Sapo është botuar një libër i veçantë me 40 esse, i shkruar në 40 ditët e para e më të vështira të izolimit nga Covid-19, në atë që mund të quhet “vija e zjarrit!… ku më shumë e ku më pak, në të janë ndryrë përjetimet gjithëfarëshe të gjithësecilit prej nesh… një vështrim letraro-filozofik i një Aksidenti global (të cilit ende s’i dihet fundi, po që duhet të na bëjë t’i vemë gishtin kokës për më tej) i shkrimtarit e poetit Fatmir Musai!… Për më tej, gjithëka e shtjellon më mirë vetë autori te parathënia: “Vetërrëfim për “Një libër që u shkrua vetë.”
Vetërrëfim
Kurrë s’e mendoja se do ta shkruaja këtë libër!,,, dhe aq me tepër me esse!
Po ky Koronavirusi na qenkej si Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve dikur dhe të dhënka edhe leje krijuese!… të kyç në shtëpi e të jep kohë të bëhesh edhe esseist… në daç edhe filozof!…
Ndaj e them që në titull se është “Një libër që u shkrua vetë”!
U shkrua vetë, po, në fakt e shkroi Korona… unë bashkë me të!… jemi bashkautorë, si binjakët siamezë që edhe në banjë duhet të shkojnë bashkë!… si Demka me shokun Zylo, ku, sigurisht, unë jam Demka dhe pres fundin e Zylos… të cilit ia kam mbajtur shënim të gjitha bëmat! (Eeeejjj, çdo krahasim çalon!)…
Dhe m’u kujtua “Pusi që lahet vetë” në qytetin tim të Elbasanit!… që fëmijë pyesja veten se ç’është ky pus që na u lakërka vetë?!
U lakërka, more, u lakërka!… është burim i bollshëm e i pashtershëm, i pastër e i thellë e i ftohtë… që vetë i lan e i pastron lëmyshqet e mikrobet që s’i ndahen e s’ka nevojë për ndihmën e Njeriut!…
E kur duhet të shkruajë një njeri që e mban veten se është i fushës së letrave, në mos tani?!… tani në këtë Kohë të pakohë, kur ky virus, materie as inorganike e as organike, pa AND, po sfidon një Botë të tërë?…
Ja, ashtu lindi, miq… vetvetiu… pa ide e pa plan… projekt jo se jo… si një humor e gallatë Feisbuku me të ngujuarit në faqen time… një Njoftim për një Shoqatë të hiperbolizuar… pastaj u krijua nocioni i Guaskës e i Kërminjve… më pas u vetëshpalla Krietar… dhe më tej i vura dhe Objektivin, marrjen e Pushtetit… se do ktheheshim në Parti pas shporrjes së Flamës… vetëm që të mos na rikthehej kurrë më e të na gjente me flamurë të bardhë mbi çatitë e Guaskave tona!…
Dhe, keni parë ju që, edhe falë inkurajimit të disa miqve, po më përvijoheshin si Komunikata lufte?… dhe unë, me shtabin tim në vijën e zjarrit, (atmosferë zjarri, do të ishte togfjalëshi më i saktë) duhet t’i nxirrja përditë këto Komunikata, të cilat po merrnin formën e skicave e përsiatjeve e esseve…
Dhe lindi kështu ideja e botimit të një libri me to… jo si qëllim në vetvete, për të shtuar edhe “një lugë më shumë” në ato ç’ka kam botuar!… po se ndjeva që aty janë meditimet gjithfarëshe të secilit nga ne të ngujuarit… jo si ditar kronologjik, se ç’bëra sot e nesër e pasnesër unë deliranti… po si përjetime shpirtërore ditë pas dite, ku sekush e gjithkush mund të hasë dhe diçka që mund të ketë medituar më vete!…
Eshtë një libër “që u shkrua vetë”, të dashur miq!
U ndërkallën poezi të hershme e të reja… por edhe të krijuara taze… gjithmonë në logjikën e një esseje të paparagjykuar teorikisht në librat e teorisë… mjafton që të kishte unitet me atë çka doja të kumtoja!… duke i mbajtur me gajret “Kërminjtë” e mij të dashur!… por edhe duke “i sharë”… që të mos jenë më Kërminj të nesërmen… që ky Pësim të na bëhet Mësim!…
Ndaj kam përdorur dhe jo pak fjalë të vjetra e e të hershme, orientale e fetare,,, pa silogjizma e ndërlikime abstrakte… si një plak i urtë që u flet e i qorton, sepse i don, fëmijtë e vet plangprishës… pa kursyer as veten… madje, duke qortuar veten në radhë të parë,,, ndaj dhe e kam përmbytur me retiçensa… që të ndjehej nëpërmjet pauzave se isha fillikat… se vërtetë i tillë isha, qëkur gruaja më mbeti e bllokuar në Gjermani te vajza, para Karantinës globale!…
Shpresoj e besoj se janë esse që qëndrojnë edhe më vete… po, të gjitha së bashku, ma ha mendja se tingëllojnë më mirë… si një kor me shumë zëra që plotësojnë e mbajnë njeri-tjetrin… se është fabula konceptuese që i lidh e i bën një organizëm!…
Miqtë e mi!
Eshte një Kohë epokale!… duhet të jetë e tillë!… e unë e ju qëlluam në vorbullën e saj… natyrshëm e ankthshëm … si “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”…. po, mbi të gjitha, si dëshmitarë!…. dhe, përtej të gjithave, tash e tutje duhet të mendojmë e projektojmë e të realizojmë Revolucionin Ekologjik!… se është Egzistenca e Mbijetesa jonë!… tashmë “na e di edhe kurrizi” e jo vetëm mendja!…
Natyra a Zoti na paralajmëruan e na dolën borxhit… tani e kemi Ne në dorë veten!… s’ka Paralajmërim tjetër!
Jaaaa… këto kisha merak t’ju molloisja me këtë Vetërrëfim!…
Paçim fat!!!