SIMFONIA E SHIUT

Prozë poetike mga Mirela Leka-Xhava

 

 

Sot bie shi. Këtu bie shi aq shpesh, sa dielli ngeli duke luajtur kukafshehthi me ne. Ndonjëherë krijon një ylber të bukur e të madh pas shiut, si për të na kërkuar falje. Në fakt fajin e ka shiu. E bën këtë me përkulje fisniku. Ndonjëherë pikturon edhe dy. Ç’magji di të bëjë ky dielli ynë këtu.

Është shi dimri. I ftohtë, i tejzgjatur dhe kur pushon dihet që ka ndërmend të fillojë prap pas pak. Unë e quaj shi gri, nuk e di , më duket i zymtë, i plogësht, i pa negociueshëm. Madje nuk arrij të dëgjoj as melodinë e tij të mbrëmjes kur bie mbi çati.

Shirat e vjeshtës janë më të bukur sepse përmbajnë shpërthime  sentimentale, pastaj gjëmime e bubullima, të paktën shkarkojnë nervat e tyre mbi ne, aq sa i shqyejnë së trokituri çatitë, mbi pemët, për t’i zhveshur nga gjethet, sepse dimri i preferon nudo. Stilist, dimri. Dikur i vishte rrobën e bardhë të dëborës, tanimë jo. Rrallë.Tepër rrallë.

Shiu është vetëkurorëzuar princi i stinëve.

Gjithmonë shi. Inatçohem dhe unë ndonjëherë. Kundër shiut. Jo erës. Unë vij nga qyteti i erës. Une vij nga vendi i kontrasteve, fortunave dhe diellit…

Me sa duket, mora me vete vetëm yjet kur ika. Dhe Hënën e mora ose erdhi vetë. Nuk mund të më linte vetëm natën në det… në bregun tjetër ishte parashikuar shi.

Diellin nuk munda, ose nuk mundej, ose nuk donte.

Dhe tani rri e dëgjoj simfoninë e  shiut të dimrit dhe nuk di t’i vë një emër aktit në partiturë, ose e quaj thjesht:

Simfonia e shiut .

 

Ilustrimi  nga Alba Xhava

Akuarel

Pamje nga lart Arcachon  2025

France

 

 

 

 

 

 

France