Gazeta Nacional Albania

Vetetim Bejko:K U R M Ë P R I S T E N Ë N A, POEZI

NËSE…
– Marsit, vajzës sime

Një ditë harrimi do më marrë,
Një rrugëtim pa fat, pa kthim;
Ti dritë e vetme, e perëndishme,
Ti diell im në rruzullim.

Nga ti do deshja të më falje,
Për ndonjë fjalë, për ndonjë trill,
Siç drobit bryma lulebrishtën,
Atë mëngjes, herët në prill.

Për mua zemra kur të djegë,
Mos më kërko nën dhe të zi,
Dy shpirtrat tanë veç në një zemër,
Do rrahin në përjetësi.

P E N G U…

Shkrova dhe poezi ”të trëmbura”,
Kur gojëz kish rinia;
Ato më ”heretiket” ranë,
Përmbi shpatullat e mia…

Më ngeli peng një metaforë,
Kur muza u karfos:
“Nuk munda të ngjyej dot lugën,
Kur deti u bë kos…”

K U R M Ë P R I S T E N Ë N A

Tek muri i avllisë më priste nëna,
Çemberi iu nxi nga meraku.
Kur më pa,
Iu fanit duvaku…

NËNËS NË IKJE

Nëntëdhjetë vjet s’janë shumë,
E rëndë udha për tek varri.
S’u nginjëm me këtë dreq jetë,
S’u cmallëm kurrë për së gjalli…

Ah, rrugë e jetës na zhgënjeu,
Sa kryenece varfëria!…
Si ëndrrat mbetën kaq të gjata
Dhe invalide lumturia?…

E lodhur nise rrugëtimin,
Paqe do shpirti pambarim…
Se sa rrasa mbi arkivol,
Rëndon kjo jeta në mjerim…

Mos ik, moj nënë, mos ik!
Është kohë e keqe, ters e dreq.
Pas teje borxhi do na hajë,
Me këtë botë c’djall e ndreq!…

Do grindet era si me kujë
Në dhomat shkretë kat më kat.
As rrugë, as prag s’do më përgjigjet
Dhe dielli do më ngroh’ më pak!…

2001

Më 17 Prill 2001 u largua nga jeta nëna jonë e dashur; zemra e familjes, dashuria e dashurive, perëndesha jonë tokësore…Të tilla janë të gjitha nënat. Qofshin të paharruara!

Fabul

PASHË NJË ËNDËRR

Pashë një ëndërr,
Më çonte në Amerikë!
U ula në gjunjë,
Para Statujës së Lirisë.

Më shih thellë në sy!-më tha,-
Futu në zemër, përbrenda,
Që të mos lundrosh më,
Në ëndrra!…

GURËT ?…PËR KALÀ !

Ankohej një njeri i ditur,
Se s’kish në jetë qetësi…
Askujt s’i bëri të këqia,
Po gurë hidhnin kundër tij.

Qeshi një mik i tij i mirë:
-Je i nderuar për gjithçka,
Të gjithë gurët kundër teje,
Për ty po ngrehin një kalà…

VENDLINDJA

S’u soska malli dhe dhimbja
Per te shtrenjten, shenjteri
Ma shton, ma ndez permallimin
Tek prehen prinderit e mi.

I kerkoj ato rrugica
Monopate dhe lendina
Ca me flasin me te ndrojtur,
Ca po heshtin nene drithra

Aty prane nje vije uji
Nje oborr hardhimbuluar,
Ndane portes trendafili
Arre dhe bredh degeleshuar.

Ajo shushurime uji
Sa kujtime me ka zgjuar;
Me ritmiken monotone
Thelle ne vite c’me ka cuar.

Ne sheshoren zhurmeshume
Camarroket si dikur;
Vjen me kap nje mall i larget,
Po tani me thone burre…

Keta tinguj dhe rrugica
Asgjekundi s’do t’i gjeja,
As me mbremjet, as me parqet
Une ato s’do t’i kembeja…

KËSHILLAT E BARIUT METE

Në rrugëtimin për në shkollë,
Më josh Bariu Mete;
Një ngjyrë bejke i zbardh fytyrën,
I feks një buzëqeshje.

E di, më thosh, që shkruan vjersha,
Lexoj shpesh në mëhallë,
Po blegërimat dhe çokanet,
Ta trembin vargun vallë?…

Ti, vjershave, dëgjomë mua,
Shkundu dhe trëndelinë,
Mbështilli fort me këtë gunë,
Sa ngrohtë do të rrinë!…

Këto, si fjalë ngjyer me mjaltë,
I thosh bariu Mete,
Kërrabë e tij varur po prehej,
Në vargjet e një vjershe…

NDARJA NË DIVANIN E VJETËR

Atë natë gjumi m’u vra,
Rashë përmbys në mendime,
Mos ty t’i zgjuan gjithë netët
E m’i solle në dhomën time?

Sa netë jam përpëlitur mbi ty,
Nervoz për një varg, për një rime,
Jam grindur me gruan për lekët
Dhe jam penduar ndonjë grimë…

Zhelet e tua mbahen tek unë,
Ç’dhembje kjo ndarje,ç’prapësi!
S’të kam tradhtuar, më beso,
I varfër mbeta përsëri…

BLLOKU

Dyzet vjet me ne u tall,
Shtrigu bllok me ne u majm,
Ta kujtosh, të sjell zarar,
Ta kesh, të bën jetën varr.

Blloku vdiq, frikshëm u ngjall,
Ky na qenka hall mbi hall…!
Mos veshi manteln’ e Krishtit,
E dërgon zoti për “mall”?!

Blloqe që s’kanë të dytë,
Kërpudha mbijnë për ditë;
Vilat të verbojnë sytë,
Druhen të shkelin turistë.

Ustallarë e mercenarë,
Më të shumtit të tillë janë;
Këpushat të fryrë s’kanë,
Rrinë kular mbi fukaranë.

Çibanë, tumor malinj,
E bren trupin ca nga ca;
Të mpin e jetën ta thinj,
Pastaj të hedh në hava.

Ju që dini ç’është ferri,
Ç’kërkon fjala, ç’mëson nderi,
Po vajti shtatë vjeç derri,
Na rrëmben përsëri terri.

EH, MOJ VJESHTË !…

Moj, e shtrenjta vjeshtë,
Po gabon me gjethet !
Të rrëzosh banditët,
Të na ikin ethet !…

Athinë, 5.X.2019

S’DUA TË BESOJ…

Gjumi m’u vodh,
Shpirti m’u krip;
E pashë veten,
Varur në zgrip.

Zhytem në ëndrra,
Eci pa fund;
Në vorbull ujrash,
Lundroj e humb.

Parajsë e ferr,
Me ëndrra u shqye;
Anë e errët e hënës,
Më rri mbi krye.

I mbytur në djersë,
Mëngjesi i një ëndrre,
Ndoshta perëndimi!
Feksja e një zhgjëndrre?

Jo, dua të fle!
Shpirtin s’e krip,
S’dua të besoj,
Se jam në zgrip…

BALOZJA
-Poezi satirike

Balozja që vjen nga deti,
I nxjerr gjuhë një tërmeti:
-Shumë u duke, pak na dole,
Pesëdhjetë dërudhe mblodhe…

Të isha në vendin tënd,
Botën do lija pa mend,
Do rrafshoja një qytet,
Të më shpallnin “tërmet-mbret!”.

Shpirtrat s’janë tulla muri,
Nga gajasja ç’t’u prish nuri,
Engjëjt i mori parajsa,
Ti hyn tek specie laraska.

Kryetare t’u shemb koka,
Si pallatet copa-copa,
Pallatet do ngrihen prapë,
Mendja jote shkon për skrap.

MËSOJ GJUHËN SHQIPE
Këtë poezi ia kushtoj shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Patër të Greqisë me drejtor personalitetin e njohur të kulturës sonë, Iliaz Bobaj.

Këtu në Eladhë,
Larg Atdheut tim,
Pa gjuhën e nënës,
Ndjehem si jetim…

Dy gjuhë të lashta,
Qëkur u lind bota;
Pranë njëra-tjetrës,
Shkojnë si dy motra…

Gjuhë e mëmëdheut,
Çdo tingull, çdo shkronjë,
Nota muzikore,
Zonjë përmbi zonjë!

Mësimet ditore,
Nën jastëk, në zemër;
Bisedoj me to,
Dhe kur jam në ëndërr!…

Shoh nga kjo dritare,
Bëmat Skënderbeut,
Gjuhën e Naimit,
Vlerat e Atdheut.

Më shton buzëqeshjen,
Krahë shpirtit tim;
Ta pushtoj Atdheun,
Larg me përmallim.

VËLLEZËRIT KURDË

Kurrë s’m’u duk i zemëruar
Deti i ngushtë bujar, Marmara,
Pret, përcjell si një aortë zemre,
Mesazhe paqesh të mëdha…

Hotele, restorante shtrihen gjer në buzë
Marrin jetë në “Sulltanahmet”;
Mes tyre shquhen tre vëllezër kurdë,
Të mirët Alajdin, Mikael, Mehmet.

Kush nuk shijon ngrohtësinë e tyre,
Shërbim si mikpritje në shtëpi?
S’iu ndava restorantit të pëlqyer,
Sikur i ndihja në luftën për liri!…

TAMTAME

Kur ca zbresin,
Të tjerë ngrihen,
Fishekzjarre gjer në re..
Pastaj pluhurat anembanë,
Dalngadalë bien mbi ne…

RRUGËT IKNIN REFUGJATE

Po troket nata me barrë,
Gjumi çlodhej mbi qerpikë,
Rrugët iknin refugjatë,
Si t’i ndiqte pas një frikë…

Terri kob e korb katrani,
Mbarsur krime, pillte zi,
E tërhiqte kapistallit,
Ndër rrugicat një hajni.

Frika qan me sy të enjtur,
Mbytet në klithma funebre,
Nata-murg , si psallm i tretur,
Pinte dhimbje,shuan etje.

IMAZH

Do të kthehej Migjeni
Shaluar mbi kalë,
Jo i përbaltur si një Kostandin,
Të shihte fatin e ushtrisë së mjerë,
Që rropatet honeve të veprës së tij.

Heronj të unshëm mezi presin idhullin e tyre,
Me status të pandryshuar, gjithë ftohma.
Mos ia shtini në vesh Migjenit,
Se e mundon më tepër kolla!…

PERGJAKJA E PELLUMBAVE

Ne folene e tyre te moçme buze honeve
Mekonin lirine,
Me therrmijat e shkembinjve te serte
Bluanin urine.

Ne ballkonin e virgjer te Alpeve
Mprehnin sqepin e kenges,
Ne ujvarat e ylberta te maleve
Freskoheshin ne agun e endrres.

Grabitqare shpellash u sulen,
U kishin zili fluturimin
Kembekryq u ulen ne strehezen e tyre
Te pillnin mjerimin.

Brohorisnin pellumbat me flatrat e tyre
Per paqe, liri
Ne kthetra grabitqaresh rane
U gjakosen me dhjetra kerthi.

O bote shpellash, qiellin s’mund ta zabtosh
Ta mbulosh me plumba.
Qielli i kalter ka banoret e perjetshem,
Femijet e vete pellumba.

ROMANCE

Ç’kujtime emri yt me ngjall,
Me mbush me mall te perveluar;
Çdo ndjesi tjeter shkon ne djall
Dhe rroj me ty i perqafuar.

E zgjodhe jeten lart ne yje
Nga pikon mall e dhembshuri
Te gjithe boten e mbeshtjell
Nje ngrohtesi, nje dashuri.

Kur moshe e shtyre shtie dridhma,
Ti vjen si afsh i ngrohte jugu;
Qysh çelin gjethet edhe lulet,
Ne shpirtin tim ze tretet mugu…

GREKJA

Këtu tek “Marina Zea”
Në Pire, lokal “Pishina”
Nga një brune kamariere,
Mblidhen si tek ëmbëlsira…

Buzëqesh, ia do zanati,
Mua cdo ind më ngacmon;
Tej, Egjeu pëshpërin:
“Ajo tjetër dashuron!”

Sa herë shkon pranë meje,
Përvëlon ky syri yt;
Sy gjahtar tretet pas teje,
Cdo gjë më ngecet në fyt…

Gruan nuk e mban më vendi:
“C’ka ky burri që m’u cmend”?
Dhe Egjeu mërmërin:
” Rri, or plak, sillu me mend”!

Mosha të la dru të thatë,
Të do vec një qukapik!
-Jam llaskonjë parëvere
Ku rrjedh lëngu me vërtik…

Ngrihem, po s’dua të iki
Këmbët, zemra do të rrinë;
Më përcjell me buzëqeshje,
Robëron me bukurinë…

VJELËSJA E PORTOKALLEVE

Çliron pemët nga gulçimi,
Më solle aromë gjiri;
Loz me ngjyra portokalli,
I mblodhe, i ndez tek syri…

Sytë e tu të butë si Joni,
Mu aty lahet Riviera;
Në magji u dehën zemrat
Edhe dimri çel pranvera…

Nga ti Riviera shkund yjet
Dhe ngjyen penelin vjeshta;
Afshi yt çel lulebardhat,
Vesë mjalti djersin gjethja…

Rrjedh i shijshëm portokalli,
Shpirti yt e mjalton mjaltë;
Lulëzon portokallishtja,
Nëpër sytë e tu parajsë…