Vehbi Miftari: Tri liritë e Ibrahim Rugovës – thelbi i filozofisë rugoviane. Në 79-vjetorin e lindjes

Ibrahim Rugova e krijoi raportin e tij me lirinë mbi dijet humane. Raporti i parë me të i atribuohet para së gjithash formimit të tij. Ai studioi letërsi dhe u formua në frymën e humanistëve shqiptarë, por gjurmë la sidomos patriarku i dijeve, Bogdani. Mbi dijet filologjike e humane, ai e krijoi që herët metodën e tij të ballafaqimit me dhunën, ideologjitë. Fillimisht, nëpërmjet “refuzimit estetik” ai e kërkoi dhe e gjeti lirinë e krijimtarisë e krijimin e lirë. U bë krijues i lirë dhe e kultivoi pa frikë fjalën e lirë, mendimin e lirë. Këtu e tutje, sikur e dëshmojnë shkrimet e tij, por edhe fjalimet e tij në takimet e poetëve të asaj kohe, nuk ngurronte ta shprehte kërkesën për lirinë e individit, si premisë mbi të cilën mund të realizohej krijimi i lirë. Kjo ia krijoi vizionin për lirinë e njerëzimit (lirinë universale, humane), krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar lirinë e njerëzimit, ai u shndërrua në model dhe na mësoi edhe ne se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë e individit, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme. Qenien e lirë. Kjo e ndihmoi ta kërkonte e ta gjente më pas lirinë politike, që shpreh pa kufizime mendim e artikulon qëndrim. Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë shpirtërore, do ta fitosh edhe atë fizike; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën, ideologjitë, do t’i refuzosh edhe praktikisht. Veten dhe shkrimtarët përgjithësisht i shihte si njerëz të cilët fatet e kombeve i lidhin me ushtrimin e veprimtarisë kombëtare. Shkrimtari për të ishte “qenie kombëtare”, që lufton për lirinë e kombit të vet, por edhe për lirinë universale. Prandaj, nuk urrente njeri. Mbeti intelektual në politikë, intelektual humanist, krejt i ndryshëm nga intelektuali i angazhuar i Sartrit, për ç’gjë, sikur thoshte at Zefi, “u sha e u luftue jo pak”.
Kjo, sipas nesh, përbën thelbin e filozofisë rugoviane, sjelljen e tij si njeri i letrave e i kulturës, para se i politikës. Kjo, më tej, përbën shtratin mbi të cilin ai e hartoi projektin e tij të tipit nacional-kulturor, që u bë program i një lëvizjeje të gjerë për pavarësi.