E diel, 25 Tetor, 2026
Ballina Aktualitet  Vuçiç pranon humbjen: Studentët fituan zgjedhjet, marrin deri në 140 mandate!

 Vuçiç pranon humbjen: Studentët fituan zgjedhjet, marrin deri në 140 mandate!

identi i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluara këtë të diel, më 25 tetor, duke deklaruar se lista e studentëve ka siguruar shumicën në Parlamentin e ri.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç bëri të ditur se rezultatet nuk janë ende përfundimtare, por sipas të dhënave paraprake të bazuara në një mostër statistikore, Lista studentore pritet të marrë nga 135 deri në 140 mandate në Parlamentin me 250 vende.

“Nuk kemi rezultate përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t’ju informoj se, bazuar në mostrën e stratifikuar, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb tha se lista e studentëve ka fituar zgjedhjet, ndërsa forca e tij politike ka siguruar rreth 105 mandate.

“Lista e studentëve-bllokues fitoi. Ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105”, u shpreh ai.

Sipas Vuçiçit, në Parlament pritet të përfaqësohen edhe pakicat kombëtare. Ai përmendi tre mandate për përfaqësuesit e hungarezëve të Vojvodinës dhe një mandat për shqiptarët.

Duke iu referuar numrit të votave, presidenti serb deklaroi se lista studentore ka marrë rreth 2.2 milionë vota, ndërsa forca e tij politike rreth 1.72 milionë.

Vuçiç theksoi se këto shifra bazohen në vlerësime paraprake dhe se rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.

Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kishin të drejtë vote 6,451,292 qytetarë. Procesi u zhvillua në 8,392 qendra votimi, të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00.

Në garë morën pjesë 18 lista zgjedhore, me gjithsej 2,418 kandidatë për 250 vendet e Parlamentit.

Pas mbylljes së qendrave të votimit ka nisur numërimi i votave, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar i rezultateve nga Komisioni Republikan Zgjedhor.