-Poeti Frederik Rreshpja (19.07.1940 – 17.02.2006) është autor i librave për fëmijë, si: “Trimi i fshatit Bardhë” (tregime, Sh. B. “Naim Frashëri, Tiranë, 1968), “Eranda” (legjendë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1968), “Trofta hutaqe” (përralla, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1973), “Aventura e fundit e Gishtos” (përralla, Sh. B. “Florimont”, Tiranë, 2002), “Legjenda e Arbrit” (pa vend e vit botimi).
Kritika letrare e realizmit socialist, në të shumtën e rasteve, nuk foli mirë për përrallat e Frederikut, kur i gjykoj apo i interpretoi ato. Mendoj se nuk u kuptua rrëfimi përrallëtar i Fredit. Më shumë u keqkuptua. U vunë në shënjestër detajet dhe jo thelbi. Kjo kritikë nuk i njohu risitë e talentit të tij. Ishte ndryshe nga të tjerët. Nuk arriti të njohë imazhin e ri rreshpian që po sillte edhe në këtë gjini, krahas poezisë, romanit dhe dramës. Në këtë marrëdhënie kritikë letrare – krijim – autor, zgjon interes mendimi i studiueses Pandora Dedja. Duke folur në një shkrim të saj për përrallën e re, për dritën që duhet të sjell ajo, Dedja e ilustron dhe e përqas me një seri titujsh të kontributeve të përrallëtarëve shqiptarë. Evidenton si arritje edhe librin “Trofta hutaqe” e Frederik Rreshpjes, e cila thotë: “Frederik Rreshpja shkruan me fantazi dhe lirizëm. Në përrallat e tij elementet e natyrës ndërthuren me mjeshtri. Ai diku përdor figura të folklorit (Gishton) për të treguar sa shumë ka ndryshuar vendi ynë, diku i mbetet besnik mënyrës klasike të mbarështrimit (sidomos Andersenit) e diku përpiqet të çajë vetë. Veç në përrallat e tij ka mjaft lotë e qarje, të cilat në shpirtin e lexuesit të vogël lënë gjurmë. Natyra e fëmijës do më shumë përfundime të gëzuara dhe këtë duhet ta ketë parasysh autori në krijimet e ardhshme.[1]
Në një shkrim të një studiuesi të mirënjohur, për përrallën “Trofta hutaqe” të Reshpjes thotë: “… autori, si të thuash, me qëndrim pak a shumë indiferent, na përshkruan një qënie fatkeqe, që loton dhe që nuk ka rrugëdalje dhe për të cilën gjyshja-troftë thotë: “Hutaqe je dhe hutaqe të thonë… Ah, që na lindi kjo budallaqe në shtëpi! Unë nuk kam parë kurrë një peshk të tillë të hutuar mu si krap.” Ma merr mendja se synimet e edukatës sonë e, aq më shumë, ndikimi edukativ që duhet të ushtrojë përralla, nuk duhet të na çonin gjer atje, sa një të mete të tillë, si hutimi (te fëmija ose trofta – kalama), ta paraqisnin në formën e një udhe pa krye.”[2] Ndërsa një autor tjetër në lidhje me përceptimin moshor, shprehet: “Nëse kemi parasysh adresimin e përrallës për mosha të caktuara të fëmijëve, mendojmë gjithashtu se karakteri lirik i trajtimit të përrallave e dëmton gjer në një farë shkalle interesimin e fëmijëve të vegjël për të , siç ndodh, p.sh. tek përrallat e vëllimit të fundit “Trofta hutaqe”. Trajtimi lirik si edhe trajtimi shkencor i subjekteve e rëndon gjer në një farë mase përrallën.”[3] E, duke vazhduar me vështrime të tjera të këtij vëllimi e të kësaj përralle, po përmend edhe disa studiues të tjerë. Studiuesi Nikollaq Hanxhari shprehet kështu: “F. Rreshpja në përrallën “Trofta hutaqe” nxjerr realitetin bazë sekondar dhe rastësinë primare, në kohën kur fëmijët nuk mund të jenë kurrë aq hutaqë sa trofta, etj. Shembulli pozitiv duhet të bëhet zotërues në përrallën e re, edhe atëherë kur flitet për një fenomen negativ.”[4] Kurse studiuesi Astrit Bishqemi, thekson: “E veçanta e këtij vëllimi me përralla të shkrimtarit Frederik Rreshpja, është mënyra poetike e konceptimit të tyre, mjediset fantastike nëpër të cilat e shëtit lexuesin e vogël autori, informacionet e reja që na sjell dhe mesazhet që transmeton si pakuptuar.”[5] … “Përralla “Trofta hutaqe”, që i jep titullin vëllimit, na çon në një mjedis tjetër interesant, në atë të nënujit. Na njeh me banorët e tij (troftat, cironkën, peshk gurin, krapin etj.) Përshkrimet janë të bukura. Ja një pasazh i tillë: “Rrugët e shtruara me rërën më të imët llamburisnin nga ca fenerë të vegjël. Çatitë prej guackash shkëlqenin. Drurët e kaltër lëkundeshin nën erën prej uji (f. 31). Përralla përshkohet nga një humor i lehtë. Lexuesin e bën për vete Trofta e vogël hutaqe me zemrën e mirë që ka humb shallin e saj, kujton se ka gjetur një shall të huaj dhe kërkon ta çojë te vitrine e sendeve të gjetura. Megjithëse ka shumë lot, ajo i mëson fëmijët e vegjël të mos jenë të hutuar dhe të pyesin për një gjë që nuk e dinë.”[6]
Përsëri, mendime dhe filozofi të tjera na shfaqen në të tjera shkrime lidhur me përrallat e Frederikut. Kështu, një autor shkruan: “Që të shkruash për fëmijë, duhet ta njohësh jetën, në përgjithësi, dhe botën e fëmijëve, në veçanti, e ta pasqyrosh këtë realitet si një proces në zhvillim me një të kaluar, me të tashmen dhe perspektivën e tij, me kërkesat, preokupacionet dhe shqetësimet e botës që i drejtohesh. Mjetet letrare e artistike duhet të përkojnë me botën reale të fëmijëve, me psikologjinë dhe emocionet e tyre, pasi tiparet e botës së përrallës përputhen më së miri me botën mendore konkrete – figurative ende primitive të intelektit të fëmijëve dhe se ajo është shumë e pasur me figura, ngjyra, ngjarje e veprime konkrete e fantastike, që gjallërohen e marrin jetë nëpërmjet personofikimeve. Shumë autorë, nëpërmjet përrallave të tyre, zbërthejnë moralin e ri në veti të larta, si: ndjenjën e punës, kolektivitetin, përpikmërinë, ndershmërinë, shembullin pozitiv, etj. Por takon edhe ndonjë rast kur botës së fëmijëve i janë servirur ide negative që nuk edukojnë, por që përkundrazi, dëmtojnë. …; F. Rreshpja në përrallën “Pulëbardha”, thotë: “… Pastaj pulëbardha fluturoi dhe u suall rrotull më kot, gjersa erdhi mbrëmja” – duke predikuar kotësinë dhe pesimizmin në jetë si ide morale.
Nga cektësia ideore dhe mosnjohja e realitetit, ka raste kur disa autorë vënë theksin në mënyrë të tepruar tek paraqitja e shembullit negativ duke karikaturuar personazhet në proporcione shumë të errëta.[7] Ndërsa për këtë përrallë kemi edhe këtë mendim: “Edhe përralla tjetër e bukur “Pulëbardha” sjell informacion se ata lloj zogjsh rrojnë pranë ujërave të detit, shumohen me vezë, ushqehen me cironka, kanë armike dhelprën…”[8]
…
I njohur me përrallat e Fredit, lexuar dhe rilexuar, studiuar dhe ristudiuar, mund të them pa hezitim se, në themel të arkitekturës përrallore qëndron poetika e tij. Poetika e tij ishte geni dhe shpirti i tij. Ishte frymëmarrja. Ishte përditësia e individualitetit letrar e poetik. Se të veçantat e përrallave të Fredit janë: mënyra e rrëfimit (komunikimi) pothuajse lirike, ndërtimi i frazës, ngjyra, emocioni, loja, lëvizja, psikikja, krijimi i imazhit, fantastikja, surrealja dhe stilistika figurative. Shpesh, përrallat kanë në tekstin e tyre ka paragrafë të shumtë të mbushura plot ngjyresa poetike, sa lexuesit të vogël i ngjan sikur po lexon një poezi. Shpesh, përrallat, si hyrje kanë ca formula magjike që thuren e thuhen poetikisht teksa bazohen në traditat e përrallave popullore të të rrëfyerit. E kjo është arsyeja se, njëra përrallë nuk i ngjan tjetrës, si në konceptim ashtu edhe në strukturë. Origjinën e tyre, mbase duhet t’i kërkojmë në qëndisjen e xhamadanave që Fredi që ishte mjeshtër i vërtetë. Ndaj, dhe përrallat e kanë këtë ‘qëndisi’, që nuk e gjejmë në modelet e përrallave që na kanë ofruar autorët e tjerë shqiptarë. Modelet që ofron Fredi të mahnisin, janë të çuditshme, kaq të afrueshme, sa të fusin si pakuptuar në botën magjike të përrallës rreshpjane. Si ilustrim, kam ofruar tri modele: 1. “Robi qe një lepurush i çuditshëm, bile ai dinte edhe të fluturonte. O Zot! Po vallë a fluturonjnë lepurushët?
E vërtetë ose jo, në një të diel të bekuar, ai na u gjend në cep të një reje të bardhë.”[9] 2. “Hajt – hajt, na doli ky Plaku i Pyllit në krye të malit dhe na përshëndeti botën: “Mirëmëngjesi diell, mirëmëngjesi lugina, mirëmëngjesi, o pyje!” Pushkën e mbante në sup dhe qe i gëzuar.
Drurët sapo qenë zgjuar. Rrrinin aty nën qiell dhe mendonin. Befas lisat pleq pyetën:
-Kush po vjen?
Po vjen Plaku i Pyllit, ai që na ruan dhe që na do, – u përgjigj rreshti i parë i drurëve.”[10]
Për këtë fragment që solla si model, dhe është përralla me titull: “Një lis i vogël”, ku studiuesi evidenton për këtë përrallë dhe të tjerat këtë veçori: “Në rrëfimin e tij autori e mban të pavarur planin fantastik nga ai real. Rrëfimi është i bukur, poetik. Për të na treguar zgjatjen e veprimit, autori përdor frazeologji të tilla popullore, si: “Hajt – hajt, na doli ky…; Hajt – hajt, na u kthye plaku; Hajt – hajt, na erdhi nata: nejse… Përdorimi i dhanores dative na sikur e afron lexuesin me ngjarjen, e bën pjesëmarrës në të.[11] 3. “Ju lutem, kush më thotë mua si mësojnë të fluturojnë pulëbardhat? Pak njerëz në botë e dinë këtë. Ja ç’më ka treguar dikur një gjahtar plak:
Pulëbardha e vogël lindi në një shpellë ndanë liqenit. Në një ditë me diell. Ajo doli nga veza dalëngadalë, pastaj hodhi tutje lëvozhgën e thyer, e cila u rrokullis, sa u rrokullis nëpër gurët e bregut dhe më në fund vajti e ra në ujë.”[12]
Fredi edhe në prozë ruajti po ngjyresat e përrallës, veçanërisht kur ishte fjala për motivin, rrëfimin, trajtesën dhe përshkrimin e gojëdhënës apo të legjendës. Fantastikja, duke mos humbur realen, mbeti imazh fantastik për Fredin, që e përceptoi dhe e pikturoi dashunisht e në mënyrë mahnitëse. Edhe pse shkroi vetëm tre libra në prozën tregimtare “Trimi i fshatit të Bardhë” (tregime, Naim Frashëri, Tiranë, 1968), “Eranda” (legjendë, Naim Frashëri, Tiranë, 1968) e “Legjenda e Arbrit” (pa vend e vit botimi), pasurojnë dhe dimensionojnë profilin e tij si krijues i vërtetë.
Kritiku nga Kosova Hasan Hasani është marrë me studimin e dy librave të Fredit. Nga analiza e tij kemi shkëputur këto shikime vlerësimesh: “Nuk ka kënaqësi më të madhe për lexuesin se kur merr në dorë një vepër të përkryer letrare, qoftë nga paraqitja e jashtme, qoftë edhe nga ajo ideore, estetike, artistike etj. E njëjta gjë ndodh edhe me shkrimtarin, ku vepra e tij bëhet pjesë e pandarë e shpirtit të lexuesve, kur ajo e pushton masën e gjerë dhe të thuash bëhet vepër e secilit, e më së paku mbetet e shkrimtarit. Kur vepra e vazhdon jetësimin ndër lexues, qëllimi i saj është arritur, efekti është i dukshëm.”[13] … “E gjitha kjo mund të thuhet pas leximit të përmbledhjes së tregimeve për fëmijë të shkrimtarit bashkëkohës shkodran Frederik Rreshpjes, titulluar “Trimi i fshatit Bardhë”. Është një vëllim i përbërë prej shtatë tregimeve, ku Rreshpja hudhet në epokën e lavdishme të historisë sonë kombëtare, në shekullin XV, pra në kohën e Skënderbeut…”[14]
Kritiku Hasani duke gjetur “majanë” e tregimeve të Rreshpjes, konkludon dhe arsyen e jetëgjatësisë së këtyre krijimeve: “Duke shfrytëzuar legjendat dhe gojëdhënat e ndryshme rreth Skënderbeut, këngët dhe bisedat, rapsoditë kushtuar heroizmave të tij, i mundësuan Rreshpjes që lexuesve të vegjël t’ua dhurojë një vëllim simpatik që kurrë nuk do të harrohet nga kujtesa e tyre.”[15]
Po ky autor për krijimin “Eranda” thotë: “Edhe tregimi “Eranda” është një rrëfim simpatik, …”[16]…
Më tej, fokusohet në vlerën e personazheve, për të cilët vë këto shenja: “…, personazhet e këtyre tregimeve, përveç Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij të njohur nga historija, përveç pleqve që ndihmojnë luftën; fëmijët Tanushi dhe Tana, Eranda dhe Beni, Gjoni dhe Gjini, dhe vajza e quajtur Omeri, nuk do të zbehen nga kujtesa e lexuesve të vegjël.[17]
Raporti i personazhit dhe kujtesës mbetet një problem ende i pastudiuar në letërsinë për fëmijë dhe të rinj, aq më pak në krijimtarinë e Frederikut. Dhe ku e ka ‘sekretin’ magjik Fredi? Autori i shkrimit e përfundon kështu materialin e tij, duke gjetur dhe çelësat e këtij ‘sekreti’, : “Të gjitha këto Frederik Rreshpja i arriti përmes rrëfimit të thjeshtë, të sinqertë, dialogjeve të lehta, të kuptueshme, duke i shfrytëzuar këngët, rapsoditë, legjendat, gojëdhënat që për botën e fëmijëve janë shumë të afërta, të pranueshme.[18]
Ai që zbërtheu kodet e vërteta të përrallave të Fredit, ishte poeti Moikom Zeqo. Ai e njohu në thelb Fredin. Përcaktimi i tij, që sigurisht vjen nga kulturologjia hapësinore, mbetet parësore e rrezatuese. Askush më mirë se Moikomi nuk i studioi përrallat e Fredit. Moikomi shprehet kështu: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetvetiu përralltar i madh.. Frederik Rreshpja është shkrimtar i vërtetë. Vetkuptohet se çfarë përralla di ai të shkruajë.
Frederiku është ngjizur në Mbretërinë e Fëmijërisë ashtu si ata princat e panjohur por që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë. Në çfarëdo moshe, pavarësisht nga thinjat, vuajtjet dhe sëmundjet, Frederiku nuk arrin të mplaket. Ai nuk është i fuqishëm t’i kapërcejë sinorët e Mbretërisë së Fëmijërisë, sepse është më i plotfuqishëm brenda kësaj Mbretërie. Ai bisedon me kafshët dhe shpendët sepse e njeh gjuhën universale të tyre. Ai është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor. Frederik Rreshpja përzien fjalën me pikturën dhe na çudit ne të tërëve me disa koleidoskopë prej ëndrre. Nuk ka jetë më të ndërlikuar dhe më të vrazhdë, nga të gjitha pikëpamjet, se sa jeta e Frederik Rreshpjes. Si një kampion i kontrastit në përrallat dhe në poezitë e tij, ai projekton një botë delikate si ato qelqet e tejdukshme dhe të mrekullueshme veneciane. Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. … Amen![19] (Tiranë, më 21 maj 2002).
Përrallat e Fredit ngjajnë si piktura, që i flasin përjetësisht ëmbël fëmijërisë. Fredi nuk plaket se është fin…, pavarësisht se e mbështolli gëzofi i vetmisë. “Ai (Frederiku, shënimi im Xh. B.) është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor.” Ky është postulati përrallor që miku i tij i besës Moikom Zeqo, kësaj here (si gjithëherë), e ka pikëzuar çmueshëm lirikun e letrave shqipe, rrezatuesin Frederik Rreshpja.
Përrallat e Fredit që u përmblodhën në librin e fundit “Aventurat e fundit të Gishtos”[20], nuk janë gjë tjetër, veçse një testament i tij, kësaj here… për fëmijët e fëmijërinë e tyre, për të moshuarit dhe fëmijërinë e tyre. Vetëm një talent si i Fredit na e fali çdo tekst përralle e tregimi me kaq hapësira të mëdha vezulluese e të ylberta!
Shkodër, shkurt, 2022
[1] Prifti, Naum: Çështje të brendisë socialiste në krijimet për fëmijë”, gaz. Drita, 24.03.1974.
[2] Dedja, prof. Bedri: Mbi disa problem aktuale teorike të Letërsisë sonë të realizmit socialist për fëmijë (pjesë nga referati i mbajtur në Simpoziumin për problemet e letërsisë për fëmijë) – Drita, 02.06.1974; Nëndori, nr. 7 / 1974; STUDIME FILOLOGJIKE, nr. 1 / 1975.
[3] Quku, Mentor: Për konsolidimin e përmbajtjes dhe të formës socialiste të përrallës sonë për fëmijë, – në përmbledhjen “Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë (17 – 28 maj 1974)”, T. 1975.
[4] Hanxhari, Nikollaq: Përralla socialiste dhe mbështetja në përrallën popullore, – në përmbledhjen “Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë (17 – 28 maj 1974)”, T. 1975.
[5] Bishqemi, Astrit: Historia e Letërsisë Shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan 2001, zëri: Trofta hutaqe (1973), f. 596.
[6] Po aty, f. 597.
[7] Hanxhari, Nikollaq: Përralla socialiste dhe mbështetja në përrallën popullore, – në përmbledhjen “Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë (17 – 28 maj 1974)”, T. 1975.
[8] Bishqemi, Astrit: Historia e Letërsisë Shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan 2001, zëri: Trofta hutaqe (1973), f. 597.
[9] Lepurushi që u bë njeri (përrallë, F. Rreshpja.)
[10] Një lis i vogël (përrallë, F. Rreshpja.)
[11] Bishqemi, Astrit: Historia e Letërsisë Shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan 2001, zëri: Trofta hutaqe (1973), f. 597.
[12] Pulëbardha (përrallë, F. Rreshpja.)
[13] Hasan, Hasani: Faqe Libri, Faik Konica, Prishtinë, 2007; shkrimi: Sintezë e një epoke e gërshetuar përmes rrëfimit, f. 234, (Frederik Rreshpja: Trimi i fshatit Bardhë), tregime, Naim Frashëri, Tiranë 1968.
[14] Po aty, f. 234.
[15] Po aty, f. 234.
[16] Hasan, Hasani: Faqe Libri, Faik Konica, Prishtinë, 2007; shkrimi: Sintezë e një epoke e gërshetuar përmes rrëfimit, f. 236, (Frederik Rreshpja: Eranda), legjendë, Naim Frashëri, Tiranë 1968.
[17] Po aty, f. 237.
[18] Po aty, f. 237.
[19] Zeqo, Moikom: Portat pa epilog (proza në muzg), Sh.B. Fan Noli, Tiranë, 2014.; f. 120.
[20] Rreshpja, Frederik: Aventurat e fundit të Gishtos, përralla, Florimont, Tiranë, 2002.