Në heshtje kryqëzohet vështrimi im
Te sarkofagu prej dërrase,
Tek ajo valixhe si varkë në udhëtim
Nga një dorë e dashura mbajtur…
Gjithë ato udhëtime mbajti brenda
Dhe rraqet e njeriut të dashur
Malle, dëshira dhe brenga
Kur s`i nxinte vetë, rrugëve ua falte…
Vuve rri tani dhe s`do t`ia dijë
Edhe për molën që e gërryen
E heshtur si më e çuditshmja kuti
Si më enigmatikja që vitet mësyn…
Po nga vrimat e holla të molës
Që ia tradhtojnë moshën,
Koha më bie gërvimat e kollës
Në erërat e ftohta të kohës.
Dhe erën e athtë të djersë
Avujt e rakisë mallëngjyese,
Dhe piklat e ftohta të vesës,
Kur babai gdhihej e natën ngryste…
Si libër herbariumi ajo valixhe
Ndonjë aromë brenda mban ,
Sikur sekretet më të mëdha të kishte
S`pranon asnjë hapje e lotin ma than…
Kështu ngjet gjithnjë kur njerëz të dashur
Më nuk janë midis nesh,
Fryma e tyre si vesë e mardhur
I vesh sendet dhe na rrëqeth…
EUROPA
S`kërkova të pi gjirin tënd të babëzitur
Veç atë që më takon,
Po ti u sollle si njerkë e bezdisur
Ndonëse ishe nëna jonë…
Ndoshta s`i dija tekat e tua,
Si fëmija dëshirat nënës nuk ia di,
S`kërkova të më jepje hua
Asnjë grusht liri…
Kombet përreth, prej teje
Kërkuan favore e dhurata
Dhe ti trupin tim preve
Gjymtyrët e mia ua hodhe si shkarpa…
Ato gjymtyrë pres të m`i kthesh
Që në trupin tim t`i ngjis,
Ende besoj se nuk je njerkë
Por nënë me dashuri shumëfish…
ËNDRRA
Si copra pasqyrash thyhet ëndrra
Kur ndesh në realitet,
Idili i saj shkon te brenga
Dhe brenga vret…
Me këto copra çfarë mund tqë bëhet
Si mund t`i hedhësh në realitet të tejkaluar?
Edhe pse të shkon mendja t`i ngjisësh,asgjë s`kthehet
Ëndrra vazhdon sërish duke sulmuar…
TË GJITHA FIGURAT
Të gjitha figurat për hënën janë konsumuar
S`ka mbetur më asgjë e re,
Me draprin e saj desha të korr figurën e fundit
Por ajo e vjetër qe…
Veç rrallë na shkon ndërmend
Për burimin e dritës që ajo merr
Dhe me bullallëkun e vet shkëlqen
Dielli ia jep pa teprim
E kurrë s`i kërkon shpërblim…
MARKUSIT TË VOGËL…
Pyetjeve të mia përgjigjen ua mat
Dhe pse i vogël, kuptimin ua di,
Kur ndonjëra s`të shkon përshtat
E jep përgjigjen me diplomaci.
Gjaku të buit në sinqeritet fëminor
Nuk pyet fare për hierarki,
Atë që do i hidhesh në krakaror,
E pushton të tërin me dashuri…
Shpesh para teje gjendem gafil
Mendohem ç`përgjigje të të jap,
Për botën e ngatërruar pa një fill
Sa gjëra janë ngatërruar e bërë çorap.
I druhem pyetjes:Ç`është poezia,
Shqeto ta them: Nuk e di,
As me çfarë matet lumturia
Se poezi për mua je ti.
Ajo rrallë vjen siç ti e do
Nëpër dallgët e saj lundron,
Sa herë u mundova ta qetësoj
Zemërohet ,ikën e nuk dëgjon.
Do të më mjaftonte vetëm kjo
Prej shpirtit të nxirrja gurë xhevahiri,
Latuar me fjalë dashurie mbi to:
Markus,ti je më i miri…
Kur zaret e fatit u hodhën në botë
Kur linda unë ,ende nuk ishe ti,
Më ra të shkruaj për këtë short
Kur udhën bëjmë bashkë të dy.
Unë ec përpara e ti do më arrish
Koha vrapon me nxitim shumë,
Në moshën time kur të vish
Unë do kem shkuar tjetërkund.
Larg,sa larg,në një vend
Dot s`e shpjegoj,është e ngatërruar,
Por atëherë do të bjerë ndërmend
Poezia që dikur kam shkruar..
Dhe do të më kujtosh një ditë
Për vargun tim të trishtuar,
Te një re e bardhë kur të ngresh sytë
E do të pyesish: Si e ke shkruar?…