Zana Tako, interviste

-Zonja Zana. Ndryshe nga çfarë mund të përfytyrohet një njeri i suksesshëm i biznesit si ju, merreni po me kaq sukses edhe me letërsi. Si keni arritur të ruani ekuilibrat mes këtyre dy botëve në pamje të parë krejt të ndryshme?

    – Të ruash ekuilibrin nuk është thjesht një mendim. Jeta ka boshtin e saj tek i cili mbështesim dëshirat, qëllimet, idetë, të cilat marrin jetë dhe fuqi nga forca e këtij boshti. Kam vite që punoj dhe nuk kam shumë vite që shkruaj. Puna më ka mësuar shumë, sepse kam qënë në marrëdhënie me shumë kategori njerëzish, prej të cilëve kam njohur edhe vështirësinë por edhe gëzimin, edhe dashurinë por edhe tradhëtinë, kam gjetur forcën dhe kam kuptuar vlerën e vërtetë të jetës e cila ushqen mendimin, se edhe kur gabojmë duhet të dimë të përparojmë, edhe kur rrëzohemi duhet të dimë të ngrihemi.  

    Njohja me njerëzit ka artin e saj. Ti bashkëpunon me ta nëpërmjet marrëdhënies së përditshme. Kjo marrëdhënie nuk mund të klasifikohet si një fushëbetejë ku çmimin e merr më i forti, por përkundrazi, kam kuptuar se t’i japësh më shumë vlerë seç duhet njeriut, do të thotë të burgosësh mendimet, ndjenjat. Nuk ishte ky qëllimi i jetës sime, diçka tjetër më tërhiqte në mënyrë të mistershme, ta njihja, të bëhesha pjesë e saj, të mos e tradhëtoja, t’i qëndroja besnike, të bisedoja me të e t’i shpjegoja gjithçka ndjeja dhe mendoja. Eshtë ajo fuqi që gjendet pranë secilit prej nesh, por jo të gjithë duan ta njohin dhe ta bëjnë mike shpirti. Unë po e përkufizoj me emrin Dashuri. Nuk është abstraksion por realitet i gjallë, i cili preket nëpërmjet ndjenjës, shihet nëpërmjet dëshirës së shpirtit, përqafohet me mallin e ëndrrës duke jetuar çdo çast të jetës pa e njohur ankthin dhe brengën, duke pastruar veten çdo ditë nga gjithçka që i bën dëm shëndetit të shpirtit. Kështu u gjenda në një udhë të panjohur më parë për mua, por që shumë shpejt do të bëhej gjithçka për mua. Edhe se vazhdoj të punoj e do të punoj deri sa të kem forcë dhe fuqi, nuk mund ta ndaj nga jeta ime këtë mrekulli që më shoqëron hap pas hapi, e për të cilën shkruaj prozë, poezi dhe ese të ndryshme. Për të shkruaj pa e njohur kohën, është ditë apo natë, është mëngjes apo mbrëmje. Energjia e saj është si katarakti që zhurmon brenda ideve, të cilat pasqyrojnë nëpërmjet mendimit ekzistencën e saj.

     –Cdo shkrimtar, çdo poet ka një shtysë, ka një fillim për t’u marrë me letërsi. Si lindi tek ju kjo dëshirë, ky ngacmim, të cilin disa e quajnë Hyjnor, frymëzim për të shkruar ?

     –Siç u shpreha pak më lart, u gjenda papritur në këtë udhë. Misteri troket pa e kuptuar. Nuk je ti që zgjedh, por je i zgjedhur për të dëshmuar se Dashuria ekziston dhe do të ekzistojë deri në fundin e kohërave.

     Cdo poet apo shkrimtar, çdo artist, filozof, shkencëtar, çdo i ditur mbi këtë tokë nuk mund të prodhojë prej vetvetes. Ne e quajmë artist dikë që shprehet bukur, e fjala e tij tingëllon plot jetë dhe gjallëri. Nëpërmjet madhështisë së fjalës së tij përlotemi ose qeshim me gjithë shpirt, këndojmë e duartrokasim, ashtu si edhe për një poet apo shkrimtar, i cili me vargjet e tij trondit shpirtin e ngre një popull të tërë në revolucion shpirtëror. Këto fjalë shkruhen e mbahen mend në breza e shekuj. Kështu edhe për një instrumentist të talentuar, apo për një vokal me zë hyjnor, nuk mund ta quajmë ndryshe përveçse dhuratë, e cila nuk mund të vijë prej vetvetes, por prej së larti. Zoti na do dhe na dhuron për të dëshmuar se është pranë nesh, për të krijuar duke qënë Ai artisti, Ai shkrimtari, Ai poeti që ushqen shpirtin e krijesës, për të kuptuar se ushqimi i Tij është ushqimi më i mirë i cili i jep kuptim jetës sonë. Jo të gjithë kuptojnë se kjo dhuratë nuk është talenti i tyre, nuk është përgatitja e tyre e cfilitur që i ul në vendin e nderit. Për gjithçka duhet të falenderojmë Zotin, e gjithçka duhet t’ia dhurojmë Zotit! Unë shkruaj fjalën e Tij, mendimin e Tij, krijimin e Tij si në prozë ashtu edhe në poezi. Unë pohoj se nuk jam unë që krijoj, por jam krijesë që i bindem Krijuesit tim në këtë marrëdhënie Hyjnore Krijues-krijesë. Por që të kuptosh këtë marrëdhënie, duhet të ndjesh në shpirt zërin që të flet, që të drejton për të mos gabuar. Kjo udhëheqje shpirtërore kërkon bindje dhe përkushti, duke ulur vetveten për të lartësuar Krijuesin tënd.  

    – Lexuesit janë gjithnjë të interesuar për të ditur metodën e punës së një shkrimtari, kohën më të përshtatshme për t’u ulur në tavolinën e punës dhe pastaj ecuria e përpunimeve, rishikimeve etj. Deri tani sa libra  keni  gati për botim?

     –Që të përmbushësh një ditë të tërë pune duke bërë produktive çdo minutë të saj, duhet të menaxhosh mirë kohën tënde, gjithçka në vendin e vet dhe në kohën e duhur. Njeriu mund të krijojë pa fund gjatë gjithë jetës së tij. Frymëzimi nuk është çast, moment, por është dhimbje, është gëzim, është vuajtje, është lot, është impresion, e kur të gjitha bëhen bashkë dhe trokasin fuqishëm në portën e shpirtit, atëherë fjala bëhet det duke derdhur ujvarën e saj brenda shkrimit ku vihen pikat dhe presjet, pikëçuditëset dhe pikëpyetjet.

     Të shkruash bukur nuk do të thotë të shkruash për vetveten, por do të thotë të lëvdosh dashurinë, e cila është ndjenja që të zbukuron në çdo ide, në çdo marrëdhënie e bashkëpunim edhe kur flet, edhe kur këndon, qoftë edhe kur vajton.

     Mëngjesi është koha kur puthen dashuritë, e mbrëmja është koha kur përqafohen dashuritë. Në këtë puthje e përqafim, koha ndalet për të mos shkuar, ashtu dhe fjala dhe frymëzimi i poetit, ndal  dhe niset përsëri në udhën e bukur ku krijon vetë Dashuria.

     Deri tani jam marrë me përgatitjet e katër librave për botim, të cilat duan kohë dhe përkushtim. Shpresoj t’ia dal mbanë në një kohë sa më të shkurtër.

    – Pas botimit të librit të parë “Adhuroj Atin”, dolët me librin e dytë në prozë “Dashuria, Jeta dhe Ekzistenca”, i cili përcjell shumë mesazhe filozofike. Përse ju tërheq kaq shumë kjo lloj proze?

     -Vetë jeta është filozofi, brenda së cilës duhet të kuptojmë ekzistencën tonë. Pa qenë të ditur nuk mund të duam, pa ditur të duam nuk mund të kuptojmë ekzistencën tonë.

     Vështirësitë në jetë vijnë nga padija. Të paditurit nuk dinë të luftojnë, e për pasojë humbasin. Të quhesh i humbur nuk është njëlloj si të quhesh i pasur. Por kush quhet i pasur sot në këtë ekzistencë? Miliarderët e veshjeve, apo milionerët e teknologjisë moderne? Shkojmë dhe në hënë, kërkojmë ekzistencë edhe në planete të tjerë. Mburremi se po sfidojmë plakjen, se po shpikim metoda të rinimit të trupit por jo të mendjes, jo të shpirtit. Rinojmë trupin por plakim mendjen. Mbushim kartat e krediteve, por zbrazim shpirtin nga dashuria. Blejmë makina e vila luksoze, por shesim dashurinë si veshje që na shëmton sirtaret e dollapeve. Na ze meraku për ushqimet me hormone, e nuk na ze meraku se kanceri na ka gangrenizuar shpirtin. Mund të vritemi me njëri-tjetrin për një fjalë goje, por nuk mund të përqafohemi me njëri-tjetrin në emër të dashurisë.

     Filozofia e jetës është det hulumtimi ku çdokush e gjen veten për të qenë pjesë e luftës shpirtërore në këto kohë moderne. Jemi të varfër e jo të pasur. Të pasurit e shitën dashurinë, e të varfërit ushqehen me mbeturinat e të pasurve. Jemi kalimtarë në këtë botë. Ky kalim bën të kuptojmë se cilës botë i përkasim, cilën botë dëshirojmë e cilën jetë duhet të jetojmë?

     T’i hipësh gomarit mbrapsh e të të udhëheqin të pasmet e tij, do të thotë se do të ushqehesh me jashtëqitjen e tij, e cila bëhet fjalë që të gënjen dhe ngjyrë që të tjetërson pamjen. Brenda kësaj filozofie e gjen veten gjithkush se çfarë udhe duhet të ndjekë, nga kush duhet të udhëhiqet, me çfarë duhet të ushqehet, që të dallojë e të kuptojë, dhe në jetë të dijë të përparojë.

     –Pas shumë publikimeve me poezi në gazetën letrare Nacional, por edhe në portale të ndryshme, a pritet që të dilni me një përmbledhje poetike ?

     –Sigurisht, kjo përmbledhje është gati. Titulli i saj është “Kur takohen dashuritë”. Brenda këtyre poezive është hymnizuar vetë dashuria, e cila merr ngjyrën e luleve të fushës e të malit, zëri i saj dëgjohet me cicërimën e zogjve, portreti i saj vizatohet në formën e diellit e të hënës, emri i saj lartësohet në qiell, fuqia e saj shpaloset në madhështinë e krijimit të cilin e kemi tjetërsuar pa e kuptuar humbjen tonë. Shpresoj që këto poezi të trokasin brenda çdo shpirti që do t’i lexojë duke përcjellë mesazhin e jetës: “Të duam dhe të mos urrejmë!”  

-Thuhet se jeni në përfundim edhe të një romani të ri. A mund të dinë diçka më shumë lexuesit e gazetës sonë të cilët ndjekin çdo botim tuajin?

    – Romani është një gjini të cilën e prek për herë të parë. Eshtë si të thuash një vendqëndrim ku je e rrethuar nga gjithçka dëshiron, prek, shijon, kërkon, realizon. Kështu më ndodh edhe mua, kthehem e rikthehem vazhdimisht brenda botës së tij. Krijoj me penën e shpirtit, vizatoj me ngjyrat e mendjes personazhet që përplotësojnë këtë vepër e cila është thirrje, revoltë ndaj terrorit shpirtëror dhe psikologjik që ushtroi diktatura komuniste në vitet e pasçlirimit. Kjo temë më ka tërhequr nëpërmjet ngjarjeve të jetuara e jo të shpikura të bashkëvëllezërve tanë. Nuk ishin të huaj por miq, të afërm, vëllezër e motra. Fatin e tyre mund ta përjetonte gjithkush prej nesh. Jemi për të dëshmuar e jo për të harruar. Nuk mund të heshtim kur mund të flasim. Gjithçka ndodh për një qëllim, e ne sot duhet të kuptojmë, se duhet të mbështetemi fort në vëllazëri duke u mbajtur fort në boshtin e dashurisë. Pa dashuri nuk ka jetë, e pa jetë nuk ka dashuri. Jeta nuk është lojë në duart e tjetrit. Njeriu nuk mund të luajë me fatin dhe jetën e askujt. Kjo jetë u bë lojë në duart e diktaturës, e cila la pas faqen më të shëmtuar në historinë e kombit shqiptar. Historia shkruhet për të mos u harruar. Kjo histori u bë shembull për çdo shqiptar që di të mbrojë integritetin e tij.

     Cdo popull i ka rrënjët tek historia, e nëse e tjetërsojmë historinë duke manipuar faktet dhe ngjarjet, atëherë kemi humbur çdo vlerë si komb. Gjaku i të parëve nuk mund të thahet. Vuajtjet e të afërmëve tanë nuk mund të harrohen. Mizoritë nuk mund të ç’bëhen. Gjithçka shkruhet për t’u ruajtur në arkivat e kohës, e cila i ruan në shekuj e dekada. Në këtë roman pasqyrohet një pjesë e këtyre ngjarjeve, të cilat dëshmojnë se njeriu duhet të dijë të zgjedhë si në ditë të vështirë ashtu edhe në ditë të mirë. Por zgjedhja tregon përgatitjen e shpirtit i cili nuk vdes por jeton, nuk mposhtet por fiton.

     Romani është drejt fundit të tij, megjithëse kam ende punë me redaktimin dhe korrektimin. Shpresoj që brenda këtij viti ta kem dorëzuar për botim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here