16 shator 2020
Presidenti Donald Trump kryesoi të martën në Shtëpinë e Bardhë ceremoninë e nënshkrimit të “Marrëveshjeve të Abrahamit”, të cilat normalizojnë marrëdhëniet e Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrenin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara bisedoi me ekspertë, të cilët thonë se marrëveshjet përfaqësojnë një zhvendosje nga strategjia që Uashingtoni ka ndjekur prej dekadash ndaj rajonit, kur kërkonte nga Izraeli që në shkëmbim të njohjes të ofronte lëshime për paqen me palestinezët përmes zgjidhjes me dy shtete.
Presidenti Donald Trump tha se po shënon “agimin e një Lindjeje të Mesme të re”, ndërkohë që ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrenit si dhe kryeministri izraelit ishin mbledhur në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar “Marrëveshjet e Abrahamit” duke normalizuar marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve të Gjirit Persik dhe Izraelit.
“Në të gjithë historinë e Izraelit, nuk ka pasur dy marrëveshje të tilla. Ne arritëm dy brenda një muaji dhe do të ketë edhe të tjera,” tha Presidenti Trump.
Shtëpia e Bardhë thotë se marrëveshjet janë pagëzuar me emrin e Abrahamit, figura patriarke e judaizmit, islamit dhe krishtërimit, i cili shihet si simbol i origjinës së përbashkët mes këtyre tre feve.
Zeri I Amerikes