11.FJALËT TUA
Fjalët tua janë ilaç për mua
Se u gjasojnë luleve të rritura në kopshtin e zemrës
Se u gjasojnë burimeve të gjeografisë
Së shpirtit të dashuruar.
Fjalët tua janë ilaç për mua,
Prandaj të dua, zemër, të dua!
Fjalët tua janë anije të ngarkuara
Me barrën e jetës, kur tejkalon pengesat,
Me barrën e dashurisë, kur e tejkalon pendesën
Për gabimet njerëzore në sheshin e dashurisë
Para përmendores së lirisë.
Fjalët tua janë copa yjesh
Të shkëputura nga galaktika e universit të harmonisë
Të futura këndshëm në orbitën e dashurisë.
M’u hoq, o jetë, m’u hoq mërzia
Se me fjalët tua më erdhi liria
Se me fjalët tua lulëzoi dashuria
Në të gjitha lulishtet e qytetit të lumturisë
Të ndërtuar në formën e zemrës sate
Të madhe sa një planet.
12.AS VET S’E DI
Çudi se si më kishe ardhur
Për të ma zbukuruar ëndrrën.
Më the se trëndafili kish çelur
Në buzët e mia,
Në qafën e në gjinjtë e mi.
Se doje të puthje trëndafilin.
Para se të shndërroheshe në bilbil
M’i tregove krahët tu të fantazisë
Ma tregove sqepin tënd violinë
Ma tregove yllin, ku duhet të shikoja.
Por sapo dita kish zbardhur,
E pashë se më kishe ikur,
As vet s’e di se në cilën mënyrë.
13. T’I BESOSH VETËM NJERIUT
Ti besosh vetëm njeriut,
Por jo çdo dykëmbësh është njeri,
Më pat thënë babai
Mua çapkënës së papërmbajtur.
Kanë kaluar shumë vite
E babai nuk është më në këtë botë
Për të më mbrojtur nga rrebeshet
Me urtësinë e tij prej filozofi.
Kërkimi im për ta gjetur njeriun,
Ku mund ta adresoj besimin
Në shtatë mrekullitë e botës
Nuk u ndalë në asnjë kufi
Të dukshëm apo të padukshëm.
Mua çapkënes së papërmbajtur
Më pat thënë babai
Se njeri nuk është çdo dykëmbësh,
Prandaj t’i besosh vetëm njeriut!
14.DASHURIA
Dashuria është drita që ndizet brenda shpirtit,
Kur errësira e shpallë veten mbret.
Dashuria është gejzeri i ngrohtë në dimrin polar,
Kur i ngrohë gishtat e mërdhirë të përkëledhjes.
Dashuria është fresku i ëndrrave njerëzore
Kur vapa e urrejtjes i ka molisur.
Dashuria gjithmonë e ka vetëm një fytyrë
Kur maskat vendosen në muzeun e urrejtjes.
Dashuria je ti jeta jeta ime, që duhet jetuar,
Shpirti i shpirtit tim është dashuria,
Kur e përtërinë jetën me filiza të reja,
Kur i dërgon buzëqeshje së ardhmes.
Dashuria i thotë botës të dua
Bota qeshet para se të dalë në fotografi
Për pasaportën e shtetit të lumturisë.
15-U KTHEVA SËRISH NË PETRALBË
Lumi me nëntë plagë në shtat qenka shtrirë si kreshnik
Në mes të bjeshkëve të gjelbëruara nga poshtë
Në mes të bjeshkëve të thinjura nga lartë
E po rrjedhka i rraskapitur nën Urën e vashës.
U ktheva sërish në Petralbë.
Kalaja e Skënderbeut qëndron hijerëndë
E flet me heshtjen e saj të thellë
Për të gjithë ata që kanë mësuar
Ta lexojnë testamentin e dhimbjes.
U ktheva sërish në Petralbë.
Po kërkoj gjurmët e fëmijërisë
Të vajzës sy-jeshile
Po kërkoj shoqet, po kërkoj shokët
Për t’iu treguar se loja kukafshehtas
Ka përfunduar
E duhet të mblidhemi në qendër të Petralbës
Por asnjëri nuk më përgjigjet
Ndërsa heshtja tallet me mua.
U ktheva sërish në Petralbë
E kërkoj xhaxhain në shtëpi e s’e gjej
Më thonë se banon nën Blirin e Madh
E kërkoj babain në shtëpinë e shndërruar në gërmadhë
Gurët e themeleve heshtin e tinzisht i fshijnë lotët
Një bilbil këndon këngën për shtëpinë e braktisusr.
U ktheva sërish në Petralbë.
Nga dëshprimi më largon një zë i dashur
Është zëri i mësueses sime të parë
Është përqafimi i saj i ngrohtë
Janë puthjet e saj
Nuk kanë thënë kot:
Mësuesja është nëna e dytë.
16.KUPA E KALTËR QIELLORE, KËSULË PËR DASHURINË
Ti je bërë shpirti im e pa shpirt nuk jetohet
Ti je oksigjeni që ushqen çdo çelizë të trupit tim
E zemrës m’ia shpejton ritmin.
Dua të jeshë pranë meje
Dua ta ndiej frymëmarrjen tënde të thellë
Dua t’i dëgjoj rrahjet e zemrës sate
Të shndërruara në tiktake të orës sime
Kur e mat me saktësi kohën e dashurisë.
Kjo orë më zgjoi herët në mëngjes
Për t’i dëgjuar cicërimat e zogjve në dritare
Për ta shijuar rrezen e parë të diellit
Të ardhur musafir në dhomën time.
Sot do ta veshi dashurinë tonë Me rrobat e diellta
E në kokë do t’ia vë për kësulë
Kupën e kaltër qiellore.
17.LINDA FEMËR NË BOTËN SHQIPTARE
Linda femër në botën shqiptare
Pak ose aspak u gëzuan për lindjen time.
Edhe pse herë pas here kam dëgjuar të këndojnë
“Kush ka vajza botën ka, janë për motër janë për vëlla
Oooo, janë sherbet për baklava”,
Herët e kam kuptuar se kisha lindur në një botë të vogël.
Bota shqiptare e shndërruar në një guackë,
Ku liria jepej me doza si terapia një të sëmuri,
Kisha të drejtë të veshja rroba të reja për festa
E të ushqehesha me gjellërat më të mira,
Por qortohesha, kur në pasqyrë shikoja fytyrën
Me sytë e mbushur plot ëndrra të blerta, të kaltra.
Nuk më lejohej ritmi i shpejtuar i të rrahurave të zemrës,
Kur në skaj të horizontit më shfaqej silueta e ndonjë çapkëni,
Kur shponte me shigjetat e Amorit, me shigjetat e Kupidit
Zemrën time tërësisht të pambrojtur.
Hiqesha e lumtur para të gjithëve
Mburrja e tyre isha,
Por shpirti më plaste nga brenda.
Prej atëherë jam nisur rrugës së gjatë
Për ta takuar Yllin tim në qiellin e dashurisë
Kam kaluar nëpër botën kërmillore
Të mbyllur në guacë primitivizmi
Duke mos e ndalur hapin drejtYllësisë së Dashurisë
Drejt Yllit tim,
Shkëlqyes për mua shtegtaren e pandalur kurrë.
18.ISHIM DY LULE TË POSAÇELURA NË PETRALBË
Ishim dy lule të posaçelura
Në Petralbën e asaj kohe
E shikuam njëri tjetrin nga larg
S’e shtegun e takimit tonë të zjarrtë
Na e kishin zënë shkurret e një kohe tjetër.
Ti shkove pa dëshirë në një qytet tjetër
Edhe unë shkova në një tjetër drejtim
Ku ndodhej qyteti me shpresat e mëdha sa deti,
Ku deti i rriste ëndërrat e të rinjve
Për pushtimin e hapsirave të pakufishme.
Megjithatë në zemër më ishte ngulitur
Dashuria e parealizuar për ty,
Po ty, a të ishte strukur në zemër
Dashuria e parealizuar për mua?
Në Petralbën e asaj kohe
Të kthyera nga njëra tjetra Ishim dy lule të posaçelura.
19.PETRALBA DHE URA E VASHËS
Petralba ime në grykën e Matit,
Si një galaksi e pafundme yjesh
Të shkëlqejnë në errësirë dritat e shtëpive,
Kalaja të bën roje,
E Ura e Vashës e rrëfen përmallshëm historinë e dashurisë
E shndërruar në një legjendë të pavdekshme.
Bukuroshja matjane e këndej lumit
S’donte t’ia dinte për asgjë,
Ajo donte ta takonte Bukuroshin e përtej lumit
Edhe pse lumi i rrëmbyeshëm e rrezonte vazhdimisht urën.
Bukuroshi çdo ditë shkonte në breg te lumit,
Këndonte e vallëzonte me ritmin e valëve,
Përleshej me vale, kur çmendej lumi,
Për të dalë në bregun matanë,
Për të bukurën vashë,
Por lumi ishte më i forte se ai.
Djaloshi këndonte, Vuante, Dashuronte.
Vasha e bukur u betua mbi valët e egërsuara të lumit
Që ngriteshin kërcnueshëm përpjetë
E spërkatlat ia hidhnin në fytyrë:
“Urën mbi ty do e hedh, o lumë rrebeli,
Bukuria jonë do të jetë shtrati i urës,
Këmbët e saj do t’i vendosim mbi dashurinë tonë”.
Tërë qypin e florinjve e hodhi në lumë Vasha.
Ustallarët e dashuruar në florinjtë
Urën e ndertuar për të mos u shembur kurrë
Në Rrugën e Arbrit
E pagëzuan Ura e Vashës.
Të gjithë të dashuruarit,
Kur shkojnë në Kalanë e Skënderbeut
Mbi Petralbën time,
Nëpër Urën e Vashës kalojnë!
20.VALLJA E PRANVERËS SONË
Zemra brenda zemrës,
Buzëqeshja brenda dy zemrash!
Shpirti brenda shpirtit,
Dashuria çelë si lule në mes.
Jeta paska zemër,
Jeta qenka shpirt i bashkuar,
Qenka pemë binjake
Lule me shumë petale qenka jeta!
Dashuria mbretëreshë qenka,
Për mua e për ty!
Po puthë buzë të kuqe trëndafil,
Zemra të kuqe karajfil po puthë,
Dashuria si aktore në skenën magjike të jetës.
Po më buzëqeshë dashuria
E shndërruar në lulishte me bletë e flutura.
Bletët i bien fyellit të tyre zukatës,
Fluturat luajnë vallen e pranverës sonë.
21.MALL
Unë jam diku nën strehë
Dhe jashtë po bie shi,
Se ç’ kam një mall të fshehtë
Një mall se ç’ kam për ty!
Dhe ti s’ më bëre kurrë,
Një vend në zemrën tënde,
Ti deshe veç një urë
Të ecësh përmbi dhembje.
Por unë vazhdoj të pres,
E mall kam zjarr për ty, mbi buzë të të zbres
me puthje sy me sy.