Dr. Migen Arllati: Mbahet në Tropojë Edicioni X i Manifestimit Kulturor “Ora e Poezisë”

 

 

“ORA E POEZISË” NË TROPOJË, FESTË E FJALËS DHE E DASHURISË

 

 

Bajram Curr, 18 prill 2026

 

Në një atmosferë të rrallë artistike, përplot ndjesi dhe përkushtim ndaj fjalës së bukur, Tropoja mirëpriti Edicionin e X-të të Manifestimit Kulturor “Ora e Poezisë”, këtë vit me një tematikë sa universale aq edhe jetike: dashurinë.

Në mjediset e Muzeut Historik të Tropojës, përballë një publiku të zjarrtë dhe dashamirës të poezisë, u mblodhën dhjetëra poetë e krijues nga Tirana, Durrësi, Gjakova, Peja, Mitrovica, Prizreni, Klina, Malisheva, Prishtina e më gjerë, duke e shndërruar këtë aktivitet në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës mbarëkombëtare.

Fillimisht, në qendër të kësaj ngjarjeje kulturore u vendos figura e poetit, shkrimtarit Lulzim Logu, organizator, frymëzues dhe një nga emrat më këmbëngulës në promovimin e jetës letrare në qytetin e Bajram Currit dhe mbarë Tropojës. Nën drejtimin e tij dhe me mbështetjen e stafit, “Ora e Poezisë” ka arritur të konsolidohet si një traditë e vyer kulturore, duke krijuar ura komunikimi mes krijuesve dhe duke i dhënë një dimension të ri jetës artistike në rajon.

Pikërisht në këtë jubile të dhjetë, Logu u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Tropojës”, një vlerësim që përmbledh vite të tëra përkushtimi të palodhur në shërbim të arsimit, kulturës dhe komunitetit. Kryetari i Bashkisë Tropojë, z. Rexhë Byberi, në fjalën e tij zyrtare, vlerësoi lart figurën e Lulzim Logut, duke theksuar se kontributi i tij i gjatë në arsim dhe kulturë e bën atë një nga figurat më përfaqësuese të jetës publike në Tropojë. Ai vuri në dukje me krenari unanimitetin me të cilin Këshilli Bashkiak votoi për ndarjen e këtij titulli të lartë, dedikuar përkushtimit disadekadësh të Logut në përmirësimin e cilësisë në arsim, në pasurimin e jetës kulturore etj.

Po ashtu, kryetari Byberi vuri në dukje rolin e rëndësishëm të bashkëpunimeve kulturore ndër vite dhe ndikimin pozitiv të revistës “Urat” në rrethin e krijuesve. “Revista ‘Urat’, pjesë e një bashkëpunimi 15-vjeçar me krijues nga shumë treva shqiptare, ka krijuar një realitet me ndikim të dukshëm në jetën letrare”, – u shpreh ai, duke falënderuar njëkohësisht stafin realizues për punën e vazhdueshme.

Përtej organizimit të një aktiviteti të suksesshëm, figura e Lulzim Logut shfaqet si një nga shtyllat më të qëndrueshme të jetës kulturore në Tropojë dhe më gjerë. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në krijimtarinë letrare, por shtrihet në ndërtimin e një fryme të vazhdueshme kulturore, në mbështetjen e talenteve të reja dhe në krijimin e hapësirave të mirëfillta për dialog artistik.

Përmes angazhimit të tij të palodhur ndër vite, ai ka arritur të kthejë “Orën e Poezisë” në një institucion kulturor të mirëfilltë, duke e bërë Tropojën një pikë referimi për takime letrare me frymë bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse. Nisma si revista “Urat” dhe bashkëpunimet ndërkrahinore dëshmojnë për vizionin e tij të qartë: një kulturë që nuk njeh kufij dhe që ndërton ura komunikimi mes krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen.

Në një kohë sfidash për artin dhe kulturën, roli i Lulzim Logut mbetet thelbësor si organizator, si mendimtar dhe si nxitës i vlerave më të mira shpirtërore. Ai përfaqëson modelin e intelektualit të përkushtuar, që me punë të heshtur, por të qëndrueshme, lë gjurmë të thella në ndërgjegjen kulturore të komunitetit. Ky moment, po ashtu u përjetua si një jehonë mirënjohjeje kolektive, një dëshmi se arti mbetet ura më e fortë që lidh shpirtin e një kombi me vlerat e tij më të thella.

Në fjalën e tij hapëse, Logu artikuloi me qartësi filozofinë e këtij manifestimi, duke e lidhur atë me nevojën për rikthim te vlerat themelore njerëzore:

Në emër të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, ai uroi mirëseardhjen në Edicionin e X-të të Manifestimit Kulturor ‘Ora e Poezisë’, ‘Dedikuar dashurisë’! “Ky manifestim mbahet në muajin prill dhe jo rastësisht përkon me ngjyrat e mrekullueshme të pranverës, por edhe me nevojën e ndërgjegjësimit për vlerat e patjetërsueshme të librit dhe të dashurisë njerëzore kundrejt ankthit dhe tymit të luftës…”

Duke shtruar pyetjen “Përse dedikuar dashurisë?!”, Logu theksoi se pa këtë ndjenjë nuk mund të kuptohet as arti, as vetë ekzistenca njerëzore, ndërsa poezinë e cilësoi si një strehë shpirtërore në kohë të vështira sociale dhe politike. Ideja për këtë manifestim, e lidhur edhe me botimin tematik të revistës “Urat”, sipas tij, synon pikërisht këtë: të krijojë hapësira dialogu, reflektimi dhe bashkimi përmes artit.

Një rol të veçantë në këtë realitet kulturor mban edhe Dr. Mahmud Lila, si kryetar i bordit drejtues të revistës “Urat”, një figurë e palodhur në mbështetje të fjalës së shkruar dhe të mendimit krijues. Me përkushtimin e vazhdueshëm, ai ka qenë jo vetëm garantues i vijimësisë së kësaj reviste, por edhe një shtysë e fuqishme për rritjen e cilësisë dhe shtrirjes së saj në hapësirën mbarëshqiptare.

Në fjalën përshëndetëse, dr. Lila tha se “Urat” është shndërruar në një platformë serioze botuese, ku gjejnë zë autorë të konsoliduar dhe talente të reja, duke ndërtuar një dialog të qëndrueshëm kulturor ndërmjet trevave.

Aktiviteti u karakterizua nga një larmi shprehjesh artistike. Krahas leximeve poetike që sollën emocione të forta dhe përjetime autentike, nuk munguan as elementët e traditës muzikore, të interpretuara nga këngëtare të reja, duke i dhënë aktivitetit një dimension të plotë kulturor.

Mikpritja tropojane dhe atmosfera e ngrohtë e bënë këtë takim më shumë se një aktivitet letrar, një përvojë të përbashkët shpirtërore. Poezitë e interpretuara, të ardhura nga përvoja dhe ndjeshmëri të ndryshme, u shkrinë në një mozaik të gjallë artistik, duke dëshmuar se fjala poetike mbetet një nga format më të fuqishme të komunikimit njerëzor.

Një moment kulmor i manifestimit ishte shpallja e fituesve: çmimi i parë iu dha poetit Alfons Zeneli për poezinë “Emanuelë”, çmimi i dytë Mehdi Krasniqit, çmimi i tretë Mirvete Kabashi Lekut, ndërsa çmimi i të rinjve iu akordua poetes Adifete Shiti. Në momentin e shpalljes së verdiktit të jurisë, kryetarja e jurisë, Dr. Migena Arllati, ndau me publikun disa reflektime mbi letërsinë. Ajo u ndal veçanërisht te emocionaliteti si thelb i poezisë së sotme, duke theksuar se forca e vargut qëndron pikërisht në sinqeritetin e ndjenjës dhe në aftësinë për të komunikuar përvojën njerëzore në mënyrë autentike.

Prof. Arllati vuri në dukje se aktiviteti i sotëm kishte një larmi zërash dhe qasjesh, ku u ndërthurën përvoja personale me realitetet sociale, duke mundësuar një hapësirë të pasur interpretimi. Ajo theksoi se vlerësimi i jurisë është mbështetur jo vetëm në mjeshtërinë formale, por mbi të gjitha në intensitetin emocional dhe origjinalitetin e shprehjes, duke inkurajuar krijuesit që të mbeten besnikë ndaj zërit të tyre të brendshëm.

Pas ndarjes së vendit të parë, Alfons Zeneli e cilësoi këtë vlerësim si një motivim të rëndësishëm. “Ky çmim vjen si një vlerësim për poezinë time, një proces që e bëj me shumë dashuri dhe përkushtim. Ky çmim nuk është vetëm i imi, por i çdo njeriu që beson në fuqinë e kulturës dhe në artin që bashkon.”

Manifestimi u mbyll në frymë miqësore me një drekë të përbashkët vëllazërore në restorant “Real”, ku nuk munguan dollitë uruese dhe ritmet e muzikës e të vallëzimit, duke lënë pas jo vetëm kujtime të bukura, por edhe një mesazh të qartë: në një botë gjithnjë e më të trazuar, arti dhe poezia mbeten ura të domosdoshme për të ruajtur humanizmin dhe për të afruar njerëzit.