KANUNI NË “HISTORIA E DIBRËS” I K. FRASHËRIT
Xhafer Martini
Në librin “Historia e Dibrës”( Tiranë 2017) të Prof. Kristo Frashërit, Kanunit i kushtohen dy kapituj. Shumë në dukje, pak në përmbajtje dhe në cilësi. Njeri kapitull mban titullin “E drejta zakonore dibrane, Kanuni i Skënderbeut” (f.134-144) , kurse tjetri “Kanuni i “Maleve” të Dibrës në fund të shek. XIX” (f. 297-302). Në këto kapituj me rreth 16 faqe nuk përmenden qoftë edhe një herë dy Kanunet që janë botuar gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit: “Kanuni i Skënderbeut” (1993), dhe “Kanuni i Dibrës”(2003, 20007, 2016)
Problemin e Kanunit të Skënderbeut, autori e ka ezauruar me një artikull që ka pasë botuar në “Studime historike”, nr 2,1977. Atëherë mendimet për Kanunin ishin të turbullta, të paencuara, mbasi Kanuni ishte jashtë studimeve, si i papëlqyer, i egër dhe i papranueshëm për sistemin totalitar. Shahej e kritikohej nga injoranët me shkollë partie. Edhe kur shkruhej “për mirë” më ndonjë rast, mendimet ishin të cunguara, amatoreske.
Prurjet e reja për Kanunin e Skënderbeut në “Historia e Dibrës” janë krejt të paskata: Shembull: “Për të gjitha “malet” që u përfshin në këtë shtet( është fjala për shtetin e Skënderbeut-xh.m.), u krijua trualli për një bashkësi juridike në fushën e të drejtës zakonore”.( Frashëri: 2017:133) Nuk kuptohet se çfarë ka parasysh Profesori me fjalën “mal”, mbasi ky është një nocion karaktersitik vetëm për Dibrën (Shtatë Malet e Dibrës). Vetëm kur flitet për Dibrën fjala “mal” nuk ka kuptimin e malit fizik. Ja ç’është Mali sipas përcaktimit në studimin tonë: “Mali asht njësi etnologjike, administrative, ekonomike, strategjike, kulturore vetqeverisëse”. (“Kanuni i Dibrës”: 2007: 181) Dibra ka Nëntë Male, jo si male fizike, por me kuptimin që thamë: Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza, Katër Grykët, Reçi, Dardha, Çidhna, Muhuri, Luznia; katër të parët në Dibrën e Madhe, pesë të tjerët në Dibrën e Vogël. Por më kryesorja qëndron në faktin se kur bëjmë fjalë për kohën e Skënderbeut dhe për përpjekjet e tij për krijimin e një Mbretërie Fisnike Shqiptare, në gjurmët e pararendësve tanë, nuk mund të flasim për një shtet në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, se një nga treguesit e shtetit është territori, që, për shkak të sulmeve të herëpashershme turke, ishte i copëzuar, i lëvizshëm, herë tkurrej dhe herë bymehej. Për kufij në atë kohë nuk mund të bëhej fjalë. “Shteti i Skënderbeut” kishte kufij “të zhvendosur”, vazhdimisht në lëvizje. Herë – herë ky shtet shpërfytyrohej fare nga sulmet që bënin turqit në vendet fushore, me ekspedita disamijëshe dhe disamujore, madje duke lënë garnizone të tëra në gatishmëri edhe gjatë dimrit. Në këto kushte Skënderbeu me luftëtarët e tij, madje edhe masa e fshatarëve të lirë, kishin braktisur vendin dhe ishin ngjitur në male. Pra, nuk kishte si të krijohej truall i përshtatshëm për bashkësi juridike në fushën e së drejtës zakonore. Në një tjetër vend, duke nxjerrë në pah rolin e parisë, Kristo Frashëri shkruan: “në Dibër u monopolizua kolegjialisht nga paria e maleve” (Frashëri: 2017: 138) Këtu është fjala për Kanunin.Ky mendim është i pasaktë. Ne e kemi thënë më lart dhe e përsërisim që Kanuni i Dibrës nuk privilegjonte asnjë. Mund të kishte veprime “Mbi Kanun”, siç njihen, por Kanuni i dënonte rreptë të gjithë, çdo shkelje të tij e ndëshkonte. E pra, nuk kemi monopolizim kur ndëshkohesh. Në një tjetër vend (f. 139) shkruhet: “ Në trevën dibrane, përveç Skënderbeut në ditët tona kanë arritur edhe emrat e disa pleqve që u shquan si “autorë” kanunesh gjatë shekullit XIX si Lush Çidhna në Dibër, Selim Noka në Grykë Nokë të Qidhnës”. Profesori këtu është krejt në tym sa shpikën edhe emra që nuk kanë ekzistuar, si: Lush Çidhna. Madje edhe emrin Çidhën e shkruan gabim-Qidhna. Lusha është një prej fiseve të Çidhnës dhe të gjithë burrat kanë pasur emra si të gjithë banorët e kësaj zone. Por ajo që duhet theksuar qëndron në faktin se Kanuni nuk prodhohet nga asnjë njeri i veçantë qoftë ky Skënderbeu, qoftë Lekë Dukagjini, Shtjefën Gjeçovi, Frano Ilia e të tjerë. Kanuni nuk është kurrë produkt i një njeriu sado gjenial qoftë ai. As që duhet menduar që Noka dhe Lusha të prodhonin kanun. Unë kam shkruar një libër me titull “Kanun” ku kam treguar me shembuj dhe me fakte se si janë prodhuar kanunet, por Profesori ka shpërfillur çdo prurje tjetër përveç mendimit të vet.
Në këtë shkrim për Kanunin e Skënderbeut ka edhe pasaktësi të tjera, por edhe sikur të ishte shkruar me kompetencë të lartë shkencore, këto faqe nuk kishin përse të futeshin në “Historinë e Dibrës”, mbasi Kanuni i Skënderbeut nuk është Kanuni i Dibrës. Dibra ka Kanun të veçantë siç e kanë dëshmuar tri botimet që i janë bërë këtij Kanuni. Natyrisht ka pika takimi me Kanunin e Skënderbeut, po kështu edhe me Kanunin e Lek Dukagjinit, por këto konkordanca të pjesshme nuk i japin askujt të drejtë ta idenditifikojë Kanunin e Dibrës me Kanunin e Skënderbeut. Në qoftë se është fjala për variantet kanunore (por këto Profesori nuk bën fjalë fare) atëherë duheshin përmendur të gjitha Kanunet, të paktën të Veriut (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Lekë Dukagjnit varianti i Pukës, Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Mirditës), Kanuni i Lumës, Kanuni i Krujës e të tjerë. Por kot po e zgjasim. Duket se njohuritë e Profesorit për Kanunin në kohën kur ka shkruar “Historinë e Dibrës” kanë qenë shumë të pakta dhe të përgjithshme. Profesori nuk ka mundur ose nuk e ka parë të nevojshme t’u kthehej gjithë Kanuneve që përmendëm. Do të ishte një gjë vërtet e dobishme që me ato aftësi që kishte, në ato dhjetë faqe të kishte bërë një analizë të Kanunit të Skënderbeut që ka më shumë se njëzet vjet që e kemi në duar.
Kanuni i Skënderbeut është mbledhur dhe kodifikuar nga dom Frano Ilia gjatë viteve 1936-1966, por, për shkak të burgosjes së mbledhësit dhe të kodifikuesit të tij, pa dritën e botimit vetëm në vitin 1993, në Itali. Është një punë mjaft voluminoze dhe e kryer me cilësi. Kanuni i Skënderbeut ka tre mijë e pesëqind e tridhjetë e katër nene, të përshkruar me një gjuhë të qartë dhe të përshtatshme. Ka 224 faqe me format të madh, që, në një libër me format të zakonshëm do të kapte rreth 500 faqe. Por nuk është fjala vetëm për numrin e faqeve, por për një problematikë dhe tematikë të pasur, për një stil të zhdërvjellët, për një gjuhë të pastër e shprehëse. Kanunit të Skënderbeut, me ndonjë përjashtim fort të rrallë, i mungojnë shembujt për ilustrim (kazuset). Kjo është e meta kryesore e tij, siç është edhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Trajtimi Kanunit të Skënderbeut me aq dobësi nuk i bën ndonjë të mirë as librit “Historia e Dibrës”, as autorit të tij. Nuk mund të shkruhet për Kanunin e Skënderbeut pa iu referuar fare këtij Kanuni.
Kurse “Kanunin e Dibrës”, Profesori i nderuar e ka quajtur të ezauruar me nja njëmbëdhjetë pika shënime , që, siç e thotë vetë, i ka marrë nga Haziz Ndreu. Kanuni i Dibrës ka tre botime: i pari në vitin 2003 me titullin “Kanuni i Maleve të Dibrës”, me 319 faqe, botimi i dytë në vitin 2007 me titull “Kanuni i Dibrës”, që e përfshin krejt lëndën e botimit të parë, i plotësuar edhe me lëndë të re, me 646 faqe; “Kanuni i Dibrës”, botimi i tretë (2016), me 470 faqe, format i madh. Emërtimi i këtij Kanuni ka ardhur nga treva ku është ngjizur, formuar, zbatuar dhe mbledhur. Në Kanunin e Dibrës gati gjysmën e lëndës e zënë praktikat kanunore, ngjarje reale nga jeta, që dëshmojnë si janë zgjidhur konfliktet dhe si është realizuar në praktikë e drejta zakonore. Këto nuk janë dhënë bllok në vete, por janë shtrirë në tërë lëndën, duke vënë secilin prej tyre në vendin më të përshtatshëm duke harmonizuar shtresën juridike me kazuset. Për këto kazuse juristi dhe publicisti i njohur Abdi Baleta ka shkruar: “Rastet që ai ka grumbulluar me kujdes nga kujtesa popullore për zhvillimin dhe zbatimin e Kanunit të Dibrës, janë vërtet shumë kuptimplote dhe të harmonizuara shumë mirë në tekst…”(A.Baleta: “Parathënie për librin e Xh. Martinit “Gjakmarrja”, Tiranë 1999)
Shkrimtari dhe studiuesi, Agron Tufa, njëherësh edhe dibran, është redaktor dhe hartues i Parathënies për Kanunin e Dibrës. Në këtë parathënie ai ka edhe këto radhë: “Kanuni i Dibrës” vjen si dëshmia më e madhe dhe më e plotë e tipologjisë së civilizimeve lokale shqiptare. I njëkohshëm dhe i barabartë për nga rëndësia me Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe me Kanunin e Skënderbeut (me variantet dhe invariantet e tij), – Kanuni i Dibrës ka të përbashkëta dhe dallime nga dy të parët. Këtu vlen të përmendet vetëm një veçori dalluese të Kanunit të Dibrës – papraninë (mospërfshirjen) e institucioneve religjoze (kishës dhe xhamisë) duke mos privilegjuar e favorizuar në sanksionet kanunore edhe klerin. Nga ana tjetër, përpos barazisë së rreptë të rregullit, të cilit duhet t’i nënshtrohet gjithkush njëlloj, pa dallim,- Kanuni i Dibrës spikat për një elasticitet më human e vetëpërmbajtje më të thellë në shumë çështje “të nxehta” si Gjakmarrja, Hakmarrja, Gjaku, Xhipi etj. Një tjetër avantazh i këtij Kanuni është sasia e bollshme e fakteve, detajeve dhe rrëfimeve të vërteta që ballafaqohen dhe pranëvihen gjegjësisht me tabutë e sanksionuara dhe përkufizimet e të drejtës, duke i dhënë Kanunit dimension të gjallë sintetik. (A.Tufa: Gjeneza e civilizimeve kanunore – parathënie për Kanunin e Dibrës, botimi I tretë, Tiranë 2016) Kaq mjafton që të bindesh se Dibra ka pasur Kanun të vetin, origjinal, me funksionalitet të plotë.
Kanunin e Dibrës, krahas kanuneve të tjerë, e ka përmendur edhe Shaban Sinani në librin “Etnos në epos” (Sh. Sinani: “Etnos në epos”, Tiranë 2011, f. 146) Ky autor e fut Kanunin e Dibrës tek ndryshoret, siç janë Kanuni i Lekë Dukagjinit varianti i Pukës etj. Por unë, për të provuar të kundërtën e kësaj që thotë Profesori, në librin tim studimor me titull “Kanun” *), prej rreth 500 faqesh, botuar më 2012 nga shtëpia botuese “Dita 2000”, krahasova Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kanunin e Dibrës dhe Kanunin e Skënderbeut, duke argumentuar me fakte, me citime dhe ballafaqime të shumta që Kanuni i Dibrës me Kanunin e Lekë Dukagjinit, është shumë i largët, me gjithë ndonjë përkim që ka; më i afërt është me Kanunin e Skënderbeut, por fare i dallueshëm edhe prej tij, pra një Kanun origjinal, siç e thotë edhe zoti Tufa. Origjinalitetin e tij e kanë përcaktuar praktikat kanunore që bëjnë një libër voluminoz më vete.
Kanuni i Dibrës është bërë i njohur edhe në Europë. Nathalie Clayer, profesore e historisë në Paris, në librin me titull “Aux origines du nationalisme albanais”, Paris 2007: (“Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”) flet për gjakmarrjen duke iu referuaer Kanunit të Dibrës dhe kodifikuesit të tij. (Nathalie Clayer: “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-lindja e një kombi me shumicë myslimane”, Tiranë 2011, f. 81)
Nuk dua të them që në librin “Historia e Dibrës” i Prof. K.Frashërit të shkruhej çfarë u tha më lart për Kanunin e Dibrës, por edhe të paraqiteshin nja njëmbëdhjetë pikat që sillen si “karare” , është një gjë krejt e pamjaftueshme, madje as shkencore, për arsyet që do t’i parashtrojmë më poshtë. Po e fillojmë me dy pikat e para:
“ 1. “Malet” të mos shkëputeshin kurrë nga njëri-tjetri. Kjo do të thotë se ato formonin një lidhje federative në kuadrin e trevës dibrane. (Historia e Dibrës, f.298)
- Territori i cilitdo “mal” të konsiderohej si territori i përbashkët i Nëntë Maleve. Kjo do të thotë se po të cënohej territori i njërit “mal”, të mbrohej nga të Nëntë Malet bashkarisht. (Historia e Dibrës, f.298)
Komenti ynë për dy pikat. Ato duhej të ishin një pikë se në fakt ajo që është thënë në pikën e parë, nënkupton tërësisht ato që thuhen në pikën e dytë.Këto dy pika nuk qëndrojnë, sepse kurrë Malet e Dibrës nuk kanë funksionuar si njësi federative. Sipas kësaj logjike, po të sulmoheshin Topalltia, Lura e Golloborda, që nuk bëjnë pjesë në Nëntë Malet e Dibrës, këto të fundit nuk do ta lëviznin as gishtin, sepse vendet e sipërshënuara, nuk janë pjesë e “njësisë federative. Dhe e kundërta: po të sulmoheshin Nëntë Malet e Dibrës, Lura, Golloborda dhe Topalltia nuk do t’u shkonin në ndihmë, për arsye se këto nuk janë pjesë përbërëse e tyre. E vërteta është kjo: Dibra ka qenë unike në qëndrime e veprime të çdo lloji, sidomos kur ishte fjala për të luftuar kundër armikut ose për t’u mbrojtur prej tij. Në këto raste nuk është marrë parasysh asnjë lloj ndarjeje. Dibra është mbase krahina e vetme që u ka shkuar në ndihmë vëllazërore edhe krahinave të tjera, të largëta gjeografikisht, kur ato janë sulmuar nga armiku. Çdo pëllëmbë tokë shqiptare e ka konsideruar si pragun e derës së shtëpisë. Dibra ka luftuar krahpërkrah me Lumën e me Matin, si krahina fqinje, por edhe me Shkodrën dhe Janinën e Ali Pashë Tepelenës. Dibra e ka derdhur gjakun edhe në Ohër, Strugë, Gostivar e deri në Gjur të Shpue.
- Në malin e Grykës së Vogël vendosej një roje e përhershme. Kjo për arsye se në lumin Drin që kalonte pranë fshatit Gjoricë të Grykës së Vogël ndodhej vau nga ku zakonisht ushtritë turke ndërmerrnin fushatën kundër Nëntë Maleve.(Historia e Dibrës, f.298)
Edhe kjo pikë nuk qëndron fare për nga ana e vërtetësisë. Kjo është naive edhe po ta mendosh, pa le më ta besosh. Ushtritë turke ishin kaq të shumta e kaq gjëmëmëdha sa merreshin vesh që kur niseshin; ato nuk do të fluturonin për të mbërritur tek Vau i Gjoricës, por do të ecnin nëpër trojet shqiptare, ku jo vetëm do të shikoheshin, por do të priteshin me armë. Nëse do të kishte mbetur shpresa tek roja buzë lumit, e kishte marrë lumi punën. Zakonisht ushtritë turke për të sulmuar Shqipërinë, pra edhe Dibrën, vepronin në verë. Drini në këtë stinë kalohet gur më gur dhe nuk është nevoja të kërkosh as vahe. Ushtria perandorake kishte kaluar disa herë Danubin e jo më Drinin që nuk është as sa e njëqindta e Danubit.
- Asnjë banor i Nëntë Maleve të mos bëhej as spahi, as pasha, i administratës perandorake osmane.
- Kush hynte në shërbim të administratës perandorake, të nxirrej jashtë Nëntë Maleve. (Historia e Dibrës, f.298)
Edhe këto dy pika, për nga ana e përmbajtjes, janë një. Dëshmojnë se formulimi i neneve të kanunit nuk mund të jetë punë që e bën kushdo. Në pikën e dytë shtohet vetëm masa që do të merrej ndaj atyre që hynin në shërbim të perandorisë. Unë çuditëm që një historian si Prof. Kristo Frashëri të pranojë këto thënie si të vërteta. Ato as që i afrohen të së vërtetës. Ato janë të kundërta me të vërtetën. Cilido shqiptar kishte dëshirë të shërbente në administratën osmane. Shqiptarët aq shumë i shërbyen Turqisë, sa u njësuan me turqit. Në shërbim të Turqisë ka pasë mijëra e mijëra shqiptarë. Dhe kanë qenë shqiptarët më të shquar, më të diturit, më trimat. Madje më atdhetarët. Po e fillojmë me vëllezërit Frashëri: Naimin, Abdylin, Samiun, me Ismail Qemalin, Mehmet Pashë Derallën, Pashko Vasën, Ali Pashë Tepelenën, Ali Pashë Gucinë për të përmendur vetëm më të shquarit. Në funksion të kësaj të vërtete po citojmë Sami Frashërin, filozofin dhe eruditin tonë, që Turqia e mban për të vetin: “Shqiptarët, që nuk iu bindën shtetit romak dhe bizantin dhe që deri-diku nuk dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombasi i tyre, u bënë të përbashkët me osmanllinjtë (nënvizimi im-Xh.M), kaluan në ngritjen dhe famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe ndihmës në zgjerimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e formimit të ushtrisë së rregullt të organizuar të gjithë shqiptarët ishin pjesëtarë të ushtrisë së armatosur të përhershme të shtetit. Kur urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar lart shërbimet dhe miqësinë e tyre, u besonte pozita të larta shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në shtetin osman; vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadrazema (kryeministra) ishin 25, madje në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e sulltan Selimit të parë dhe sulltan Sulejmanit ( i quajtur Sulejmani i madhërishëm-Xh.M), arritën të bëhen sadrazema nga pesë herë. Sinan Pasha, i cili me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe në Açin e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë kohë, e shpëtoi shtetin osman nga shkatërrimet më të mëdha, pastaj, Qypërli Mehmed Pasha me fëmijët dhe nipërit e tij, me ndihmën e Zotit patën sukses të ngadhnjenjë në rrethimin e Vjenës dhe shtetit Osman t’ia kthejnë përsëri renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e të tjerët, ishin personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë”(S. Frashëri: “Personalitete në Kamys A a/lam”, fq. 38, Logos-A, Shkup 2000) Por shqiptarët nuk ishin të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm në vende të ndryshme të Perandorisë, por edhe brendapërbrenda Shqipërisë, ku ata patën grada dhe pozita të mëdha dhe qeverisën vendin e tyre në emër të Portës së Lartë, por si shqiptarë. Po risjellim në mendje atë që thotë Ismail Qemali: “në Shqipëri u bë e mundur që të pengohej qeverisja nga administratorët osmanë, u krijua mundësia për të pasur shpesh si krerë ata që kishin qenë më parë…”(Ismail Qemal Vlora: “Kujtime”, f. 37, Tiranë 1997) Një gjë të tillë e thotë vetë Profesori : “Me degradimin e administratës, Porta e Lartë, nuk qe në gjendje të mbronte në viset periferike as rendin publik, as autoritetin e saj administrativ. Vendin e autoritetit perandorak filloi ta zinte dalëngadalë autoriteti i pashallarëve shqiptarë, të cilët filluan të qeverisnin si krerë të një shteti të vogël brënda shtetit të madh osman.”(K. Frashëri: “Identiteti Kombëtar Shqiptar dhe Çështje të tjera”, Tiranë 2006, f. 80) Dibra në kohën e sundimit të Turqisë në vendin tonë është qeverisur nga dibranët. A nuk qeverisnin dhe sundonin në Dibër Hoxholli, Karahasani, Xhilaga e të tjerë shtëpi të mëdha që ishin bërë të tilla prej turkut? Profesori më tej, po në librin e sipërshënuar, e thekson më mirë këtë problem: “…ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, në Shqipëri u krijua një klasë feudale me përkatësi etnike vendase.”(Aty, f. 23) Madje kjo ishte një klasë politike feudale që vinte gjithnjë e më shumë duke u shkëputur nga varësia osmane: “…sa më tepër forcohej klasa feudale shqiptare, madje sa më tepër ajo ngrihej në shkallën e aristokracisë feudale, aq më tepër zhvillohej edhe prirja e saj për t’u lehtësuar nga vartësia e Portës së Lartë, madje edhe për të formuar formacione shtetërore më vete.”(Aty, f. 124)
Pika tjetër: Secili “mal” kishte një “plak” të ndihmuar nga 3-5 çekiçë (ndihmësa), të cilët zgjidhnin mosmarrëveshjet, konfliktet dhe gjakmarrjet.
“Kanuni i Dibrës” ka rreth treqind praktika kanunore, që dëshmojnë se si ka funksionuar, si janë zgjidhur problemet që shtronte jeta; në asnjë prej këtyre praktikave nuk del që një Mal të kishte vetë një plak. Mali i Çidhnës, si shembull, kishte shumë shtëpi Pleqsh, si: Noka, Lusha, Alia, Spata e të tjerë. Populli ishte i lirë të merrte cilindo plak për zgjidhje të mosmarrëveshjeve. Përveç burrave të atyre që quheshin “Shtëpi Pleqsh”, aktivizoheshin edhe burra të tjerë të ditur në punë të Kanunit dhe që njiheshin për drejtësi dhe ndershmëri. Ndarja e të drejtës, sidomos pajtimi i gjaqeve, ka qenë një lëvizje e madhe popullore që në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohej tek një plak për çdo Mal. Aktivizimi i pleqve varej prej famës që kishin. Kishte pleq që angazhoheshin për ndarjen e të drejtës shumë larg Malit të vet., ashtu siç kishte pleq që nuk i merrnin për ndarjen e të drejtës as në fshatin e vet. Shkrimtari Skënder Drini, njohës i trashëgimisë entojuridike, në librin e tij “Shqiponja e kreshtave tona” na jep me vërtetësi një rast ku krahina e Currajet të Epër ka thirrur për të ndarë të drejtën plakun e Çidhnës nga Dibra e Poshtme, Kol Perkola, i cili meqë i kishte kaluar njëqind vjetët kishte mbetur për ta mbartur në shportë me lesh se nuk qëndronte në kalë. Dhe ashtu erdhën dhe e morën nga krahina e Currajt të Epër, megjithëse atje ndante kanun i famshmi Kok Malçi.(S.Drini: Shqiponja e kreshtave tona”, Tiranë 1970, f. 77)
- Palku do të ishte i paarmatosur. Kush vriste plakun do të pushkatohej kolektivisht, do t’i digjej shtëpia, do t’i priteshin pemët, do t’i merrej toka dhe familja do t’i dëbohej.
Ky mendim është krejt i pasaktë. Askund dhe asnjëherë nuk ka ndodhur në Dibër kjo gjëmë që thotë autori, duke iu referuar Haziz Ndreut. Pleq janë vrarë kur kanë pasë për të dhënë gjak, paria është vrarë, krerët e maleve janë vrarë, dhe kanë shkuar krye për krye me cilindo burrë. Plaku nuk mund të përjashtohej nga gjakmarrja dhe nga asnjë detyrim tjetër që i vihej nga Kanuni. Pak më lart ne e cituam të plotë pasazhin e Agron Tufës që e quan një veçori kryesore të Kanuni të Dibrës “barazinë e rreptë të rregullit, të cilit duhet t’i nënshtrohej gjithkush njëlloj, pa dallim”, “duke mos privilegjuar e favorzuar në sanksionet kanunore as klerin”. Pleqtë ishin burra të mençur dhe nuk binin në gjak. Nëse ata i kanë shpëtuar gjakmarrjes dhe ndëshkimeve të tjera që sanksiononte Kanuni, kjo ka ndodhur se nuk kanë vrarë njeri dhe nuk kanë bërë të këqija.
Po Kristo Frashëri as sot e kësaj dite (është fjala për 2012-ën) nuk e din që ekzistojnë Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Dibrës. Në intervistën për gazetën “Rruga e Arbërit”, dhjetor 2012, pyetjes: A patët vështirësi në shkrimin e këtij libri? – i përgjigjet kështu: “Këtë mirë bëtë që më pyetët. Vështirësia ka qenë kolosale, sepse Dibra, përveç këtyre meritave të mira, ka edhe një dobësi: dibranët nuk e kanë pasqyruar në shkrime historinë e tyre nëpërmjet dokumenteve. Për dibranët dokument ka qenë fjala e dhënë.””Rruga e Arbërit” dhejtor 2012(Intervista e z. Kristo Frashëri)
Në këto vitet e fundit, thotë më poshtë në intervistën e tij Profesori, kanë dalë disa dokumenta dhe kjo i kushtohet punës intelektuale të disa studiuesve dibranë, të cilët ai gjen rast t’i falenderojë, mbasi i kanë sjellë shërbime jo vetëm Dibrës, por edhe kulturës shqiptare (Po aty).
Bukur fort. Por këtu nuk del qartë për cilët intelektualë dibranë e ka fjalën Profesori, dhe për cilët dokumenta dhe libra flet ai. Në të vërtetë këta intelektualë nuk e kanë pruajtur Profesorin që të mos bjerë në gabimet që renditëm më lart.


















