AMA E FJALËS
Amë e fjalës ishte heshtja
Kur me sy më dëfton
Shkëlqim rreze më dhuron.
Ama e fjalës më rrëzoi
Këmbët lodhjen nuk e ndjenin
Gjunjët u gjakosën
Nga lart shqiponja zuri një trung.
Fletë e lehtë e turbulloi
U rrokullis për front
Kurora e sfidoi
Në pallatin mbretëror
Ama e fjalës triumfoi.
Largësia mbetet peng
Fjala heshtjen e pendon.
PENG
Iku dhe stuhia
dallgët qetohen në mes
hije e një ylberi
reflektimi
trazimin ushqen.
Hije e një anijeje
mes velash
një shigjetë,
harku mbeti peng
në detin më të thellë.
Zgjuar një mbretëreshë
mijëra vjet e ngujuar në det.
Langonjtë vrapojnë
harku thyhet në mes.
Histori nga një mbretëreshë
e harruar në detin
më të thellë.
Kthehet për mall,
rënkon,
pendimi bëhet shpresë.
Kthimi më i bukur
nga larg
deti më i thellë!
MALL
I këndoj kujtimeve
Në lëndinën e lotëve të kristaltë
Një pëllumb sjellë një shenjë
Mes lajkash malli mbetet i gjallë.
Faj mes lotësh
Brenga mbeti lutje për shpresë
Duke kërkuar pafajësinë
të tretur në mall.
I këndoj kujtimeve
Të ruajtura në sirtar
Kur ti mes lotësh
Më këndoje serenatë.
Faj mes lotësh
Kënga përjetimet i zgjon
Malli nga kupa e qiellit
Filloi të qaj.
I këndoj kujtimeve
E mbushur me mall
Fajtor mbete ti
Që humbe pa fjalë.
NDJEJ
Në netët pa gjumë
Ndjej
Aromën e shkumës së detit
Imazhet fluturuese
Të anijeve të kthyera
Me rrjetat e mbushura me yje
Shndrijnë në mes të diellit
Në të bukurat valë.
Në netët pa gjumë
Ndjej
Aromën e pranverës
Në mes të ngjyrave të ylberit
Pikon vesa e mëngjesit
Nektar shërues
Lulet më mallëngjyen.
Në netët pa gjumë
Ndjej
Furtunën që sjell shi
Re të mllefosura
Rrëmbehen për shpëtim.
Në netët pa gjumë
Ndjej
Zërin që thërret
Ngrihuni të mjerë
Sepse asgjë nuk është
Realitet!
MREKULLI
Flluska të kristalta
lajmërojnë jetë
në thellësinë e detit
një turmë brohoret
vallëzon një sirenë
juria mban fenerë
trup qëndisur
kurorë me margaritarë
shpërblim për vals
mrekullia në thellësi
dritë në pafundësi
deti duket si qiell
reflektim yjesh
në detin e qetë.
Përpëlitet valë e qetë
marinari magjepset
hipnotizim sirenash
deti kërkon jetë!
A KE QAJTUR NDONJËHERË
Ajo e vetmja që dhimbjen
e kthen në lumë shprese,
koha e mbylli në dhomën e kujtimeve
në shpresën e humbur.
Plaga shpirtin e mundon,
loti rrëshqet për ndjenjën e sfilitur
në turmën që pëshpërit për famë.
Melodi shprese nga shpirti malli rënkon.
Një dhomë shprese
nga jashtë zërat lajmërojnë jetë.
A ke qajtur ndonjëherë?
Loti nga dhimbja shpirtin e tundon,
rrokulliset duke e munduar Sizifin,
mallkimi zë vend kur padrejtësia triumfon
dhe jehon në famën e shëmtuar vetëm për front.
Atëherë kur shkronjat thurin vargje,
poezia lëndohet
kur me emrin e saj nderohet një portret.
Ajo që dhimbjen e mbulon me buzëqeshje hyjnore
u mbyll nga turpi i së vërtetës.
A ke qajtur ndonjëherë?
Atëherë kur zemra ndien dhe fjalët
nuk kanë vend në botën e mbuluar me interes?
A e kujton ndonjëherë mallin
që syri e kërkon në dhomën e kujtimeve ?
A ke qajtur ndonjëherë?
Kur të gjithë e ndjekin turmën
që brohoret me revoltë për lakminë
si dehje e pakënaqësisë?
Atëherë kur dehja mbyllet me kujtime
e lumi i shpresës mbetet në dhomën e shpresës?
Unë kam qajtur dhe ende qaj
nga zhgënjimi që të paktën
një herë të ngushëllohem
nga një zemër mirësie!
Dafina Mamusha-Roka u lind më 22.6.1980 në Gjakovë.
Shkollën e mesme dhe studimet themelore për Gjuhë shqipe dhe letërsi i përfundoi në
Gjakovë, ndërsa studimet Master për Letërsi shqipe i ka përfunduar në fakultetin Filologjik
të Universitetit të Prishtinës.
Aktualisht është profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë në SHME “Kadri Kusari” në
Gjakovë, ku punon që prej katërmbëdhjetë vitesh.
Krahas mësimdhënies është aktive edhe në fusha të tjera, veçmas në ato që trajtojnë
probleme të ndryshme sociale të cilat prekin qytetin e Gjakovës e më gjerë.
Në vitin (2019) botoi vëllimin poetik “Fjalë zemre” (Pegi, Tiranë).
Ndërsa në vitin 2020 botoi vëllimin e dytë poetik “Kohë e përgjumur” (Pegi, Tiranë)
vëllime që paraqesin pasionin e jetës së autores. Dafina Roka ka punuar edhe si bashkautore
në librin shkollor “Libër mësuesi Gjuhë shqipe 6, 8 dhe 9” (Pegi,Tiranë,2019/20, 2021/22).
Në vitin 2020 botoi librin me receta gatimi “Libri i Recetave” (Pena, Prizren). Ndërsa në vitin 2022 e ribotoi prapë librin të përmirësuar me receta gatimi “Libri i Recetave”( Përkrahur nga DKRS).Ndërsa tani vjen me romanin e saj të parë “Kujtimet e dallgëve blu”.