Tre vepra arti: “The Albanian Key” – “Çelësi shqiptar” – i artistit Alfred Mirashi-Milot; “Wolves Coming” – “Ujqërit po vijnë” – i autorit të famshëm kinez Liu Ruowang; si dhe “Zabel” e skulptorit Sadik Spahija, janë shpallur fituese nga juria ndërkombëtare e konkursit “Art në hapësira publike” organizuar nga Ministria e Kulturës.
Këto vepra do të implementohen në Malësinë e Madhe, dy prej tyre në rreth-rrotullimet në hyrje dhe dalje të Koplikut, ndërsa vepra e Milot do të vendoset në Hot, aty ku degëzohet rruga e Këlmendit me aksin rrugor ndërkombëtar.
Është një përkim sa i bukur, aq edhe domethënës ky pozicion gjeografik për artistin me banim në Itali. Autori i veprës, Afred Mirashi, i njohur me emrin e artit Milot, emrin e qytetit ku lindi, është një artist shqiptaro-italian. Origjina e tij është nga Malësia e Madhe, madje pikërisht Këlmendi.
Eksodi biblik i vitit 1991 për Alfred Mirashin do të ishte rruga drejt lirisë, rruga drejt realizimit të ëndrrave rinore. Shqipëria e izoluar komuniste ia kishte mbyllur rrugët dhe shtigjet për t’i dhënë jetë talentit, pasi familja e tij asokohe konsideroheshin kulak.
Ky i ri shqiptar, ashtu si mijëra të tjerë, nëpërmjet eksodit biblik po prekte lirinë. Izolimi, telat me gjemba, ndasitë dhe etiketimet diskriminuese do të mbeteshin pas si një kujtim i hidhur i marrëzisë së pashoqe të një regjimi gjakatar.
Ndoshta, pikërisht në hapësirat pa fund të detit Adriatik, në udhëtimin drejt shpresës i lindi për herë të parë ideja e çelësit të përkulur.
Liria e lëvizjes, liria e fjalës dhe çdo e drejtë njerëzore ishin të mbyllura me çelës.
Ndarjet, barrierat, kufijtë dhe portat e mbyllura janë robëruese për njeriun. Përkundrazi, liria jep rezultate, siç do të shprehej James Baker, ish Sekretar i Shtetit në SHBA, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në pranverën e demokracisë në Shqipëri, në vitin 1991.
Atë që s’ia mundësoi atdheu i tij, artistit shqiptar Milot ia fali Italia. Ëndrra e tij do të realizohej në Milano, ku studioi në Akademinë e Arteve të Bukura Brera. Më pas formimi i tij artistik do të vijonte në Angli, ku qëndroi për afro një vit.
Tashmë Milot, siç njihet me emrin e artit eponim i vendlindjes së tij, është një emër i mirënjohur i botës së artit, jo vetëm në Firenze ku jeton, por në Itali e më gjerë. Ai identifikohet me çelësin e përkulur.
Rastësia që vepra e tij “The Albanian Key”, që nga anglishtja pë rkthehet “Çelësi shqiptar”, do të vendoset në Hot, pikërisht aty ku kufijtë ndanë njerëzit e një gjaku, aty ku ishte klani izolues, aty ku u vranë shumë nga ata që tentuan lirinë, ka një domethënie të madhe.
Metafora e çelësit të thyer, çelësit të përkulur, pra e çelësit që nuk funksionon, është edhe një mesazh filozofik i hapjes, i bashkimit, bashkëpunimit dhe pranimit të tjetrit.
“Çelësi shqiptar” i artistit Milot ka diçka ndryshe nga veprat tjera të tij të vendosura në Itali, vepra që kanë fituar edhe çmime prestigjoze.
Madje, projekti fitues në konkursin ndërkombëtar të Tiranës është ndryshe në dizajn dhe konceptim. “Çelësi shqiptar” që do të vendoset në Hot ka dy koka, ashtu si shqiponja e alpeve tona me të cilën identifikohet vendi ynë.
Autori shprehet për median duke pohuar se beson që asnjë zotërues i qiellit dhe lartësisë nuk e rrok lirinë në përmasat e saj më hyjnore se sa shqiponja, asnjë forcë shprehëse nuk mund të ngjitet aq lart ku ky shpend mitik ndan qiellin dhe lirinë me malet dhe njerëzit. Rrjedhimisht, kjo vepër ka këtë shprehi, këtë shpjegim, këtë zbërthim, edhe pse arti në vetvete është ajo çfarë me arsye dhe perceptim artistik, ku secili mund t’i japë shpjegimin e vet, ne mënyrën se si e shikon dhe lexon atë.
Mirëpo, edhe një tjetër rastësi është mjaft interesante. Alfred Mirashi-Milot është profesor në universitetin “Art & Design” në Jinan të provincës Shandong në Kinë.
Në Malësinë e Madhe, vepra e tij do të jetë relativisht pranë asaj të një artisti nga kontinenti i largët, të autorit kinez Liu Ruowang.
Artisti shqiptar nuk udhëton drejt Kinës si turist, por si një misionar i përafrimit të popujve, vendeve dhe kulturave. E kush tjetër më mirë se arti mund ta realizojë këtë mision?
“Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi shumë të gjallë që bazohet në miqësinë e popujve, në lidhjen mes njerëzve, e kësisoj shkëmbimet kulturore mund t’i promovojnë më tej këto marrëdhënie.” – u shpreh gjatë një interviste ambasadori i RPK në Shqipëri, Z. Zhou Ding.
Edhe në një publikim të Ambasadës Italiane në Tiranë në media sociale, vepra fituese e artistit italo-shqiptar Alfred Mirashi-Milot konsiderohet si: “Një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë midis Italisë dhe Shqipërisë.”
E përditshmja italiane “Il Mattino”, në një artikull në faqen e saj të parë botuar më 26 Tetor, prezanton një tjetër vepër të artistit shqiptar Milot, “Key of Today” – “Çelësi i të sotmes” – vepra me lartësi 12 metra që do të vendoset në një nga sheshet më të mëdha të qytetit. Ajo do të përurohet më 23 Mars të vitit të ardhshëm.
Duke e konsideruar këtë artist me nivel global, shkrimi rrëfen se si ai mbërriti në Itali me një varkë të vogël në eksodin e vitit 1991. Për më tepër, togfjalëshi “Fati është i paparashikueshëm” që përdor gazetari italian Gennaro Di Biase në artikullin për artistin shqiptar, është kuptimplotë.
Projekti i Napolit “Key of Today” është një projekt që do të realizohet nga kompania amerikane “Jean Wolf” në bashkëpunim me “Associazione Mille Volti” ku drejtor artistik është Michele Stanzione. Vepra monumentale është e përmasave 12 metra lartësi dhe 22 metra gjatësi. Përbërja do të realizohet prej materialit çelik inoks i satinuar në Shqipëri.
Suksesi në asnjë çast nuk e ka tjetërsuar artistin shqiptar. Pavarësisht formimit në Europë dhe pasaportës italiane, ai në asnjë çast nuk e mohon origjinën e tij nga Këlmendi. Me humor dhe krenari ai thotë: “Jam djali i xhubletës”. Kjo veshje e lashtë e grave të trevës sonë, do të bëjë krenar jo vetëm malësorët, por mbarë shqiptarët, pasi pritet që shumë shpejt xhubleta shqiptare të shpallet nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Milot, edhe talentin e tij e lidh me origjinën, Malësinë e Madhe, duke sjellë në vëmendje emra të shquar të kulturës dhe artit të njohur në mbarë botën si Luke Kaçaj, Angjelin Prelocaj, Gjekë Marinaj, etj.
“Natyra dhe njerëzit e kësaj treve janë te veçantë” – u shpreh Milot në pritjen qe i rezervoi Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj.
“Historia e lavdishme, kultura, traditat dhe zakonet si bujaria e mikpritja kanë ndikuar në edukimin tim dhe në formimin si artist. Për mua është një përgjegjësi e madhe të përfaqësohem me artin tim në vendin tim, në trevën që i përkas dhe të pritem siç kanë patur mirësinë dhe përzemërsinë, edhe të tjerë, kryesisht italianë, të cilët edhe pse isha shqiptar, ata e vlerësuan dhe përqafuan artin tim si një art të madh. Edhe ne si malësorë, siç jemi tashmë pjesë e botës së madhe, e aspiratave pa kufij, duhet të pranojmë me arsye arti atë që skulptura ime vjen të ofrojë. Kam bindjen se malësorët do të dinë të shohin dhe të kuptojnë thelbin e artit tim, artit që do të jetë jo vetëm i imi, madje as vetëm i atyre, por i historisë së artit të botës. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem me gjak dhe shpirt malësor dhe besoj se vepra ime në Hot është në vendin e duhur dhe për njerëzit që e meritojnë.”