Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve? Tregim Albana M. LIFSCHIN

Filed under: Proze |

 

Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve?

 

Tregim Albana M. LIFSCHIN 

 

 

Shqiptarët  e Bronxit atë mëngjes u gdhinë pa kepucë.Thonë se një i çmendur kishte grabitur tërë këpucët e shqiptarëve e i kishte çuar nëSalvation army për tu bërë nder homlesave të Nju Jorkut

Ka qenë kronika më qesharake e botuar ndonjëherë në gazetën lokale.

 

* * *

 

Çdo të hënë e çdo të ejte mbrëma kamiona sanitarë gjigandë ndalojnë para ose prapa godinave të Nju Jorkut për të gëlltitur plehrat e qytetit . Kamioni ka një vinç si noçkë elefanti që i ngre lart  ‘dhomat’ metalike mbushur me plehra e i përmbys në barkun e tij. Pastaj i lëshon përsëri për tokë, të boshatisura.

Amerikanët këto dy  ditë, para se të vijë makina rrëmbenjëse, nxjerrin para dyerve gjithëçka që atyre nuk u nevojitet më. Kështu mbeturinat mund të jenë edhe rroba apo këpucë, televizorë apo komodina, llampadarë apo kabinete, karrige apo edhe i tërë kompleti i kolltukëve, që të vjen keq ta shohësh të hedhur në plehra.

Mu kujtua një shërbim në Austri, 20 vjet të shkuara. Një gjë të tillë bënin edhe austriakët… Ne ishim katër vetë, një grup xhirimi, që tek po shëtisnim atë pasdite në një rrugë të bukur të Insbrukut, papritur para një shtëpie na zuri syri një televizor ”të braktisur”. Një nga shokët tanë e ktheu disa herë kokën pas për ta parë, aq sa regjisori ynë i tërhoqi vërejtjen:

- Po ç’bën kështu, se është turp.

-Ç’farë turpi ore, unë nuk kam televizor fare në shtëpi, kurse këta e hidhkan jashtë si pa të keq.

Askush s’foli e shoku ynë me kurajo e “hëngri turpin me bukë”. U kthye pas dhe e ngriti televizorin në krahë. Në aeroport ia paketuan dhe e kaloi bashkë me bagazhet e tij. Mbaj mend harenë e tij të madhe në Tiranë kur na njoftoi se televizori punonte! Sa të gëzuar ishin në familjen e tij, sidomos fëmijët, që babi u kishte sjellë televizor nga Austria! Televizori për ta kishte qënë një ëndër e parealizuar deri atëhere.

Edhe emigrantët e vjetër  në Amerikë, të rrefejnë që mobiljet e para i kanë gjetur rrugëve.

‘Po si ndodhi me këpucët e shqiptarëve?’ do të  thoni ju. Fajin për zhdukjen e tyre e mbajtën nikoqiret e shtëpisë. Ai mëngjes u gdhi me sherr pasi këpucët para dyerve të familjeve shqiptare mungonin.

E keni dëgjuar  atë shprehjen: “Shtëpitë e shqiptarëve janë të pastra, si laboratore?” Këto laboratore kishin një veçori të përbashkë. Paradyerve të tyre shihje këpucë të vëna në rresht rrëzë murit. Mesazhi ishte i qartë: Askush s’hyn në shtëpi me këpucë.Atë ditë kur vajta  t’i bëj një vizitë një të njohurës sime, kjo qe gjëja e parë që më ra në sy.

U vura në siklet. S’më kishte detyruar njeri t’i hiqja këpucët tek dera e shtëpisë deri atëhere, së paku jo në Amerikë. Pyetjes time hezituese”ti heq?” ajo iu përgjigj me heshtje. I zbatha këpucët dhe i rreshtova me të të tjerëve, jashtë derës së apartamentit. E zonja e shtëpisë ndërkohë nxitoi të më sillte një palë pandofla shtëpie. Ishin nja dy numra më të mëdhenj se këmba ime. Gjithë kohën që ndenja ulur nuk ndihesha rehat jo nga pandoflat që mbaja veshur, por nga idea që këpucët e mia  më prisnit përjashta. Apartamenti qe akull i pastër. Gratë kanë kaluar në manjakëri, por kjo puna e këpucëve të lëna jashtë dere, në një korridor të përbashkët me fqinjët, nuk di pse më krijonte një ndjenjë  fshatarllëku në mes të Amerikës.

- Po ku tjetër t’i mbajmë? Hë më thuaj ti? Iu përgjigj pyetjes me pyetje e njohura ime.

Mu kujtua që në shtëpinë time në Tiranë ime kunatë kishte bërë një dollap këpucësh me sirtare, pranë derës. Në apartamentin tim i mbaja në kllozetin e tyre.  Këtu, në Amerikë, këpucët nuk na bëhen aspak pis. Ne qahemi se po na janë  bërë kaq shumë palë kepucë e na mbeten të reja nga mospërdorimi.

-Po sikur t’ua marrin këpucët tek dera? Fola kot  duke e ditur përgjigjen

- Po kush ka për të na i marrë, moj e uruar? Kush është keq për këpucët tona? Edhe im shoq më flet për këtë , por nuk mundem të toleroj pesë palë këpucë këtu, burri dhe fëmijët po s’u mësuan të hyjnë pa këpucë mua më bëhet shtëpia elaq!

Mu kujtua një i njohur që thoshte:” Më ka zënë frika nga gruaja, se sa më dëgjon hapat tek shkallët thërret që nga brenda: Këpucëëëëëët !!!!

I tërë sherri në shtëpi fillon nga këpucët.

Kur u largova, ktheva edhe një herë kokën pas. Pesë palë këpucë të vëna në rrjesht ruanin derën e familjes. E gjithë ajo pastërti e bukuri e brendëshme kollapste para asaj pamje.

S’kishte kaluar një javë nga ajo vizitë kur një mbrëmje ra telefoni. E njohura ime pa mbajtur frymën më tha:

-A e di se ç’na ka gjetur ne? Na kanë vjedhë këpucët !

Mendova se po bënte shaka.

-A thua se u kanë thënë që të na i marrin, vazhdoi ajo- Gjithë këpucët e shqiptarëve në bllokun tonë janë vjedhur! Burrit i dhashë të vishte këpucët e reja , të paprekura në kuti. Fëmijëve u dhashë pandofla për shkollë. Ishte mëngjes herët e s’ishin hapur as dyqanet. Boooo! Ç’farë shqetësimi na ka sjellë ai hajdut këpucësh që mos i gëzoftë këpucët tona ishalla!

Në fakt “drama” kishte lindur si një keqkuptim i vogël. Thonë se dikush i kishte grumbulluar të gjitha këpucët e shqiptarëve të lëna pas dere duke i marrë për hedhurina, për t’i çuar në Salvation army, -për të ndihmuar fukarenjtë e Nju Jorkut.

 

Nuk di se si e zgjidhi problemin e këpucëve e njohura ime paskëtaj, por me siguri ka bërë siç bëjnë të gjithë amerikanët: U ka gjetur vend në kllozet!

 

 

Albana M Lifschin/Nëntor 2007(tregimi është përfshirë në librin Ura mbi Oqean, bot. 2008)

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Halla Veronikë merret me ‘pulitikë’ në Amerikë-tregim humoristik.Tregim nga Albana M Lifschin
  2. KËPUCËT E VAN GOGUT.Tregim nga Kosta Valetas(Greqi)
  3. Kush e bëri? Tregim nga Besnik Avdiaj, Nxënës -Gjakovë
  4. Dashuria e Gruas.Poezi nga Albana Lifchin
  5. Kush ishte Ismail Bej Vlora? Dossier nga Laureta Petoshati

One Response to Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve? Tregim Albana M. LIFSCHIN

  1. Pingback: Si e njoha unë Ali Podrimjen. Nga ALBANA MELYSHI LIFSCHIN | shefdomi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>