Vasil Premçi: Probleme letrare: Aleatë apo varrmihës?

Po të kishin ekzistuar celularët në kohën e Uliksit dhe Penelopës, a do të kishim ende Odiseanë siç e kemi sot? A do të kishte mundur Penelopa ta duronte heshtjen njëzetvjeçare, ditën thur dhe natën çthur triko , -nëse çdo mbrëmje do t’i vinte një “seen” nga Itaka nëpërmjet rrjeteve sociale? Dhe Uliksi, i lodhur nga stuhitë dhe pengesat e shumta për t’u kthyer sa më shpejt në Itakë, nuk do të përmbahej dot pa i dërguar bashkëshortes besnike një audio me zë të dobësuar nga udhëtimi: “Vërtet jam shëndoshë e mirë, por malli po më vret çdo ditë e më shumë për ty! Shpresoj të mos vonohem”. Ndonëse, ai do të kalonte dhjetë vjet në udhëtim për të mbëritur aty ku i qante zemra! Kështu, nuk do të kishim as udhëtimin si provë mitike të kohës dhe durimit, dhe sigurisht, as metaforën e përbotshme të thurjes dhe çthurjes së trikos, si një nga metaforat më poetike të pritjes njerëzore!
Në epokën e shpejtësive dhe përparimeve teknologjike ku komunikimi matet në sekonda, tregimi i shkurtër, forma më intime dhe e ndjeshme e letërsisë, gjendet përballë një sfide të pazakontë. Ai duhet të ruajë misterin, pritjen, boshllëkun – ato hapësira ku kuptimi lind jo vetëm nga ajo që thuhet, por edhe nga ajo që mbetet e pathënë. Studiuesi i letërsisë, Roland Barthes, (kritik francez, 1915-1980) vë në dukje se kuptimi i një teksti nuk lind vetëm nga fjalët e shkruara, por edhe nga ajo që mbetet e heshtur. Ai thekson se heshtja dhe boshllëku brenda tekstit krijojnë hapësirën për pritjen, interpretimin dhe lindjen e kuptimeve të reja. Në këtë kontekst, sinjali i “seen”-it në rrjetet sociale nuk është heshtje poetike, por një heshtje e thatë dhe përfundimtare, që shuan atë magji të pritjes dhe të kuptimit të fshehur.
Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si lexojmë dhe shkruajmë. Në vend të heshtjes poetike, tani kemi “seen” – një shenjë leximi, që në realitet është mungesë përgjigjeje, një sinjal teknik, një gjykim i ftohtë që largon dhe mjegullon frymëzimin.
Në këtë kontekst, shumë tregimtarë bashkëkohorë janë përpjekur të ruajnë një botë tjetër, – një botë ku heshtja nuk është thjesht mungesë përgjigjeje, por hapësirë e pasur me kuptime dhe ndjenja. Në mungesë të shembujve të shumtë në letërsinë tonë bashkëkohore që trajtojnë këtë problematikë, kam zgjedhur për ilustrim dy tregime nga krijimtaria ime: “Kur merr një letër dashurie” dhe “Dashuria fle në vesën e barit”.
Në tregimin “Kur merr një letër dashurie”, heroi i tregimit përjeton një tension emocional që nxit më shumë kureshtjen e lexuesit. Një djalosh ushtar, shofer, merr një letër nga e dashura bash në kohën kur ka hipur në makinë, i gtashëm për zbatimin e një detyre ushtarake, rrugëtimin për ne Majën e Nuses. Meqenëse do të udhëtojë natën dhe në një terren të ngrirë, letrën e sapo marrë s’di se nga kush, me siguri një nga shokët e togës së shoferëve, që ia hodhën zarfin brenda kabinës në terrin e natës, e vendosi në xhepin e brendshëm pranë zemrës, me premtimin se do ta lexonte në pushimin më të parë. Por gjatë udhëtimit ndodhin ngjarje të papritura dramatike: autokolonën ushtarake e godet një ortek i fuqishëm dhe i gjithë efektivi, nga ushtari i fundit deri te komandant Dragoti, shfaqin një solidaritet të jashtëzakonshëm njerëzor për përballimin e saj dhe zbatimin e detyrës luftarake.
Kur mbërriti në Majën e Nuses, i pushtuar nga dëshira për të lexuar letrën e Anës, djaloshi përjeton lodhjen raskapitëse dhe gjumi molisës e joshi në ëndërrime dashurie. Nuk arrin dot ta lexojë letrën deri sa zbardhi mëngjesi i të nesërmes. Eh, kështu ndodh kur merr një letër dashurie! Imagjinoni tani: si do të ndryshonte kjo histori nëse celulari do të kishte qenë aty, duke shmangur atë pritje të ëmbël dhe misterin e ndjenjës së pashijuar! Nëse letra do të ishte një ‘’mesazh’’ në telefon dhe në fund të tij do të shfaqej një ‘’tick blu’’, shenjë që tregon se mesazhi është lexuar nga marrësi, sa mbyll e hap sytë, pastaj, lamtumirë rrëfim! Tregimi do të ishte fikur që aty.
Në tregimin e dytë, situata zgjidhet përmes një “strategjeme” ushtarake: komanda urdhëron efektivin e një reparti xhenier çminimi të dorëzojë të gjitha mjetet e komunikimit. Urdhri është i prerë: ndalim i plotë i komunikimit dhe dorëzim i celularëve për një muaj. Kjo sjell një vonesë fatale në komunikimin midis dy heronjve të tregimit. Vajza, mbeti në pritje të një shenje nga i dashuri i saj, komandant i një toge ushtarësh xhenierë. Ajo “ndëshkohet” nga heshtja e tij, vrastare e dashurisë, – jo metaforike, por teknike. Pikërisht kjo heshtje e diktuar nga rrethanat lexohet si braktisje. Vajza largohet për në kryeqytet për të vijuar studimet me bindjen se dashuria me oficerin e ri kishte qenë vetëm një flakë kashte që u shua nga pikat e para të shiut.
Në këtë rast, celulari nuk është i humbur dhe as jashtë sinjalit; është aty, por i ndaluar. Kjo ndalesë, ky boshllëk i ndërtuar me qëllim, kthehet në keqkuptim dhe ndërton tragjikën e një ndjenje që nuk mbijetoi, jo nga mungesa e dashurisë, por nga ndërprerja e komunikimit. Është një zgjidhje që nuk shpjegohet menjëherë, por lejon të ndodhë gabimi njerëzor me gjithë dhimbjen e tij. Kjo “dredhi” estetike, ngjason me një deus ex machina,- një ndërhyrje e papritur që shpëton ndjenjën e artë të dashurisë nga banaliteti i celularit.
Të dy tregimet, ndonëse shumë të ndryshëm në formë, përpiqen të ruajnë diçka thelbësore: heshtjen si mundësi e ndjenjës dhe jo si gjykim teknik. Në të dyja, telefoni nuk tingëllon,- në njërin, sepse ende nuk egzistonte në kohën kur u shkrua tregimi, në tjetrin, për shkak të rrethanave specifike të detyrës, nuk lejohet përdorimi i tij,- dhe kjo mungesë, bëhet mënyra për të treguar një botë tjetër, ku njeriu akoma pret, zhgënjehet, dashuron dhe keqkuptohet pa ndihmën e një ekrani.
Të shkruash sot tregime të shkurtëra është një akt guximi,- një përpjekje për të ruajtur artin e të pathënës në një epokë që kërkon të shfaqë gjithçka dhe menjëherë. Mos ndoshta duhet të mësohemi të fikim celularin,- jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht?
Ka një çast gjithnjë e më të rrallë në kohën tonë, kur lexuesi i një tregimi mbetet pezull mes një fjalie dhe një ndjenje. Është çasti kur mungesa, pritja dhe mosdija i japin frymë një misteri. Në këtë ajër drithërues, tregimi gjen strehën e tij të përjetshme. Por në kohën që jetojmë, teknologjia po e shtyn tregimin drejt një zbulimi të menjëhershëm, të pafrytshëm. Dhe celulari është këtu, te secili prej nesh, më se i gatshëm të kryej këtë zbrazëtim.
Tregimi nuk është thjesht rrëfim i një ngjarjeje, por ritëm ndjesor, prani e munguar, nënkuptim që nuk del kurrë krejt në dritë. Por si mund të mbijetojë kjo natyrë e brishtë dhe ndrojtur e tregimit në një epokë ku gjithçka është e thënë, e shkruar, e parë, e konfirmuar me një “tick blu”, (ato dy vijëzat milimetrike, si dy milingona të ngurtësuara pranë njëra tjtrës, që tregojnë se mesazhi është lexuar nga marrësi?)
Një vajzë që pret një letër dashurie është e mbuluar nga hijet e dyshimit, e hapur ndaj një pafundësie përfundimesh. Por një vajzë që s’ka marrë asnjë përgjigje në WhatsApp, thjesht e fshin mesazhin dhe vazhdon jetën e saj. Në tregimin tim, “Kur merr një letër dashurie”, letra ishte ngjarja që mbartte brenda saj misterin, shqetësimin dhe ngazëllimin e papritur. Nëse do ta rishkruaja sot, në epokën e celularit, rrëfimi do të rrëzohej që në rreshtin e parë. Letra do të zëvendësohej nga një SMS, pritja nga një njoftim në ekran, dhe misteri nga një emër i lexuar në kohë reale. Kështu ajo që i jepte frymëmarrje tregimit do të shuhej para se të merrte jetë. Përfundimi: foshnja lind e vdekur.
Përballë këtij realiteti, në tregimin “Dashuria fle në vesën e barit” vendosa personazhin në një situatë të veçantë, me ndalim të plotë komunikimi dhe dorëzim celularësh. Kjo “dredhi” e shpëtoi tregimin nga zhbërja, duke e kthyer në histori mungese, humbjeje, ku guri, si i thonë, -u rrokullis deri në fundin e vet. Kjo më shtyn të mendoj: a është detyra e shkrimtarit sot të shpikë mënyra për të shmangur celularin, për të mbrojtur ndjenjën? A duhet të fshihet me kujdes teknologjia, që tregimi të shpëtojë shpirtin e vet?
Për një lexues të ri kjo mund të duket anakronike, por nuk është shmangie nga realiteti, por përpjekje për të ruajtur atë pjesë të jetës që nuk është humbur në ekran. Letërsia nuk është vend i lajmeve të shpejta, por i ndjesive që rriten në errësirë, si në një serë, pa ndriçim artificial.
Është i sigurtë dështimi nëse tregimi jo vetëm nuk fsheh më asgjë, por edhe as nuk rrëfen më asgjë. Kriza e vërtetë nuk është mungesa e shkrimtarëve, por mungesa e të pathënës. Prania e teknologjisë në rrëfim zhbën këtë heshtje të çmuar. Ka ardhur koha të thuhet: tregimi është në rrezik jo nga mungesa e lexuesve, por nga tepria e dritës. Ai ka nevojë për terrin ku lulëzojnë të fshehtat misterioze të fatit njerëzor, ka nevojë për heshtje dhe për atë që nuk thuhet në asnjë njoftim. Shkurt, tregimi ka nevojë më shumë se kurrë për përsosjen e të shkruarit me zemër.
Atëherë, pra, teknologjia e re që ka hyrë në të gjitha qelizat e jetës a do të jetë aleate e letërsisë dhe e tregimit të shkurtër apo varrmihësja e saj? Teknologjia e re është një mjet në shërbim të nevojave të njeriut. Ajo do të luajë një rol dytësorë, nëse shkrimtari dhe lexuesi dinë të ruajnë atë thelb shpirtëror të letërsisë – heshtjen, pritjen, misterin – që nuk mund të përcillet nga një ekran apo një sinjal teknologjik.
Me siguri do të triumfojë bashkëjetesa: dëshirat dhe letërsia mbeten shpirtërore, ndërsa teknologjia, materiale,- do të zhvillohet sipas ligjshmërive të veta, por me një detyrë thelbësore – e mirëpritur në shërbim të letërsisë dhe jo të zëvendësojë thelbin e saj. Roland Barthes, (kritik francez i letërsisë, 1915-1980), na kujton se heshtja dhe boshllëku në tekst janë hapësira ku lindi kuptimi dhe emocioni – kjo heshtje nuk mund të zëvendësohet nga një “seen” në ekran.
Prandaj, pavarësisht sfidave që sjell teknologjia, letërsia duhet të ruajë atë pjesë të paprekur të shpirtit njerëzor që e bën atë të përjetshme, – një hapësirë ku pritja, misteri dhe ndjenja e të pathënës vazhdojnë të jenë aleatët më të mëdhenj të rrëfimit.