Përmbledhja me poezi pakvargjëshe, “Zhveshja e unit” e Hyrije Jusufit
“MENDIMET E LARTA GJENDEN NË FJALI TË SHKURTËRA”
“Përmbledhja me poezi pakvargjëshe, “Zhveshja e unit” por me kuptim të thellë ngjajshmërisht me aforizmën e Sami Frashërit: “Mendimet e larta gjenden në fjali të shkurtëra” e begaton opusin e vet krijues, e cila synim kryesor ka depërtimin në thellësitë e imagjinatës dhe vënjen në letër të shpirtit krijues të saj.”
Poezia është art personal, i një sofre, në të cilën kanë vend të gjithë njerëzit. Ajo jeton në harmoni me ndjenjat personale të atij që e ndjen dhe e di që e ka në qenien e tij. Si e këtillë është shoqëruesja më besnike e njeriut, i cili është i preokupuar me ndonjë ngarkesë shpirtërore me synim të tejkalimit të saj, përkatësisht të zbutjes në mënyrën më të mirë. Kjo dhunti e këtij arti, ndër më të pranueshmit, më të përhapurit e më të shumëllojshmit, ka lindur bashkë me njeriun, duke e shoqëruar atë deri në gërhamat e fundit të jetës. Miku më i sinqertë dhe ngushëlluesi më i pa zë, por me ndikim ndjesor, që nga thellësitë më të mëdha e deri tek ajo që manifestohet edhe me lot e psherëtima.
Në forma të tilla, ndjenja e njeriut, nëpër etapa jetësore, ka krijuar sajesa të shumëllojta që njeriun gjithmonë do ta shoqërojë dhe inspirojë të krijojë.
Shembujt dhe konstatimet janë të shumta, sa të bukura po aq edhe shoqëruese në rrugëtimin jetësor të secilit shpirt njeriu që nga lashtësi të thella.
Me këtë rast po e zëmë në gojë një tufë poezish ose intimash të shprehura me shkrim nga krijuesja Hyrije Jusufi, e cila lexuesve të poezisë, deri tani, ua fali tri vepra të bukura poetike: “Kthinave të jetës”, “Rilindur nëpër stinë” dhe “Psherëtimë zane” të cilat mrekullueshëm dhe përshtatshmërisht me shpirtin e saj krijues bashkëjetojnë dhe e bëjnë rrugëtimin nëpër lexues gjithandej.
Ajo na e fali edhe një vepër të bukur, një ndjenjë e një psherëtimë “Zhveshja e unit” e cila cilësohet edhe një arritje e autores me të cilën do të na shoqërojë.
Fryma krijuese e saj, në këtë përmbledhje vargjesh, simbolizon një epitet të gjetur e të thënë. “Miratim erërash” do të jetë pohimi vijues i Hyrijes që në vazhdim me këtë lejueshmëri futet në margjina ndjenjash që pasqyrojnë jo vetëm dashuri për vargun e saj që ia nxjer intuita nga ndjenja personale por dëshmon dhe vulos vendosmërinë dhe njëmendësinë, se vargu i saj është shoqëruesi i më besnik dhe jetik. Kjo poete vargun e sheh në brendinë e kornizave të shpirtit dhe në shenjëstërinë e saj për ta nxjerur e për ta bërë realitet, si loti kur rrjedh faqeve, për ta vazhduar historinë kudo edhe në shekujt e kaluar, “ku merr frymë lirshëm” edhe e zgjedhura e saj Monaliza…
Duke u bazuar në realitetin që ka bashkëjetuar me të parët e saj, ajo na e pasqyron një realitet ndjesor “kur të gjallët kanë fjetur varreve” nga se, duke qenë në robëri, askush nuk e mendonte jetën si zogu me krihë, por “të gjallët si të vdekurit” sa rënd e sa dhimbshëm për poeten e cila e psherëtinë me varg…
“Si në vegim” ose si në ëndrra, hapëronte njeriu ynë, detyrimisht prej situate në situate, duke u ndeshur me të papritura që ndodhnin në bazë të projekteve dhe komponimeve të imponuara nëpër pentagrame ogurësh dhe rrugë tjera enigmatike. Në këtë vegim spikat ëmbëlsia dhe butësia e shprehjeve në krijimet e shkurtëra por të mbrojtura me forcën e mohimit që na dalin medituese duke e ngjizur edhe me tigull të thellë e aty këtu edhe me tronditje që si rrjedhojë kanë hapërimet nëpër relievin jetësor të gjallërimit duke qenë gjithë-përfshirëse në kuptimin e realitetit që pasqyron poetja.
Jo pa arsye, kjo krijuese, e gjen një shprehje të bukur poetike “jetuni i strukur” që bëhet pararojë e rrjedhimeve shumëngjyrëshe që has nëpër to, sikur nën ndërskamësa duke i rradhitur me shprehje dhe gjetje të bukura si shpirt i çmendur, përbindësh i pakapur, përflakje në udhë, natë e thellë, malli zhbiron, hijembetur e deri te vargu “ndryshku kishte zhbiruar hekur e pranga”:
Sonte në natën e thellë
Malli zhbiron të gjitha kujtimet me emër
Hijembetur, bebëzhumbur, harruar
Porta e mbyllur e zemrës lëngonte
Ndryshku kishte zhbiruar hekur e pranga …
Forca krijuese e Hyrije Jusufit, në librin “Zhveshja e unit” prej poezie në poezi nuk vjen duke u zbehur, ajo e ruan ritmin e shpërfaqjeve të ndjenjave, figurave, e gjetjeve të ndryshme deri në fund të librit. Ajo e përmend “pushtimin e pabesisë” si shprehje metaforike, duke mos mundur t’ia thej unin krijues as forcën krijuese. Hyrija shkon tutje gjetjeve të tjera të cilat hapërojnë me emocione që autoren e shëndrrojnë në kalorëse drejt hapërimeve të pagjetura.
“Ai që është flakëruar në flakë nuk duhet të ikë” ose “Njeriu nga varri shpëtohet me një fjali përshëndetëse”, “Në meshën e praruar fali edhe shpirtin” –janë gjetje që zbukurojnë poetikën e saj sepse në plan të parë poetja e ka rrugëtimin poetik për ta gjetur të shndritshmen, dritën e flakëruar ose një hapësirë ku dominon e mira.
Një thirrje enigmatike
Mbrenda borxhit të përfolur
Ec në litar kohe në duar
Ik nga e nesërmja e harruar
Është poezia me të cilën poetja e përfundon këtë tufë vargjesh të bukura me të cilën si duket e simbolizon veteveten që synon të “Ik nga e nesërmja e harruar” për ta gjetur të pasnesërmen e ndritur.
Përmbledhja me poezi pakvargjëshe, “Zhveshja e unit” por me kuptim të thellë ngjajshmërisht me aforizmën e Sami Frashërit: “Mendimet e larta gjenden në fjali të shkurtëra” e begaton opusin e vet krijues, e cila synim kryesor ka depërtimin në thellësitë e imagjinatës dhe vënjen në letër të shpirtit krijues të saj.