Mendimtari i lirë, ushtaraku, politikani, filozofi dhe poeti Hamid Gjylbegaj.Nga Xhahid Bushati

Filed under: Dossier |

Mendimtari i  lirë, ushtaraku, politikani, filozofi dhe poeti Hamid Gjylbegaj

 

« … marrë frymë ajrin e atdheut »

 

Xhahid Bushati

 

 

 

-

 

Ndër trojet e Skenderbeut

Kur “Virtyti” t’ bahet “Besë”

Përparimi i këtij Atdheut

“Ideal” i gjallë do t’mbesë!

Hamid Gjylbegaj, poezia “Monumenti i Atdheut”

1.

Hamid Gjylbegajn e kam takuar dy herë në jetë. Në të dyja rastet nuk kam biseduar qoftë edhe një fjalë me të, por e kam fiksuar portretin e tij me sytë e fëmijërisë.

Shumë vite më vonë dëgjova si nën zë shumë ngjarje e histori paksa të çuditshme që lidheshin me emrin e këtij burri, që unë shumë e shumë vite më parë e kisha njohur. Këto ngjarje e histori që  lidheshin me të si protagonist e që tregoheshin  me zë të ulët, me siguri përkonin me këtë moment që historiani Dashnor Kaloçi shkruan në një shkrim të tij: “… nga viti 1945 e deri në vitin 1979 ai nuk mori pjesë asnjëherë në votime, duke i bojkotuar rregullisht ato. I gjithë populli i Shkodrës dhe i Elbasanit, ku ai jetoi, e mbajnë mend fare mirë se Hamidi nuk shkoi asnjëherë pranë kutive të kuqe të votimit.

Ai ngrysej dhe gdhihej i vetëm në shtëpinë e tij, duke kaluar netët e gjata dhe të acarta të dimrit pa kushtet minimale të jetesës. Hamid Gjylbegu, shkodrani me bindje antikomuniste, që mbahet mend si rast i rrallë në të gjithë Shqipërinë për bojkotimin e rregullt që u bënte zgjedhjeve gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës, …”[1]

Shumë vite më vonë, lexova e rilexova gjithë librat e tij (me nga 16 faqe, a diçka më shumë), dhe sytë e fëmijërisë sime nuk e kishin tjetërsuar atë portret. Imazhi qëndronte i gjallë, i paprekur si atëherë…

Dhe… portreti i Hamidit, sipas mikut të tij të ngushtë dhe studiuesit Izet Bebeziqi: “Vetun, në një karrikë, vrashëm në vedi, në ballë të rrudhun e me sye të tretun në kurrgjë, si i tretun n’agonie mejtimesh e andrimesh po pushote Hamidi. Burrë i naltë, i shëndoshë, ezmerë, me mustaqe të zie, me dukje t’errët, por me shpirtë të çelët e syni i tij shkëndie e pa-plakrueshëme e në të shtjerrun rrëfente nji bujarië të veçantë.”

Dhe… portreti i Hamidit, siç e njoha unë shumë e shumë vite më vonë: “Ishte serioz. Serioz tërë kohën. Të dukej sikur i kishte humbur buzëqeshja, sikur nëpërmjet bisedave e kërkonte atë… Fliste rrallë, duke tundur kokën. I ulur në një karrige shpesh meditonte në vetminë e ditëve fatin e shkruar dhe të pashkruar… I vrazhdë në vetvete. Me ballë të rrudhosur e sy të tretur deri aty ku s’arrin dhe pik’e lotit. Shpesh kërciste dhëmbët si shenja nervozizmi për t’i bërë sfidë kohës që e mundoi dhe e plagosi shumë për fjalën e lirë, për peshën e lirisë, për karakterin e vendosur e të admirueshëm. Esmer, me mustaqe që iu zbardhën në pleqëri, por me një shpirt të çelur që rrëfente një bujari të vërtetë. (Të mos harrojmë që ai shpirt mbante dramën që ia shkaktoi egër e torturuese diktatura e egër dhe e pashpirt, që ai shpirt qante në heshtje e mbante të ndezur dritën e shuar të të birit të vetëm, Virtytit, që e donte më shumë se sytë e ballit). Reflekset e tundimit shpirtëror, të krizës morale i gjejmë dukshëm të pasqyruara në librat “Zana e shitueme”, “Fyelli i barive” e “Harpa e thyeme”, botime të vitit 1943.

Një bardhësi e bukur i mbulonte kokën. Siç duket kjo bardhësi si një lirizëm fatlum ishte krijuar enkas për të zbutur pamjen e zemrën e këtij njeriu që më shumë mendonte se sa fliste, që kishte rënë 27 herë në luftë e ishte plagosur 2 herë. Të dukej sikur Hamid Gjylbegaj me një botë poeti, jetonte diku mes kufijve të ireales me realen, të legjendës me mistiken, të amëshimit me pafajësinë, të ëndrrës që nuk arriti kufijtë e realitetit… Jetonte vetëm me “ajrin e atdheut”, të cilin e deshi aq shumë.”

 

2.

Hamid Gjylbegaj lindi më 28 shkurt të vitit 1889 (ndonëse ka versione të ndryshme) në një familje me emër e nga më të vjetrat të qytetit të Shkodrës, siç ishte ajo e Gjylbegajve. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake i ndoqi në vendlindje. Vitin e fundit e bëri në Manastir. Akademinë Ushtarake e përfundoi pas tre vjetësh studimi në Stamboll. Në korrik të vitit 1912 emërohet instruktor i rekrutëve të regjimit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës Ballkanike u gjend në koopormatën e Selanikut në frontin me serbët dhe mori pjesë në luftime në Kumanovë, Qyperli, Perlep, Manastir e pastaj në front me grekët në Bilisht, Korçë, Janinë. Më 6 mars 1913 Janina ranë duart e grekëve dhe Hamidi dërgohet rob lufte në ishullin Zanta. Në tetor të vitit 1913 lirohet e kthehet në Stamboll. Më pas vjen në Shqipëri për të punuar për forcimin e shtetit shqiptar. Zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Klubit “Lidhja Kombëtare”. Me krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, më 1918 zgjidhet anëtar i Kryesisë së atij Komiteti. Bën pjesë në grupin e atyre që caktoi Komiteti për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Në mars të vitit 1920, u emërua nënprefekt në Pukë. Drejton veprimet luftarake në fazën e parë të Luftës së Koplikut (korrik-gusht 1920).

Qeveria e Fan Nolit e nxori në pension. Hoqi dorë nga veprimtaria politike. Arsyen e mbulon heshtja. Vdiq në Elbasan, tek e bija, më 24.02.1979, katër ditë para se të mbushte moshën 90-vjeçare.

 

3.

Hamidi zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht. I pajisur me një kulturë të gjerë ushtarake, filozofike e letrare, të cilat reflektuan në punën e tij, bënë që gjithë herë të udhëhiqej nga bindjet nacionaliste.

Poezitë e para i botoi në revistat “Agimi” dhe “Afrimi”. Më pas botoi librat: “Flutura ndër lule” (1924), “Pak a shum” (1925), “Fjala e Virtytit” (1929), “Monument i Atdheut” (Shtypshkronja “Saide” Elbasan, 1930), “Kunora e Lumnis /  Caku i filozofis” (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1931), “Fletra e jetës” (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1932), “Drita e S’vërtetës” (1933), “Kopje origjinale” (Shtypshkroja “Ora e Shkodres”, 1933), “Fyelli i Barive”, Tiranë, 1943), “Zana e shitueme”, 1943, “Harpa e thyeme”, 1943) etj.

Në dorëshkrim i mbetën poezi të bëra pas çlirimit e disa përkthime. Mblodhi këngë lirike në trevat e Malësisë së Madhe. Një pjesë i botoi. Ka shkruar dhe artikuj politikë në gazetat “Populli” në Shkodër, “Dajti” në Tiranë, herë me emër, herë me pseudonim…

 

4.

Kritiku Izet Bebeziqi në studimin e tij mbi krijimtarinë e Hamdi Gjylbegajt në mes të tjerave thotë: “Po, po, koha do të vijë dhe penda (pena) e tijë do të çmohet”. Krahas këtij vlerësimi, kritiku në fjalë e ka njohur shumë mirë kulturën, filozofinë  dhe karakterin e Hamidit. Në analizën që i bën shumë poezive të tij, evidenton këto dukuri që i krahason me poezitë e poetit gjerman Storn-i . Aq më shumë kjo gjë përforcohet, kur sipas autorit Bebeziqi poezia e Hamidit gjen pika takimi me të Storn-it. (me sa duket ky emër ka qenë një preferencë e Hamidit dhe ndikim i tij, e, në bisedat e ndryshme me Bebeziqin, duhet ta ketë përmendur shumë herë).

Dhe Bebeziqi vazhdon të thotë kështu: “Me nji fjalë: Storn-i asht nji poet i lindun, kurse Hamidi nji vjershtor i përbamë ndëpër  rymë të kohës, të rrethanave e t’ambientit me mendime të shndoshta të nji pende të pjekun.”

Dhe për ta përligjur mendimin e mësipërm, nga studimi i I. Bebeziqit shkëpusim këtë fragment si argument: “Vjershat e tija janë vende-vende me një frymë lyrike nja që të kandëshëme e të natyrshme, sa që n’ ”Urata e Dashtnisë”, “Vera”, “Vjolca”, “Bylbylit”, “Vegimi i sajë” etj., të thueshë se flet Storn-i. Si ky ashtu dhe Hamidi nuk dijnë t’i veshin ndjenjat e tyne me lule e fjalë pompoziteti, por i shprehin siç i ndijnë: Me za të popullit”.

 

5.

Jeta e Hamid Gjylbegajt i ngjan një deti të trazuar, valët e të cilit e rrahën egër dhe në mënyrë të pamëshirshme, por nuk e gjunjëzuan dot. Kantian nga filozofia. Karakter i një edukate gjermane. I prerë në vendime si ushtarak i Akademisë turke,të cilën e kreu. I heshtur gjer në dhembje. E gjitha kjo ishte bota ku shëtiste Hamidi, parimet e së cilës nuk i cenonte, por nuk lejonte t’ia cenonte askush. Dhe ëndërrisht, në poezinë: “Kuptim i jetës”, Gjylbegu shprehej: “Në kjoftë qellimi i jetës “Jeta” / Si e shtremba, si e drejta, / Të gjitha ngjarjet janë të shkreta / S’asht kurrëgja, as e vërteta.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

_________________________________

*Të gjitha citimet e Izet Bebeziqit janë marrë nga studimi i tij me titull: “Hamid Gjylbegu prej Izet Bebeziqit”, botuar në gazetën: La Nouvelle Albanie,   Constantza Roumanie, No. 525, DIRECTEUR: Mihal S. Xoxe

 

 

 

 

 

 

 

 



[1] Kaloçi Dashnor: “Gjylbegu, njeriu që s’votoi kurrë”, Gazeta Shqiptare, 12.10.2003.

Shkrime të ngjashme:

  1. Opusi letrar i shkrimtarit Bardhyl Xhama, kritikë nga Xhahid Bushati
  2. PETRO NINI LUARASI– Mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare, nga Prof.Alfred Uçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>