TETOVA, «DITËT E NAIMIT» DHE NAIM FRASHËRI
Poezia, mund të themi se është shija më estetike që e artikulon poeti, përmes figurave, përpiqet ta prezantojë realitetin ekzistencial. Edhe poeti, siç e dimë, figurativisht është vetë. Ngjizet shpirtërisht duke u nisur nga vetja, ashtu kthehet te vetja. Edhe në vetmi niset nga vetja, edhe në hapësirë kthehet te vetja. Poeti i vërtetë është vetvetja. Në mes tij është muza që e kthen ndaj çdo realiteti. Ai përpiqet ta thotë të bukurën me fjalë të thjeshta, e botën ta shohë përtej realitetit. Ashtu siç thotë poeti, Victor Hugo se «një poet është një botë e mbyllur brenda një njeriu. » Nuk harron të kthehet te vetja, te njeriu me atë botën e mbyllur përtej kufijve fizikë e shpirtëror. Një botë e mbyllur brenda një njeriu që nuk heziton ta reflektojë tek tjerët brendësinë, të bukurën dhe të vërtetën në mënyrën më të mirë të mundshme. Filozofi antik grek, Aristoteli thotë se detyra e poetit është të flasë përpos asaj që ka ndodhur në të vërtetë, por edhe për atë që mund të ndodhë.
***
Me të drejtë, Tetova mund të quhet qyteti i poetëve. Këtu, gërshetohet arti i fjalës dhe emocionet që e kthejnë qytetin një arenë me bindje të shumanshme. Poetët tubohen në tokën tetovare, komunikojnë me emfazë, njëkohësisht të gjendur në qytetin e poezisë. Rrëfehen për bëmat e tyre shpirtërore duke ndarë emocione, dhe përvojë të ndryshme njerëzore. Zëra të furishëm zbresin në tokën tetovare për t’u recituar poezia. Nga zëra të largët bëhen zëra të afërt për publikun. Dhe, Tetova, si qytet i poezisë merr tjetër pikëpamje shpirtërore, e zhytur në krejt format e muzës. Njëmend, tryeza tetovare gjithnjë ka tubuar poetë nga treva të ndryshme, ku fjala e bukur është gjendur në vlerësimet më të mira të publikut. Poetë të shumtë nga rruzulli tokësor vijnë për të recituar mbi shijen estetike dhe shpeshherë edhe për bukuritë e fshehta të qytetit. Poeti algjerian, Nouar Abidi, qytetit të poezisë ia dedikoj një përmbledhje me poezi «Tetova, kjo grua e bukur». Sidomos, Tetovës i kanë kënduar shumë poetë të tjera të njohur; poeti italian Gjuzepe Napolitano, poetja gjermano-shqiptare, Silke Liria Blumbach, poeti algjerian Nouar Abidi.
Tetova është ndryshe edhe qyteti i poezisë. Ndërsa, poezia në përgjithësi pasqyron anët më thelbësore të jetës. Poezia dhe Tetova simbolizojnë anët më thelbësore të jetës, duke e reflektuar atë përmes fjalës së bukur. Tetova tashmë identifikohet me Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë «Ditët e Naimit», duke mbledhur poetë në tokën tetovare të poezisë, për të shkëmbyer copëza shpirtrash në gjuhë të ndryshme, edhe atë përmes komunikimit shqiptar me poezinë e botës. Recitohen poezi nga vise të ndryshme të botës, kështu duke kumbuar fjala e bukur në mesin e një realiteti të etshëm për art e poezi. Poeti i mirënjohur shqiptar, Visar Zhiti në një shkrim të tij e ka përshkruar mjaft bukur ndërthurjen e qytetit të poezisë me festivalin: «Në fund të fundit këtu mbahet një festival, ku shpalosen emocione artistike, forma dhe ritme, metafora të bëfta, të ardhura nga thellësitë dhe nga larg, ngërthehen zëra, qetësia me të furishmen, shqetësimet me vegimtaren, konfliktet me paqen, modernia vazhdon klasiken dhe i rikthehet ndryshe, vërtet «Ditët e Naimit» këtu i ngjanë një shkolle ku të gjithë jemi mësues dhe nxënës, poetë dhe dëgjues dhe rizbulojmë se poezisë i mjafton vetvetja. »
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë «Ditët e Naimit», me të drejtë mund të konsiderohet si simbol i komunikimit ndërmjet kulturave të ndryshme, për ta kthyer realitetin njerëzor si fat të ri ekzistencial. Poetët përmes fjalës si shije estetike janë prezent me poezitë e tyre, duke rrëfyer emocione, metafora të goditura, shprehësi emocionale që e fisnikërojnë njeriun dhe fatin ekzistencial. Kështu, përmes fjalës do të jenë një zë metaforik, me porosinë se si duhet të duket njeriu, individi dhe shoqëria. Shprehimisht, «Ditët e Naimit» mjaft bukur e identifikojnë poezinë, ku përmes fjalës estetike mbeten «krijues të vërtetë të fjalës së bukur dhe të diversitetit kulturor». Ky festival mbledh poetët më të njohur të botës, dhe tashmë plot dy dekada ka arritur të ruajë vazhdimësinë dhe të mbledhë poetët për të rikujtuar veprën e poetit kombëtar Naim Frashëri. Ndërkohë, festivali ka ruajtur autenticitetin dhe përmbajtjen e organizimit në mënyrën më të mirë të mundshme duke kontribuar për kulturën, artin dhe poezinë në përgjithësi. Në një prej hapjeve solemne të FNP «Ditët e Naimit», drejtori, poeti dhe studiuesi, Shaip Emërllahu është shprehur: «ky festival, ka marrë dimensionin e një institucioni të shquar kulturor, (…) aktivitet ky, ku takohen jo thjesht poetë e vendeve të ndryshme të botës, por para së gjithash, kulturat e popujve, si dëshmi komunikimi, njohjeje e stime reciproke. Ai u bë prurësi dhe përhapësi i llojit të vet të multikulturalizmit, ku kryefjala është poezia. »
Letërsia dhe kultura shqiptare në përgjithësi dhe vetë kujtimi i poetit Naim Frashëri, në njëfarë mënyre ndërlidhet ndjeshëm me kulturën dhe qytetërimin evropian. Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare në një prej edicioneve të festivalit është shprehur se «Kultura shqiptare dhe vetë kujtimi i Naimit të Madh, të gjitha këto bëjnë pjesë në qytetërimin evropian». Prandaj, edhe poetët të entuziazmuar zbresin në tokën pranë shtatores së Naim Frashërit, në Tetovë, për të nderuar kujtimin e tij me kulturën dhe qytetërimin evropian. Ky është nder dhe kujtim i pazëvendësueshëm ndaj vlerave kombëtare dhe ndaj poetëve që tubohen, për të reflektuar sadopak shije estetike në mesin e publikut. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë «Ditët e Naimit» e ka për qëllim të tubojë zëra poetësh nga vende të ndryshme të botës për të sjellur sa më shumë besueshmëri, shpresë dhe përndritje për një fat të ri ekzistencial në mesin e publikut artdashës. Ky festival tashmë mund të konsiderohet si një vlerë e thkesuar e kulturës, që ngjiz dhe riprodhon vepër arti. Toka tetovare e poezisë tashmë është kthyer si një mjet për komunikimin e vazhdueshëm mes kulturës shqiptare me atë të huaj. Ky është një fakt konstant që rrjedh përmbi vlerën tonë të shtuar qytetare.
* **
Naim Frashëri konsiderohet intelektuali dhe iluministi shqiptar me ndikimin më të madh ndër kohë, dhe njëri nga figurat më të spikatura të Rilindjes Kombëtare. Vepra e Naim Frashërit përbën rëndësinë e madhe për historinë e popullit shqiptar, për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ndryshe, Naim Frashëri është cilësuar si poeti kombëtar shqiptar, për ndikimin që pati tek populli. Me Naimin mund të thuhet hapur se fillon procesi i emancipimit të popullit shqiptar dhe zgjimi i vetëdijes kombëtare. Poeti me ndjenjat më të përkushtuara i këndoi atdheut, vendlindjes, gjuhës. Si asnjë poet tjetër, Naimi vuri themelet e poezisë atdhetare, duke i kënduar me figuracion të pasur letrar. Shkrimtari dhe poeti i njohur, Dritëro Agolli me të drejtë do të shkruante se «Naimi është një det i gjerë.»
Vepra e Naim Frashërit kryesisht është një punë kolosale mbi përparimin e çëshjtes kombëtare, ku idetë dhe mendimet patriotike do të viheshin në shërbim të çështjes shqiptare për t’u emancipuar e për t’u ngjitur drejt lirisë dhe përparimit shoqëror. E gjithë vepra e Naim Frashërit mund të thuhet se është ndërtuar në thelb nga motivi atdhetar, që mjaft mirë e ka shprehur në tërë opusin e tij letrar. Vepra e tij pasqyron atdheun, si kryefjalë e mendimit të tij, për gjuhën, kulturën, arsimin dhe historinë shqiptare në përgjithësi. Poeti përpunoi idenë e bashkimit të gjithë shqiptarëve, si mundësi për luftimin e pushtuesit për t’u çliruar dhe përparuar. Poezitë atdhetare mund të themi se zënë vendin kryesor në krijimtarinë poetike të Naim Frashërit. Si askush tjetër nga shkrimtarët shqiptarë, pos Naim Frashërit, nuk i ka kënduar mallit për atdhe, mburrjes kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me gjuhën poetike mjaft të ëmbël e të bukur.
Krijimtaria e Naim Frashërit mbetet një fanar i pashtershëm yni, pasi shtyu shumë lëvizje kombëtare drejt përparimit të popullit shqiptar dhe emancipimit. Naimi përmes veprës së tij letrare dhe kombëtare, popullit shqiptar i ka dhënë lëvizjet e para drejt ndriçimit shpirtëror, dhe njëkohësisht i ka zgjuar ndjenjën dhe vetëdijën kombëtare drejt realizimit të detyrave me interes të lartë kombëtar. Si asnjë poet tjetër, Naimi mbetet poeti kombëtar më i madhi ndër kohë.
Tërë opusi letrar i Naim Frashërit mund të përmblidhet si thesar i çmuar për të cilën dha kontribut të gjerë në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të emancipimit të shoqërisë shqiptare. Sidomos rëndësi të madhe i kushtoi gjuhës, kulturës dhe arsimit shqip. Në qendër të krijimeve të tij letrare mbetet atdheu, si motiv për ta pasqyruar dashurinë e madhe ndaj Shqipërisë dhe bukurive të jashtëzakonshme të natyrës. Naimi sot e kësaj dite mbetet poeti më i madh kombëtar, që la një vepër të pasur letrare e artistike, që njëkohësisht do të shërbejë si udhë e cilësuar për brezat e ardhshëm.