon lëvizjen kërmillore dhe ndjen bukurinë e jetës në natyrë. Aq i dehur është nga kjo bukuri, sa i vjen të arratiset nga guacka dhe të vrapojë si dikur kur ishte njeri.
Kujton këshillën dhe urdhërin e dhënë nga i pari i botës së kërmijve.
“Për sa kohë jeta jonë rrezikohet nga budallëqet tona, harrojeni jetën e mëparshme kur dilnit nga shtëpia-guackë, duke bërë atë që s’duhej bërë dhe çbërë atë që duhej bërë.
Këtej e tutje, deri sa të zhduket rreziku i budallallëkut, do bëni jetë kërmilli duke dalë nga guacka jo më larg se gjatësia e trupit dhe vetëm për gjërat e domosdoshme për mbijetesë”.
Pastaj afrohet përsëri nata dhe njeriu-kërmill fillon të tjetërsohet në njeriu-breshkë.
*
Tund kokën, siç shkund rrobat, për ta larguar përfytyrimin e tmerrshëm. Por, kur hap sytë dhe shkoj tek pasqyra, shtangem dhe tmerrohem para shfaqjes së vetes në formën e kërmillit.
Ulërij e flas kuturum. Djersij e mezi mbushem me frymë. Kështu sikur i ka shenjat koronvirusi?
“Zgjidh e merr”, dëgjoj një zë.
“Ose natën breshkë e ditën kërmill por shëndoshë e mirë, ose veten njeri por me tmerrin e vdekjes mbi kokë”
Muzika e radios që përdor si zile për zgjim, më sjell në vete.
Paskam përfunduar i shtrirë barkas me këmbët nga jastëku. Me jorganin sipër dhe kokën zbuluar të varur jashtë krevatit, ngjakam vërtet me breshkën e natës dhe kërmillin e ditës.