Gani MEHMETAJ: SHKËLQIMI I NJË NATE VERE, TREGIM

“Sa të vetmuar e ndjej vetën”, i vinte nga larg pëshpërima melankolike, kur merrte valixhen e nisej në udhëtime. Jehona e këtyre fjalëve e gërryente, e ndiqte nga pas, iu bë zë grishës, nuk e linte të qetë. Kujtimet nuk mund t’i shlyente, ashtu si nuk e hiqte peshën e viteve. Tridhjetë vjet pas, e kujtonte në dhomën e hotelit, në një qytet të huaj, ndërsa e merrte vetën nga udhëtimi i gjatë e nga vërshimi i kujtimeve. Jashtë pulsonte jeta. Shikoi nga dritarja në rrugën e errësuar. Dy të rinj të fshehur nga sytë kureshtarë rrinin të përqafuar skaj pemës. I vrojtonte një kohë me përmallim. Sytë nuk i hiqte nga pamja romantike, por mendja i rrëshqiste gjetiu, vizionet i dyfishoheshin.
“Nuk të lë më”.
“Por nuk ma heq vetminë. Ajo është brenda meje, në gjakun tim, ngado që endem atë e marr me vete”.
Ai përpiqej ta shquante në errësirë, sikur donte ta zhbirilonte ku është fshehur vetmia, kjo kafshë e qetë që e shtronte në melankoli të dashurën e tij. Ajo qeshi kumbueshëm: “Nuk e zbulon as nuk e dëbon, por në mua është”.
Rrinin të përqafuar në natën më hënë, në fundin e gushtit. Dëgjonin frymëmarrjen e shpejtuar të njëri-tjetrit, ndërsa drita e hënës ua shpërlante trupat e lakuriqur në qetësinë e mistershme. Yjet shkëlqimtar në qiellin e pafund, i vrojtonin ftohtë e më shpërfillje.
Të shtrirë mbi barin e butë, të shkrydhur nga qetësia që i rrethonte, të ftohur zjarrmie se si i theri në zemër vetëdija që prapë do të ndaheshin. Iu thadrua drithërima e zërit të saj, që i vinte më i çlodhur e më i qetë. Nuk u përpoq ta ngushëllonte, as t’i premtonte se vetminë do ta dëbojnë përtej detit që u pluskonte prajshëm tutje plazhit. Ajo nuk ia kërkonte një gjë të këtillë, ishte e lumtur me praninë e tij, fraza e saj më shumë ishte zbrazje e qenies së ndrydhur e të braktisur, se sa emocion i çastit. Ai ngriti kokën ta shihte, zgjati dorën t’ia fshinte një pikë lotin në syrin e djathtë. Loti shkëlqeu në dritën e hënës. Ajo e afroi fytyrën nga dora e tij, e afroi edhe trupin, e puthi lehtë dhe vazhduam të rrinim në barin e butë, ngjitur me plazhin e braktisur, nen halat e pishave mesdhetare.
Dielli i mëngjesi i zuri mbi barin me vesë. Ajo u zgjua e hutuar, sikur nuk e merrte vetën ku ishte. Shkundi fustanin veror, shikoi e habitur dhe iku pa e përshëndetur. Nuk kishte pendesë në ikjen e saj, nuk pati as turp, as keqardhje për intimitetin e mbrëmshëm, më shumë ishte huti e çastit. Pasi bëri një copë rrugë, ktheu kokën sikur të qe penduar për diçka. Djaloshi nuk lëvizi, e ndjente hapin e saj të lehtë e të shpejtuar që i ofrohej, e ndjente edhe frymëmarrjen. Ajo iu afrua butësisht, e puthi po aq butë-butë në buzë si të kujdesej të mos e zgjonte. Ai hapi sytë dhe e pa, pa bërë asnjë lëvizje, nuk donte ta çmagjepste përjetësinë e çastit. Kur u shkëputën bëri të ngrihej, por ajo e përgjëroi të rrinte shtrirë, pa ia thanë asnjë fjalë: më mimikën e fytyrës e më dorën e nderë drejtë tij. Halat e pishës mesdhetare nuk e eklipsonin rrezen e diellit, që i binte në sytë e pulitur. Dielli nisi të digjte, vesa që avulluar për t’ia lëshuar rrugën vapës së padurueshme.
“Sa të vetmuar e ndjej vetën”, i sillej nëpër kokë kjo fjali e thënë mbrëmë, ndërsa ajo iku. Mbase ishte grishje për ndihmë, por ai nuk e kapi nga fillimi, mbase donte t’i tregonte se vetminë e ka bukë të përditshme. Vetëdija se ajo vuante në heshtje, i krijonte zbrazësi në gjoks, herë-herë e mbërthente frymëzëna, i ngadalësohej pulsi. Megjithatë ende e ndjente kënaqësinë e natës së kaluar, i kujtonte sytë rrezëllites e pikëllimtar.
Topitja nga vapa e ri zgjoi nga kllapia. Koha tjetër e vitit i kaloi në zbrazësi, gati në letargji. Ajo la adresë as numër telefoni, por vendtakimin e shkroi në një copë letër në hotel.
Pas një viti natën e kaluan në anijen me orkestër. Dolën në detin e hapur. Errësirë në horizont, ndonjë meteor binte me nxitim në det, retë e fshihnin e më të rrallë e nxirrnin zbuluar hënën e ngrënë. Përplasja e valëve në bashin e anijes së vogël, ua përkëdhelte veshët, mu si fresku që i bënte të fërgëllonin. Orkestra ekzekutonte muzikë të lehtë. Tingujt e përmallshëm të violinës e drithëronin ajrin e gushtit. Çiftet e mbështetura në njëri-tjetrin, i përkundte anija, ndonjë valë që i binte bashit a kiçit, i këndellte për t’i përgjumur sërish me muzikën që ua bënte shtatin të fërgëllonin. Tingujt e violinës jehonin me melankoli tej në ujin e valëzuar sa u vinte të qanin nga lumturia.
Nuk e kuptonte se si i rrëshqisnin nga buzët premtimet e pakufishme që nuk donte t’i thoshte. Ajo shtrëngohej edhe më pas tij por nuk i kthente përgjigje, as nuk ia tumirte fjalët. Dy herë gjatë dy mbrëmjeve edhe ajo i premtoi se nuk do të shkonte asgjëkund, por natën e tretë iku pa gjurmë, duke ia lënë një copë letër: takimin tjetër në fillim të dhjetorit, në qytetin e saj. Prapë nuk la adresë as numër telefoni, vetëm emrin e hotelit.
Deri atëherë vetmia u bë ngjitëse, nuk i shqitej. Shihte kalendarin, një herë priste zverdhjen e gjetheve, pastaj shirat e trishta të vjeshtës që s’pushonin, dikur ia zgjati veshët padurimi pse nuk binte borë. Vetmia e ndiqte, nuk i zbehej, as kur i shqiste fletët e kalendarit, as kur i numëronte javët e ditët. Ishte edhe më parë i vetmuar, por i zënë me punët, i stresuar nga profesioni dinamik, e harronte kafshën e padukshme të melankolisë dhe vetën. Shkulm vetmie e mbërthente në dhomat e ftohta të hotelit, kur bridhet qyteteve të huaja.
Vetminë e saj e ndjeu edhe në takimin e dytë, disa muaj më vonë, në qytetin kontinental, megjithëse ajo nuk ia tha. Fytyra i rrëzëllente, sytë i shkëlqenin, por një tis melankolie i vijëzohej në cepat e syve me bisht. Ndriçimi i argjendtë ia mbështillte flokët, shpërthimi i bardhësisë verbuese me ngjyrën e purpurt të faqeve e bënte më dinamike, ndërsa buzët e kuqe i jepnin ngjyrime jetësor tërë paraqitjes së saj. Bridhnin sheshit kryesor, shihnin dritat farfuritëse, futeshin nëpër shitore, ngjëronim ndonjë pije dhe ngriheshin për të vazhduar më tutje. Ajo dukej shend e verë, por disi e paarritshme, flurore si të kishte zbritur nga qielli.
Pastaj secili shkonte në punët e veta.
Sërish nisi bredhjen, por jo në kërkim të vajzës vetmitare, sepse e dinte që nuk do ta gjente. Ishte e mistershme ajo sa vetmia që e rrethonte, nuk kishte të kaluar, as të ardhme, ajo jetonte vetëm për lumturinë e çastit, ose fshihte diçka, ndërsa ai s’kishte kureshtje ta mësonte, mbase nuk donte ta dinte. Donte muaj të vinte gjysma e dhjetori tjetër, koha e festave, që e bënte qytetin e saj si në përralla. Hirushja e tij merrte frymë në këtë qytet, ku ai për herë të tretë erdhi para kohe, mirëpo e dinte se nuk do ta takonte, madje i dukej si ta kërkonte margaritarin në rerën e plazheve të pafundme mesdhetare.
Bridhte në kërkim të lektisjes, apo ikte nga vetmia, nga njerëzit, nga vetja. I ra vijës bregdetare nga jugu në veri. Kaloi nëpër vendet ku ishte me te. Qytetet bregdetare i ngjanin të trishta, restorantet e zbrazëta a të mbyllura, plazhet të braktisura si të kishte rënë murtaja. Më ditë të tëra nuk e çelte gojën me asnjë të njohur, pos me recepsionistin, kur ia kërkonte çelësin e dhomës, apo me kamerierët kur e porosiste drekën a kafen. Mirësjellja e ftohtë e vetmia iu bënë maska që ia mbështollën fytyrën e trupin. Rrinte më orë duke e pirë një kafe, lexonte gazetën nga fillimi në fund, ose nga fundi në fillim, e shihet më vëmendje edhe faqen e të vdekurve. Në mbrëmje pinte dy tri gota verë apo kur bënte vapë dy-tri birra dhe ia nguliste sytë gotës së verës a shishesh së birrës, duke u përpjekur ta shihet vetën brenda.
Bredhjet e tij zgjatën, sikur nuk kishin fund. Donte ta harronte, t’ia shkrinte fytyrën engjëllore që rrezatonte më një trishtim të lehtë, veçan sytë shkëlqimtar, që në cepat e tyre fshihnin trishtimin. Dikur nisën ta mbërthenin ethet e dy kohësisë. E shihte vetën në pijetoren e njohur të një qyteti në tarrace, duke e shijuar verën e ftohtë, në një natë vere, si dikur me te, ndërsa dytësi i dilte në gotën e kristaltë, në një moshë tjetër, gati dyzetë vjet më i ri. Dytësi pa u hetuar zhvendosej nga gota e verës në karrigen përballë tij, i gatshëm t’i hakërrohej pse shpresonte kot. Ai kthente kokën anash kristalit, sepse druante se do t’i gërmushej dytësit. Vejëronte njerëzit që i kalonin përskaj, ndonjëherë i shihte më shpërfillje, gati në arrogancë, ndonjëherë i shihte më përqendrim bezdisës, sa i hutonte. Nuk kishin asnjë kuptim fytyrat e atyre që i kalon pranë me shpërqendrim, herën tjetër i dukej si të mos qenë të kësaj bote, për disa fytyra nuk qe i sigurt nëse jetonin më, pastaj e shihte vetën se si ecte kot. Zymtësia ia kishte mbuluar qepallat.
Shumë vjet më vonë përpiqej të kapte fytyrën e saj nëpër cepa trotuaresh, nëpër tramvaje. Befas e goditi ideja ndriçuese se fytyrën e saj nuk do ta haste në freskinë e dikurshme, sepse kishin kaluar vjet. kot që e kërkonte. Madje, iu thandrua se edhe po të kalonte skaj nuk tij nuk do ta njihte. Fytyra e bardhë rrezëllitese, pamja engjëllore e sytë e trishtë me bisht nuk kalon aq lehtë sa të mos vëreheshin, ishte i sigurt ai.
Ishte si në re në qytetin e madh farfuritës në muajin e Krishtlindjeve, kur bota gjallërohet si asnjëherë më parë. Me sytë e dobësuar kalonte mbi fytyrat e secilës femër me pamje vetmitare. Sytë nisën t’i lodhen. Nga të ftohtit a nga përmallimi i lotonin. Hoqi syzet dhe i fshiu sytë, apo mbase u lodh së kërkuari në morinë e njerëzve që ecnin tutje në punët e tyre, kur befas një korrent ia përshkoi trupin. Fytyra që e kërkoi tri ditë e tri net rresht i kaloi pranë: sytë pikëllimtarë e të bukur, buzët mishtore e trupi elegant ia dhanë alarmin e të (pa) papriturës. Ishte i sigurt se ajo ishte. Edhe ajo e pa me një vështrim të shpejt e të vëmendshëm, fytyra rrezëllitëse u mblodh në të dhjetat e sekondës, sytë i rrëshqitën anash, por vazhdoi tutje. Nuk u përpoq ta ndiqte, nuk e thirri në emër. Mbylli sytë, u ndal në vend e nisi të merrte frymë thellë. Nuk e besonte kur e kujtoi se derisa ai hamendej t’i jepte të njohur apo ta thërriste përballë i vinte një vajzë e re që ngjante me gruan sa të linte pa mend. Të ishte e bija? Këmbët iu ngjiten në trotuar, shihte i mpirë në qytetin e huaj, në natën farfuritëse të dhjetorit. Në çastin kur hapi sytë për herë të dytë siluetat e dy femrave iu afruan njëra-tjetrës. Syzet ia nxirrnin të turbullta pamjet e dy grave elegante, të dyfishuara. Ajo e njohu, por nuk i dha të njohur, ajo e ruante fshehtësinë e privacinë edhe pas shumë vjetësh. Ai pati marramendje, por ndërkohë e mbërtheu një eufori të brendshme.
“E gjeta”, i tha vetës. Në mendje i ndriçoi një ide: Gjërat e rralla janë të papërsëritshme, një kujtim nuk duhej përtërirë as përsëritur.