Vaid Hyzoti: Veçantitë e tregimeve të Liljana Kristulit

Në një shënim përcjellës për këtë libër të ri, autorja pohon se e kanë tërhequr gjithnjë femrat me emra të veçantë… Këta emra femërore, krejt të veçantë, që shërbejnë si tituj të tregimeve, hasen rrallë e nuk hyjnë në “rekomandimet” e gjendjeve civile apo të kishave, si përcaktuese të religjionit, të përkatësisë etnike o klasore. Por, kur mbaron së lexuari librin, kupton se kjo është thjesht një nxitje e autores në mënyrë “të kamufluar”; se emrat nuk janë më e veçanta dhe më e vlerta, por janë historitë që rrëfehen, meditimet e thella, madje herë pas here edhe mënyra idiomatike në përcjelljen e ideve artistike. Ky është një libër tërësisht femëror. I shkruar nga një grua, jeta e së cilës është e ndërthurur me atë të shumë grave të tjera që ajo takon në rrugën e saj e me të cilat ndan të njëjtat shqetësime, halle, eksperienca, dëshira, realizime e humbje. Në qendër të këtyre rrëfimeve, qofshin ato reale apo virtuale, qëndron një e panjohur: e tashmja. Këto gra me emra të çuditshëm thonë shumë më tepër sesa ne jemi të gatshëm të pranojmë. Në çfarë drejtimi po lëviz bota femërore sot? Drejt fragmentimit. Po bëhet thjesht një pjesëzë e së tërës, sepse edhe njerëzimi po humbet vlerat. Ato vlera që mbanin shoqërinë në këmbë. Ky libër, edhe pse qytetërimi ka arritur moshën më të pjekur, është një thirrje për fatin e femrës kundër të gjitha stereotipeve dhe dhunës, lirisë së mohuar dhe rebelimit të nevojshëm. Vërtitem mes pishinës, zogjve e luleve, një herë, dy herë, tri herë, shtatëmbëdhjetë herë, aq sa do mbush nesër; pas kësaj harroj të numëroj. Kjo më mërzit dhe e mërzitura është vrastare. Një vrasës ndaj të cilit nuk mbrohesh dot. Përshfaqja e botës femërore në të gjithë dritëhijet e saj, si për bukurinë fizike apo shpirtërore, si për rendjen drejt edonizmit, ku nevoja më themelore kthehet në plotësimin e dëshirave qofshin edhe efimere, jeta frenetike, o përkundrazi, përfshirja në botën virtuale dhe humbja e sensit të realitetit, harresa e miqësive të dikurshme, emigrimi, jeta bashkëshortore, e mbi të gjitha vetmia, izolimi i ndërgjegjshëm, kanë zërin e tyre në tregimet e grave me emra të çuditshëm, që më të çuditshme kanë shpesh mënyrën se si i përballin sprovat. Këto tema, që janë të vështira, tregohen me një lehtësi të habitshme në tregimet e Kristulit, falë një meditimi të thellë, falë përfshirjes emocionale të autores me personazhet. Sot u pamë ndër sy; ai nuk më njohu. Kujtesa mund të jetë edhe trasparente! Për secilin karakter, që autorja gdhend me penelata të shpejta, me një lakonizëm brilant, herë me humor dhe herë me shpoti, herë me dashuri dhe herë me kontraste, ke përshtypjen se e ke hasur diku edhe ti…por ajme, nuk ke ditur ta veçosh… Në një stacion autobuzi, në një udhëtim me tren, mund të ndodhë të hasësh në njerëz që të mbesin ndër mend, përgjithënjë. Ndoshta sepse nuk do ti hasësh më… Tronditës tregimi “ Amal” , ku një nënë e përfshirë nga frenezia e ditës harron fëmijën në makinë. Do t’i telefonosh burrit t’i tregosh peripecitë e mëngjesit. Kujtohesh që celularin e tij e ka yt bir. Në makinë! Të ndalet zemra. Autorja përshkruan botën femërore në mënyre racionale, realiste, por shpesh zëri i saj është argëtues dhe zbavitës. Mungesat apo teprimet o në të kundërt, perfeksionizmi në marrëdhëniet e saj me burrin bëhen shpesh të pa durueshme, angoshiante… Një ditë prej ditësh, atë trekëndëshin barabrinjës do ia bëj drejtëkëndësh. Në gjininë e prozës tregimi i shkurtër është më naziku dhe më i përkorë se çdo lloj tjetër. Janë të njohura thëniet e kritikëve, duke krahasuar dy gjigantë të letërsisë, Dostojevskin dhe Çehovin, se ajo që solli i pari me romanet fletëshumtë, e solli Çehovi me tregimet e shkurtra. Pa dashur të bëj krahasime apo analogjira, për temat që trajton, për mënyrën e të rrëfyerit me art, duke selitur çdo fjalë, për gjetjet e rralla medituese, për jetën që sjell me gjithë ashpërsinë, kontrastet e botës së sotme, mentalitetet femërore, për trishtimin e madh të njerëzve të vetmuar, Lili Kristuli përbën një Alice Munro shqiptare. Tregimet në këtë përmbledhje janë një afresk i admirueshëm i një bote, tonës, e paaftë për t’u kujdesur për veten duke ndjekur gjëra të kota dhe banale. E këtë autorja e bën përmes prozës së dendur sikur të jetë shkruar në vargje, me dialogë dhe personazhe të papërsosur, por që na mbeten në kujtesë, sepse i ndiejmë të afërt. Tregimet? E veçova fjalën “tregim” sepse shpesh ky lloj letrar njësohet me formatin klasik, portretizimi i një personazhi, rrëfim i shkurtër që rreh të evidentojë një ide artistike, me një numër të kufizuar faqesh. Në fakt vetëm pesë tregime janë në përmbushje të llojit klasik të tregimit. E prapë këto janë tregime, të lakonizuara shpesh si skica, si proza poetike, ose prozë dhe vargje poetike ilustruese, madje shpesh me dy tre fjali të vetme, duke lënë hapësirë medituese dhe për lexuesin. Para ca viteve pata lexuar një libër me tregime të Borgesit, themeluesit të realizmit magjik latin që tronditi për nga bukuria botën letrare. Hasa në një tregim vetëm në tre fjali. Dhe kjo ishte nga poeti dhe filozofi, eseisti i madh Borges. Në një tregim vetëm me tre fjali vjen dhe autorja, madje dhe me një fjali të vetme “Polka” dhe prapë sjell po aq bukuri e mençuri letrare. Në tregimin Heida , nisur nga një lajm në gazetë, autorja ve kujen për brezin e sotëm, që është aq i hapur ndaj sexit dhe…aq i mbyllur ndaj librit. Sepse në moshën gjashtë vjeç prindërit kuptuan se djali i lindur mashkull ndihet…çupkë. Dhe tërë hare lajmërojnë në gazetë (!!!) Ende më tronditës është tregimi “Amok”. Dua ta veçoj këtë për faktin se përbën një ngjarje tronditëse. Gruaja ka vrarë burrin se e dhunonte vazhdimisht. (Në të shumtën e herës burrat vrasin gratë). Autorja nuk merret me ritregimin e ngjarjes. Nuk do të tregojë hetimet: tjetërkund rreh vëzhgimi i saj. Dëgjon një grup burrash që diskutojnë mbi ndodhinë: të gjithë janë kundër gruas dhe e fyejnë atë “a priori”, me lehtësi çorientuese, pa u thelluar, pa ditur gjë… Një brez i së ardhmes, që nuk arsyeton, por gjykon, sepse është më lehtë të gjykosh. Dhimbja, fizike dhe mbi të gjitha ajo mendore, shkaktuar nga një zgjedhje shpesh e detyrueshme, është e pamatëshme. E pakuptueshme, e pandjeshme nga të tjerët. Le të jemi thjesht njerëz të mirë, edhe kur nuk kuptojmë. Në do të ndalesha në tregime të tjera s’do kishim të mbaruar. Në secilin prej tyre shprehet haptas një gjykim emocional për personazhe dhe fenomene të kohës. Me kë të flas? Në pallat kam mbetur vetëm unë nga banorët e dikurshëm. Fqinjët e rinj nuk i njoh. Pastaj për çfarë mund të flasim? Problemet i kemi të ndryshme. Ata duhet të rritin fëmijët. Të mitë janë rritur tashmë. Edhe ata do kenë komshi ndonjë të vjetër, si unë, e nuk kanë kohë të flasin me të. Dhe thënë shkurt: tregimet e Lili Kristulit janë plot jetë. Kanë vërtetësi dhe një gjuhë krejt të veçantë, kanë prozë, kanë poezi, kanë metaforizime e mbi të gjitha përjetime të sinqerta. Dhimbja e brendshme është kështu, e pa bujë, vetjake. Shpesh e pakuptimtë. Ndaj, jo vajzat me emra të veçantë, por vëzhgimet dhe rrëfimet përjetuese, ngjarjet e largëta ndër vite apo bashkëkohore, arrijnë të të përfshijnë me të njëjtën dhimbje, me të njëjtin emocion me të cilin janë rrëfyer, të mbështjellin në ironinë e tyre të shqetësuar, shpesh melankolike, sepse kanë diçka që pakkush mund ta përshkruajë: ajrin e kohës .