Xhevair Lleshi (shkrimtar, botues): LUÇIANO BOÇI – ËSHTË VIZION

Profil

1
Profesori i Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan, deputeti i PD i Kuvendit të Shqipërisë del vetëm, shëtit në bulevard, gjithnjë me dëshirën e bukur të përshëndetet me njerëzit e dashur të Elbasanit, qytetit të tij, me qytetarinë e mrekullueshme të këtij qyteti që kohëve të fundit e ka humbur rëndë ekuilibrin. Ndërkohë të gjithë e dinë se Elbasani është i vetmi qytet që di ta gjejë veten, shpirtin e tij të vrarë në rrugët e krimit dhe të politikës. Prandaj dhe profesori, njeriu i thjeshtë që e ka tharmin për t’ua rrëmbyer zemrat të tjerëve, elbasanasve të fshatit e të qytetit të tij, e gjen veten bukur në këtë qytet dhe në këtë bashki që si rrallë kush di ta shprehë qytetarinë. Në fund të fundit historia botërore nuk është histori mbretërish dhe betejash, por mbi të gjitha histori qytetërimi. Luçiano Boçi kërkon pyllin dhe nuk e gjen dot, i ngjitet rrëpirës dhe i vjen keq që ka ngelur bosh, i sheh shpendët që fluturojnë ulët mbi qytet, mbi fushë e mbi Shkumbin – ashtu si dikur në të shkuarën e largët e të afërt – dhe betohet se ashtu do të jenë, sapo ai të marrë frenat e kësaj bashkie, kumritë, bilbilat, pëllumbat e egër; ndërkaq këqyr i vrenjtur tymrat që rrinë pezull mbi qiellin e rënduar të qytetit të tij të dashur dhe i ther shpirti për gjithë çfarë po ndodh me ndotjen e mjedisit.
E pse kështu? Pse duhej të ndodhte që të ndërtohej gjoja një incenerator dhe t’ia varësh si qyq dhe turp qytetit të mrekullueshëm të kulturës shqiptare që ai e do fort. Ndryshe pse duhet të jetë zemra e Shqipërisë? Luçiano Boçi nuhat dhe depërton në qelizë të dhembjes së Elbasanit të tij, ia prek nervin dhe rënkimin, dashurinë dhe pikën e vuajtjes së vërtetë. Ai nuk mund të premtojë të pamundurën, por ama kushdo e di se ai do të luftojë më fort se kushdo për të. Edhe në mjegullën që rrogomiset mbi kurorat e drurëve dhe mbi Shkumbin. Ai shikon dhe dëgjon gjithçka ndodh në qytetin e tij të zemrës dhe kjo është dhimbja më e llahtarshme që ndjen. Ecën pa iu përtuar asgjëje, nuk ndien se mund t’i dalë ndonjë pengesë, edhe po të jetë baltë; mbështetet për një hop në trungjet e lagur të drurëve të veshur me qetësi dhe jetë, pastaj ecën përsëri duke ngritur kokën lart, si për të parë të vërtetat e hidhura që mbajnë nën ethe qytetin e dashur prej kohësh. O Zot! Të vuash për pak vëmendje rrëqethëse si prej zie, të shikosh bilbilin dhe të mos jesh në gjendje të dëgjosh i mahnitur këngët më të bukura popullore elbasanase me zë kristali, të trembesh nga asfiksia melankolike e ndotjes, kryefjala e së keqes, përplot frikë e pikëllim, të vështrosh punën galduese dhe të mos jesh në gjendje të japësh alarmin për shpopullimin e qytetit dhe të fshatrave përreth, me një përdëllim përplot mall për të pasur shumë e shumë fëmijë, çifte të reja, mosha që e bëjnë jetën të bukur, të ndjekësh nostalgjinë e jetës që i mbante portat e të gjitha rrugicave hapur, në një vëllazëri të mahnitshme. Dhe të mendosh se gjysmë shekulli më parë ne jemi mburrur me rininë e vendit tonë, kur kishim njëqindmijë nxënës në klasën e parë të shkollës fillore dhe tani i gjithë vendi nuk ka as njëzetmijë! Kjo është tragjedi e madhe. Ndërkohë të mos arrish të prekësh nervin e kësaj rrokullisjeje, dhimbjes më të rëndë, shpopullimit. Thjesht: që vendi të popullohet duhet të ketë perspektivë: fëmijët të mos vuajnë për bukën e gojës, të mos rriten në mizerje, të shkollohen mirë, të kenë mundësi të hyjnë në rrjedhën e jetës. E ç’mund të bëjë kryetari i ri i bashkisë me emrin Luçiano Boçi?…
Luçiano Boçi e ndjen me një dhimbje të mprehtë heshtjen turbulluese që e rrethon tejpërtej. Fati është tallur me popullin, sepse i ra mbi krye një njeri i zi, që mendon për vete me një pangopësi legjendare, por ja, vjen dita dhe e vë në sprovë, ndoshta pa qenë edhe e një vështirësie të madhe. Kandidati për kryetar bashkie në Elbasan, Luçiano Boçi, është i rrethuar nga pasioni i madh, gjithnjë me tingullin e duhur. Këtij qyteti i kanë bërë një mëkat hyjnor, diçka të rëndë që ka cenuar vetë Zotin. Luçiano Boçi i sheh gjërat realisht, me sy të ftohtë. Ai është i përgatitur të luftojë, nuk e ka lënë veten në mëshirën e të padukshmes, e ka në dorë dhe e shtrëngon fort jetën e tij, pikërisht prej kësaj të keqeje të madhe atij i është mprehur së tepërmi ndjenja e talljes dhe e ironisë, e ftohtësisë dhe e përbuzjes. Ai nuk nënshtrohet ndaj trillit të fatit, atij nuk i bën më përshtypje jeta e vështirë, i rrethuar nga problemet e shumta, është argasur, se vërtet nuk është ‘e lehtë’ të jesh në opozitë me këtë lukuni ujqish me pushtet, që po faron jetën e popullit. Ai shfaqet kryelartë ngaqë e ka të fiksuar rrugën që do të ndjekë, duke shijuar fort llogaridhënien e atyre që sundojnë në bashki, të raportojnë për punët që kanë bërë dhe të shpalosin arsyet dhe përgjegjësitë si e kanë lënë gjendjen e qytetit dhe të gjithë territorit të bashkisë në këtë derexhe. Profesori ndjen tronditshëm përgjegjësinë, pa u entuziazmuar prej frazës, premtimit dhe detyrave për të krijuar një mjedis emocional të fuqishëm… Dhe ai njeri prej kohësh e ka gjetur dhe e zotëron nuhatjen e fortë, duke e parë qytetin e tij si kopshtet ende të paçelur, dhe aty nuhat amën karakteristike të Elbasanit, bashkë me tymin dhe në pluhurin që e rrethon, që ngrihen fashë mbi dashurinë e tij të madhe, pasi e dallon menjëherë se ka humbur aromën e trupit të këtij qyteti të vjetër, ndaj dhe premtimet zënë vend sepse e ndihmon pikërisht kjo nuhatje e fortë që ai e zotëron dhe ajo i jep energji tjetërlloj, e bën më të urtë, më fin, më të qartë, më kërkues, për të gjetur rrugëzgjidhjet e duhura dhe të përshatshme në dritëhijet e një mendimi konkret: të jesh njeri me tërë kuptimin e fjalës.

2
Luçiano Boçi, njeriu, profesori, deputeti, pret të bien muzgjet blu dhe banorët e qytetit të tij të shikonin në sy të vërtetat, se ata sigurisht që ishin shumë kureshtarë, le ta ndalonin dhe ta pyesnin për të gjitha hollësitë, jo, jo nga vinte, jo kush ishte, as përse kishte ardhur, ia dinin krejt, por të vërenin a e njihte me tërë të fshehtat e veta Elbasanin antik dhe modern, ku përplaseshin qytetërimet, siç thoshte shpesh ai në leksionet e veta në universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’, të kridhej në kujtimet dhe të rigjente aromën e vërtetë. Atëherë do ta pranonin. Ndaj dhe puna e parë do të qe: të prekte pikat nevralgjike të qytetit, monumentet e kulturës që rrinin kurdoherë në heshtje. Dhe kjo listë kombëtare ekziston, mjaft të hedhësh sytë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, të bësh një pyetje të thjeshtë, të kërkosh përgjigjen e duhur dhe të mos ia mbathësh nga e drejta dhe e vërteta, t’ia gjesh plagën dhe ta shohësh me vëmendje sesi ajo të bëhet e mirë materiale për popullin… Ai nuk ka përhapur pandehma, ai mbështetet në zemrën e kulturës, ia njeh temperaturën, të gjitha ulje-ngritjet, si mund të dalë në skenë një pyll, një kishë e një xhami, rrugicat e vjetra, muri i Skampës, bulevardi, biblioteka e vjetër, si mund të shëndoshet më mirë ekonomia, të mbërthehet fort energjia pozitive dhe të jetë për këdo një motivim i madh. Motivim pune dhe ndryshimi. Rrënjët tona janë ato që ngjyhen me agimin, janë edhe gonxhet e paçelura të së ardhmes, janë qumshti i mëkuar i të djeshmes, janë filli delikat që përshkojmë përditë në rrugën tonë… Sepse Elbasani sot është zemra e Shqipërisë dhe e Korridorit Tetë. Elbasani s’ka nevojë për rrena. Atyre u ka rënë kallaji ende pa e nisur rrugëtimin e zhvillimit.
Luçiano Boçi e di: të zhvillosh qytetin dhe fshatrat e tij do të thonë më së pari të mbetesh njeri dhe qytetar. Një shtëpi që e pret vetmia, të ngrihesh nga tryeza ende pa ngrënë, të kërkosh me sy fëmijët, nipat dhe mbesat dhe nuk i gjen rreth e rrotull, të mbytesh nga tymi, të mos bësh dot shkollën e duhur, të rrotullohesh rreth vetes me telefonin në dorë i mbërthyer nga këmbët prej pamundësisë së ecjes përpara, të… Atëherë e shikon se fqinji yt sulet atje ku e gjen më të lehtë, mbllaçitet i babëzitur ende pa ngrënë e pa pirë, të mos kesh siguri nga ushqimet që ble dhe uji që pi; jo kështu më! Boll me mendjemadhësinë autoritariste, me monopolet që fryhen. E pra, mblidhe veten, qytetar! Ti zotëron pushtetin e votës, mos e harxho kot këtë të drejtë të jashtëzakonshme, mos u gënje nga fasada lëbyrëse, manifestimet estetike (halli yt është aestetik!), mos prit më kot me një ankth sfilitës t’i vësh në jetë parandjenjat me shijen e mëshirës, lutjes dhe faljes, që më në fund të ulesh këmbëkryq mbi baltën e mjerimit, mos thuaj kurrë se s’qenka e thënë dhe se duhet të vuante ende, kur ti zotëron votën e ndryshimit. Nuk ta ndryshon jetën një thes me miell dhe as një parà e kotë dhe e thatë në duar, e falur në këmbim të pushtetit, por jo – për këtë duhet vota e ndryshimit. Sepse, qytetar i nderuar, ty të duhet taksë dhe tarifë më e ulët, pagë më e lartë, sigurime shoqërore dhe shëndetësore, shëndet i sigurt, arsimim i drejtë dhe i niveleve të larta, të duhet familja, fëmijët, pension i mirë, jo ndarje sociale por drejtësi! Ti, i dashur qytetar nuk do më vuajtje, askush përveç teje nuk mund ta kuptojë të vërtetën dhe thelbin e jetës. E sotmja s’ka Zot, për këtë arsye ndjen një nxitje e tundim të papërballueshëm për një shthurje të totale, skandaloze, e për një kundërshtim të ashpër. “Kundërshtoni shumë dhe binduni pak, se bindja e verbër iu çon në skllavëri të plotë…” (Walt Whitman) Nuk mjafton kurrë që të varësh në kremastarët e vuajtjes hallet e stërmëdha që ke, o njeri, as të ecësh në ajër me stërmundimet e përditshme, as të lutesh e të shtrish dorën nuk mjafton, duhet grushti i vërtetë i votës sate që ta hedhë në erë sundimin e gënjeshtrës dhe autokratik! Po, po, edhe në ajër, duke larguar retë e zeza të korrupsionit, të padrejtësisë, të absurditetit.

3
I pëlqen fort kandidatit për kryebashkiak të Elbasanit, profesor Luçiano Boçit, të lexojë librat e vjetër, sidomos kur ndesh përshtypjet dhe mbresat e udhëtarëve të huaj, të atyre që janë munduar të njohin nga afër jetën e qytetit dhe të rrethinave të tij, jetën e njerëzve, të besimtarëve, zakonet dhe etnografinë, shoqëruar me foto. Një prej tyre, austriaku Hygo Adolf Bernatzik në librin ‘Shqipëria – vendi i shqiptarëve’, që ka ndenjur në manastirin e Shën Gjon Vladimirit dhe ka sjellë në fillimet e shekullit XX, para syve tani, dëshmitë e jetës së njerëzve, të shqiptarëve, besimin e tyre, veshjet, jetesën, mikpritjen dhe të vërtetat e autoktonisë, si zjarri në vatër si një pikturë e gjallë që ndez me mish e me shpirt zemrat e njerëzve, që shohin të ardhmen edhe në shkëndijat që djegin lëkurët e zeza të besëtytnive, edhe duke dëgjuar krismat dhe shkrepjet e kërcurit si dhe kërcitjen e shkëndijave që sjellin përfytyrimin e së ardhmes. Kjo është edhe vuajtje, edhe dashuri. Njeriut i kishte mbetur vetëm të vdiste, kur jeta rreth e qark gëlonte, e ftonte, e shihte në sy, me fëmijët shumtë rreth e rrotull, edhe pse të uritur u qeshnin sytë e jetës. Fantastike. Çfarë energjie pozitive! Dhe e gjithë kjo pamje të mungojë në muze, të mos e njohësh, të mos të të frymëzojë…

4
Erdhi profesori, Luçiano Boçi. Jo më kot është këtilluar si njeriu i duhur për këtë qytet. O Zot! Dhe Elbasani gjithnjë është quajtur qytet problematik. Nuk të besohet. Bandat e krimit po. Ato u bënë bishat e uritura. Ndrydhja. Mosbesimi. Urrejtja. Pastaj retë e tymit në qiellin e ulur mbi krye. Çimentoja. Tullat. Shkarravina gjigante me emrin Metalurgjik. Pastaj e qeshura. Jo e qeshura, por zgërdhima, skërmitja. E megjithatë, një gjë varet shumë si e sheh. Herë-herë të bëhet se Elbasani nuk ishte aq i shëmtuar sa duket. Hem i lyer me bojë. Hem me ca klithma anësore që një qyteti pune, në skajin e kundërt të Metalurgjikut. Pastaj Elbasanit njeriu i duhur, i afrohet, përkulet para tij, e përqafon. Dhe, duke zotëruar nuhatjen e veçantë ia ndien të gjitha aromat edhe ato të fshatit: të plehut, të kashtës, të qumështit, të shkrumbit, të baltës dhe shiut, të ciknës se natës e të tymit. O Zot! Të tymit të zi shkatërrues. Pastaj antiteza: inceneratori, gropa e tmerrshme e zezë, që në hijen e tij u rrit ngrehina madhështore e pasurimit të menjëhershëm të shtetarëve, drejtuesve të vendit. Asfiksimi mbretëror i zhvillimit. Ja, pse vjen arsyeja që Luçiano Boçi e mori për qafe dhe e shtrëngoi fort qytetin e tij të ëmbël, duke e ndjerë se ai kishte nevojë për njeri, i bindur se do ta kuptonte, do ta donte duke e mbajtur për dore, bërë njësh, si një trup i vetëm. Flakërimat e zjarrit të furishëm të dashurisë që përskithej në shpirt lëshonin reflekse mbi të, mbi fytyrën e tij, duke ndenjur si i shtëpisë, si djali në shtëpinë e prindërve, pa kujdes dhe dukej si i përhumbur, i hutuar si ai njeriu që duket sikur s’di ç’të bëjë, por ama e ka të qartë punën që bën, fjalët që thotë, sepse ai e sheh tej përtej zemrën e njeriut që ka pranë, ashtu edhe zemrën e qytetit.
Luçiano Boçi fillon të flasë dhe shqipton: “Po të më japësh zemrën tënde, ruaje këtë mister të fshehtë, lidhjen tonë të fuqishme dhe këtë le ta shohin dhe ta ndiejnë të gjithë. Kjo është lidhje shpirtërore.” Fjalë të bukura e prekëse. I përfytyronte e i merr me mend që mund të jenë edhe më të sinqerta, më të thella e më të bukura. Kjo gjë i bën shumë përshtypje, ndaj dhe buzëqesh me kaq shumë hir. Si s’e kanë vënë re më parë? Ai do të donte që fjala e tij të mos qe e lehtë, por të depërtonte menjëherë në zemrat e thjeshta, si të thuash ta qepte mbrëmjen me mëngjesin, natën me ditën në një fill dashurie; javët, muajt, stinët me njëra tjetrën. E pse të mos ishte jeta e familjeve të thjeshta, e ndjerë, përplot dritë që shkëlqim, e qetë, në imshtat me trëndafila të egër, me njerëzit e përgjuar me një dritë që i stërpik, kredhur pse jo edhe në një mallëngjim të thellë, ku të endeshin ëndrrat, e ardhmja?…
Misteri i Elbasanit ishte dhe pranimi dhe mospranimi i tij. E vuan njeriu elbasanas edhe këtë. Duhej punë, punë e madhe, motivi ishte aty, në mos po do të vinte, Luçiano Boçi e ndjen, se janë në thelbin e Elbasanit këngët e mahnitshme që s’i dëgjonin më, po i tryseshin nga brenda, prej botës së tij, me shkundullima të pafundme. Mund të ishte kjo, e pamundur? Kurrë! Atëherë kushdo, pas votës së lirë le të ulej e të shtrohej në punë, pa vënë, më parë, në qetësi qenien e tij të pamposhtur. Vënia në qetësi e shpirtit, e motivit gregar do të ishte lëshim dhe jo përpjekje për të dalë fitimtar. Njeriut i duhej shtysa dhe ai e kishte të qartë që me fjalën dhe bindjen do të arrinte që e vërteta dhe e drejta t’i nxirrte njerëzit nga balta dhe t’i udhëhiqte drejt fitores. Qytetarët këtë prisnin. Prisnin të binin muzgjet blu dhe të vinin agimet e ndritshëm dhe profesori të depërtonte menjëherë në zemrat e vëllezërve të tij.
Sa më trondit kjo madhështi shpirti e qytetit tim!
Ai del dhe i sheh të gjitha me një të rrokur të syrit. Ai përkulet dhe merr në duar një foshnjë të porsalindur, e puth, i lëmoi kokën e vockël, pastaj e uli poshtë pranë se ëmës, që e është ende e habitur. Me siguri që vetëm me foshnjat e sapolindura do të mbushet gëzimi i jetës me një shpejtësi të habitshme. Luçiano Boçi përfytyron zjarret ndezur, flakët që përdridhen furishëm lart dhe herë-herë përqafohen nga era.
Mëngjesi ende në mug e gjen duke parë me kujdes rrugët e sapo lara me kujdes të Elbasanit, ashtu siç e do ai, qytetari i parë i tij…
29 mars 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here