VDEKJA E ARGATIT.Poemë nga Robert FROST. Përktheu  Kujtim Morina

 

 

 

Meri qëndronte në mendime pranë flakës së llampës
duke pritur për Uorën. Kur ia dëgjoi hapat,
ajo vrapoi në majë të gishtave poshtë korridorit të errësuar
për ta takuar në hyrje dhe për ta parapërgatitur
me lajmin, “Sillas është kthyer.“
Ajo e shtyu atë paksa jashtë derës
dhe e mbylli derën pas vetes, “Sillu mirë me të“ i tha.
I mori blerjet e tregut nga krahët e Uorënit,
i vendosi në verandë, pastaj e tërhoqi atë poshtë
të ulej përbri saj mbi shkallët e drunjta.

 

“Kur kam qenë ndryshe përveçse i mirë me të?
Por unë nuk do ta kem më si mikun e hershëm” tha ai.
“Ia thashë këtë herën e fundit duke mbledhur bar apo jo?
Nëse do të ikte, i thashë, ky do të ishte fundi.
Për çfarë vlen ai tani? Kush tjetër do ta mbante,
në moshën e tij për aq pak sa mund të bëjë?
Çfarë ndihme mund të na japë tani që kemi nevojë?
Ai ikën gjithnjë kur na duhet më shumë.
Mendon se duhet të fitojë një pagesë të vogël
të mjaftueshme të paktën sa për të blerë duhan
që të mos ketë nevojë të lypë apo t’i jetë borxhli kujt.
“Në rregull,” po them, “Nuk kam mundësi t’i paguaj
një rrogë fikse megjithëse do të doja.
Ndoshta dikush tjetër mundet. “Atëhere dikush tjetër duhet”
Nuk do ta vrisja mendjen që ai të bëhej më mirë
nëse kjo është ajo që i duhet. Mund të jeni e sigurtë.
kur bën kështu, e cyt gjithnjë diçka
që e josh të ikë, të fitojë ca para xhepi
në kohën e mbledhjes së barit, kur çdo ndihmë është e rrallë.
Në dimër ai vjen prapë tek ne. E di.”

 

Shëët! jo me zë të lartë, do të na dëgjojë,” tha Meri.

 

“Dua të më dëgjojë, duhet ta dijë herët a vonë.”

 

“Ai është i raskapitur. Po fle ndanë stufës.
Kur erdha nga Rouet, e gjeta këtu
të mbledhur kruspull te dera e plevicës në gjumë të thellë.
Një pamje e mjeruar dhe frikësuese, gjithashtu-
Nuk është për të qeshur- Nuk e njoha ashtu.
Nuk e prisja- ai ka ndryshuar
Prit derisa ta shohësh”

“Ku tha se kish qenë?“

 

“Nuk tha gjë. E tërhoqa pothuaj zvarrë drejt shtëpisë
dhe i dhashë çaj, tentova ta bëj të ndezë një duhan.
U përpoqa ta nxis të flasë për udhëtimet e tij.
Asgjë s’e bën, vetëm tund kokën në shenjë mohimi”

 

“Çfarë tha? A tha ndonjë gjë?

 

“Shumë pak,“

 

“Ndonjë gjë, Meri, më trego?”

“Tha që kishte ardhur për të mbjellë baçen.”

 

“Uorën!”

 

“Por a e tha? Vetëm dua ta di.”

 

“Natyrisht që e tha. Çfarë do të prisnit që të thoshte?
Sigurisht që nuk do t’i mbani mëri këtij plaku të mjerë,
një mënyrë e përunjur për t’ia ruajtur respektin ndaj vetes.
Ai shtoi, nëse të intereson vërtet ta dish
se do të pastronte kullotën e sipërme gjithashtu.
A të ngjan kjo me diçka që e kishit dëgjuar më parë?
Uorën, do të doja ta dëgjonit si flet,
që bën lëmsh çdo gjë. Ndalova së shikuari atë
dy a tre herë- më bëri të ndjehem shumë e dyshimtë-
për të kuptuar nëse po fliste përçart.
Ai pastaj më foli për Harold Uillson- a e kujtoni-
djalin që e kishit marrë argat para katër vjetësh.
Ai ka mbaruar shkollën dhe mësimet në kolegj.
Sillas tha që do të ishte mirë ta merrnit prapë.
Ai thotë se të dy mund të bëjnë një skuadër të mirë bashkë;
dhe punët pastaj do të shkonin fjollë në fermë!
Sesi e përziente këtë me gjëra të tjera!
Ai mendon se Uillsoni është pak qejfli, megjithëse kokëtrashë
për shkollë- ju e dini se sa u munduan ata
të gjithë korrikun nën diellin përcëllues,
Sillas lart në qerre për të sistemuar sanën,
Haroldi poshtë për t’ia hedhur me sfurk”

 

“Po, u kujdesa ta mbaja atë larg nga bisedat tona“

 

“Po, por ato ditë e trazonin Sillasin si një ëndërr.
Nuk do ta merrni me mend sa shumë. Sesi disa gjëra lëngojnë!
Siguracioni i djalit të ri të kolegjit, Haroldit, e lëndoi atë.
Pas kaq shumë vitesh, ai ende vazhdon të gjejë argumente
që mendon se mund t’i kishte përdorur.
Më vjen keq për të. E di sesi ndihet ai
duke menduar për gjënë e duhur por që e thotë shumë vonë.
Haroldin e lidh në mendjen e tij me latinishten.
Ai më pyeti çfarë mendoja për thënien e Haroldit;
E studionte latinishten si violinën,
sepse ai e donte atë- ja një argument!
Ai tha që nuk mund ta bënte djalin të besonte
që mund të gjente ujë edhe në një gjurmë kali-
Gjë që tregonte se sa shumë e kishte mësuar shkolla e jetës.
Dëshironte ta tirrte vazhdimisht atë bisedë. Por më e rëndësishmja,
ai mendon nëse do të kishte edhe një shans tjetër
ta mësonte atë si të ngrinte një kapë sane.

 

“Unë e di, kjo është një mjeshtëri e Sillas.
Ai e lidh çdo dujë sane në vendin e vet,
i vë një shenjë dhe e numëron për t’iu kthyer më pas
që të mund ta gjejë lehtë dhe ta zhvendosë prej aty
për ngarkim. Sillas e bën këtë gjë mirë.
E nxjerr jashtë atë në tufa si foletë e mëdha të zogjve,
asnjëherë nuk rri kot mbi sanë,
gjithnjë përpiqet të ngrejë diçka, ta mundojë veten,”

 

“Ai mendon sesi dikush mund të mësojë,
që të bëhet i mirë vërtet për një gjë, i njohur në botë.
Urren të shohë një djalë të budallepsur pas librave.
Sillas i gjorë, shqetësohet kaq shumë për të tjerët
dhe asgjë nuk e shikon prapa vetes me krenari,
asgjë nuk shikon përpara me shpresë.
Kështu ka qenë gjithmonë, s’ka ndryshuar.”

 

Hëna e ngrënë po binte nga perëndimi
duke tërhequr zvarrë të gjithë qiellin me vete drejt kodrave.
Drita e saj derdhej butë në prehrin e saj. Ajo e pa
dhe hapi përparësen drejt saj .Nxori duart përpara
si petalet e lules së mëngjesit që hapen si harpë,
të ndera me vesë nga bari i kopshtit deri tek strehët
sikur po luante pa e dëgjuar kush, me butësi
që e bëri atë t’i afrohej më shumë asaj atë natë.
“Uorën” tha ajo, “ai ka ardhur këtu për të vdekur:
Nuk duhet të kesh frikë se do të ikë kësaj here.“

 

“Në shtëpi! ,” ai përqeshi butësisht.

 

“Po, ku tjetër veçse në shtëpi”

 

Kjo varet e gjitha çfarë ju kuptoni me shtëpi
Natyrisht ai nuk përbën asgjë për ne, tani
sesa do të ishte shfaqja befas e një të panjohuri
që po vjen nga pylli, i rrëgjuar nga rruga”.

“Shtëpia është vendi ku ju duhet të shkoni,
dhe të mos iu kthejë kush mbrapsht“

 

‘Unë do ta quaja,
diçka që në njëfarë mënyrë nuk iu kërkohet ta meritoni”

 

Uorën u anua dhe bëri një hap ose dy.
kapi një thupër të vogël, e drejtoi atë,
e theu me dorë dhe i hodhi ashklat tutje.
“Sillas ka pasur më shumë besim tek ne, po mendon,
sesa tek vëllai i vet? Tridhjetë milje
me kthesat e rrugës do ta çonin tek dera e tij.
Sillas ka ecur aq larg, pa dyshim sot.
‘Përse nuk shkon atje? Vëllai i tij është i pasur,
është dikushi- drejtor banke.”

 

“Ai kurrë nuk na foli për të.“

 

“Ne e dinim këtë sidoqoftë”

 

“Mendoj se vëllai i tij duhet ta ndihmojë, sigurisht.
Do ta shoh nëse ka nevojë, i takon ta bëjë,
ta pranojë atë, dhe besoj se do të dojë-
Ai mund të jetë më i mirë për të sesa një i panjohur.
Por ki pak keqardhje për Sillas. A mendon se
nëse do të ndihej pak krenar që kishte farefis
apo ndonjë gjë që priste nga vëllai i tij,
do të rrinte pa e përmendur gjithë kohën?”

 

‘Po vras mendjen, çfarë mund të ketë mes tyre,“

“Ta them unë,
Sillas është ai që është- nuk do të ngelej hatri në të-
Por ai është tip që farefisi s’mund ta durojë.
Ai kurrë nuk bëri ndonjë gjë shumë të keqe.
Ai nuk e di pse ai nuk është si
gjithë të tjerët. E keqja e vetes ka qenë, megjithatë
ai nuk do ta bëjë veten me turp përpara të vëllait.”

 

“Nuk mendoj se Sillas ka lënduar njeri ndonjëherë“

 

“Jo por ai më lëndoi në zemër në mënyrën sesi shtrihet,
si mbështet kokën në tehun e mprehtë të shpinës së karrikes.
Ai nuk donte të më linte ta vija në sallon.
Duhet të shkoni brenda dhe të shihni çfarë mund të bëjmë.
Ia rregullova krevatin për sonte.
Do të habiteshit me të- sa zemërthyer duket.
Ditët e punës së tij kanë mbaruar- jam e sigurtë”

 

“Nuk do të nxitohesha ta thoja këtë”

 

As unë s’e kam pasur këtë mendim. Shko, shikoje vetë.
Veçse Uorën, të lutem kujtohu si është tani.
Ai ka ardhur për të na ndihmuar për të mbjellë kopshtin,
ka një plan. Nuk duhet të qeshni me të.
Mund të mos e përmendë fare, ndoshta edhe mundet.
Unë do të ulem dhe të vështroj nëse ajo re e vogël lundruese
do të godasë apo humbasë hënën.”

Ajo e goditi atë.
Pastaj atje u bënë tre, duke bërë një vozitje të mjegullt,
hëna, reja e vogël e argjendtë dhe ajo.

 

Uorën u kthye- shumë shpejt, iu duk asaj.
Rrëshqiti në anën e saj, ia kapi dorën dhe priti.
“Uorën?” pyeti ajo.
“Ka vdekur” ishte e gjitha çfarë tha ai.

 

1914.

 

*Në anglisht “The Death of the Hired Man”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here