VAJZA E ËNDRRËS: Poezi nga Vaid HYZOTI

METAMORFOZË

Nga Vaid HYZOTI

Asgjë s’më ka mbetur nga vetja.
Ç’rëndësi ka në m’i morën a i dhashë…
Gjymtyrët i rëndova me kile të tepërta,
Sytë nga të zinj po kthehen të bardhë;
Porosita e montova në gojë një protezë,
Të bluaj më lehtë të papërtypshmet.
Goja e habitur mbetet e hapur,
Veshja perfekt përqesh stinët…
Asgjë s’më ka mbetur nga ngjyrë e flokëve,
Tjetër pulsim ka gjaku në damarë.
Zemrën e ndërrova, s’i njoh emocionet,
Bateritë bartin gjakun në arterie, kapilarë.
Miqtë , të njohurit , s’dinë gjë për mua.
S’më flasin.Të takohemi s’më njohin.
Po ku t’i has, t’u provoj se s’kam ndryshuar?

Për ta njëlloj kam fjalën dhe lotin

TË SHOH?

Dua vetëm të shoh,
pa thënë asnjë fjalë të vetme…,
Pa llastime të zëshme: shpirt, frymë, zemër…
Kërkoj një fajtor për pagjumësinë time,
Se çdo shqetësim gjithnjë ka një emër..
BIOGRAFI

Në çdo derë që trokas më kërkojnë biografinë,
Nga vij, ku shkoj, a kam një gramë shkollë…
Plotësoj me zë çfarë harroj me shkrim,
T’u shkoj përshtat , të dukem mëndjehollë.
Të gjej një punë, të përsos një strehë,
Të kem një zë dhe unë tek të gjallët…
Bota biografinë vetëm në letër e sheh,

Brenda meje bota nuk m’i sheh varret!

VAJZA E ËNDËRRËS

U shfaq vajza e ëndërrës së një jete,
Ajo që jeton pas malit të syve të natës sime.
Tani kam frikë se do vijë të më takojë,
Tani kam frikë se kurrë
S’do përkundem në ëndërrime.
E kam krijuar vetë dhe është aq e rrallë,
Kudo e kam veshur me petale…
Firmat famoze të modës rrinë kryeulura,
Mijëra punetorë do të dalin
Në rrugën e madhe…
Asnjë sallon bukurie nuk merr përsipër
Të modelojë flokun e saj aq të rëndë…
Flokët që e ruajnë aq shumë mëndjen,
Që zemrës i merr
Fjalën e pathënë…
Më sheh në sy dhe unë zë frikësohem,
Rrezja e vështrimit tej-e tej i shkon malit.
Ah po të vinte, eh ç’dasëm do të bënim,
Me lot, me lule për mua dhëndrrin

Në…shtëpinë e funeralit!

HESHTJA

E imja s’je më,
I përket heshtjes.
Si vallë duron, nuk shpërthen në ulërimë?
Stoike qëndron, e bindur në hamendsime,
Sa matesh të flasësh…kujton krenarinë!
E prapë një sy e mban tek unë,
Më sheh me kë flas,
Ku shkoj,
Kë has atje…
Të bindësh vetveten, jo për luftë,
T’i japësh të drejtë
Vetëm për heshtje…
Dhe unë heshtoj, i ndrydhur ndër vete,
Mundur nga zhgënjimi
Dhe zemërplasur…
E kam të lehtë të zë një femër tjetër,
Po krejt të pamundur

Të kem një të dashur…

PËRKËDHELI

Atë që dua ende nuk e kam takuar.Dhe askush nuk e njeh.
E kam rritur me dëshira të fshehta, e kam mbajtur brënda meje.
E kam ruajtur të vogël,të brishtë
Dhe e përkëdhel tinës të tjerëve,
Si gruaja që kurrë s’ka patur e s’do ketë fëmijë
Dhe me gezim vrapon të zgjedhë e të blej rroba për bebe..
DITË E PAZBARDHUR…
Premtuam të kemi një ditë dashuri,
Premtuam të vdesim tek njëri-tjetri,
Premtuan të ngremë një urë në oqean,
Pa ditur që pas oqeanit është deti…
Premtuam për një ditë, që po zgjat në vite.
Premtuam dhe s’dinim ekuinoksin e gjatë…
Po ndodhka që një ditë dashurie,
Kurrë mos të zbardhet.

HARMONI

Dy dritëzat e syrit shohin në një pikë,
Pa xhelozi për njëra-tjetren, pa grindje…
Veçse ngaherë ( sa ngjajnë me ne të dy),
Kujtohen se kanë hundën

Në mes të tyre!

VJEN NGA QIELLI

Vetëm nga qielli ti do të vish,
Se në tokë s’gjenden vajza të krijuara nga fryma e avulli i dëshirave
Hedh sytë lart: asnjë avion nuk paska sot.
Nuk lejoj fluturime të turistave e hallexhijve…
Vetëm një re e bardhë më shfaqet e më fshihet,
I jap fytyrën tënde.
E pi me sy…
Dhe ti vjen më ulesh ashtu butë- butë,
Mbase si lot,
Mbase si shi…
PA RRUDHA…
Fëmijët i kemi më të rritur se mosha e dashurisë sonë
E prapë u tronditëm kur u ndodhëm perballë:
Ata sy,
Ato buzë,
Ai zë plot drithërimë…
Kishte mbetur e njëjta, ndërsa unë-shëmtirë kurrizdalë!
Ah dhe ti- më thotë- s’paske ndryshuar fare!
S’di ç’i thashë, por padashur e përkëdhela, e putha…
Se dashuria e parë ka pafajësi fëmije,
Ajo kurrë nuk shëmtohet,

Nuk bëhet me rrudha!

ZGJIMI

Retë e zeza të gjumit e kanë mbuluar qiellin tim ,
Veç s’di pse një bisht reje u mënjanua
Tërhoqi cepin e pëlhurës së zezë
Dhe lindi drita. Erdhi zgjimi…
Rrotullimi i tokës mbase është ndaluar,
Se dritaret e dhomës sime

Rrahin nga perëndimi!

S’MUND TË VIJ…

Sa do të doje,por s’mund të vish tek unë.
Të vij tek ti mua nuk më lënë…
… flak një libër me lirika dashurie
Dhe dal jashtë të të pyes:

Përse je bërë hënë?

PËRSËRI TEK HEMINGUEJI

Sa herë shkoj në Florida, do të kthej në shtëpinë tënde në Kew West,
Sepse më është fiksuar se të ikurit i presin të gjallët…
Por përsëri ti s’dole, ndonëse dera ishte e hapur,
E mbante puhizë e detit dhe prisnin e përcillnin vetëm macet…
Kishe bërë pak riparime, mbase nga dëmet e tornadës së fundit,
Por e njëjtë skrivania, dhoma e limani pranë…
Asnjë hetuesi s’e kishte marrë si provë krimi,
Madje ende tymoste e tmerrshmja armë…
Dhe vizitorët hynin e dilnin,
Turistë, kuriozë e plot ëndërrimtarë…
Po unë pse s’të ndahem? S’kërkoj lavdinë kurrë…

Apo më lodhën tornadat e jetës e kërkoj rrugë për tu vetvrarë?!

@-Hemingueji e mbylli jetën me vetvrasje

BIE SHI…

S’di të përgjigjem kur më pyet shkarazi “si je”,
Ndërkohë harron apo s’e do përgjigjen…
Këtu bie shi me rrëke,
Po mua s’më shuan-
I tëri po digjem!
Pyet dhe humb, asnjë satelit s’të gjen,
Unë askujt s’mund t’i qahem,
Asnjë mjek s’më pranon!
Trokas në spitalin e të ҫmendurve
Çuditërisht më thonë, s’ka vend në pavion.
Dhe lagem nga shiu, deri sa dielli të dalë
Të thahem dhe re të behem atje lart!
Që i plotfuqishmi të më gjejë diagnozën:
Në duhem për ty,

Në tokë më hedh prapë!

DRITA…

Vjen një moshë e kupton
Se nuk është madhe
Shpejtësia që ka drita…
Vjen një moshë dhe dhimbshëm
Njeriu e ndjen

Sa e shpejtë ishte rritja!

MË KISHTE MARRË GJUMI…

Në kthim nga puna, më kish marrë gjumi
E flija i qetë ne trenin e nëndheshëm.
Sepse nëntokë paqja është e plotë
“Pasagjerët” e lodhur, për sherre s’janë të ngeshëm.
Treni udhëtonte themeleve të Manhatanit,
Unë rendja të takoja mijëra miq, që pata njohur!
Jetonin në det mbi ca varka të bardha
Dhe ishin të qeshur. Nuk ishin të lodhur.
Atje deti shndërrohej në qiell,
Qielli s’kishte yje, veç miqve të mi.
Si erdhe? Të prisnim, por jo kaq shpejt!-
Më thane të gjithë me habi.
Askush nuk më pyeti:A është i bukur Manhatani?
Askush në shtëpi nuk më ftoi brënda…
I mërzitur, vendosa të ikja,
Por papritur u shfaq babai dhe nëna!
Por s’munda t’i piqja…Ra zilja e alarmit për punë
Unë s’desha të merrja me vete nënën dhe babain,
Mos të më shihnin sa dërrmohesha, të mos thonin:

S’kemi parë qytet më të shëmtuar se Manhatanin!

NJË ÇAST…

Kot thua se do të flesh…
Se do të ulem në buzë të syrit si vegim drite…
Pastaj, ah pastaj,
Në do futmë brenda,

Në s’do…dritën fike!

TË SHKRUAJ…

Të shkruaj sapo të shoh në linjë,
Të pyes: JE…
Si të them: a je për mua?
Se fjalët e dëshirat i fsheh.
S’di në kupton se çfarë dua?
Dhe ti qesh e s’thua një fjalë,
Në heshtje më sjellë shume vite të panjohura,kur ti s’kishe ardhur në jetë.
Ndërton portrete vajzash të panjohura të flirteve të mia (tashmë moshëshkuara),
Ndërsa unë mallkoj veten

Përse kam lindur aq shpejt?!

SI DO JETË MOTI NESËR..
.
Sonte:
Njëri sy të qesh,tjetri vetëton
Njëra faqe plot dritë, tjetra pulson nga një nerv,
Një cep buze kafshuar,
Tjetri gati të qeshë…
Si do zbardhë dita nesër?
Ti e di, pse s’e thua:
Në ka ditë-

Si mund të jetë e zezë?

TË ISHA I VERBËR…

Të isha i verbër, do të ishte më mirë.
S’do të shihja,
S’do të njihja.
Do mbeteshe … e huaja!
Ti je aq e bukur-
Nje llahtari!
Të isha i verbër,

Më pak do të vuaja!

NUK GJEJ SHËRIM…

Nuk gjej shërim, ndonëse ambulanca vjen shpejt,
As për kokën,
as për zemrën,
As për këmbët që nuk më binden…
Për tensionin
Rri fajësoj zemrën,
Për brinjët që therin,
Pres të lind Evën,
Për këmbët…ah këmbët
Kërkojnë vetëm ikjen…
Nuk gjej shërim, as spitalet nuk më kurojnë,
Asnjë shpresë,
Asnjë lutje
Nuk e prek zotin…
Nuk gjej shërim-është faji im,
Se mbi portofol mjeku
Vë stetoskopin..
Try the new Yahoo Mail