JO MË HESHTJE
Dita zgjohet me ëndrrat e mia,
shtegut të vjetër kërkon gjurmët e braktisura
nisur me erën e llastuar që bart ëmbëlsi puthjesh,
atje tej mbi oqeane ku malli mërgon e s’kthehet,
degdiset në ferrin e historive të largëta
ku sosen vitet e harrimit, vjeshtës së ikur
rinis shkundja e kujtimeve të pluhurosura.
Digjesh në imazhe të përthyera si dritë syri,
ngjitesh kreshtave të papushtuara, me vragë shpirti.
E mbaj mend që një herë më pate thënë:
“Heshtja si ngjan kurrë heshtjes
që servilet si në debate politike, ti s’e njeh
këtë gjuhë mashtrimi, as shterpësinë e fjalës,
vazhdo të duash, siç do Zotin tënd, diellin dhe yjet…
edhe trëndafilat duaj, janë vrull i gjakut tënd”!
Të guxoj të them: Jam e lumtur që njoha një botë!
MË SHUMË SE SHPËRFILLJE
Flokëshprishur pas shiut…, gjysmëdehur
e ëndërronjës më vjen.
Nën balluke të del shikimi i mprehtë
si smerald ndjellës,
përtej vrojton jetën e lodhur
që bart si relikt dhoma me vetmi shekujsh.
Heshtja flet për trazimin e motit
si apostujt në pikturë ngujuar.
Sa herë që era ta shpërprish ëndrrën,
strukesh në shpirtin tim
që të bën vend miqësisht!
Sërish mbetesh eremit i dalldisur,
gojëkyçur si mister,
shpërfillës në trishtimin tim.
Ike larg ku s’të zë shikimi i zjarrtë,
në eshkë dhimbjesh të shndërroi heshtja.
HELIOGRAFE MALLI
Nisesh larg, në udhë të gjatë pa kthim
me trishtimin sysh ngarkuar,
si valixhe brengash – më thua,
të joshet loti nëpër natë!
Në pikëllim qesh tretur unë!
Yjet përgjumen në pritje buzëqeshjesh
përtej çdo ëndrre mashtruese,
misteret mbyllur nën magji legjendash
enden si fije të pritshme fatesh.
Buzëqeshjen ku e humbëm?
Era fryn si për mot, gjithandej në xixa malli
fosile kujtimesh trazon, me ato ngjyrë bordoje
prek mallin nga afër që më bart tek ti…
me dridhma gishtërinjsh si flakë shandanësh.
Në ç’shteg përvidhet dashuria?
Shkëmbyem dy-tre shikime të ftohta
si kristale bore mbi liqene dashurish,
veç e zjarrta puthje mbi buzë më mbeti
as era e furishme, s’e mori, s’e treti.
Ah, kjo dehje amshimi si heliografe malli!
SIMFONI E HESHTUR DHEMBJESH
Në ngjyrat e pajetë të stinës së vonuar
ndihet fryma e fundit e dashurisë,
në fytyrën e bronztë si portret hyjnie
zjarrmon shikimi i qelibartë, klithje
dhembjesh lexohen tok me lundrimin
në ujërat e pashtershëm të jetës…
Në pragun e amshimit, si emblemë dhembja
mbështjellë në mua si këngë pikëllimi.
Erë malli bie fundi i heshtjes!
Nisesh… si kalorës legjendash, në fluturim
si mbi re lëshuar me flatrat e shpresës
për çastin e lindjes së yllit si dritë zemrash
me bardhësi hyjnore mbi lundrën e fatit,
ditën që erdhe me hir perëndish
sa net të pikëlluara kanë ikur.
Me penjtë e kohës arnojmë fatin e copëtuar,
nuk e di më, në duhet të qesh a duhet të qaj!
Bie erë malli fundi i dhembjes!
INTUITË GRUAJE
Papritur erdhe si yll i rënë nga qielli,
atë kohë kur e rëndë qe stina
në shtjellë ëndrrash vezullove.
Parajsë e ferr si në rrugëtimin e Dantes
përshkove kujtimet, por jo dhe mallin,
në shpirt endet imazh i lodhur
në ikje, ashtu si ardhja e papritur.
As bota nuk bie në harresë pa ty
me dhembjen që s’pran këtë çast,
sërish vjeshtë, sërish stuhi!
Sa do të doja kjo vjeshtë të ishte në ikje,
tekdo ka hedhur brerimë malli e pritjeje,
në arenë dyluftimi lëvaret ëndrra…
Midis saj: një Njeri a Perëndi?!
PËRTHYERJE SHPIRTI
Në mijëra grimca thyhet shpirti,
syri digjet
dhimbjesh, si në pasqyrë dritësuar
Maria Magdalena.
O fshehtësi ëndrrash që tundove stuhitë!
Sojin na e mallkove,
me buzët e puthura djallëzisht,
në ashtin e mëkatit mbolle fat gruaje,
me të e mbarse kohën.
Dy botë, në dy kohë pa nuanca profetike
blatojnë plagë,
dehjet pushtojnë pa u përlotur,
pafajësia engjëllore s’e zbut vetminë,
dy ama gufuar…
Jetojmë në botët tona, pa hire perëndish,
blasfemitë ngrenë vargmale mëkatesh,
ndizen të tjera vatra dashurie,
në mijëra grimca përthyhet shpirti.