E THËNË PËR AFRIM…
Aq lule sa mbinë për ty,
Klorofil të jetës duke shtuar.
Më ngjan se i ke në sy
O moj vetull-harkuar.
Dhe aq përrenj që rrjedhin
Shpatit të malit,
Në të qeshurën tënde bredhin;
Në dhëmbët e tu shndrisin
Cipat e shëndetshme të kallëzave…
Aty ku natyra i afrohet
Modelit më të bukur të saj,
Për një çast zë pendohet
Se bukurisë tënde s`mund t`i ngjajë…
Atëherë stolitë hedh me pezm
Nga vjeshta në maj…
NJË FIJE BARI
Një fije bari ,sintagmë Uitmani,
Ngrë trupin plot kryeneçësi,
Është ngritja më e forte që mund të ketë,
Ajo që ka më tepër hijeshi…
ZJARR NËPËR ERË
Ky zjarr nëpër erë,
Ka marrë revan të madh,
Me siguri shkon të djegë,
Atë që s`e meriton aspak…
ILUZIONET
Iluzionet e kësaj jete,
I mbështjell me një leckë,
Për t`i hedhur tutje ne hon
Si gjethe të patrazuara mbeten,
As era s`i fshikullon…