VAPË GUSHTI. Tregim nga QAZIM D SHEHU

Edhe unë shkruaj poezi,tha ai.Ja po të tregoj një të fundit.Shpejt nga këllëfi hoqi celularin dhe e hapi fb.Me ngut,sikur mezi priste të shpaloste krijimin e tij.Lexoi dy vargje:Dua të të shoh lakuriq/i vetëm pa miq…
Si të duken,pyeti?
Heshta.Mirë, i thashë pas pak.Jo mirë,por shumë mirë,tha,e di sa pëlqime kam marrë?998.
Edhe dy bëhen një mijë,thashë.Po, tha,shpresoj…
Ai lexoi edhe vargje të tjera,por shushurima e lumit që rridhte poshtë verandës së lokalit mbi të më hutoi,ndërsa e pashë atë që ngriti i ientuziazmuar gotën e verës ,duke shtuar se vera dhe poezia ishin për të dy shijueset më të ëmbla të jetës së tij.Poezinë e kam dashur,murmuriti ai,por unë u bëra mekanaik,megjithatë…nuk më dhe ndonjë koment,mendimi yt më intereson.Pi!…
Ai e donte atë mendim prej meje…Brilante,i thashë…Pashë sesi i shkëlqenin sytë…Kishte lexuar artikujt e mi për poezinë dhe besonte tek serioziteti im…U ndjeva i vetëfyer në vetvete.Sot hipokrizia letrare rrëshqet përmes një neverie ngjitëse…
Ti thashë do të shohësh lakuriq një femër,ajo të jetë e vetme pa miqtë e zemrës…Por a mund ta gjesh një femër që edhe kur thotë se është e jotja nuk e ka hijen e dikujt në shpirt,një gjurmë buzëqeshje të dikujt…Por ti,si poet,kërkon femrën ideale,se je poet…
Je një nga kritikët letrarë më të mirë që kam njohur,tha.
Jo,kundërshtova,jam njohës i poezisë sipas mënyrës sime…
Pastaj ne folëm për poetët,për gazetatet letrare,për statuset e (rrej)tet sociale…Ai më shikonte,ai nuk njihte asnjë nga poetët më me zë…ndonëse thoshte se kishte lexuar shumë,ngatërronte prozatorët me poetët dhe anasjelltas…Për hir të mikroklimës tavolinore nuk ia kundërshtoja as ia miratoja…
Unë,tha ai po përgatis vëllimin e parë..E di,do të bëjë bujë…Nuk ngutem…
Lumi shushurinte poshtë verandës dhe kishte aq freski sikur mblidhte nga malet të gjitha flladet për t`i sjellë këtu…Rrapet hijerënda dhe shkurret rrinin të heshtura të ngazëllyera nga ky fresk,nga kjo ditë e ngrohtë dhe nga ky diell i qeshur…
Ç`ditë e bukur dhe çfarë tavoline e mbushur plot me meze dhe me sajdisje…Mekaniku i nderuar pinte verën dhe fliste për poezinë e vet..Ishte i ngrefosur dhe me vetëbesim se shkruante bukur…Kështu janë të gjithë sot,mendova dhe kjo është sëmundja më e keqe e lumturisë së gabuar.
Dikur e lamë bisedën për poezinë.Ai po fliste për punën e tij të dikurshme në minierë si mekanik,për sondat,makineritë…për Mirënjohjet,Urdhrat që kishte marrë,pastaj,tani,për punën pivate që i hante shumë kohë…në kurriz të poezisë,një pasion që i kishte lindur vonë…por e përjetonte sikur të ishte i ri…
Dikur ne ungritëm dhe ai e mori faturën nga kamarieri dhe nuk më la mua të bëhem bashkëpjesëmarrës në pagesë…Këmbëngula por ishte e kotë…Pikërisht atëherë kur po pinim nga një kafe,ai më pyeti nëse kisha botruar ndonjë libër…
Nxora nga çanta një libër timin dhe ia zgjata,
-Sa kushton?-tha
Heshta.Unë preferoj t`i shes librat në çdo rrethanë sipas interesimit të tjetrit.Libri i faluar nuk ka vlerë,më duket ofendim për librin.Libri i falurnuk lexohet jo pse tjetrit nuk i ka djegur xhepi,por sepse falja vetëm në këtë rast merret si imponim,si dhunë…
-Tani më mbaruan paratë,tha,…dhe më zgjati librin…
-Merre,i thashë,lexoje dhe…
Desha t`i them :ma kthe,por e tërhoqa gjuhën…Dreka e paguar,udhëtimi me makinë…ajo sajdisje dhe ai i lumë dhe ajo luginëz malore e shijuar me menjë lumë përrallor ku unë vija për herë të parë, ishin mundësuar prej tij…Nuk ishte elegante që t`i kërkoja të blinte librin…
Ne u ngritëm,dolëm nga lokali dhe ai po kërkonte çelësat e makinës.
Presim pak thashë,vetëm pak…U mbështeta te trungu i një rrapi dhe po shikoja valët e lumit…Edhe në atë vapë,lumi kishte ujë sa për të ngritur mbi sipërfaqen e tij valë të hovshme..Siç duket,buronte nga lartësi të mëdha dhe ushqehej mirë nga bora e grykave që tani shkrinte…Shushurima e valëve ishte përrallore,vale memece që flisnin dhe përplaseshin nga një breg në tjetrin duke lozurme dy brigjet e veshura me shkurre dhe driza…Dikur u nisëm…U ula në sediljen e parë dhe i thashë që, derisa të dilnim në rrugën kryesore,duhej të heshtnim…Duhej të fliste vetëm lumi…
Bukur e the,nuk më kundërshtoi,fjalët tona do të ishin të vakëta para fjalëve të valëve…
Ec ngadalë,e porosita …
Po ke të drejtë,rruga është e keqe…Gjithë këto biznese dhe nuk e kanë shtruar…Gjithë këta njerëz që vijnë këtu për këtë natyrë,për këtë lumë…
Gjëra të zakonshme ,mendova,rrugë të ngushta si shpirti i biznesmenëve,por një lumë përrallor,një natyrë e virgjër as epike,as lirike,e shkrirë në një në këto dy përcaktime…
Kur dolëm në rrugën kryesore dhe lumi na u zhduk nga sytë sikur të ishte ndjerë i bezdisur nga ne,më ngjau se kisha lënë pas një gjë që nuk doja ta lija kurrë…Ai e kuptoi ndjesinë time…
Lumi,tha,pas asaj kodre,merr një kthesë të çuditshme dhe shkon në tjetër vend,duke u shkrirë me një lumë më të madh…Vjen deri këtu sikur don ta kursejë magjinë e vet për njerëzit dhe kokëfortësisht merr drejtimin drejt disa skërkave dhe futet i vetëdijshëm për harresën e identitetit të tij në lumin tjetër…
Pasi kishim udhëtuar ndonja një gjysëm ore lumi u shfaq sërish,ishte po ai lumë,por tashmë i përqafuar me lumin tjetër dhe të dy si vëllezër shkonin drejt detit për t`u shkrirë edhe më ashtu siç shkrihen ditët me njëra-tjetrën,siç shkrihen çastet,siç shkrihen fjalët në shkritoren e frymëzimit…
Diku i thashë se duhej të ndalnim…ai e frenoi makinën para një lokali të madh…modern në dukje,ndërtuar buzë rrugës me një arkitekturë ku stilizohej forma e kështjellës a e kullës së moçme shqiptare…Kishte shumë njerëz…Pak më tutje vinte lumi,por tani përfytyroja atë lumin e vogël të luginës që gjarpëronte fshehtësisht në shtratin e gjerë të lumit tjetër…Si mund ta ndaja?…
U ulëm dhe e qerasa…Ai nuk kundërshtoi piu vetëm ujë me kafe,ndërsa unë një dopio raki të atyre anëve me kafe,patjetër ujë…Ndihesha disi i penduar se e kisha lënë pa lekë në xhep,pas as mundësinë e vogël për të blerë një libër…Kjo nuk shkonte…Duhej ta kisha kundërshtuar në këmbënguljen e tij për të porositur meze që i lamë aty…
Ai u ngrit dhe shkoi në një tavolinë tjetër për të takuar ca të njohur…Nuk u vonua,u kthye shpejt duke më kërkuar ndjesë..Këtu më njohin të gjithë, tha,40 vjet mekanik miniere,por njerëzit kanë ndryshuar shumë prej moshës,prej statusit social…Edhe këtyre anëve,rrallë shikon ndonjë shtëpi të vjetër…vila, të merr malli të shohësh një shtëpi të vjetër..Nuk ia ushqeva fjalën,gjëra të njohura,biseda që dihen dhe që konsumohen vetëm për efektin e mbushjes së kohës…
Gjatë rrugës heshtëm,ai ecte ngadalë ,ishte i kujdesshëm…Një muzikë e lehtë që buronte nga kasetofoni ishte më e mirë se çdo fjalë…Ka disa raste kur koha e shoqërimit me një njeri kthehet në barrë prej zbrazëtisë së saj dhe mungesës së dëshirës për ta mbushur me gjëra të ripërsëritura…
Befas frenoi…
-Ç`pate?-pyeta…
-Hëh,e gjeta hapur!
Nuk e kuptova.
-Dyqanin e mishit më tha…
Dolëm nga makina…
Ai mori dy qese të mëdha dhe më tha se këtu merrte mish derri gjithmonë…Ishte mish bio, derrat rriteshin në malësi,pa koncentrat…Duhej ta besoja,njerëzit rrinin në radhë si në kohën e komunizmit…Por atij ia lëshoi radhën dikush,dhe ai hyri brenda…Doli shpejt me dy qeset e mëdha të mbushura me mish.
Teksa e nxori edhe një herë mishin dhe po e pastronte,një tufë me qime u shkëputën prej vrullit të dorës së tij dhe ranë mbi kopertinën e librit tim që rrinte në kroskot…Ai u orvat t`i hiqte por unë e ndala:
Leri ,thashë,libri ka gjithmonë qimen e derrit për disa…