Më thanë se donte të hynte me patjetër në vendet ku nuk futej dielli. Se atje ishte nevoja për mjek. Dhe në rastin konkret për lagjet, shtëpitë, rrugicat, që nuk i shihte dielli i vërtetë dhe ai figurativ, do të thotë se nuk i shihte mjeku, i zgjedhuri i popullit. M’u ngroh zemra. Belindi është i përzgjedhuri nga populli i djathtë, ose njerëzit e pa përfaqësuar, me aq shumë brenga dhe mbi të gjitha me aq shumë probleme, ndodhur në udhëkryq, në dukje për të pritur një shpëtimtar. Idealisht ky njeri ekziston, por gjithashtu dhe në të vërtetë, kjo është një ëndërr. Po e dëgjoja në një nga takimet e tij. Fjalë të ngrohta. Unë jam një nga ju, nuk e kthej shpinën nga fryn era, erës i vë gjoksin, për ju kam lënë gjithçka, për Tiranën time, për njerëzit e mi të dashur, ju kam lënë jetën time, fëmijërinë dhe rininë time. Unë nuk di të gënjej e nëse do të vini re që të më mbahet goja ta dini se nuk jam unë që ju flas. Po, unë jam një ngrehinë prej guri, që gdhendësit e bëjnë prej guri të palatuar, gri, madje me ngjyra, që pret të punohet hollë dhe për një kohë të gjatë, ku spikat dashuria për ta prurë sa më bukur. Ky gur nuk qëndron kurrë shtrembër, s’mund të bëhet një dordolec i çuditshëm që t’i ngjajë klounëve të tanishëm në tregun e gënjeshtarëve të popullit, ata që bëhen të pafytyrë për t’i marrë votën popullit. E pra, s’u dashkan lënë gjërat e nisura në mes, as vjedhjet e planifikuara që janë ende të pambyllura, as hapësirat për t’u zënë me rrokaqiej, që gjoja t’i ndryshojnë ‘faqen’ qytetit, duke sulmuar lartësitë, i zoti t’i lyejë flokët me xhel, t’i ndajë me vijë anash ose në mes, të mbajë mustaqe e mjekër, të ndajë hollë lugun e ngushtë të mendimit, të zotërojë fort një grishje epshi, pse jo të jetë e të mbahet për sarhosh dhe bujar, të marrë me vete miq e shokë që të shkojnë për të trokitur në zyrë për punë taksash e përfitimesh, të mbajë për shans – si dikur mbretërit – arlekinë që i përdorin për dëfrime, për çdo festë e orgji, të lëshojë me ta flakë blu dhe tym të zi, të përkulen thellë para një autoriteti dhe, pasi t’u fryjnë, t’u lustrojnë këpucët zotërisë edhe me një buzëqeshje dhelpërore, ose t’u heqin një furçë të shpejtë mendimeve që i shkundin më shpesh me dorë dhe u fryjnë me zhurmë për të tërhequr vëmendjen e kujtdo…
Për Belind Këlliçin, këtij guri të latuar që pret të marrë dimensionet dhe format e duhura, që i ka në zemër dhe ua thotë hapur njerëzve, ku mund të zënë vend mendimet e pleqësisë, të një politikani me emër të madh, apo edhe të një poeti të jashtëzakonshëm që krijon vargje e tekste gjithë zell, ironi, sarkazëm dhe aq të mprehta saqë i japin kthesën kësaj fushate të egër e të hollë, sepse vetëm me to mund të latohet më tej ky gur që do të zërë vendin e duhur në kështjellën bashkiake, si qytetar i parë i Tiranës. Le të heshtin televizionet e blera nga djegësit famëkëqij, që lozin e kuvendojnë nën hijen e Spakut e të gjykatave, si një tragjikomendi qeveritare, le të heshtin reklamat qeveritare e bashkiake, le të enden fijet e merimangës, ne u largohemi atyre, duke shkundur pezhishkat e rrugicave, të shtëpive, të strehëve, ku nuk hyjnë rreze dielli, apo që s’kanë ç’shtrojnë për të ngrënë në tryezë, se do shtrohen rrugët netëve e me ngut të madh, për të mos u parë dhe kaq mjafton për të dhënë një profil të turpshëm. Punë që kërcasin më fort dhe stonojnë, saqë që të detyrojnë të vjellësh e të nxjerrësh zorrët, sidomos kur i sheh duke pastruar edhe shuajt me pafta të shefave, të puthadorëve më të lartë se vetja e tij dhe presin të vijnë pasardhësit e sorosianëve, halli tani ka mundësi të mbyllet, e po qe se shqepen, grisen dhe prishen që të nesërmen, kjo s’bën ndonjë të keqe, përkundrazi goja është zënë dhe ajo e shkretë kur është e zënë e s’flet dot më, ma merr të keqen…
Belind Këlliçi ka gjithë të drejtën e Zotit e të tijën si qytetar i parë i Tiranës të japë fjalën e burrit. Tek e fundit kjo i shkon! I shkon, sepse ai nuk ‘martohet’ me lekët që ka kursyer gjyshja dhe nëna! I shkon sepse nuk është bërë pis as nga politika dhe as nga tenderët e damllosur! I shkon sepse qeshet me ata që e shajnë me fjalë të ndyra (sepse janë vërtet të ndyrë!), sepse ai ua ka nxjerrë sheshit të palarat, madje edhe faktin që të gjithë lehësit kanë marrë para nga inceneratorët, për faqe të zezë! Belind Këlliçit i shkon prerja moderne e fjalës, ashtu si dhe urtia popullore. Dëgjojeni mirë premtimin e tij. Qyteti i Tiranës do të bëjë falas udhëtimin e qytetarëve me autobusët urbanë! Ata që e mbështesin kanë dhënë prova të mëdha. Dhe lekët janë aty, pikërisht ato parà që u vidheshin taksapaguesve nga çmimet e allasojta të inceneratorëve. E pse të mos ua kthejmë sërish qytetarëve? Jo, për fat, kemi të bëjmë me një burrë me karakter, njeri dhe të ri me karakter të fortë. Karakteret i kanë munguar deri tani politikës. S’ka për të pasur zell të tepruar për lustër dhe për të mbuluar paçavuret e punëve të këqija, as shpërblime me tepri nga zotëria kryebashkiak për të gjithë sahanlëpirësit, ai nuk bie në sy sa për t’u dukur, s’ka për të shkelur në dërrasë të kalbur, s’ka për t’u bërë lolo me fjalë e premtime boshe as me gjëra të çuditshme, dhe as për sy e faqe të miletit, as për këto gjëra të rëndomta, që rrojnë e nuk pushojnë të përmendin të tria vaktet që u falin fukarenjve, duke u marrë me zonjën Pjatë! Të jesh vërtet njeri i mirë dhe i gjindshëm, nuk është gjë e keqe, po kur ta bën këtë një i paskrupull dhe të pacipë, atëherë të përfshin vërtet zallamahia dhe tollovia që lë pa frymë një qytet të tërë, sidomos një qytet të madh si Tirana…
Belind Këlliçi thotë me siguri të pashoqe se kultura është ajo që e bën një qytet ndryshe! Dhe kultura fillon nga librat, bibliotekat që deri sot nuk i ka kush në konsideratë. Sallat e leximit, bibliotekat e shkollave dhe të komunitetit, bibliotekat e lagjeve, kafet librari, bibliotekat e kopshteve, bibliotekat e fëmijëve në qytet. Tirana ka nevojë për 3000 biblioteka për libra fizikë, e-book, audiobook etj. Ëndërr? Aspak. Unë dridhem thotë ai, kur mendoj sesi janë grabitur miliona euro nga hiperbolat e rrugëve, nga brutaliteti, nga sarkazma me inceneratorët dhe asgjë nuk i është kthyer qytetarëve, kjo është e tmerrshme. Tirana do të jetë një qytet që lexon. Dhe më së pari do të lexojë sidomos në shkolla e kopshte. Tirana e shkollave dhe e kopshteve në çdo lagje të re e të vjetër. Dhe janë plotësisht të arritshme dhe ky do të jetë suksesi më i madh. Mbi të gjitha shkolla do t’i largohet formalizmit të llahtarshëm, duke iu larguar lustrës dhe anës së jashtme. Ky është thjesht vizion. S’do të ketë nevojë të vështrosh tinëz e me neps nga shkollat sa për sy e faqe, porse në shkollë do të bëhet mësim, jo drogë, jo formalizëm, se shkollat nuk do kenë drejtues militantë dhe nga ata që janë zagarë të politikës. Kultura do ta marrë shkollën për dore, tek e fundit – libri dhe edukata. Sigurisht për këtë do të jenë njerëzit profesionistë, edukatorët e mëdhenj që Shqipërisë dhe Tiranës nuk i mungojnë. Ç’ditë do të jetë ajo e fitores! Larg kasetave të përgatitura që më parë. Lajmin do ta bëjnë mediat që nuk varen (dhe s’kanë pse të varen!) nga bashkia! O Zot, të shpëtojmë njëherë e mirë prej lustrës dhe formalizmit. Tirana do ujë të pijshëm. Tirana të bëhet qytet i jetueshëm, me dinjitet dhe kjo bëhet frymëzim dhe aspiratë. Kjo natyrshëm kërkon të jesh njeri i sfidave…
Pale pastaj kur mendon që të bëhesh pis e të vjedhësh votat! E tmerrshme! Pastaj edhe burrit që do të jetë në krye të një bashkie të madhe si Tirana, i ka lezet fjala e hollë, e brishtë, e zhdërvjelltë, përplot tonus të zjarrtë, që duket sikur i stërpik bukur mirë të gjithë qytetarët, jo vetëm kureshtarët, edhe ata që dalin në këtë skenë mbizotëruese, ku vetëm kultura do të mund të ‘vrasë’ mëkatet e njeriut dhe sakrilegjet e stigmatizuara. Kryetari dhe çdo i zgjedhur në këshillin bashkiak s’ka nevojë të përdredhë fjalët, as premtimet si flakë të furishme që djegin e frymojnë çastin, që i tërheq era lart me një vorbullim marramendës, të bëhen zotat e vërtetë e qytetit dhe kjo sigurisht do të jetë e tmerrshme! Prandaj dhe kjo është vëmendja jonë e madhërishme! Vëreni fushatën e egër të kundërshtarëve tanë politikë! A nuk e shihni turmën e përfshirë nga një afsh-tërbim i papërmbajtur, përkundër asaj që ndiejnë, që ngrihen gjer në qiell si paçavure premtimesh? Turma përleshet me përtokën ku janë hedhur shpërblimet për votën, që tollovia e përfshin të gjithën me një ethe shfarosëse vlerash. Pastaj vjen një çast kur mbërrihet te vendi i ngjarjes, dhe aty çdo gjë është zhdukur. Ata, mosbesuesit e mallkuar, ndezin dritat e festës së fitores, por jam i bindur se fitorja është me ne, ne që flasim sinqerisht, ne që zotërojmë kthjelltësinë dhe jemi të qartë, ne që hapim dritare të reja për shoqërinë dhe qytetarët, shtigje që do të japin mundësinë të bëjmë gjënë e duhur dhe ta çojmë përpara vendin dhe jetën.
Puna e pastër është ajri i lehtë dhe i parfumuar, kryebashkiaku i nesërm nuhat dhe ndjen duke hapur flegrat me dridhmë dhe emocion, ndien fort se duhet qëndrueshmëri dhe fuqi intelektuale për një kohë relativisht të gjatë. Vetëm një njeri me besë dhe kryekëput i pastër nuk e ndot pamjen e natyrshme e të egër që e përfshin gjithçka dhe njëkohësisht është një tërheqje të fortë drejt të drejtës e të vërtetës, si prej një instinkti turbullues. Te Belind Këlliçi zgjohet bindja dhe një kureshtje e fortë, por ai ndjen edhe lojën e rrezikshme që fshihet pas interesimit të tij. E arrin gjithçka me një kujdes të tepruar që puna dhe vetëm puna të bëjë gjithmonë përshtypjen e madhe. Sigurisht edhe ai ka frikë nga ndonjë veprim i pamatur, i rastit. Të gjitha të tjerat janë të kota! Ja, ti që dukesh kaq i qetë, i turpshëm, ç’je ti, i veshur me kostum, me këmishë të pastër, me kravatë të re… pse mbahesh ngrehur, nuk ndien bezdi kështu? Po pas zgjedhjeve kështu do të jesh? Sa herë ngjajnë marrëzi të kota, të hipën babëzia, do që të hash pa masë… Belindi është jashtë kësaj natyre. Sjellja e bukur, e hollë dhe transparente, të vjen natyrshëm dhe ti ngre një kështjellë rreth vetes, vë koracën e padepërtueshmërisë, bëhesh mjaft i këndshëm, aq sa të vjen ta lësh traditë për të tjerët… Më dëgjon? Mos më vështro ashtu! Të duket se ke diçka prej lulesh të egra, po me zemër të mirë, të dhembshur në gjithçka të bukur që më pëlqen. Është diçka trandëse, e befasishme, tejet lektisëse, me një marramendje e përhumbje dehëse. Ja, kjo është një e vërtetë përplot pamje të ngulitur e të pushtuar nga ndjesi përvëluese, krejt natyrore, e plotësisht të dëshirueshme…
Është e qartë: fushata kërkon të zbavitësh shumë, plot sinqeritet dhe natyrshmëri, ide të qarta dhe sportivitet. Është e vërtetë se duhet të ndihesh i uritur për punë origjinale e të brydhëta: Ky neps, kjo uri, të bën tjetër njeri. Pikërisht kjo veprimtari të bën të mos vuash nga melankolia, të mos mendosh si e shtyn kohën! Belindi nënqesh, duket shumë i mbajtur, vishet thjesht, por mbahet, kujdeset për hollësi të padukshme, ka merak të madh, është gjithnjë në ethe, nuk përdor fjalë pasive, nuk i kthehet pas mendimit, dhe përsëri vijon të jetë në ethe… Ah, djalosh, mos e ul kokën, askush s’ta vë dorën në ballë, edhe kur digjesh! Ç’duhet të bëj për të, për qytetarin e thjeshtë? Dhe pyet për njëqind drejtime njëherësh. Pastrimi, thembra e Akilit. Tirana edhe sot pastrohet por e gjithë kjo është kthyer në minierë ari. Nga ana tjetër rrugët nuk lahen kurrë, përveç fshesave të dorës që krijojnë ndotje tymi gjithë natës. Ky është mesazh i rëndësishëm. Sepse Tirana ka nevojë për mijëra fije respekti dhe pune. Në fillim respekti pastaj të tjerat. Përfillja e qytetarëve, jo tallja me parada modash dhe parakalimesh. E thamë, lajmin e ka në dorë media. Po nuk vodhi përgjegjësi askush tjetër nuk mund të guxojë, nuk bën dot xhap. Askush! Le të nxjerrin gjuhën, le të kafshojnë buzën, le t’u duken gjëra të prapambetura, ne ecim përpara. Do të marrë autoritetin e duhur këshilli bashkiak! Ai dhe jo vetëm ai, s’do t’ia ndajnë sytë së keqes: E keqja depërton, e gjen derën, në mos derën, dritaret. Gardian i përkorë i financave. Do hiqet taksa e shkollës, do ulen taksat e tjera, do hiqen gjobat e përditshme, ai llum i tmerrshëm që i pi gjakun njerëzve. E, të thyesh rregullin e qarkullimit s’do të thotë të rritësh gjobat, se bashkia është kthyer në gjobavënës të tmerrshëm! Nuk ka pikë mirësjelljeje, por vetëm sjellje shtetërore prej xhagajduri.. Vërtet kjo është rrëqethëse. Policia bashkiake, një ushtri e tërë njerëzish që pi gjakun e taksapaguesve, s’ka asgjë të përbashkët me zbatimin e ligjit, por vetëm normat ditore të gjobave. Veç të tjerash kjo është edhe një absurditet fashist…
Pastaj rrokaqiejt. Një vend i zhvilluar dhe interesant s’ka të bëjë vetëm me këtë rrugë zhvillimi. Duhet gjetur sa më parë rruga më pak ndotëse e transportit urban, me lëvizje jo ndotëse dhe e rregullt, me mjete të kohës, ndërthurje me traditën, lehtësim i rrugëve nga makinat, radha e targave çift dhe tek në ditë të caktuara, ndërthurje e veprimtarisë kontrolluese me policinë rrugore…
Është prekëse të trajtosh problemin e pensionistëve. Dhe jo vetëm në Tiranë, por në gjithë vendin. Të gjithë pensionistët janë ku thërret qameti, por edhe këta ndahen në dy grupe. Grupi i parë i pensionistëve është ai i pas ‘reformës’ së pensioneve që ka pensione pak mbi kuotën mjerane. Në pritje të rritjes së pensioneve, tani duhet bërë lufta e nxjerrjes nga bataku e pensioneve krejt të mjera, të ‘parareformës’ 2015, për një barazim të llogaritjes së pensionit me vlerat e grupit të përkëdhelur të atyre të ‘reformës’. A mund të gjendet rruga e iniciativës së bashkisë së Tiranës! Apo e grupit të deputetëve si iniciativë ligjore për të krijuar vlera përmirësimi të gjendjes ekonomike të tyre. Po edhe një shprehje respekti në vitet e fundit të jetës. Kjo do të tingëllonte bukur. Përkorja dhe pastërtia, finesa në zgjidhjen e gjërave dhe problemeve, ngjyrat, shabllonet e përditshme, liria e plotë, përfillja e normave shoqërore, vështirësitë e shumta, por jo të pamundura për të gjetur zgjidhje. Ja, Belind Këlliçi, një protestues kundër së keqes, nuk bie pre e të qenit brenda një rrethi vicioz. Ai është qytetar i parë dhe qytetar i lirë. Ndërsa në jetën tonë të përditshme në Tiranë, gati e bllokuar në një pamundësi totale, është e pranishme shëmbëlltyra e kundërt, si kundërshti që nuk gjen kurrë ekuilibër. Belind Këlliçi – është thjesht vizion…
Tiranë, më 25 mars 2023
I nderuar zoti Belind,
Jam një admirues yti. Ti je plot talent dhe një politikan i hollë. Do të doja të bisedoja me ju. Për grupimin e personazheve të qytetarisë pranë jush, të ndonjë shkrimtari mjaft të mprehtë (si BALIL GJINI në Berat, një penë e shkëlqyer satirike dhe letrare natyrisht që mund t’ju bëj shumë punë), po edhe për mjaft gjëra të tjera të nevojshme për këtë fazë të fushatës së zgjedhjeve. Do të mjaftojë koha e harxhuar besoj. Ndërkohë do t’më pëlqente t’ju dhuroja librin tim më të ri «UNI DHE PSIKOPOLITIKA».
Nëse ju kini ndonjë sugjerim për këtë profil do ta pranoja me kënaqësi. Pastaj do ta botoja.
Faleminderit.
Xhevair Lleshi (Mjeshtër i madh)
Qendra Traditë-Art-Libra Tiranë
Shtëpia botuese UEGEN
Tiranë
069 20 62 665 (edhe WhattsApp)