UDHË PA KRYE Poezi nga Shaip EMËRLLAHU, TETOVE

 

U lind më 13 prill 1962, në Trebosh, Tetovë. Fakultetin Filologjik, Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Magjistroi në letërsi në Universitetin e Tiranës, në temën “Struktura e poezisë së Azem Shkrelit”. Eshtë doktorantë i Letërsisë në Tiranë. Ai, është mësimdhënës në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Botoi vëllimet me poezi “Pagëzimi i viteve”, 1994, “Projekti I thyer”, 1997, “Vdekja e paktë”, 2001. Më vitin 2001, “Akademia Orient – Oksident” në Bukuresht ia botoi në gjuhën shqipe dhe rumune vëllimin me poezi “Vdekja e paktë / Putina moarte”. Në vitin 2004, PEN-i kroat dhe Shoqata e Shkrimtarëve Kroatë ia botoi vëllimin dygjuhësh kroatisht/ shqip, me titull “Poezi”. Në vitin 2004, Sh.b “Feniks” nga Shkupi ia botoi në gjuhën maqedone librin me poezi të zgjedhura “Dvorski son”. Në vitin 2000, në bashkautorësi botoi librin me dëshmi të masakrave në Kosovë “…edhe ne dëshmojmë / We Witness”, Sh.b. “Ditët e Naimit” (shqip-anglisht). Shtëpia botuese italiane “La stanca del poeta – 57” në vitin 2009, ia botoi vëllimin me poezi “Stracci di vita”, ndërkaq, po atë vit i botohet në gjuhën angleze libri poetik “Life‘s Rags”. Më 2014, I botohet në gjuhën frenge librin me poezi “Les Albanian marathon”. Në Japoni, Junpa books ia boton poezinë me titull “Duet of Roads” (dialog poetik -Taro Aizu). Cikle poetike të tij janë botuar edhe në gjuhën spanjolle, hebraike, arabe, rumune, ukrainase, induse, turke, polake, boshnjake, kroate, maqedonase etj. Poezia e tij është përfshirë në disa antologji ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në festivale poetike ndërkombëtare dhe ata vendore. Është nderuar me disa çmime letrare.
Ka punuar gazetar në mediumet elektronike dhe të shkruara, brenda dhe jashtë vendit. Për disa vite ka punuar redaktor i Rubrikës së Kulturës në të përditshmen “Flaka”.
Është themelues dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’.

KAH PO SHKOJMË

bishti i natës
mbeti për çerdhe buklash

gjethi i mëngjesit
plasi me zor

kah tash?!

1994

MOLLËT E TETOVËS

nëpër koncerte shekujsh
i krasiste e ujiste Tetova
Mollët e veta

si kokë kripe
të vjen të pëlcasësh
kur i sheh tutje
si i grin dhëmbi i keq

fundja
hëngrën aq
sa t’u mpihen dhëmbët

Tetovë, 1989

BREZI IM

ende pa të pushuar
tambli të të rrjedhë,
qimet e flokëve
filluan të të zbardhen

ç’fat paske
o Brezi im?!

UDHË PA KRYE

po s’u kape për rrënjë jete
valët e hazdisura të marrin para
oxhakun tënd në nevojtore
e kthen Korbi i Alan Posë
pëllumbat as përreth s’fluturojnë

kahja e gishtit tregues
kah ti
është më e keqe se arma
ajo të shteron zërin si në ëndërr
e mbytesh djerse
në kërkim shtegdaljeje
damka në ballë
është e neveritshme
si buzëqeshja e pushtuesit
mbase për një mulli uji shkon

udhët pa krye
gjithmonë shfrytëzohen
nga kryet pa udhë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here