Vritet një pjesëtar i policisë së Kosovës në veri, reagimi i kryeministrit Kurti

Vritet një pjesëtar i policisë së Kosovës në veri
________________________________________

Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Policia tha se rreth orës 02:34 njësitet për reagim të shpejtë kanë vënë re bllokimin e urës në hyrje të fshatit Banjskë nga dy kamionë pa targa, duke bllokuar lëvizjen.
Sipas njoftimit të organeve të rendit, njesitë policore që kanë mbërritur në vendngjarje janë goditur me armë zjarri nga drejtime të ndryshme. Ndaj tyre janë përdorur armatime të ndryshme, përfshirë granata dhe minahedhës, thonë njoftimet e organeve të rendit të Kosovës. Dy pjestarë të policisë janë qëlluar me armë zjarri, thotë njoftimi.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi se në sulmin në fshatin Banjskë të komunës së Leposaviçit mbeti i vrarë një rreshter i policisë.
Në orët e pasdites policia tha se njësitë e saj janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale dhe “sipas informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”.
Policia e Kosovës tha se për shkaqe sigurie ka mbyllur dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kryeministri Kurti i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë paraditen e së dielës, tha në mesditë se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”, tha kryeministri Kurti në një konferencë me gazetarë në Prishtinë së bashku me zëvendësdrejtorin e policisë së Kosovës Fehmi Hoti, në të cilën u publikuan fotografi ku shihen persona të armatosur dhe makina të blinduara afër Manastirit ortodoks në fshatin Banjskë.
“Kjo autoblindë nuk është e policisë së Kosovës”, tha kryeministri Kurti duke treguar pamjet e makinave pa targa. “Janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokal dhe askush që është civil në Republikën tonë”, tha ai.
“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, tha Kryeministri Kurti përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Ai tha se qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur “krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. “Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”, shkroi ai.
Polici i vrarë është Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, thanë familjarët në një postim në rrjetin Facebook.
Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e dënoi ashpër sulmin, duke vlerësuar se “ky është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera. Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”.
Dioqeza Rashkë Prizren, duke i shprehur ngushëllime familjes së oficerit të vrarë, shprehet thellësisht e shqetësuar pasi, sipas raporteve të fundit, një grup i armatosur dhe i maskuar depërtoi portat e manastirit në Banjskë duke përdorur një automjet të blinduar. Individë të armatosur dhe të maskuar raportohet se po lëvizin nëpër mjediset e manastirit.
Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla, tha se personat e armatosur janë rrethuar brenda Manastirit dhe “është koha e fundit që të dorëzohen”.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja e dënuan vrasjen ndërsa theksuan se po ndjekin nga afër situatën në Banjskë dhe janë të gatshme të reagojnë, nëse kërkohet.
“Komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në një deklaratë të forcave të KFOR-it.

Marre nga Zeri i Amerikes