VJEDHËS TË FYER. Tregim nga ALEKSANDËR I. KUPRIN. Përktheu: KOSTA NAKE

 

 

 

 

 

Ishte ora pesë e një pasditeje korriku. Vapë e tmerrshme. Qyteti i madh i gurtë shfrynte si furrë. Shkëlqimi verbues i shtëpive të bardha ishte i padurueshëm, asfalti  i trotuareve ishte zbutur dhe t’i digjte shputat, hijet e akacieve hapeshin mbi rrugën me kalldrëm të lodhura. Deti, i zbehtë nga drita e diellit, shtrihej i rëndë dhe i palëvizshëm si i vdekur. Mbi rrugë varej një pluhur i bardhë.

Në hollin e njërit prej teatrove privatë një komitet i vogël i avokatëve vendorë që kishin nisur të ndiqnin çështjet e atyre që kishin vuajtur në pogromin e fundit kundër çifutëve, po i afrohej fundit të detyrës ditore. Ishin gjithësej nëntëmbëdhjetë, të gjithë të rinj, progresistë dhe njerëz të vetëplotësuar. Seanca ishte pa formalitet dhe kostumet e bardha prej doku, fanellate dhe leshi merinoz ishin në modë. Ishin ulur diku te tavolinat e vogla prej mermeri dhe kryetari qëndronte përpara një banaku të vjetër ku shiteshin çokollata gjatë dimrit.

Avokatët ishin të rraskapitur nga zhegu që derdhej nëpër dritare me dritën verbuese të diellit dhe zhurmën e rrrugëve. Procedura ishte e zvarritur me një irritim të dukshëm. Një  burrë i gjatë me mustaqe të verdha dhe flokë të imët po ëndërronte në karrige gjithë qejf si do nisej menjëherë me biçikletën e porsablerë drejt shtëpisë. Do të zhvishej shpejt dhe, pa pritur të freskohej, ende i mbytur në djersë, do të hidhej në detin e pastër, të ftohtë që mbante erë të mirë. Gjithë trupi i tij ishte nervoz dhe i tendosur nga mendimet. Duke lëvizur me padurim letrat para tij, tha me një zë të fjetur:

“Pra, Jozef Moriksoviç do të udhëheqësh çështjen e Rubinçikut… Ndoshta ka ende ndonjë gjë që duhet rregulluar këto ditë?”

Kolegu i tij më i vogël, një djalë i shkurtër dhe i fuqishëm, shumë i zi dhe i shkathët, tha me një pëshpërimë që zor se e dëgjoi njeri:

“Në rendin e ditëve, gjëja më e mirë do të ishte kvas me akull…”

Kryetari i hodhi një vështrim të shtrembër e të ashpër, por nuk mundi ta mbante një buzëqeshje. Psherëtiu dhe vuri të dy duart në tavolinë për t’u ngritur duke e deklaruar takimin të mbyllur, kur portjeri i cili qëndronte te hyrja e teatrit, papritur bëri përpara dhe tha:

“Ka shtatë vetë jashtë që duan të futen, zotëri.”

Kryetari pa rrotull me padurim.

“Si t’ia bëjmë, zotërinj?”

U dëgjuan zëra.

“Herën tjetër. Boll më!”

“Le t’i bëjnë kërkesat me shkrim.”

“Po qe se ia japin fund shpejt… Vendos menjëherë.”

“Vafshin në djall! Ptu! Është si katran që llokotet.”

“Le të hyjnë.”

Kryetari bëri një shenjë me kokë i mërzitur.

“Më sillni një vichy, ju lutem. Por të jetë i ftohtë.”

Portjeri hapi derën dhe foli nga korridori:

“Mund të hyni.”

Shtatë individët suprizues u dyndën në holl.  I pari u duk një burrë i rritur dhe i sigurt me një kostum ngjyrë rëre, me një këmishë të mrekullueshme rozë me vija të bardha dhe rozë të theksuar te liqet. Nga përpara koka i dukej si kokërr e ngritur lart, nga anash si kokërr horizontale. Fytyra zbukurohej nga një palë mustaqe të dendura  prej ushtaraku, mbi hundë kishte një palë syze blu të errëta, në duar doreza ngjyrë kashte. Në dorën e majtë mbante një bastun të zi me një hark argjendi, në dorën e djathtë një shami blu të çelur.

Gjashtë të tjerët i krijuan një përshtypje të çuditshme, kaotike, të papërshtatshme, saktësisht sikur ata kishin lagur me shpejtësi jo vetëm rrobat, por edhe duart, këmbët dhe kryet. Ishte njëri me një profil të shkëlqyer të një senatori romak, veshur me zhele. Një tjetër kishte veshur një jelek elegant me një hapje të thellë prej të cilës këmisha e pistë ngrihej deri te syri. Kishte fytyra të paekuilibruara të tipit kriminal, por me një vështrim të sigurt që nuk i trandte asgjë. Gjithë këta njerëz, pavarësisht pamjes rinore, dukshëm kishin një përvojë të madhe jetësore, një qasje të fortë dhe një dinakëri të fshehtë.

Zotëria me kostumin bezhë përkuli kokën dhe filloi me një gjysmë pyetje në zërin e tij: “Zoti kryetar?”

“Po, unë jam. Si është puna?”

“Të gjithë ne që na shikoni, – filloi zotëria me një zë të qetë duke u kthyer për të treguar shokët e vet, – kemi ardhur si delegatë nga Shoqata e Bashkuar e Vjedhësve për Rostovin, Krakovin, Odesën, Nikolajevin.”

Avokatët filluan të lëviznin në ndenjëset e tyre.

Kryetari u tërhoq prapa dhe çakariti sytë.

“Shoqata e kujt?” – pyeti i shatisur.

“Shoqata e vjedhësve”, – përsëriti ftohtë zotëria me kostum bezhë. – Sa për mua, shokët më bënë nder duke më zgjedhur si zëdhënës të tyre.”

“Shumë… i kënaqur,” – tha kryetari me një mendim të paqartë.

“Faleminderit. Të shtatë ne jemi vjedhës ordinerë, natyrisht nga drejtori të ndryshme. Shoqata na ka autorizuar të paraqitim para komitetit tuaj të nderuar, – tha ai duke bërë një përkulje elegante të kokës, – kërkesat tona të respektuara për ndihmë.”

“Sinqerisht, nuk ju kuptoj fare ç’lidhje ka… – tha kryetari duke tundur krahët i pashpresë. – Gjithsesi, vazhdoni, ju lutem.”

“Çështja të cilën kemi guximin dhe nderin të paraqesin, zotërinj, është shumë e qartë, shumë e thjeshtë dhe shumë e shkurtër. Duhen vetë nja gjashtë a shtatë minuta. E quaj për detyrë t’ju lajmëroj që në fillim, për orën e vonë dhe temperaturën 115 gradë fahrenhait që shënohet në hije.”

Oratori i hodhi një sy orës së tij të florinjtë.

“Ju e dini, në shkrimet që janë shfaqur kohët e fundit në gazetat lokale për ditët e tmerrshme të pogromit të fundit, shpesh kanë treguar se midis nxitësve të pogromit që janë paguar dhe organizuar nga policia – fundërina të shoqërisë që përbëhen nga pijanecë, endacakë, pederastë, huliganë nga lagjet e varfra – janë gjetur edhe vjedhës. E konsiderojmë të nevojshme të protestojmë kundër akuzave të tilla të padrejta dhe serioze në sy të gjithë shoqërisë intelektuale. Unë e di mirë që, sipas ligjit, ne jemi fundërina dhe armiq të shoqërisë. Por imagjononi për një çast, zotërinj, situatën e këtij armiku të shoqërisë kur akuzohet përgjithësisht për një faj që nuk e ka bërë kurrë, por për të cilën është gati të rezistojë me gjithë forcën e shpirtit të tij. Nuk mund të mos thuhet se ai do ta ndjejë dhunën e një padrejtësie të tillë më të theksuar se sa një qytetar me fat, normal, mesatar. Tani, ne deklarojmë që akuza e lëshuar kundër nesh është artikuluar duke shmangur të gjitha bazat, jo thjesht të faktit por edhe të logjikës. Unë synoj ta provoj këtë me pak fjalë, nëse komiteti i nderuar do të ketë mirësinë të dëgjojë.”

“Fillo,” – tha kryetari.

“Jepi, të lutem, fillo,” u dëgjua nga avokatët tashmë të gjallëruar.

“Falenderime të sinqerta në emër të të gjithë shokëve të mi. Më besoni, ju nuk do të pendoheni për vëmendjen ndaj përfaqësuesve tanë… e po le të themi, një profesion i pabesë, por gjithsesi i vështirë. Fillojmë… siç këndon Xhiraldoni në prologun e “Palaços”. Së pari do të kërkoja lejën tuaj, zoti kryetar, ta shuaj pak etjen. Portjer, më sill një limonadë dhe një gotë me biter anglez. Zotërinj, nuk do të flas për aspektin moral të profesionit tonë, as për rëndësinë shoqërore të tij. Pa dyshim ju e dini më mirë se unë paradoksin e qëlluar brilant të Prudonit “La propriete c’est le vol” – një paradoks në se ju pëlqen, por që nuk është hedhur poshtë nga moralizuesit e borgjezisë frikacake ose nga priftërinjtë e majmë. Për shembull: një baba mbledh një milion nga shfytëzimi i zgjuar dhe energjik dhe ia lë të birit – një rakitiku, përtaci, injoranti, idioti, një njeriu pa tru, një paraziti të vërtetë. Potencialisht një milion rubla janë një milion ditë pune, një e drejtë absolutisht iracionale e punës, djersës, jetës dhe gjakut nga një numër njerëzish të sfilitur. Pse? Cila është arsyeja tokësore? Krejt e panjohur. A nuk jeni dakord me propozimin që profesioni ynë është një korrektim i akumulimit të madh të vlerave në duart e individëve dhe shërben si protestë kundër forcës, arbitraritetit, dhunës, mospërfilljes të personalitetit njerëzor, kundër gjithë monstruozitetit të krijuar nga organizatat borgjeze kapitaliste të shoqërisë moderne? Shpejt a vonë ky rregull i gjërave do të përmbyset me siguri nga revolucioni shoqëror. Pasuria do t’i kalojë burgut të kujtimeve melankolike dhe bashkë me të, medet, do të zhdukemi nga faqja e dheut edhe ne, les braves chevaliers d’industrie.”

Oratori pushoi për të marrë tabakanë nga duart e portjerit dhe e vendosi në tabelë afër dorës së vet.

“Na, o njeri i mirë, merre këtë dhe kur të ikësh mbylle derën.”

“Shumë mirë, shkëlqesia juaj!” – ia bëri portjeri me një gjest.

Oratori piu gjysmën e gotës dhe vazhdoi:

“Megjithatë, le t’i lëmë mënjanë aspektet filozofike, shoqërore dhe ekonomike të çështjes. Nuk dua ta lodh vëmendjen tuaj. Por dua të theksoj se profesioni ynë i qaset mjaft idesë së asaj që quhet art. Në të hyjnë të gjithë elementët që formojnë artin – vokacioni, inspirimi, fantazia, shpikja, ambicja dhe një stazh i gjatë i mundimshëm drejt shkencës. Prej tij mungon vetëm virtyti që lidhet me atë që i madhi Kramzin shkroi me një magjepsje të tillë të zjarrtë e të mrekullueshme. Zotërinj, nuk dua të marr më tej vëmendjen tuaj duke shpërdoruar kohën tuaj të çmuar me paradokse të kota, por nuk mund të lë mënjanë shtjellimin e idesë sime shkurt. Për një vesh të jashtëm tingëllon qesharake të flasësh për mjeshtërinë e vjedhësit. Sidoqoftë, unë dua t’ju siguroj që ky vokacion është një realitet. Ka njerëz që zotërojnë një kujtesë vizuale të fortë e të veçantë, mprehtësi dhe përpikëri të shikimit, prani të afërt të mendjes, shkathtësi të duarve dhe mbi të gjitha një ndjesi të hollë të prekjes sikur të kishin ardhur në botën e Zotit për qëllimin e vetëm special të bëheshin batakçinj të shquar kartash. Profesioni i vjedhësve të xhepave kërkon shkathtësi dhe mendjemprehtësi të jashtëzakonshme, një siguri të skajshme të lëvizjes, për të mos përmendur zgjuarsinë si dhunti, talentin për të vëzhguar dhe vëmendjen e trashëguar. Disa kanë një mjeshtëri të dobishme për të hapur kasafortat: që nga fëmijëria e hershme ata i ka tërhequr misteri i çdo lloj mekanizmi të komplikuar – biçikletat, makinat qepëse, lodrat me kurdisje dhe orat. Më në fund, zotërinj, ka njerëz me një shpirt të lindur kundër pronës private. Ju mund ta quani këtë dukuri degjenerimi, por po ju them që nuk mund të tërhiqni një vjedhës  të vërtetë, një vjedhës  me vokacion në prozën e vegjetimit të ndershëm me anën e një shpërblimi xhenxhefil ose duke i ofruar një pozicion të sigurtë, ose me një tufë parash, ose me dashurinë e një gruaje. Sepse ka një bukuri të përhershme të rrezikimit, një hon fantastik të rrezikut, fundosja e këndshme e zemrës, pulsimi i vrullshëm i jetës, ekstaza! Ju jeni të armatosur me mbrojtjen e ligjit, me çelësa, revolverë, telefona, policë dhe ushtarë; kurse ne vetëm me shkathtësi, dinakëri dhe mungesën e frikës. Ne jemi dhelprat dhe shoqëria është një zoçkë e mbrojtur nga qeni. A jeni të vetëdijshëm që shumica e dhuratave artistike dhe natyrore në fshatrat tona i bëjnë vjedhësit e kuajve dhe kundravajtësit? Ç’do të kishit ju? Jeta është kaq monotone e varfër, kaq e mërzitshme, kaq e patolerueshme, prandaj ka etje për shpirtrat e lartë!

Po kaloj te inspirimi. Zotërinj, ju pa dyshim keni lexuar për vjedhjet që kanë qenë të mbinatyrshme për ideimin dhe ekzekutimin. Në titujt e gazetave ato janë quajtur “një grabitje e çuditshme”, ose “një mashtrim zemërgjerë”, ose “një dredhi e zgjuar e gangsterëve.” Në çdo rast familjet borgjeze tundin duart dhe thonë: “Ç’gjë e tmerrshme! Sikur aftësitë e tyre të përdoreshin për mirë – shpikjet e tyre, njohja e çuditshme e psikologjisë njerëzore, vetëzotërimi, mungesa e frikës, fuqia e pakrahasueshme! Sa përfitime do t’i sillnin vendit!” Por është e mirënjohur që familja borgjeze është destinuar posaçërisht nga Perëndia për të artikuluar gjëra të zakonshme dhe të parëndësishme. Ne vjedhësit jemi njerëz të ndjeshëm, e pranoj, nganjëherë admiroj perëndimin e diellit në parkun e Aleksandrit ose në bregun e detit. Dhe unë gjithmonë jam i sigurtë që më parë se dikush pranë meje do të thotë me një siguri të padyshimtë: “Shikoje. Po ta pikturoj, askush nuk do ta besojë!” Unë kthehem dhe shoh një kryebash të vetëkënaqur dhe barkplot që ngrifet të përsëritë deklaratën budallaqe të tjetërkujt sikur të ishte mendimi i vet. Sa për atdheun tonë të dashur, familjet borgjeze e shohin atë sikur të ishte një gjel deti i pjekur. Nëse ju ia dilni të këputni pjesën më të mirë të gjelit për vete, hajeni atë qetësisht në një qoshte të rehatshme dhe lavdëroni Zotin. Unë largohem nga neveria e vulgaritetit dhe shfajësohem për këtë rënie. Çështja e vërtetë është që gjeniu dhe frymëzimi, edhe kur nuk i kushtohen shërbimit ndaj kishës ortodokse, mbeten gjëra të rralla e të bukura. Përparimi është një ligj – vjedhja duhet të ketë krijesën e vet.

Përfundimisht, profesioni ynë në vështrimin e parë duket pa dyshim i thjeshtë dhe i këndshëm. Ai kërkon përvojë të gjatë, praktikë të vazhdueshme, veprimtari të dhimbshme, përfshin qindra procese elastike dhe mjeshtërore që edhe xhongleri më i zgjuar nuk mund t’i shestojë. Dhe këto nuk janë fjalë boshe. Do të demonstroj nja dy eksperimente para jush dhe kërkoj të ndjeheni komodë. Të gjithë kemi kënaqësinë e lirisë së ligjshme, edhe pse këqyremi; secili prej nesh është i njohur si fytyrë dhe fotografitë tona zbukurojnë albumet e të gjitha drejtorive të detektivëve dhe nuk mund të fshihemi nga askush. Nëse ndonjë prej jush do të njohë ndonjërin prej nesh në të ardhmen në rrethana të ndryshme, ne kërkojmë me këmbëngulje që të veproni gjithmonë në përputhje me detyrimet tuaja profesionale dhe detyrimet tuaja si qytetarë. Si mirënjohje të vëmendjes tuaj bujare, kemi vendosur ta deklarojmë pasurinë tuaj të paprekshme dhe ta investoni atë me tabunë e vjedhësve. Sidoqoftë po vazhdoj me çështjen.”

Oratori u rrotullua dhe dha urdhër:

“Sesoi i Madh, eja këtu!”

Një djalosh jashtëzakonisht i madh, i kërrusur sa duart i arrinin te gjunjët, pa ballë dhe pa qafë, si një Herkul biond, doli përpara. U zgërdhesh si budalla dhe fërkoi bërrylin e majtë nga hutimi.

“S’kam ç’të bëj fare këtu,” – tha me zë të ngjirur.

Zotëria me kostum bezhë foli në emër të tij duke u kthyer nga komiteti.

“Zotërinj, përpara jush qëndron një anëtar i respektuar i shoqatës sonë. Specialiteti i tij është hapja e kasafortave, kutive metalike dhe mbajtëseve të tjera monetare. Fatkeqësisht sot ai nuk asgjë që të mund të demonstrojë punët më të mira të repertorit të tij. Gjithsesi do të hapë bravën e punuar pa asnjë të metë. Me që ra fjala, kjo dera këtu është e kyçur, apo jo?”

Të gjithë u kthyen për të parë derën në të cilën varej një shënim me shtyp. “Dera e skenës. Privaci rigoroze.”

“Po, dera është e mbyllur këtë çast,” – pohoi kryetari.

“E admirueshme. Sesoi i Madh, do të kesh mirësinë?”

“Ajo s’është gjë fare,” – tha gjiganti i lehtësuar.

Shkoi pranë derës, e tundi me dorë, nxori nga xhepi një instrument të vogël të ndritshëm, u përkul te vrima e çelësit, bëri disa lëvizje të paperceptueshme dhe befas kanata e derës u hap e gjitha në heshtje.

“Të falenderoj, Sesoi i Madh, – tha me mirësjellje zotëria me kostum bezhë. – Mund të kthehesh te vendi yt.”

Por kryetari e ndërpreu i alarmuar:

“Më falni. Kjo është shumë interesante, por a përfshihet në profesionin tuaj të vlerësuar që ta mbyllni derën përsëri?”

“Ah, mille pardons. Më doli nga mendja, – tha zotëria me kostumin bezhë. – Sesoi i Madh, e ndjen si detyrim?”

Ai e mylli derën me të njëjtën shkathtësi dhe qetësi.

“Tani kam nderin t’ju tregoj talentin e njërit prej shokëve tanë që vjedh xhepat në teatër dhe në stacionet hekurudhore, – vazhdoi oratori. – Ai është ende shumë i ri, por ju mund të gjykoni nga delikatesa në punën e tij të tanishme, nga lartësia e zellit me të cilin do të përmbushë detyrën. Jasha!”

Një i ri zeshkam me një bluzë mëndafshi blu dhe këpucë me qafa, si cigan, doli përpara duke u kapardisur me gishtat të futur te xhufkat e rripit dhe duke hedhur rrotull sytë e zinj të mëdhenj.

“Zotërinj, – tha oratori në mënyrë bindëse, – do ketë mirësinë ndonjëri prej jush të dalë për një eksperiment të vogël. Ju siguroj që do të jetë vetëm demonstrim, thjesht një lojë.”

Ai pa avokatët e ulur. Karaitja i shkurtër e topolak, i zi si brumbull, u ngrit nga tavolina  e tij.

“Në shërbimin tuaj,” – tha ai me humor.

Jasha iu afrua avokatit. Në krahun e majtë që e kishte përkulur, varej një shall me ngjyra të ndezura.

“Supozojmë që jeni në kishë ose në barin e një prej salloneve, ose duke parë cirk, – filloi ai me një zë të rrjedhshëm e të sheqerosur. – Unë dalloj atje drejt një birbo. Më falni, zotëri. Supozojmë se ti je një birbo. Nuk është ofendim – thjesht do të thotë njeri i pasur, mjaft i hijshëm, por nuk e di për çfarë. Së pari, ç’gjë na intereson tek ai? Të tëra. Kryesisht ora dhe zinxhiri. Ku i mban ato? Diku te xhepi i sipërm i jelekut, – këtu. Të tjerët i mbajnë te xhepi i poshtëm. Pikërisht këtu. Kuletën pothuaj gjithmonë në pantallona, përveçse kur dikush e mban në xhaketë. Kutia e cigareve. I hedh në fillim një sy prej se është, flori, argjend, me monogram. Lëkurë – ç’i ndot duart kot? Kutia e cigareve. Shtatë xhepa: këtu, këtu, këtu lart, këtu dhe këtu. Jemi në rregull? Kështu shkoni ju në punë.”

Kur fliste ai, burri buzëqeshte. Sytë e tij ndriçonin brenda atyre të avokatit. Me një lëvizje të shpejtë dora e tij e djathtë tregonte pjesë të ndryshme të rrobave.

“Mund të shihni përsëri një kapëse në kravatën e tij. Po ne nuk e përvetësojmë. Njerëz të tillë sot zor se vënë një gur vërtet të çmuar. Atëherë i afrohem. Filloj direkt t’i flas si bos: “Zotëri, do keni mirësinë ta ndez  cigaren? Kështu kam hyrë në bisedë. Pastaj? E shoh drejt në bebe të syrit, ja kështu. Vetëm dy gishta janë gati ky dhe ky.”

Jasha ngriti gishtin tregues të dorës së djathtë dhe gishtin  e mesit në nivelin e fytyrës së avokatit dhe i lëvizi ata.

“E patë? Me këta dy gishta e kontrolloj gjithë pianurn. Asgjë të veçantë: një, dy, tre – gati. Çdo njeri që nuk është budalla, mund ta mësojë lehtë. Kjo është e gjitha. Gjëja më e zakonshme. Ju faleminderit.”

Xhepisti i rrotullua mbi thembra dhe u kthye në vendin e tij.

“Jasha! – tha oratori me një peshim domethënës. – Jasha!” – përsëriti fort.

Jasha ndaloi. Shpina e tij ishte kthyer nga avokati, por dukshëm i hodhi përfaqësuesit një vështrim lutës, sepse më vonë u vrenjt dhe tundi kokën.

“Jasha!” – tha ai për të tretën herë me një zë kërcënues.

“Uh! – mërmëriti vjedhës i i ri me nervozizëm dhe u kthye me fytyrë nga avokati. – Ku e ke orën, zotëri?”

“Ua!” – ia bëri Karaitja me një zë të mprehtë.

“E shihni, sapo thatë “ua” – vazhdoi Jasha duke iu afruar. – Kur ju po admironit dorën time të djathtë, unë po punoja me të majtën. Vetëm me këta dy gishta, nën shall. Ja pse ne mbajmë një shall. Meqë zinxhiri juaj nuk vlen për asgjë, kurse ora është prej floriri, unë jua lashë zixhirin për kujtim. Merre,” – shtoi ai me psherëtimë dhe nxori orën.

“Kjo është gjë e zgjuar, – tha avokati i hutuar. – nuk e vura re fare.”

“Kjo është puna jonë,” – tha Jasha me krenari.

Ndërkaq oratori ktheu një gllënkë nga gota dhe vazhdoi:

“Tani, zotërinj, bashkëpunëtori tjetër do të demonstrojë disa hile me letra të zakonshme me të cilat punojnë në panaire, avullore dhe hekurudha. Me tri karta, për shembull, një as, një mbretëreshë dhe një gjashtë, ai mundet ta bëjë fare lehtë… Por ndoshta u lodhët nga këto demonstrime, zotërinj.”

“Aspak. Është jashtëzakonisht interesante, – u përgjigj sakaq kryetari. – Do doja të të bëja një pyetje, nëse nuk është tepër sekret. Cili është specialiteti juaj?”

“Imi? Hëm. Jo, si mund të jetë e fshehtë? Unë punoj në dyqanet e mëdha të diamantit… Dhe puna tjetër janë bankat, – u përgjigj oratori me buzëqeshje. – Mos mendoni se ky specialitet është më i thjeshtë se të tjerët. Mjaft që di katër gjuhë europiane: gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe italisht. Të mos përmend polonishten, ukrainçen dhe jidishten. A t’ju bëj eksperimente të tjera, zoti kryetar?”

Kryetari vështroi orën e vet.

“Fatkeqësisht koha është shumë e shkurtër, – i tha ai. – Nuk do ishte më mirë sikur të kalonit te thelbi i çështjes suaj? Përveç kësaj, eksperimentet që sapo pamë, na bindin plotësisht për talentin e shoqatës suaj të respektuar. Apo nuk kam të drejtë Isak Aramoviç?”

“Po, po, absolutisht,” – pranoi avokati Karaite.

“E admirueshme, – pranoi zotëria me kostum bezhë. – Konti im i dashur, – iu kthye ai një burri me kaçurrela bjonde, me fytyrën si një bërës miliardash në ditën e pushimit të bankës. – Lërini mënjanë instrumentat. Nuk do të nevojiten. Kam edhe nja dy fjalë, zotërinj. Tani ju u bindët që arti ynë, edhe pse nuk gëzon kujdesin e individëve me poste të larta, gjithsesi është art; ju ndoshta keni të njëjtin opinion me mua se ky art kërkon shumë cilësi personale, përveç punës së vazhdueshme, rrezikut, keqkuptimeve të pakëndshme; shpresoj gjithashtu që është e mundur që ju t’u qaseni praktikës së tij, ta doni e ta vlerësoni atë, sado e çuditshme mund të duket në vështrimin e parë. Përfytyroni që një poet i famshëm tregimet dhe poezitë e të cilit zbukurojnë faqet e revistave tona më të mira, befas i ofrohet mundësia të shkruajë vargje për një kacidhe, firmosur në një marrëveshje si reklamë për “Cigaret Xhasmina”, ose që një shpifje për ju të nderuar avokatë, duke ju akuzuar se bëni biznes me dëshmitë e rrema për çështjet e divorcit, ose të shkrimit të peticioneve nga karrocierët për guvernatorin në shtëpitë publike! Sigurisht të afërmit, miqtë dhe të njohurit nuk do ta besonin atë, por thashethemnaja e ka bërë tashmë punën e vet helmuese dhe ju duhet të përjetoni minuta torture. Tani përfytyroni me veten tuaj se një shpifje e tillë e pakëndshme dhe nervozuese që u hap, Zoti e di se  si, fillon të kërcënojë jo vetëm emrin tuaj të mirë dhe tretjen tuaj të qetë, por edhe lirinë, shëndetin, madje edhe jetën tuaj!

Kjo është pozita e ne vjedhësve, tani që jemi goditur nga gazetat. Më duhet ta shpjegoj. Ekziston një klasë zgjyrash – passez-moi le mot –  që ne e quajmë dashnorë mamakesh. Fatkeqësisht me këta na ngatërrojnë. Ata nuk kanë as turp, as vetëdijë, bij mamakesh të padobishëm, të papunë, zhigolo të ngathët, shitës që kryejnë vjedhje ordinere. Ata nuk mendojnë për jetesën e pronarëve, meshkuj që notojnë pas femrave dhe jetojnë mbi të pëgërat e tyre. Ata janë të aftë të grabisin një fëmijë me dhunë në një rrugicë të errët për të fituar një kacidhe, mund të vrasin një njeri në gjumë ose të torturojnë një plakë. Këta njerëz janë parazitët e profesionit tonë. Për ta nuk ka bukuri dhe tradita të këtij arti. Ata na vështrojnë ne vjedhësit e vërtetë dhe të talentuar si një tufë çakejsh pas një luani. Të mendojmë se unë ia kam dalë të bëj një punë të rëndësishme – nuk do përmend faktin që duhet t’i lë dy të tretat e asaj që marr atij që shet mallin ose për t’ia mbyllur gojën policisë sonë të pakorruptueshme – e megjithatë përsëri duhet të ndaj diçka me këta parazitë që aksidentalisht i kanë marrë erë punës sime. Ne këta i quajmë ‘moteins’ që do të thotë ‘gjysmë’, një korrupsion i fjalës ‘moitié’. Etimologji origjinale. I paguaj  këta se e dinë dhe mund të spiunojnë kundër meje. Dhe shpesh ndodh që edhe pasi marrin pjesën e tyre, vrapojnë në polici për të marrë një dollar tjetër. Ne, vjedhësve të ndershëm… Po, ju mund të qeshni, zotërinj, por po e përsërit: ne vjedhësit e ndershëm i urrejmë këta reptilë. Kemi edhe një emër tjetër për ta, një stigmatizim për punën e tyre të turpshme, por nuk guxoj ta nxjerr nga goja këtu në respekt të vendit dhe audiencës. Oh, po, ata do ta prisnin me kënaqësi një ftesë për pogromin. Mendimi se ne mund të ngatërrohemi me ta është njëqind herë më fyes për ne se sa akuza për pjesëmarrjen në një pogrom.

Zotërinj, gjatë kohës që flisja, kam vënë re buzëqeshje në fytyrat tuaja. Ju kuptoj. Prania jonë këtu, kërkesa për ndihmë dhe, mbi të gjitha, mospritshmëria e tillë e një fenomeni si organizim sistematik i vjedhësve, me delegatë që janë vjedhës dhe një lider që i përfaqëson, po ashtu me profesion vjedhës  – e gjitha është kaq origjinale sa që është e pashmangshme të mos të shpëtojë një buzëqeshje. Por tani do t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Le të heqim qafe maskat e jashtme dhe të flasim si burri burrit.

Pothuajse të gjithë jemi të arsimuar dhe i duam librat. Nuk lexojmë vetëm aventurat e Rokuambolit, siç thonë shkrimtarët realistë për ne. Nuk mendoni se zemrat tona pikojnë gjak dhe faqet tona digjen prej turpit, se kemi ngrënë shpulla në fytyrë gjithë kohën që zgjat kjo luftë e pafat, mosmirënjohëse, e mallkuar, frikacake? Nuk mendoni vërtet se shpirtrat tanë marrin flakë nga zemërimi kur vendi ynë fshikullohet nga kamxhikët kozakë, shkelet me këmbë, qëllohet dhe pështyhet nga njerëz të çmendur, të egër? Nuk do ta besoni se ne vjedhësit vijmë në çdo hap drejt lirisë me një trill ekstaze?

Secili prej nesh e kupton, ndoshta më pak se ju avokatët, ndjesinë e vërtetë të pogromit. Çdo herë që ndodh ndonjë ngjarje e frikshme ose dështim i turpshëm, pas ekzekutimit të një martiri në një qoshe të errët të një fortese ose pas rënies së besimit publik, dikush që është fshehur dhe frikësohet t’i afrohet zemërimit të njerëzve, e devijon elementin e vet me vese mbi kokat e çifutëve të pafajshëm. Cila mendje diabolike shpiku këto pogrome, këtë gjakderdhje titanike, këtë zbavitje kanibaleske për shpirtrat e errët kafshërorë?

Ne të gjithë e shohim me një qartësi të madhe se tronditjet e fundit burokratike janë afër. Më falni nëse e paraqes si imagjinare. Ishte një popull që kishte një tempull kryesor ku banonte një hyjni e etur për gjak, pas një perdeje të ruajtur nga priftërinjtë. Një herë duar të pafrikësuara e grisën perden. Atëherë populli pa në vend të zotit një merimangë të madhe, leshtore, llupëse, si peshku shpatë. Ata e goditën, e qëlluan dhe e copëtuan, por në tërbimin e agonisë së fundit ajo i shtriu mbi tempullin e lashtë tentakulat e saj të neveritshme. Priftërinjtë, të kërcënuar nga vdekja, shtynë në kthetrat e saj gjithë ata mundën të kapin me gishtërinjtë që u dridheshin.

Më falni. Ajo që thashë ndoshta është e egër dhe inkoherente, por jam disi i trazuar. Më falni, po vazhdoj. Ne vjedhësit profesionistë e dimë më mirë se kushdo tjetër si organizohen këto pogrome. Ne bredhim kudo: në shtëpitë publike, tregje, kafene, bujtina, vende publike, porte. Ne mund të betohemi para Zotit, njeriut dhe brezave që vijnë se ne kemi parë policinë të organizojë masakra, pa turp dhe pa u fshehur. Ne i njohim me fytyra, me uniformë ose të maskuar. Ata kanë ftuar shumë prej nesh që të marrim pjesë, por nuk ka patur asnjë aq të poshtër sa të japë edhe pëlqimin formal që mund të shkaktohet nga frika. E dini me siguri si sillen shtresa të ndryshme të shoqërisë ruse ndaj policisë? Nuk është e respektuar as nga ata vetë ai shërbim i errët. Por ne e përbuzim dhe e urrejmë dhjetëfish, jo sepse shumë prej nesh janë torturuar në drejtoritë e sigurimit që janë thjesht dhoma tmerri, që janë rrahur për vdekje, të rrahur me kamxhikë kau ose gome për të shkulur një dëshmi që do të tradhëtonte shokët. Po, ne i urrejmë ata edhe për këtë gjithashtu. Por ne, vjedhësit që kemi qenë në burg, kemi një pasion të çmendur për lirinë. Prandaj ne i përbuzim tradhëtarët me të gjithë urrejtjen që mund të ndjejë një zemër njerëzore. Unë po flas për vete. Më kanë torturuar tri herë detektivët e policisë deri sa më bënë gjysmë të vdekur. Mushkëritë dhe veshkat e mia janë bërë copë. Në mëngjes pështyja gjak dhe mezi mbushesha me frymë. Por nëse më thonin se do të më kurseheshin çereku i fshikullimeve, po të shtrëngoja dorën me një detektiv policie, do të refuzoja!

Gazetat thonë pastaj se ne morëm para nga këto duar të lagura me gjakun jezuit. Jo, zotërinj, është një shpifje që na ka goditur thellë në shpirt dhe na ka shkaktuar dhimbje të padurueshme. As paratë, as kërcënimet, as premtimet nuk do të mjaftonin për të na bërë vrasës mercenarë të vëllezërve tanë, as bashkëpunëtorë të tyre. Asnjëherë… jo…jo….

Shokët e tij u ngritën pas tij dhe filluan të murmuritin.

Do të thoja edhe gjëra të tjera, – vazhdoi vjedhësi. – Shumë prej nesh i mbrojtën viktimat gjatë këtij pogromi. Shoku ynë, i quajturi Sesoi i Madh, – ju e patë atë – ishte lidhur me një çifute që bënte gërsheta në Moldavanka. Me mashë në dorë ai e mbrojti pronarin e tij nga një hordhi e madhe vrasësish. Kjo është e vërtetë, Sesoi i  Madh ka një forcë fizike të jashtëzakonshme dhe njihet mirë në Moldavanka. Por ju duhet të pranoni, zotërinj, se në ato momente Sesoi i Madh e pa vdekjen me sy. Shoku ynë Martin Minatori – ky zotëria këtu – oratori tregoi një njeri të zbehtë me mjekër me sy të bukur që po rrinte prapa – ky shpëtoi një çifutkë plakë që nuk ia kishin zënë sytë më parë dhe që po ndiqej nga një turmë e këtyre canaille-ve. Ata ia çanë kokën me qysqi, ia thyen krahun në dy vende dhe i shtrembëruan një brinjë. Sapo ka dalë nga spitali. Kjo është mënyra se si veproi shumica e anëtarëve tanë të flaktë dhe të vendosur. Të tjerët dridheshin nga frika dhe u shpëtonte shurra.

Asnjë prej nesh nuk do të harrojë tmerrin e atyre ditëve dhe netëve të përgjakshme të ndriçuara nga shkëlqimi i zjarreve, gratë që rënkonin, trupat e fëmijëve të bërë copë dhe të lënë shtrirë në rrugë. Për të gjithën këtë, asnjë prej nesh nuk mendon se policia dhe turmat janë origjina e vërtetë e së keqes. Këta parazitë të vegjël, budallenj, të neveritshëm janë vetëm një grusht i pandjeshëm që udhëhiqet nga një mendje e keqe që bën llogari, që lëviz nga një vullnet diabolik.

Po, zotërinj, – vazhdoi oratori – ne vjedhësit nuk e kemi merituar kurrë përbuzjen tuaj. Kur ju, zotërinj fisnikë, të keni nevojë për njerëz të zgjuar, trima, të bindur në barrikada, njerëz që janë gati të shohin në sy vdekjen duke kënduar me një gjest në buzët e tyre për fjalën më të lavdishme në botë – lirinë, a do të na flakni tutje dhe të urdhëroni largimin për shkak të një qëndrimi të ngulitur prej kohësh? Mallkuar qofshin të gjitha. Viktima e parë e Revolucionit Francez ishte një prostitutë. Ajo u hodh mbi barrikadë me fundin e saj të kapur me elegancë në kokë dhe thirri: “Cili nga ju ushtarët do guxojë të qëllojë një grua?”

Oratori bërtiti dhe qëlloi me grusht mbi tavolinën prej mermeri.

“Ata e vranë atë, por akti i saj ishte i mrekullueshëm dhe bukuria e fjalëve të saj e pavdekshme. Në se ju na dëboni ditën e madhe, ne do të kthehemi dhe do t’ju themi: “Ju kerubimë të panjollë, nëse mendimi njerëzor ka fuqinë të plagosë, të vrasë, t’i grabitë njeriut nderin dhe pasurinë, atëherë cli nga ju pëllumba të pafajshëm nuk do të meritonte kamxhikët dhe burgimin për jetë?” Atëherë ne do të largohemi prej jush dhe do të ndërtojmë barrikadën tonë të vjedhësve të dëshpëruar dhe do të vdesim me një këngë të tillë bashkuese në buzët tona që do të na e keni zili, ju që jeni më të bardhë se bora!

Por unë jam dëbuar më se një herë. Më falni, jam në fund. Ju tashmë e dini, zotërinj, ç’ndjenja na kanë shkaktuar shpifjet e gazetave. Besoni në sinqeritetin tonë dhe bëni ç’është e mundur të largoni njollat e pista që janë hedhur padrejtësisht mbi ne. Mbarova.”

Ai u largua nga tavolina dhe iu bashkua shokëve. Avokatët po pëshpërisnin me zë të ulët, si magjistratët në stolin e sezonit. Atëherë u ngrit kryetari.

“Ne ju besojmë absulutisht dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të sqaruar shoqatën tuaj nga kjo ngarkesë e rëndë. Në të njëjtën kohë kolegët e mi më kanë autorizuar të përçoj tek ju respektin e tyre të thellë për ndjenjat pasionante si qytetarë. Nga ana ime i kërkoj lejë përfaqësuesit tuaj t’i shtrëngoj dorën.”

Të dy burrat, të dy të gjatë e seriozë, ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit në mënyrë burrërore.

Avokatët po linin teatrin, por katër prej tyre qëndruan pas te varësja e rrobave në sallë. Isak Abramoviçi nuk po e gjente dot kapelen e re ngjyrë gri. Në vend të saj te koka prej druri varej një kapë e zakonshme me fanellatë nga brenda.

“Jasha! – u dëgjua zëri i aspër i oratorit nga matanë derës. – Jasha, është hera e fundit që të flas, qofsh mallkuar! Më dëgjon?”

Dera u hap fare. Hyri zotëria me kostum bezhë me kapelën e Isak Abramaoviçit në dorë dhe me një buzëqeshje e përmbajtur në fytyrë.

“Zotërinj, na falni për hir të Zotit – një keqkuptim i vogël. Një nga shokët tanë e ndërroi gabimisht. Oh, qenka jotja! Një mijë herë na falni. Portjer! Pse nuk i ruan gjërat? Ma jep atë kapelën atje. Edhe një herë, na falni, zotërinj.”

U përkul me mirësjellje dhe me të njëjtën buzëqeshje të përmbajtur doli me shpejtësi në rrugë.

 

la propriete c’est le vol – pasuria është vjedhje.

les braves chevaliers d’industrie – kalorësit trima të industrisë,

mille pardons –  më falni një mijë  herë,

passez-moi le mot – më lejoni për fjalën,

 

Durrës, 20-25 qershor 2021

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here