“Vetëvendosja”, parti në Shqipëri. Kërkesa për regjistrim është paraqitur në gjykatë

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë synon ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, përmes Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë.

Boiken Abazi, i mandatuar për ngritjen e kësaj qendre, në një intervistë për Top Channel thotë se i janë drejtuar gjykatës për t’u regjistruar. Por, përse ky vendim i Vetëvendosjes për të qenë e pranishme edhe në Shqipëri?

“Kemi pasur kërkesa të shumta këto kohë. Kërkesat e shtuara nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të shtrirë aktivitetin e Vetëvendosjes edhe këtu. Kemi menduar se ka ardhur koha që të kemi një aktivitet më dinamik, më të shtuar, pasi nuk është hera e parë që ne zhvillojmë aktivitet në Shqipëri, duke parë edhe modelet e ndryshme që ne mendojmë se janë të mira, jo vetëm në Kosovë, por edhe për kombin shqiptar, si për shembull modeli i shtetit zhvillimor, ekonomi e bazuar në prodhim, natyrisht edhe synimit tonë kryesor që është e drejta e vetëvendosjes për popullin shqiptar për bashkim kombëtar”, tha Boiken Abazi, Lëvizja Vetëvendosje.

A do të përfshihet edhe në aktivitet politik, qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri? Abazi jep këtë përgjigje:

“Ne nuk synojmë të transformohemi sot në një subjekt politik në Shqipëri. Ne synojmë të jemi aktivë përmes shoqërisë civile, duke krijuar ura bashkëpunimi në Shqipëri me atë në Kosovë, e më gjerë edhe rajon ku janë shqiptarët, si dhe me institucionet dhe subjektet shqiptare. Synojmë të kemi qasje në komisionet parlamentare, duke shtruar pyetje dhe të interesohemi për çështje që po prekin Kosovën drejtpërdrejt në vendimet që merren këtu, pasi janë duke ndikuar më gjerë edhe në Ballkan”.

“Ne nuk jemi pozicionuar në raport me përplasjen pozitë-opozitë që po ndodh në Shqipëri”, thotë më tej Boiken Abazi. “Synojmë – thekson ai, – që për tema madhore që prekin kombin shqiptar të bashkëpunojmë me të dyja”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here