Autore e vëllimeve poetike “Më merr në ëndrra” dhe “Puthja e jetës”
Elvira Zeneli, zëri poetik i ndjeshmërisë dhe përkushtimit arsimor
“Fabuliste, tregimtare, eseiste dhe poete; Master në politikat e edukimit në arsim , një personalitet që ndërthur krijimtarinë letrare me misionin pedagogjik dhe angazhimin shoqëror.”
Nga Zekerija Idrizi
Zonja Elvira Zeneli ka lindur në qytetin e Klosit, të rrethit të Matit. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në qytetin e saj të lindjes, ndërsa të lartën në degën e mesuesisë në Universitetin e Tiranës.
Që në moshë të njomë fëmijërore ajo ka ndjekur me pasion ligjërimin edukativo-arsimor të babait të saj inxhinier i gjeologjisë. Ai mbante rregullisht ditar me vete, ku i shënonte gjitha mbresat dhe përsiatjet e tij për jetën. Mandej, e bija i ngjante shumë, si në imazh, ashtu edhe në inteligjencë e urtësi. Poashtu, ajo ka ndjekur me dashuri e përkushtim të thellë edhe këshillat e arta edukative të së ëmës së saj të urtë e me karakter engjëllor. Rrjedhimisht, ajo ndoqi me pasion hobin e babait të saj, duke u bërë nga ajo kohë një ditariste e tërëjetshme. Mandej po me zell ndoqi edhe hapat e tij në edukim e arsimim. Qysh filloriste tregoi talentin e saj të rrallë në shkrime, duke e prezantuar atë denjësisht në hartimet e shkollës. Shkrimet e saj lexoheshin publikisht në klasë dhe vareshin edhe te gazeta e murit të shkollës, që quhej “Letrari i ri i shkollës”.
Talentin e saj shkrimor e vuri re arsimtari i saj i gjuhës dhe letërsisë, Gjokë Dabaj, i cili një ditë do t’i thotë hapur: “Elvira, nëse ti vazhdon me këtë ritëm e stil të të shkruarit do bëhesh të ardhmen një shkrimtare e spikatur!”.
Po këtë talent ajo do ta shpërfaqë edhe në gjimnaz, për të kulmuar më vonë ca më thellë në vitet e studimeve universitare. Ne vitet ne vazhdim ajo pati sukses në fabula, tregime, ese dhe veçanërisht në fushën e poezisë. Pasojnë radhazi publikimet e saj nëpër gazeta, revista e portale të ndryshme kulturo-artistike e letrare, si: gazeta prestigjioze “Nacional”, “Bota Sot”, “Migjeni” (Suedi), “Gjurmë penash”, “Albaniapress”, “Dritare”,“Destinacion”, “Ciceroni”, “ORFEU”, “Përqasje”, në gazetat e Dukagjinit. Ajo ka nje pervoje te mire edhe si Kryeredaktore e rregullt e revistës së mirënjohur për fëmijë “Zog Mëngjesi” etj. Kuptohet, gjitha mediat e shkruara e kanë nderuar, por respektin më të veçantë në vështrime e publikime asaj ia ka bërë eruditi e poliedriku Dr. Mujë Buçpapaj – Editori i gazetës prestigjioze letrare dhe kulturore “Nacional”.
Krijimtaria e saj letrare kulmon edhe në botim e dy vëllimeve me poezi nga Shtepia Botuese Nacional, gjate vitit te kaluar, te cilet jane pritur shume mire nga kritika letrare, akdemike.
Pikërisht për këtë shpërthim të sajin krijimtar letrar ajo do marrë reçensa, vështrime e qasje kritiko-letrare nga shumë studiues, poetë, shkrimtarë e kritikë të mirëfilltë të letërsisë, të cilët e kanë vlerësuar lart opusin e saj letrar, me theks të veçantë poetikën e saj. Krijimtaria e Elvires ngërthen vlera mjaft cilësore ideoestetike dhe artistike, mbarështruar nga muza e saj mahnitëse me mjaft stil, figuracion, estetizëm dhe metafora të larmishme që shpëfaqin një hermeneutikë kuptimësish të thella filozofike për njeriun dhe jetën e tij në shoqëri e shtet, për vragët e numërta social-psikologjike e arsimore, për figurën hyjnore të gruas e nënës dhe pozitat e saj në familje e shoqëri, si dhe për vlerat më substanciale të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare. Do veçuar madje faktin që në dominancë ajo shkëlqen shumë në fushën e lirikave, në fokus të së cilave ajo prezanton një dashuri ideale, përmasash shenjtërie, midis çifteve dashurore e bashkëshortore.
Paralelisht me këtë elan e vrull ajo do të shkëlqejë edhe në fushën e arsimit, duke përfunduar me sukses studimet postdiplomike, me ç’rast e merr titullin Master në shkencë e arsim.
Në këtë kontekst ajo është një Mësuese sa inteligjente dhe konstruktive në procesin mësimor metodiko-didaktik, po kaq edhe një drejtuese e menaxhuese e sukseshme e politikave edukativo-arsimore në vend. Edhe në këtë rrafsh kruacial për shtetin dhe shoqërinë ajo ka shkruar dhe publikuar një mori kumtesash, esesh e vështrimesh kritike për mbarëvajtjen sa më në nivel të sistemit arsimor në vend dhe më gjerë në Shqipëri. Para një sërë problemesh në këtë drejtim ajo nuk ka qëndruar duarkryq e indolente, por i është përveshur punës me përgjegjësi të lartë profesionale për të rimëkëmbur cilësisht procesin pedagogjiko-arsimor. Në veçanti, krahasimisht me këtë, ajo është edhe një veprimtare e dalluar në aktivitete e saj social-shoqërore e politike, në ç’drejtim ka publikuar edhe mjaft shkrime e trajtesa studimore në shtyp për problemet e komunitetit, të familjes shqiptare në tranzicion, për çështjet e meritokracisë dhe për identitetin kombëtar. Veçanërisht atë e brengos fakti i shpopullimit të trevave tona me migrimin e shumë familjeve shqiptare në vendet perëndimore dhe për pasojë shkollat po zbrazen dendur, për ç’gjë ajo edhe ka reaguar disa herë me shkrime në mediat e shkruara për senzibilizimin e gjeneratave të reja për të qëndruar në vatrat e tyre dhe për t’i shërbyer me dinjitet atdheut.
Elvira Zeneli , deri më sot ka botuar vëllimet vijuese poetike me titujt: MË MERR NË ËNDRRA dhe PUTHJA E JETËS. Ajo tashmë ka gati për botim në shtypshkronjë edhe vëllimin e tretë me poezi, të cilin presim ta nxjerrë së shpejti. Në dorëshkrim ka në proces rrumbullakimi përfundimtar edhe proza me fabula, ese e tregime.
Edhe përkundër spektrit të gjerë e shumështresor të aktiviteteve e veprimtarive, ajo është edhe një bashkëshorte fisnike dhe një nënë e përkushtuar në familjen e saj. Fëmijët e saj ndjekin me zell e përkushtim të thellë gjurmët dhe hapat e prindërve të tyre në edukim dhe arsimim.
Uroj nga zemra që zonjë Elvira të vazhdoj dhe më tej në rrugëtimin e saj sa sublim po kaq edhe i shënjtë për kombin dhe atdheun, për arsimin, kulturën dhe letërsinë tonë kombëtare!
P.s. Fotoja është nga takimi në Tiranë para dy muajve…
* Nga dorëshkrimi i autorit, dhjetëvëllimësh shqip-anglisht “Portrete shkrimtarësh” (“Portraits of writers”, përkthyer nga shkrimtarja Valentina Muka Korçari, Kuçovë/Toronto)


















