- ZEF ZEFAJ – MJEKU QË U BË INSTITUCION
Mesazh urimi, gjinekologut të talentuar, “Mjeshtrit të Madh” Dr.Zefaj, në 80-vjetorin e lindjes së tij
Shumë njerëz lënë pas emrin e tyre në dokumente, libra apo fotografi. Ka të tjerë që jetojnë gjatë në kujtesën e njerëzve, sepse veprën e kanë shkruar në jetën e përditshme të një komuniteti. Ata nuk mbahen mend vetëm për atë çfarë kanë bërë, por për atë çfarë kanë qenë. Kësaj kategorie i përket pa dyshim edhe doktori i mirënjohur Zef Zefaj, një nga figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare dhe një ndër personalitetet më të respektuara të qytetit të Lezhës.
Nuk është rastësi që Materniteti i Spitalit Rajonal
FRAN GJOKA
të Lezhës mban sot emrin e tij. Ky nuk është vetëm një vendim administrativ, por shprehja më domethënëse e mirënjohjes së një qyteti ndaj njeriut që për më shumë se katër dekada e shndërroi profesionin në mision dhe shërbimin ndaj jetës në ideal.
Me vendimin nr. 41, datë 23 mars 2018, Këshilli Bashkiak i Lezhës vendosi unanimisht që Shtëpia e Lindjes të mbajë emrin “Dr. Zef Zefaj”, duke vlerësuar kontributin e tij në themelimin dhe konsolidimin e shërbimit obstetriko-gjinekologjik, në rritjen e cilësisë së kujdesit ndaj Nënës dhe Fëmijës, në futjen për herë të parë të teknikave të reja mjekësore në Spitalin e Lezhës dhe në ngritjen e standardeve profesionale të këtij shërbimi. Ishte një vendim që nuk nderonte vetëm një mjek, por një epokë të tërë të shëndetësisë lezhjane.
Më 26 korrik 1946, në fshatin Tresh të Lezhës, erdhi në jetë Zef Zefaj. Fëmijëria e tij nuk pati lehtësitë që do të dëshironte çdo fëmijë. Vetëm katër vjeç mbeti pa të atin, i cili u vra tragjikisht nga bandat kriminale të kohës dhe më pas u shpall Dëshmor i Atdheut. Kjo humbje e hershme la gjurmë në jetën e tij, por nuk e ligështoi karakterin. Përkundrazi, e bëri më të fortë, më të ndjeshëm ndaj dhimbjes njerëzore dhe më të vendosur për t’i shërbyer jetës.
Nga nëna trashëgoi një tjetër pasuri të çmuar. Ajo vinte nga një familje e njohur e Bulgjerit të Rubikut, e cila ishte dalluar brez pas brezi për dijet e mjekësisë popullore dhe për gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Ndoshta pikërisht aty, në atë traditë të heshtur humanizmi, u mboll fara e thirrjes së tij drejt mjekësisë.
Shkollën fillore, shtatëvjeçaren dhe gjimnazin i kreu në Lezhë, duke qenë pjesë e brezave të parë të gjimnazit “Hydajet Lezha”. U dallua për rezultate të shkëlqyera dhe për një disiplinë shembullore. Që në bankat e shkollës e kishte të qartë rrugën që dëshironte të ndiqte. Ëndrra për t’u bërë mjek nuk ishte një dëshirë kalimtare, por një bindje e hershme që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Në vitin 1964 nisi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ishin vite kërkuese, por ai i jetoi me përkushtim dhe seriozitet. Përveç studimeve, mori pjesë aktive në rrethet shkencore të fakultetit dhe u dallua për prirjen ndaj kërkimit shkencor. Madje, referoi edhe temën e tij të parë në një sesion kombëtar studentor, një tregues i qartë se për të mjekësia nuk do të ishte vetëm praktikë, por edhe dije e vazhdueshme.
Pas diplomimit në vitin 1969, filloi specializimin në obstetrikë-gjinekologji pranë Maternitetit të Tiranës. Aty u formua profesionalisht nën drejtimin e specialistëve më të mirë të kohës, duke fituar përvojën që do ta vinte më pas në shërbim të vendlindjes.
Kur përfundoi specializimin në fund të vitit 1972 dhe u kthye në Lezhë, përpara kishte një sfidë të jashtëzakonshme. Shërbimi obstetriko-gjinekologjik ishte ende në hapat e parë, infrastruktura ishte modeste, ndërsa lindjet në shumë zona të thella vazhdonin të kryheshin në kushte të vështira, shpesh larg çdo sigurie mjekësore. Për shumëkënd kjo do të kishte qenë vetëm një detyrë pune. Për doktor Zef Zefajn ishte misioni i jetës. Ai nuk u mjaftua të punonte brenda mureve të maternitetit. Filloi të ndërtonte një sistem të ri shërbimi, të organizonte ekipet, të rriste nivelin profesional të mamive dhe infermierëve, të vendoste standarde të reja pune dhe, mbi të gjitha, të krijonte besimin se çdo nënë, pavarësisht se ku jetonte, kishte të drejtën të sillte në jetë fëmijën e saj në kushte sa më të sigurta. Që nga ato vite filloi një histori që do të ndryshonte përgjithmonë fytyrën e shërbimit obstetriko-gjinekologjik në Lezhë.
Kur mjekësia bëhet mision.
Kur doktori i ri Zef Zefaj mori drejtimin e Shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Spitalin e Lezhës, nuk kishte përpara një institucion të konsoliduar, por një fushë të gjerë pune që priste të ndërtohej me përkushtim, dije dhe vizion. Ishin vitet kur shërbimi shëndetësor në Shqipëri po përpiqej të shtrihej në çdo cep të vendit, ndërsa në shumë zona lindjet vazhdonin të kryheshin në shtëpi, larg çdo ndihme të specializuar. Për nënat dhe foshnjat, kjo përbënte një rrezik të vazhdueshëm.
Dr. Zef Zefaj e kuptoi se mjeku nuk duhej të priste pacientin; shpesh ishte ai që duhej të shkonte tek pacienti. Kjo filozofi pune u bë boshti i gjithë veprimtarisë së tij profesionale.
Në vitin 1973 ai organizoi për herë të parë shërbimin e pavarur të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Spitalin e Lezhës, duke krijuar një strukturë moderne për kohën, me përgjegjësi të qarta, shërbim të pandërprerë dhe një disiplinë profesionale që do të shërbente si model për vitet që do të vinin. Nuk ishte thjesht një ndryshim organizativ, ishte fillimi i një kulture të re pune, ku në qendër vendosej siguria e nënës dhe e fëmijës.
Në pak vite u zgjerua ndjeshëm rrjeti i materniteteve dhe i pikave të lindjes në të gjithë rrethin. Nga tre maternitete që funksiononin më parë, numri i tyre arriti në gjashtëmbëdhjetë, ndërsa personeli obstetrikal u shumëfishua. Ky zhvillim nuk ishte vetëm statistikë, ai nënkuptonte më shumë gra që kishin pranë një mami të kualifikuar, më shumë foshnja që vinin në jetë në kushte të sigurta dhe më shumë familje që fitonin besim te shërbimi shëndetësor.
Por doktor Zefi nuk e shihte mjekësinë si një profesion që mbaronte në pragun e spitalit. Shpesh ai nisej drejt zonave më të largëta malore të Lezhës, Mirditës, Kurbinit, madje edhe të Pukës, për të ndihmuar gra që nuk kishin mundësi të mbërrinin në maternitet. Ishin udhëtime të gjata, të lodhshme dhe shpesh të rrezikshme. Në shi, në borë, në vapë, ditën apo në mesnatë, ai dhe ekipi i tij përshkonin kilometra të tëra në këmbë ose me mjetet e pakta të kohës, sepse përballë tyre nuk ishte vetëm një rast mjekësor, por një jetë që priste të vinte në këtë botë.
Janë rreth njëqind lindje të kryera jashtë ambienteve spitalore, në kushte tepër të vështira, një dëshmi e rrallë e sakrificës dhe e përgjegjësisë profesionale. Për çdo familje që përjetoi ato çaste, prania e doktor Zefit ishte sinonim i shpresës.
Në ato vite, sfidë e madhe ishte edhe vdekshmëria foshnjore. Kur ai mori drejtimin e shërbimit, statistikat ishin shqetësuese. Vetëm në vitin 1972 regjistroheshin 44 vdekje foshnjore për çdo një mijë lindje. Ishte një realitet që kërkonte jo vetëm punë të përditshme, por edhe ndryshim të mënyrës së të menduarit.
Së bashku me ekipin e tij, doktor Zef Zefaj ndërtoi një sistem të ri monitorimi të shtatzënive, rriti kontrollin para lindjes, forcoi bashkëpunimin me mamitë dhe përmirësoi ndjekjen e të porsalindurve. Falë këtij organizimi dhe punës së palodhur, raporti i vdekshmërisë foshnjore ra në mënyrë të ndjeshme, duke zbritur nga 44 në vetëm 15 raste për një mijë lindje. Për kohën, ishte një arritje e jashtëzakonshme, që fliste më shumë se çdo dekoratë.
Dr. Zef Zefaj, “Mjeshter i madh”
Në 80-vjetorin e tij
Po aq domethënës ishte edhe një tjetër sukses. Në maternitetin e Lezhës u arrit të eliminohej vdekshmëria amtare gjatë lindjes, një tregues që, nga viti 1994, mbeti në nivelin zero. Pas këtij rezultati fshiheshin mijëra orë pune, qindra ndërhyrje të vështira, vendime të marra në sekonda dhe një përgjegjësi që nuk njihte pushim.
Mjekësia nuk është vetëm shkencë, ajo është edhe besim. Dhe ky besim fitohet me përkushtim. Pikërisht për këtë arsye, doktor Zef Zefaj u bë shpejt jo vetëm shefi i repartit, por njeriu tek i cili njerëzit drejtoheshin me sigurinë se do të gjenin zgjidhje, qetësi dhe mbështetje.
Kolegët kujtojnë se ai ishte kërkues para së gjithash me veten. Kërkonte disiplinë, përpikmëri dhe përgatitje profesionale, por po aq dinte të inkurajonte dhe të mbështeste stafin e ri. Për shumë mjekë, mami dhe infermierë që hodhën hapat e parë në maternitetin e Lezhës, doktor Zefi nuk ishte vetëm drejtuesi i repartit, ai ishte mësuesi që u mësoi se mjekësia nuk ushtrohet vetëm me dije, por edhe me ndërgjegje.
Në këtë rrugëtim ai pati përkrah bashkëpunëtorë të përkushtuar, ndër të cilët vend të veçantë zinte i ndjeri doktor Llesh Mataj, drejtues i Shërbimit Pediatrik. Bashkëpunimi ndërmjet tyre krijoi një frymë pune ku interesat e pacientit ishin gjithmonë mbi gjithçka tjetër. Ishte një partneritet profesional që la gjurmë në historinë e spitalit dhe në kujtesën e brezave të mjekëve.
Pak nga pak, materniteti i Lezhës nuk ishte më thjesht një repart spitalor. Ai po shndërrohej në një institucion ku profesionalizmi, humanizmi dhe përgjegjësia ecin krah për krah. Çdo lindje e suksesshme ishte një fitore e heshtur. Çdo fëmijë që qante për herë të parë ishte dëshmia më e bukur e një misioni që vazhdonte çdo ditë, pa bujë, por me përkushtim të pashtershëm. Në ato vite u hodhën themelet e një shërbimi që shumë shpejt do të tërhiqte vëmendjen jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë.
Kur përvoja kthehet në shkollë.
Një mjek i mirë nuk kënaqet kurrë me atë që di. Ai kërkon vazhdimisht të mësojë, të përsoset dhe t’ia kthejë dijen shoqërisë në shërbim konkret. Ky ishte edhe parimi që udhëhoqi gjithë jetën profesionale të doktor Zef Zefajt. Për të, diploma nuk shënonte fundin e të mësuarit, por fillimin e një përgjegjësie të re.
Që në vitet e para të punës, ai e kuptoi se zhvillimi i shërbimit obstetriko-gjinekologjik nuk mund të mbështetej vetëm në përvojën praktike. Përparimi kërkonte kërkim shkencor, përditësim të vazhdueshëm dhe guxim për të sjellë risi. Kjo e shtyu të merrte pjesë në sesione shkencore, konferenca dhe botime profesionale, duke u bërë një nga zërat më aktivë të mjekësisë shqiptare në fushën e obstetrikës dhe gjinekologjisë.
Që në vitin 1970, në bashkëpunim me doktor Apollon Gjebrenë, ai botoi studimin e tij të parë në revistën “Shëndetësia Popullore”, një punim që u mirëprit nga komuniteti shkencor. Më pas, gjatë viteve 1973–1990, referoi një numër të madh temash në sesionet shkencore të Spitalit të Lezhës, ndërsa shumë prej tyre u botuan në revistat “Shëndetësia Popullore” dhe “Nëna dhe Fëmija”. Këto nuk ishin thjesht arritje personale; ato pasqyronin përvojën e fituar në terren dhe dëshirën për ta kthyer atë në dije të dobishme për kolegët. Ndërkohë, puna në maternitet nuk reshti asnjë ditë. Përkundrazi, përvoja e përditshme bëhej burimi më i mirë i kërkimit shkencor. Çdo rast i vështirë, çdo ndërhyrje dhe çdo sukses i shërbimit analizoheshin me kujdes, për të nxjerrë mësime dhe për të përmirësuar më tej praktikën mjekësore. Falë këtij vizioni, materniteti i Lezhës filloi të shquhej jo vetëm për rezultatet klinike, por edhe për kulturën profesionale që po ndërtohej brenda tij.
Në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria po hynte në një periudhë të re zhvillimi, doktor Zef Zefaj ishte ndër mjekët që kërkuan të sillnin në vend përvojat më bashkëkohore evropiane.
Në vitin 1993 ai u përfshi në një program studimor në Tunizi, ku së bashku me specialistë të tjerë shqiptarë u njoh me metodat moderne të planifikimit familjar. Kjo përvojë u bë një pikënisje e rëndësishme për zbatimin e praktikave të reja edhe në Shqipëri. Po aq i rëndësishëm ishte specializimi në Kantonin Vaud të Zvicrës, organizuar në bashkëpunim me Caritasin Zviceran dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Atje ai pati mundësinë të njihte nga afër standardet më të avancuara të kujdesit obstetrikal, të cilat më pas i përshtati me sukses në realitetin shqiptar. Ai u trajnuan gjithashtu në Yverdon të Zvicrës, në Stamboll, në Moskë dhe në qendra të tjera të rëndësishme mjekësore, duke sjellë në Lezhë jo vetëm dije të reja, por edhe një filozofi moderne të trajtimit të nënës dhe të porsalindurit.
Një nga kapitujt më të rëndësishëm të veprimtarisë së tij lidhet me transformimin e maternitetit sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në mesin e viteve ’90, nën drejtimin e doktor Zef Zefajt dhe ekipit të tij, në maternitetin e Lezhës filluan të zbatoheshin praktika krejtësisht të reja për vendin tonë. U vendos që foshnja të qëndronte pranë nënës menjëherë pas lindjes; u inkurajua ushqyerja ekskluzive me gji, u krijuan kushtet që edhe babai të ishte i pranishëm në momentin e lindjes dhe u braktisën gradualisht praktika të vjetruara që nuk i shërbenin më mirëqenies së nënës dhe fëmijës. Sot këto mund të duken të zakonshme. Atëherë ishin risi të guximshme. Falë këtyre ndryshimeve, materniteti i Lezhës fitoi statusin “Spital Mik i Fëmijëve”, duke u bërë i pari institucion i këtij lloji në Shqipëri dhe ndër të parët në Evropë që plotësoi standardet ndërkombëtare të këtij programi. Ky ishte një sukses që nuk i përkiste vetëm një spitali. Ishte një sukses i mjekësisë shqiptare. Përvoja e Lezhës u bë model për shumë maternitete të tjera të vendit. Specialistë nga qytete të ndryshme vinin për të parë nga afër mënyrën e organizimit të punës, ndërsa rezultatet e këtij transformimi u prezantuan në konferenca dhe seminare kombëtare e ndërkombëtare.
Në shumë drejtime, materniteti i Lezhës u kthye në një shkollë të vërtetë profesionale.
Për doktor Zef Zefajn, zhvillimi i shërbimit nuk ishte kurrë meritë e një njeriu të vetëm. Ai besonte te forca e ekipit. Prandaj investoi vazhdimisht në përgatitjen e mjekëve të rinj, të mamive dhe të infermierëve, duke krijuar një klimë pune ku profesionalizmi dhe respekti për pacientin ishin parime të panegociueshme. Shumë prej specialistëve që sot ushtrojnë me sukses profesionin në Lezhë dhe më gjerë e kujtojnë atë si mentorin e tyre të parë. Ai nuk impononte autoritetin me zë të lartë, por me shembullin personal. Ishte ndër ata drejtues që më shumë mësonin duke punuar sesa duke urdhëruar. Pikërisht për këtë arsye ndikimi i tij nuk kufizohet vetëm në mijëra pacientët që trajtoi. Ai vazhdon të jetojë edhe në punën e brezave të mjekëve që formoi, në kulturën profesionale që la pas dhe në standardet që vendosi. Mbase ky është suksesi më i madh i një mjeku: jo vetëm të shpëtojë jetë, por të formojë njerëz që do të vazhdojnë të shpëtojnë jetë edhe pas tij. Në këtë kuptim, doktor Zef Zefaj nuk ndërtoi vetëm një repart. Ai ndërtoi një traditë profesionale që vazhdon të japë fryte edhe sot.
Trashëgimia që nuk njeh kohë.
Pak njerëz kanë fatin që puna e tyre të matet jo me vitet e shërbimit, por me jetët që kanë ndihmuar të nisin. Doktor Zef Zefaj është një prej tyre. Për më shumë se katër dekada, ai nuk ishte thjesht një obstetër-gjinekolog i aftë, ai ishte njeriu që ndante me mijëra familje çastin më të bukur dhe më të përgjegjshëm të jetës së tyre. Në sallat e maternitetit të Lezhës, nën kujdesin e tij dhe të ekipit që drejtoi me profesionalizëm, erdhën në jetë rreth 43 mijë fëmijë. Pas këtij numri marramendës nuk fshihen vetëm statistika. Fshihen mijëra histori familjesh, mijëra lot gëzimi, mijëra zemra që nisën të rrahin për herë të parë nën kujdesin e një mjeku që e konsideronte çdo lindje si një përgjegjësi të shenjtë. Edhe në vitet më të vështira, kur mungonin mjetet, infrastruktura apo kushtet optimale, ai nuk lejoi kurrë që këto pengesa të bëheshin justifikim për të ulur cilësinë e shërbimit. Përkundrazi, ishte bindur se vlera më e madhe e një mjeku nuk qëndron vetëm te pajisjet moderne, por te ndërgjegjja profesionale, dija dhe përkushtimi. Kjo filozofi pune e shoqëroi deri në ditën e fundit të karrierës së tij aktive.
Veprimtaria e doktor Zef Zefajt nuk mbeti e kufizuar brenda mureve të spitalit. Përvoja e tij profesionale u bë pjesë e zhvillimit të politikave moderne të shëndetit riprodhues në Shqipëri. Në vitin 1995 ai kontribuoi, së bashku me specialistë të tjerë, në hartimin e ligjit “Mbi Abortin”, ndërsa për një dekadë drejtoi programet e planifikimit familjar për zonën veriore të vendit. Njëkohësisht, ai vazhdoi të kontribuonte edhe në fushën akademike. Bashkautor i librit “Pyetje dhe Përgjigje në Gjinekologji”, si dhe autor i një botimi tjetër mbi problematikat gjinekologjike, ai u përpoq ta shndërronte përvojën e fituar gjatë mijëra ndërhyrjeve klinike në dije të dobishme për brezat e rinj të mjekëve. Në çdo etapë të jetës profesionale ai mbeti besnik një motoje të thjeshtë, por të thellë: “Nga çdo shtatzëni e nisur duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm.” Në këtë fjali përmblidhet e gjithë filozofia e tij si mjek. Nuk ishte vetëm një objektiv profesional, ishte një mënyrë të menduari, një etikë pune dhe një premtim ndaj jetës.
Shoqëria shqiptare dinte të vlerësonte njerëzit që linin gjurmë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të shëndetit të nënës dhe fëmijës, doktor Zef Zefaj u nderua me urdhra e medalje të ndryshme, ndër të cilat spikat Urdhri “Për Shërbime Shëndetësore” i Klasit të Parë. Më pas, Presidenti i Republikës i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, një vlerësim që u rezervohet personaliteteve me kontribute të veçanta në jetën e vendit. Megjithatë, ndoshta nderimi më i bukur nuk erdhi nga institucionet. Ai erdhi nga qyteti. Vendimi që Materniteti i Spitalit Rajonal të Lezhës të mbajë emrin “Dr. Zef Zefaj” është shumë më tepër sesa një akt administrativ. Është një shenjë mirënjohjeje qytetare, një mënyrë për t’u thënë brezave të ardhshëm se ka njerëz që e meritojnë të kujtohen çdo ditë. Sepse emrat e institucioneve nuk zgjidhen rastësisht. Ata u besohen njerëzve që kanë ditur t’u japin institucioneve shpirt.
Vlerësimet e kolegëve të tij janë po aq domethënëse sa dekoratat.
Profesorë, drejtues institucionesh dhe mjekë të njohur kanë folur gjithmonë me respekt për profesionalizmin, seriozitetin dhe humanizmin e doktor Zef Zefajt. Ata kanë vlerësuar jo vetëm aftësitë e tij si kirurg dhe obstetër, por edhe cilësitë e tij si drejtues, edukator dhe koleg. Ata e kujtojnë si njeriun që nuk reshti kurrë së mësuari dhe së mësuari të tjerët, si drejtuesin që kërkonte disiplinë pa humbur njerëzoren, si mjekun që nuk e ndante profesionin nga përgjegjësia morale. Ky është respekti që nuk fitohet me një vendim apo me një titull. Ai fitohet vetëm me një jetë të jetuar në shërbim të të tjerëve.
Sot, kur doktor Zef Zefaj gëzon vitet e pensionit, ai mbetet po aq i pranishëm në kujtesën e qytetit. Vazhdimisht e kërkojnë mjekët e rinj për konsulta dhe sherbime. Breza të tërë prindërish, mjekësh dhe infermierësh vazhdojnë ta përmendin me mirënjohje, sepse secili ruan një kujtim që lidhet me emrin e tij: një lindje të vështirë, një këshillë profesionale, një natë pa gjumë në sallën e lindjes apo një fjalë qetësuese në çastet më të vështira. Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për modele të vërteta, figura e doktor Zef Zefajt dëshmon se madhështia nuk ndërtohet me bujë, por me punë të përditshme, me përkushtim dhe me ndershmëri. Ai nuk kërkoi kurrë lavdi. Lavdia e gjeti vetë. Jo sepse ishte një mjek i shquar, por sepse ishte një njeri i madh.
Në vend të epilogut
Në historinë e çdo qyteti ka njerëz që bëhen pjesë e identitetit të tij. Ata nuk ndërtojnë vetëm institucione; ndërtojnë besim. Nuk lënë pas vetëm kujtime, lënë shembull. Doktor Zef Zefaj është një prej atyre personaliteteve që i japin kuptim fisnikërisë së profesionit të mjekut. Lezha ka nxjerrë shumë njerëz të nderuar, por pak prej tyre kanë pasur privilegjin të lidhen kaq ngushtë me fillimin e jetës së mijëra qytetarëve të saj. Për këtë arsye, emri i tij është tashmë pjesë e historisë së këtij qyteti dhe e kujtesës së mjekësisë shqiptare.
Në përvjetorin e lindjes së tij, nderimi më i bukur nuk është vetëm urimi për shëndet e jetë të gjatë. Është mirënjohja e sinqertë për një jetë të tërë të vënë në shërbim të jetës. Sepse ka emra që shkruhen në gur. Ka emra që shkruhen në libra. Por ka edhe emra që shkruhen në zemrat e njerëzve. Emri i doktor Zef Zefajt është njëri prej tyre i shkruar në zemrat e njerëzve.


















