Koha për ndryshim
Nga Harry Bajraktari
Në 11 maj, Shqipëria do të votojë për Kuvendin e ri dhe shqiptarët pa asnjë mëdyshje duhet të zgjedhin ndryshimin.
Pas 12 viteve në pushtet, që nga viti 2013, ka ardhur koha që Partia Socialiste të kalojë në opozitë .
Kryeministri Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një sistem njëpartiak. Ka grumbulluar në duart e tij pushtetin qeveritar, pushtetin lokal, presidencën, të gjitha institucionet, si dhe mediat kryesore. Që nga koha e Ramiz Alisë, asnjë politikan nuk ka pasur kaq shumë pushtet në Shqipëri dhe kjo nuk është normale.
Nga ana tjetër, Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në historinë e Shqipërisë. Shokët e tij kryesorë të politikës janë në burg. Ka nevojë për një spastrim të qeverisë nga korrupsioni. Ka nevojë për një fillim të ri.
Ka ardhur koha që t’i jepet një shans demokracisë.
Për herë të parë në këto zgjedhje do të votojë edhe diaspora. Bashkatdhetarët nga Shqipëria këtu në Amerikë dhe në botë duhet ta ndihmojnë atdheun që të fillojë një kapitull të ri të historisë.
Ka vetëm një alternativë të fortë që mund ta rrëzojë Ramën: ai është Koalicioni i 25 partive, për Shqipërinë Madhështore (një version shqiptar i parrullës MAGA: Make Albania Great Again), drejtuar drejtuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha.
Edhe këtu në Amerikë zgjedhjet sollën një ndryshim.
Donald Trump u përndoq nga organe të drejtësisë për të mos e lejuar që të kandidonte në zgjedhjet presidenciale. Por ai fitoi dhe sot është President i Shteteve të Bashkuara.
Kështu po ndodh edhe me Sali Berishën në Shqipëri. Drejtësia është përdorur për arsye politike. Kryetarin e opozitës e kanë ngarkuar me akuza gjyqësore që ta pengojnë, e mbajtën në burg shtëpiak, por ai do të fitojë në fund ashtu si Presidenti Trump.
Rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri duhet të ndjekë shembullin që dha demokracia amerikane. Kjo do t’i forcojë edhe lidhjet mes dy vendeve.
Në 11 maj, votoni për Ndryshimin!
Votoni për Prof. Dr. Sali Berishën!
Votoni për Shqipërinë Madhështore!
Make Albania Great Again!
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan. Është nderuar me shumë dekorata e mirënjohje në SHBA, në Kosovë dhe në Shqipëri.