18
Andërr s’ishte
muzgun bashk kaluam,
dielli luante me retë
e buzët e liqenit i puthte ngadalë,
i puthte me rrezet e tij.
Ngrohtë ishte, ashtu siç doje ti
se unë shiun doja
me ma mbush zemrën me dashni plot.
Puhi mëngjesi m’përkëdheli flokët sot,
ishte prekja që ti ma dërgove
përmes erës,
e dielli m’ngrohu ma pak se dje,
se edhe qiejtë fillun me qajtë
ditën kur ti shkove.
S’mund ta shihja ftyrën tande
shikimin tand plot dritë,
do t’më mungojë buzqeshja jote
deri ditën që do t’vish.
Trëndafil, në zemër t’mbaj
hanës çdo natë do t’i shkruaj poezi,
kur malli për syt’ tu t’më marrë
drita e hanës do t’m’sjellë tek ti.
TRËNDAFILI I VETËM N’KOPSHTIN TIM
A e ke pa perëndimin sot
m’thuaj a ke mendu për mu,
a m’kujtove n’dritën e diellit
a kur t’del hana ke me m’kujtu?
Pas nxehtsisë së ditës sot
natën a do ta presësh me mu,
kur hana t’ndrisë sonte vonë
s’kam me e lanë me perëndu.
Puthjen tande tash e pres,
trëndafil t’më sjellësh, kujtim
andrra jeme banu sonte
trëndafili i vetëm n’kopshtin tim.
SHUMË ZHURMË
Si do t’ndjehesh kur unë do t’ik
ma thuaj si do të jetosh,
kur pa mu n’mëngjes të zgjohesh
ma thuaj a do t’më kërkosh?
Kur n’vetmi të mbetesh
ma thuaj si do t’ndjehesh,
n’qiell kur hana të mos shndrritë
hanës a do ti besosh?
S’ka qetsi
kjo vujtje frymën po ma merr,
pse nuk di ta vlersosh dashninë
pse çdo herë turma t’rrëmben?
Zhurmë, shumë zhurmë
n’kokën teme luftojnë demonë,
kur unë t’ik, ma nuk do të kthehem
do t’zhukem përgjithnji, besomë!
MBETESH VEGIM, VETËTIMË
S’të shoh dot,
mjegull ka mbulu fytyrën tande
veç aromën ty ta ndjej,
përqafimi yt, vegim
kohën pas dua ta kthej,
edhe nji herë fort me t’shtrëngu.
Shiu pikon mbi petale
e trupi im dridhet
prekjen tande e kërkon,
tash që afër meje s’je
më thuaj kë e përqafon,
prekja jeme a t’mungon?
Veç reflektimin e diellit
mbi shtratin e lumit shoh,
si kur prekeshin buzët e mia
me buzët tua, kujtim,
hala i ndjej puthjet e tua
vjen e shkon ti si mjegull,
mbetesh vegim, vetëtimë.
T’PASHË TY
T’pashë në andërr mbramë,
pashë shumë andrra,
andrra t’gjata,
por t’pashë ty!
T’pashë si erdhe
nga pas m’përqafove,
m’puthe, m’qeshe mu,
qeshje bashkë me mu.
T’pashë sikur nuk t’interesonte bota
e vetmja gja që t’interesonte
isha unë,
vetëm unë!
Dhe qëndrove!
M’premtove se
do t’shtrihesh me mu gjithmonë
e kurrë s’do t’më lësh me ikë.
Mbaje premtimin i dashun
se kam me t’mbajtë ngat vetes
s’kam me t’lanë me ik kurrë…
PËRSËRI KUJTIM
Rrugë mbushun me borë,
Bardh si shpirti yt
Ndritun atje lart,
Diell fshehun nën re.
Rrugë mbushun me borë,
E duart e mia t’ftohta akull
Me t’prek ty kërkojnë.
E ftohtë do t’jetë dhe nata sot,
Si mëngjesi i nesërm, acar
Bardh, bosh, e zbrazët pa ty jam.
Eja, si nji fluskë
Mbi synin tim qëndro,
Si pikë loti të ndjej
N’faqen teme duke u shkri.
SHUHEM
Të ftohta rrugët
Acari më përpiu sot,
Shtyhesha, shfryhesha
Sytë i kisha t’mbushun me lotë.
M’kapluan mendimet
M’kaploi malli për ty,
Tash që afër nuk të kam
Emrin tand unë si ta fshij?
Melankoli e mall
Kjo vetmi po m’ha të gjallë,
Si asht thy kjo zemra jeme
Mbaroi historia jonë përrallë.
As hana dritë ma s’po ban
Fikem dhe un’ si nji qiri,
Më duket se as frymë nuk marr
Shuhem kur bashkë s’jemi të dy.
NDRYSHON TI
Ndryshon ti si dita
Natën sjell pranë meje,
Perëndon diell verbues
Hana shndrrit afër teje
Freski e saj m’tundon.
Ndryshon ti si stinë
Sjell vjeshtën bashk’ me shiun,
Humb rrugën në t’njejtin drejtim
N’vend t’lindjes ndjek veriun,
Dimni troket, ty t’kërkon.
Ndryshon ti bashkë me erën,
Fluturon n’ajër si gjethe
Kërkon me e gjetë pranverën,
N’humnerë zhduk buzqeshjen
Shuhesh si qiri ngadalë.
Ndryshon n’fund gjithë qenien
Heq maskën, shfaq ftyrën tande,
I vetëm përfundon n’harresë
Shpërndan urrejtje me andje,
Karakteri yt përfundon n’amshim.
FOTOGRAFI
E qeshuna jote, n’fotografi
Veç aty t’shoh ty
Të shoh bardh e zi,
Virtualisht mundohem me t’ndje
Si afër me t’pasë ty,
Veç aty t’shoh ty
Të shoh n’fotografi.
Gënjen pamja jote
Buzqeshja jote e rrejshme
Fjalt e tua rrjedhin
Si lum i hanës së djeshme,
Se dje të pash ty
Të pash n’fotografi,
Në shpirt po më vret malli
Që un kam për ty.
Zani yt më mungon
Çdo ditë vargjeve t’mia
Përmallim iu shton,
Ndoshta as nesër s’kam me t’pa
Se nesër ndoshta shkon,
Nji ditë n’fotografi do t’më shohësh
Kujtim i imi do t’mbetesh gjithmonë.
KORNIZAT
Si dy piktura të varuna në mur
Shikohemi, ndjehemi, prekemi,
Digjemi njani tjetrin me e puthë
Po kornizat na ndalojnë.
T’shoh edhe në errësirë
Ta ndjej frymëmarrjen
Ta ndjej buzqeshjen
Ta shoh synin tu m’vështru,
E si pikturë, varun në mur
Pres me ardh me m’përqafu.
Pres… të ndjej në errësirë
T’shoh dhe n’dritë, egërsirë
Kornizat na ndajnë trupat,
Shpirtrat tanë fluturojnë të lirë.
Vallëzojnë bashkë me erën
Nën shi lagen, puthen lehtë
Shtrëngoma dorën nën dritën e hanës,
M’duket se pa ty unë kam me mbetë.
LUMTURI E THYER
Lumturisht i pavetdijshëm
Lum i hanës rrjedh,
Trazon mendjet, trazon shpirtrat
N’errësirë unë vetëm bredh
Tu mendu për ty, gjithnji.
Etja ime për dashni
Skllavëron syt’ e mi,
Ankth ngulfat brendsin’ time
S’shuhet kurrë malli për ty.
Pres me shkronja t’më përkdhelësh
Muzika jote më puth lehtë,
M’përkdhel veç hana me dritën e saj
Pa përqafimin tand kam mbetë.
Vetëm prap unë pa ty jam
Në ktë poezi veç un vdes,
Sa shumë mall kam për ty
Pa e perfundu vargun e fundit mbes,
Se pa ty jam, pa ty vdes…
LEM ME T’DASHTË
Lem me t’dashtë si i du yjet
Si e du hanën n’qiellin e errët,
Lem me t’dashtë ktë natë t’ftohtë
Se shpirti im lehtë po tretet.
Shtigje të gjata, labirint
Ngatërrohem në kambët e mia,
Lem me t’dashtë si i du yjet
Sa shpejt po më mbyt vetmia.
Ngadalë shuhem, ty të pres
Çdo ditë, çdo natë, çdo mëngjes
Muzgjet në zemër m’vrasin
Çdo lindje dielli më le pa shpresë.
Ngryset qielli, vranësirë
Po më mbyt malli për ty,
Lem me t’dashtë si i du yjet
E të harrohemi në pafundsi.
TA KËRKOJA ZANIN
Kur gjithçka hesht
Du me ta dëgju zanin,
Para syve të mi
Sytë tu dritën sollën sot,
Dje n’errësirë e humbun
Ta kërkoja zanin,
Pa ty në çdo çast
Bota asht e ftohtë.
Në acarin e natës së sontme
Veç hana ban dritë,
Akuj që nuk shkrihen
Pa zanin tand në sfond,
Kapërdij helmin
Mes gurësh un vërtitem,
Du me ta dëgju zanin
Se pa ty jam bosh.
Dje dridhesha pa ty,
Sot ngulfatem, përsëri
Vallë jehona do t’mbërrijë
Akrepat e orës t’i lëvizë,
E bashkë me erën ngadalë
Neve me na bashku?!
Zanin tand kërkoj çdo ditë
Me m’prek thellë në shpirt du.
YLLI I PARË I MUZGUT TË SOTËM ISHE TI
Hana fshehun nën re
Qiellin kish pushtu ambël
E aroma jote mu m’jepte ngrohtësi,
Buzqeshja jote errësirën ndrinte
Ylli i parë i muzgut të sotëm ishe ti.
Çan qiejtë melodi hyjnore,
Tingujt e zanit tand
Qetsi shpirtnore i sjellin shpirtit tim,
Depërton përtej prekja jote andërr
Kam nevoj’ me e ndje edhe nji ledhatim.
Se nesër do të ikësh larg
Shtegton si hije përmbi lumenj,
Vjeshta ndoshta do t’m’lërë vetëm
Ndoshta dhe dimri do të t’rrëmbejë.
Fryn stuhi sot
S’po e njoh ma veten time
Nji ditë malli për ty do t’shuhet
Do t’më mbulosh në përqafime.
Mendoj për ty sot, nesër,
Hija jote vjen e shkon
Pres prekjen tande çdo moment
Aroma jote më mungon.
AGONIA M’KA KAPLU
Çelësi i ndryshkun nuk ban punë
Dyert e vjetra janë thy,
Drunjtë janë tha
E zemra asht mbyllë.
Tash e vetmume rri n’errësirë
Vetes ninulla tu i këndu,
Kangt e zogjve ma s’dëgjohen
Agonia m’ka kaplu.
Copëzat e dëshpërimit më mbysin
Më marrin frymën pak nga pak,
Çdo çast kur akrepat takohen
Shpirti mu më digjet flakë.
Shpërthen vullkan në brendsinë time
As shiu etjen s’mundet me ma shu,
S’shuhet as malli që kam për ty
Si mundem pa ty me jetu?
Ora edhe pak do t’ndalet
Bashkë me të dhe zemra ime,
Me mu njiherësh do t’qajnë dhe malet
T’pushojë në paqe gjithë qenia ime.