-Ç’ke, moj Vjollca, që rënkon sikur ke gurin e Sizifit mbi shpinë ? Përse më telefonove me kaq urgjencë ? Mos ke ndonjë hall ? – e pyeti Adriana, sapo u takuan pranë vendit ku takoheshin sa herë kishin kohë të lirë dhe pinin ndonjë kafe.
-Mos më pyet fare, po eja të rrinë e të pimë një kafe, se kam një mal me derte e halle në shpirt dhe nuk di se kujt t’ia them…
-Ç’pate, moj grua, që shfryn si gryka e kazanit ? Ç’ta ka ligështuar kaq shumë shpirtin e ta ka bërë helm ?
-Vjehrra e kush tjetër !
-Po pse, ç’patët ?
-Po ç’të kem, moj vajzë, një e dy e na vjen për vizitë, si Muçua te Ruçua. Na mësoi rrugën e ik të të shkulet nga dera. ‘’Është mirë këtu në Romë’’, thotë, ‘’më pëlqen shumë. Ti’’, më thotë mua,’’ je nusja që dua më shumë nga të trija nuset e djemve të mi’’. Se ato dy të tjerat nuk duan t’ia dinë për të. Në Shqipëri nuk ka as kuç e as maç, veç një apartament të vogël dhe, para se të mbërrijë mirë aty, na vjen përsëri. Më është bërë si burri i nënës.
-Po ti bisedo edhe me tët shoq, që t’ia thotë me takt, se edhe ju keni hallet tuaja dhe nuk mund të jeni në dispozicion të saj përherë.
-Hesht, të lutem, mos më fol për tim shoq ! Ai fluturon nga gëzimi kur i vjen e ëma. ‘’Mirë bën’’, thotë, ‘’se aty është si gardelina e mbyllur në kafaz. Këtu në Romë ndjehet mirë’’.
-Po edhe ai duhet ta kuptojë këtë gjë.
-Lere tim shoq dhe më thuaj si t’ia bëj unë hallemadhja, atë bëj ! Se më duket sikur nga çasti në çast do më soset durimi dhe do t’ia bëj bam. Se ta dishë, që jam fajtore edhe vetë. Kur na erdhi për herë të parë, lashë çdo punë dhe e shëtita në të gjithë Romën, që të shihte bukuritë e saj. E ç’i duheshin vjehrrës sime Koloseu, Shën Pjetri, Fontana Trevi, muzeumet dhe kryeveprat e Romës ? Po ç’t’i thuash kësaj mendjes sime, që vuan varfërinë e saj. Na, pika mua ! Tani, sa vjen, dua të shkoj këtu e dua të shkoj atje, më thotë. Dy kunatat e tjera u treguan doçka. Kur u shkoi për vizitë në Zvicër, e lanë brenda gjithë ditën e ditës si zogun në kafaz dhe pa kaluar dhjetë ditë, i mblodhi rraqet dhe u kthye në Tiranë. Nuk shkeli më tek ato. E pse të shkelte tek ato, kur më ka mua në dispozicion sa herë të dojë ? Tani ka gjetur karar, tre muaj në Tiranë, tre muaj tek ne, në Romë.
-Pa qetësohu njëherë, se je bërë furtunë.
-Nuk qetësohem dot, pa i bërë derman vjehrrës sime dhe pikë !
Ndezi një cigare, të cilin, siç thoshte vetë, kishte filluar ta pinte që kur i kishte dalë ky halli i madh me vjehrrën, e shfryu tymin me një duf të paparë, i nguli sytë shoqes së saj dhe e pyeti e menduar:
-Moj Adriana, nuk më thua, vetëm unë e kam këtë hall ? Ju të tjerat nuk keni patur ndonjë hall të tillë ? Nuk më thua, ti ke vjehrrë ?
-Po.
-A të vjen për vizitë këtu në Itali ?
-Më vjen ose më mirë më vinte.
-Nuk e kuptoj këtë të shprehur…më vjen ose më mirë më vinte…
-Më vinte më përpara. Tani nuk më vjen më.
-Lum si ti, paske shpëtuar ! Po si ndodhi që nuk të vjen më ?
-Ah, moj motër ! Unë e di se sa kam vuajtur me të. Vjehrrës sime nuk i zinte prapanica vend. Sa mbushte tre muaj në Tiranë, priste biletën dhe në mbrëmje e kishim tek dera e shtëpisë si fanti spathi. E veshur dhe e mbajtur si ato pilivesat e hajthme. Priste vetëm biletën e ardhjes, me qëllim që atë të kthimit t’ia prisnim ne. Nuk ke parë rob zoti më të djallëzuar se ime vjehrrë. Sikur është ortake me dreqin. Pasi qëndronte tre muaj në Romë, domethënë aq sa e lejonte ligji, im shoq i priste biletën e kthimit dhe në mbrëmje mbërrinte në Tiranë. Njeri pa punë e pa familje qe. Burri i ka vdekur me kohë. Kjo punë vazhdoi dy vjet e ca rrjesht.
Vjollca e dëgjonte sy e veshë. Madje edhe cigaren që e thithte dhe e shfrynte gjithë duf, nga ankthi që i kishte krijuar vjehrra, kishte harruar ta vinte në buzë dhe ai digjej i qetë në cigarembajtësen e tryezës.
-Por kulmi I durimit tim arriti kur më kërkoi që t’i gjeja edhe ndonjë shoqe shqiptare të moshës së saj, që të kalonte ditën me të. ‘’Po të jetë edhe ndonjë grua për të qenë’’, më tha, ‘’të mos jetë ndonjë telendare, nga ato që mbajnë gjithë botën në gojë’’. Këtu u bëra si ajo goma e kamardares që arrin kulmin nga fryrja dhe është gati të pëlcasë. E donte edhe me standarte shoqen, pa le…Po edhe diçka tjetër. Kisha marrë vesh ashtu larg e larg, se apartamentin e saj në Tiranë, ia kishte lënë trashëgimi vajzës së saj dhe jo tim shoqi. ‘’Ah, m’u bëfsh kurban !’’, thashë me vete.
-O zot ! – psherëtiti Vjollca. – Njëlloj si me ne. Edhe vjehrra ime ia ka lënë trashëgimi djalit të vogël…Vjehrrat qenkan të gjitha njëlloj ! Vjehrrat janë si puset, sa më thellë të futesh në ta, aq më të errët janë…
Adriana ndaloi, mori frymë thellë, piu një gllënkë kafe dhe i hodhi sytë diku në horizont.
-Po pastaj si u bë ? – e pyeti Vjollca, së cilës nuk i durohej derisa të dëgjonte fundin e lumtur të kësaj historie.
-Pastaj ndodhi ajo që nuk e prisja. Një ditë më trokiti në derë një italian që rri përballë nesh. U habita kur e pashë tek dera, se ai nuk na ka përshëndetur kurrë e jo më të na trokasë në derë. ‘’Unë, më tha, jam pa grua, se më ka vdekur para shtatë vjetësh. Kam vënë re që tek ju ka ardhur një zonjë, e cila i përshtatet moshës sime. Kam ardhur t’i propozoj për martesë’’. Edhe kjo më duhej, që ta kisha tërë jetën si ferra nëpër këmbë. Ku ta dija unë se ç’mendje kishte ajo. Po sikur të pranonte ? Apo nuk përkëdhelet e llastohet si ato madamat e salloneve. Italianin e gënjeva, i thashë se është e martuar në Shqipëri, më falënderoi dhe iku andej nga kish ardhur. Dashke dhe burrë, thashë me vete. Do të ta gjej unë edhe atë. Po deshe të gjej edhe ndonjë dhespot…
-Po yt shoq mori vesh gjë ? – e pyeti Vjollca.
-Jo,jo, as im shoq dhe as ajo vetë, se u ndodha vetëm në shtëpi. Por ama, i dhashë karar: ose do ta zboja njëherë e mirë nga shtëpia ime ose do pranoja që isha më e humbura e dynjasë. Një ditë, kur ajo kishte dalë me tim shoq, i hapa me kujdes pasaportën e saj dhe pashë se kur mbaronte data e qëndrimit. E shënova datën në një vend të veçantë dhe e mbylla. Nuk e kam vrarë mendjen kaq shumë asnjëherë në jetën time. Edhe kohën e gjumit, ia hiqja atij dhe ia kushtoja mendimit, për të gjetur zgjidhjen e nevojshme.
Ndërkohë Adrianën e mori dikush në telefon dhe u detyrua ta ndërpriste rrëfimin e saj. Edhe pse foli vetëm pak minuta, Vjollcës iu duk sikur foli një orë dhe herë pas here i bënte shenjë, duke përdorur dy gishtrinjtë si gërshërë, që ta ndërpriste bisedën. Më në fund biseda mbaroi dhe Vjollca i bëri shenjë të vazhdonte.
-Dy ditë para se të mbusheshin plot tre muaj nga dita e qëndrimit të saj në Itali, domethënë aq sa i lejohet ndenjia jashtë shtetit, i them sime vjehrre: ‘’E di që të pëlqen shumë Venecia, prandaj bëra çmos dhe sigurova një udhëtim treditor aty. Do shkojmë unë, ti dhe im shoq. Ja ku i kam biletat’’, i thashë dhe ia tunda para syve. E entuziazmuar nga vizita, e harroi fare datën e kthimit dhe të nesërmen u nisëm për në Venecie. Fluturoi nga gëzimi i kësaj të papriture që i kisha bërë dhe nuk dinte si të më falënderonte. Më përqafoi dhe më puthi në të dyja faqet. Im shoq, po si im shoq, në botën e tij dhe nuk nuhati asgjë prej planit tim të përpiktë. Kur u kthyem, kishte kaluar një ditë nga tremujori i qëndrimit të saj në Itali. Unë bëra të paditurën. Im shoq i preu me ngut biletën e kthimit, po kur shkuam në doganë, e gjobitën me njëmijë e dyqind euro, për shkak të tejkalimit të kohës së ndenjies.
-Po pastaj ç’u bë ? – pyeti me padurim Vjollca.
-Mbeti në Shqipëri. Që të vijë përsëri, duhet të paguaj gjobën. Pa paguar gjobën, nuk mund të vijë. Ajo është si Grandeja, kursen edhe qindarkën. Këtu ia preva tim shoqi. Po deshi le ta paguajë vetë, i thashë, ne nuk mundemi. Nuk ka edhe ndonjë hall apo problem shëndetsor që të vijë, se është si lulja e kumbullës. Kam paguar gjithçka për të, i kam bërë çdo nder, po deri këtu, mjaft më ! Tani ka mbi një vit që nuk ka ardhur…
Vjollca e vështronte shoqen e saj me një admirim të paparë…
–… Domethënë, nga të gjitha gratë e kësaj bote, më budallaqja prej tyre qenkam unë, – i tha ajo ! – Na ! – ia bëri vetes me të dyja duart Vjollca, duke i drejtuar fytyrës të dhjetë gishtrinjtë, si dhjetë shigjeta për t’i nxjerrë sytë.
Rrëmbeu çantën dhe u ngrit si furtunë.
E mërkurë, 23.1.2019