Dorëlëshuar, buzëqeshur,
përqasem, përmbysem e zbrazem,
në baltën ku shkelin këmbët e mia,
urtësinë , lejen ia marr madhështisë, aty kapem.
mëkatet zemërthyer, i porosis, i mbaj të mpira.
Dollinë e jetës ia vë në ballë të mirës,
ndihmës kam ringjalljen, dhe ashtu të krisur,
në gotën e verës, rrokullisur mbi mëshirën,
lumëruar, shpërthyer, asnjëherë e dremitur.
Zbritur ëndrrash ajo e bukura që vret,
kthehet në lloj dëshire fuqiplotë,
fik e ndez një zjarr, strukesh e pret,
lulëzon kopshtin e fjalëve, vaditesh me lot.
Zot,kush qenkësh gëzuar, lehtësuar,
në turmën e të gjithëve, shëtis, dëfrej, ndjej,
përqafohem me paqen,përqiejsh ngatërruar,
nga vendi në vend, shpresoj, dehem e rrëfej.
Njëmijë shekuj gërryer, ngecur nëpër dhëmbë,
më numërojnë rruazat, ADN e jetës,
pasandaj brohoras ,pavdekësi uratë e rëndë,
burim i dritës së shpirtit ,altar i së vërtetës.
KU GJENDET NJERIU ?!!
Ku gjendemi gatuar?
erë toke ,hije peme, sypishe, rrēke,
herë ftohtë ,herë përvëluar,
shkretëtirave të mendjes, u pështollëm nën re.
Fryrë truri si qielli para shkrepëtimës,
pse klithemi më kot, e din Perëndia,
ku ishim ,ku jemi, ku do i shtrydhemi rrymës,
kur udha ka driza, na griset bukuria.
Me të ditur shkëndijat, ku prehen pushuar,
një britmë prej shpirtit, zbërthen të gjithë lotët,
ku pluhur, ku llom, fjala rrin sunduar,
sa buzëqeshje nënqeshur, i mbytët e s’u ngopët.
Ku shtrihemi çliruar?
greminë , a qiell, a rrugë, a gjumë,
ferri e parajsa, një copë toke caktuar,
e ngrirë, a e derdhur, bota si mbi shkumë.
Ja pra ku qëndron ndër jetë njeriu,
ndërmjetës i përkohshëm është në univers,
të harrojë pakëz egon, Dashuria i mbiu ,
si Shenjt urate, për të dhënë progres.
LUTJA E SHPIRTIT
Nën syrin e dritës,belbëzove,u linde,
me gjakun e zemrës të arnova nëna trupin,
në kohën dobësuar muskujsh u rrite,
je ende i njomë, e zgjat t’më japësh supin.
Por ti kaq i vogël, e nuk din të durosh,
mërzitesh dhe për diellin,kur e zënë retë,
me zogjtë harrohesh, fillon të këndosh,
përqark e nënkëmbë, për ty ka vetëm jetë.
Brenda rreckave të mishta,
një uratë, ty të mban ngrohtë,
në rrugë lojrash të mërdhifta,
dashuri, sa pak ka kjo botë.
Degdisi bir, injorancën e ligësitë,
me gjuhën e mendjes,diturinë kërko,
grise errësirën,egot e mëritë,
djallit plagën, kurrë mos ia trego.
Me melhem shpirti e fjalë urtësie,
të përkunda ndriçuar,në udhën e matur,
gjunjëzuar jetës ti ndjej pakëz shije,
pas teje o bir, lutem të mbes kapur.
NDRYSHE
U mpleksa pas pyetjesh, bërë rrobë e vjetër,
përqark fshehur plagët me buzëqeshje rinore,
era m’i cyti dhimbjet diku tjetër,
furtunë mbi kocka, mu hoqën si qafore.
Enigmat më njollosnin astarin e ditës,
iu ktheva ndryshuar këngës melodinë,
në kraharorin që thith krenarinë e dritës,
më humbën lotët, tani se di ku rrinë…
UNË
Të flas o njeri, fytyrë e mundimit,
fjalë lidha sot me besën në gjak,
kalanë qendisa me ashklat e kujtimit,
ngjirur nëpër vite, koha në mëkat.
S’e lëshoj pafajësinë nga lëkura ime,
edhe pse dhimbja më ka zënë shtegun,
gajasem shpërbërë në ngjyrë të përhime,
loti kuturu, derdhur unë pa vdekun.
Një gjuhë në vena,f las unë njerëzore,
xhelozia e ftohtë si rrëpirë e frikshme,
të ec a të ulem me frymën kanunore,
s’kam kohë të mendoj gjëra të mërzitshme.
MË THONI ÇFARË ISHA?
Besoj në themelin e fjalës sime,
se padrejtësisht më izoluan
në kafazim e poshtërimit,
ndaj nuk kapem më pas dashurive,
që të vënë gryke
litarin e durimit.
Pas një gënjeshtre të errët mbajtur,
dhe nuk është copëz mllefi
shkëputur si justifikim,
as hakmarrje e vetmisë së stërgjatur,
në palcë m’u këput identiteti,
mbi veten më shpërtheu mallkim.
.
Qivurin e vdekjes,m’a bënë gati disa herë,
dhe në fijet e zemrës,
gjaku kthyer vrer,
lamtumirën ma ruajtën si kujtesë në kasafortë,,
Më thoni ç’mund të isha,
më shumë se e fortë?
NËSE DO MUNDEM
Nëse do mundem dy rreshta gjithmonë do i shkruaj,
vitet nuk i shkela
edhe pse rrjedhin si plagë …do i ruaj.
Dhe nuk i mbaj mëri kohës,
njeriu më dënoi, fati më thotë
më ngjyrosi me tallazin e botës,
përqasjen ma dyndi në lot.
Ma ngriu ëndrrën më të pastër,
më ç’poi qiellin e kaltër,
më futi stërkëmëshin e të pabesës,
pa e mësuar ende këngën e jetës.
Unë tani kapërcej rreshtat varg
si kallinj të pjekur,
që mblidhen në vjeshtën e fundit,
melodine poezisë për t’ia prekur,
ngushtuar në shterimin e mundit.
Ah,nëse mundem ,
do shkruaj edhe në hapësirë,
jetën e desha,
dhe kopshtin me lule sikur mallin për fëmijnë,
ku sythet e dashurisë për Ata çelur rrinë.
brigjet e ankthit do i harroj në të gdhirë,
që buzëqeshjen ditës t’ia shijoj më mirë..
MBAMË NË GJI
Mjaft u kërrusa,
ëndrrash lumturuar,
symbyllur u helmova falur çiltërsi,
Romeo e Zhulietë sa larg për t’u aktruar,
ngrohtë e pashkelur, ti varg mbamë në gji.
FJALOR I HARRUAR
Më sjell në mendje
ai fjalor i djeshëm ,
i harruar,
prap shfaqet cepit të buzës,
si peng loti aty qëndruar,
i padukshëm,
palëvizur,
i fshehtë ,
si përthyerje në eshtra,përflakur muzës.
Ai fjalor,
ato gjëma,
që misionin madhështor shpesh më ngatërruan,
dhe në beben e syrit ngrinë pakuptuar.
Sërish u shkundën nga kalendari e më ranë në dorë,
une tani,
një copëz pasqyr’e thyer,
përpiqem shkronjat t’i kthej në meteor.
E PADUKSHMJA
E dashura ime tokë,
folezë do kërkoj në brinjët e tua ,
mbështjellë me petale.
Në të zymtën botë,
të shtyjnë e të rrëzojnë në thua.
Mes ngyrave të zjarrit fshihem të rri,
në heshtje fjalësh i kacavirrem tatpjetës,
por një pikë loti,
si një det i zi,
ma përthith ajrin në mes të fletës.
Të shkoj drejt pyllit ku struken shpendët,
të shkruaj pafund
atje s’kam frikë.
I qeshem ditës, kur më vrasin netët,
të flej nuk dua,se kam me ikë…
DHEUT TIM…
O dheu im i melodisë së shpirtit,i aromës së luleve,
distanca e zërit tënd më përplaset shtigjeve,
ritet tua si trena të ndalur në dyert e huqeve,
era të fërshëllen e hapet krahësh shkëmbinjve.
Ti baltë e ngrohtë më ndjen e pickon nën këmbë,
ëndrrën ke të lyer me ajkën e gurit të shitur,
hijeve të ditës sodit krenaria e më peshon rëndë,
si ortek i ftohtë, rrënjët grumbull më janë thinjur.
Në gjirin tënd të murgët lëkurën e kam fshehur,
tërkuzën ngatërruar, shekujt s’ma kanë kalbur,
çdo lëvizje në qelizë supeve mbështetur,
krisur degësh,syrgjynosur, fjalët më rrinë kapur.
Unë prap asgjë nuk lëviz nga hiret e tua,
sikur fryma e përrenjve kurmit tënd rri zvarritur,
rri varur kaçubesh, brinjë, duar e thua,
të jam ulur në gjunjë dhe pa gojë të jam përgjigjur.
Jo ndryshe nga dje,hienat bredhin e zhurmojnë,
të krehën me gjuhë helmi,të zhveshën ,të vodhën,
tê huajt zgjasin krahun, gishtërinjtë t’i shkurtojnë,
kopshtet bosh mbetur, trëndafilat ku u mbollën?
O dhé i ëmbël dashuri,mëmëdhé gjaku im,
mjegullash përhumbur, të mbështillem e zbehtë,
në akrepat e jetës, më rrin zgjuar një vegim,
si të ta ndris fytyrën e të qeshem e vërtetë.