NGA DR. ARDIAN ELEZI
(nipi i Avdi Gjanës)
AVDI BAJRAM GJANA – ARSIMTAR I DËNUAR POLITIK, DISIDENT QË NUK VOTOI SISTEMIN KOMUNIST, NGRITI FLAMURIN KOMBËTAR PA YLLIN KOMUNIST NË KULLËN E QËNDRESËS DHE REZISTENCËS ANTITURKE, ANTISERBE DHE ANTIKOMUNISTE TË PATRIOTIT AVDI SADIKU GJANA – BICË, KUKËS
Me hidhërim të thellë njoftojmë se daja im, simbol i antikomunizmit dhe disident i vendosur, Avdi Gjana, pas një sëmundjeje të papritur, ka ndërruar jetë.
Nga nëna, ne vijmë nga kulla e njohur e patriotit të madh lumjan dhe liderit të rezistencës antiturke dhe antiserbe, Avdi Sadiku Gjana. Kjo kullë është goditur me top nga turqit dhe serbët, ndërsa më vonë është djegur nga gjermanët. Familja jonë u shënjestrua përndjekjeje, duke nisur me gjyshin Bajram Gjana, i burgosur politik, e më pas me dajallarët. E gjithë familja ishte objekt goditjeje dhe persekutimi politik nga të gjitha anët.
Daja Avdi ishte simbol i refuzimit dhe i qëndresës antikomuniste. Ai u dënua nga sistemi komunist, së bashku me xhaxhain tim Raif Elezi dhe të tjerë, të akuzuar si grup për agjitacion dhe propagandë, si dhe për thirrje për kryengritje të armatosur (e mbetur në tentativë). Ai përjetoi kalvarin e vuajtjeve, me burgime dhe maltretime, që prekën të gjithë familjen tonë.
Ai njihet si personi që nuk votoi sistemin komunist; jehona e këtij akti u përmend edhe në mediat ndërkombëtare të kohës.
Gjithashtu, në kullën e rezistencës së Avdi Sadikut-Gjana, gjatë viteve të diktaturës, daja sfidoi sistemin duke ngritur dhe valëvitur flamurin kombëtar pa simbolin e yllit komunist, si shenjë identiteti dhe qëndrese.
Avdi Gjana refuzoi dhe kundërshtoi marrëzinë e sistemit komunist, duke e sfiduar atë në mënyrë publike, natyrale dhe të veçantë. Ishte arsimtar, mësues matematike me profesion, i dekoruar nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha, me titullin “Mësues i Merituar”. Gëzonte respekt të madh në gjithë trevën e Lumës; ishte simbol i rezistencës antikomuniste dhe mbështetës i paqes dhe tolerancës në demokraci. Një njeri me ndikim dhe peshë morale, i kulturuar dhe me paraqitje dinjitoze. Nuk reshti së punuari për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë gjatë gjithë angazhimit të tij publik dhe politik.
Pas demokracisë, ai mbrojti kauzën e dënimit të krimeve të komunizmit dhe të të përndjekurve politikë si kryetar i shoqatës në Kukës dhe në nivel kombëtar, si pjesë e strukturave drejtuese. Familja e dajallarëve ishte pjesë e përpjekjeve për rrëzimin e komunizmit, si dhe në mbështetje të Partisë Demokratike në diasporë, në Evropë (Francë, etj.).
Kukësi, në veçanti, i ka borxh vlerësimin ndaj tij.
Na iku papritur një simbol, me të cilin krenoheshim jo vetëm ne, por të gjithë ata që e kanë njohur, takuar apo punuar me të.
Nuk bëre mirë, daja, që na le kaq papritur, në mënyrë të beftë dhe pa lajmëruar. Jam thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga kjo pabesi e jetës. Ishe pararendës i kohës për ndryshim, i lirisë dhe demokracisë, si dhe mbrojtës i vlerave dhe dinjitetit njerëzor. Nuk bëmë sa duhet dhe sa e meritoje.
Kishim lënë pa bërë intervistën e jetës. Ky mbetet pengu ynë ndaj jush dhe vuajtjeve tona.
Qofsh i Xhenetit dhe brezat të të kujtojnë për veprën tënde.
Zoti të bekoftë dhe të lartësoftë.
I përjetshëm kujtimi yt


















