Rudina Muharremi Beja : Dy fjalë për romanin “MARGARITA” i Lumturi Lume Plakut

Darkuam herët me tim shoq pasi mbrëmë isha pushim. Kishte patur një ditë të lodhshme pune nën shiun që s’kishte të pushuar për asnjë çast dhe tek flisnim për dëmet që kishte shkaktuar i shërbeja piatancat që kisha gatuar me dashuri.
Pasi mbaruam, pastruam sëbashku tavolinën e ndërsa laja pjatat ai ndiqte i shqetësuar lajmet e orës 8.00 të mbrëmjes.
Instiktivisht telefonoi të vëllanë për të ditur për situatën dhe pasi mori përgjigje qetësuese nga ana tjetër e telefonit u shtri si përnatë në divanin e tij ndërsa unë, në divanin tim mora të lexoj diçka.
Kësaj rradhe romanin “MARGARITA” të zonjës së nderuar, shkrimtares Lumturi Plaku. Ajo ma dha të autografuar një javë më parë dhe pikërisht tek vështroja dedikimin e përzemërt nisa leximin.
Ngrita kryet në orën 11.40 dhe pashë se im shoq po flinte nën mbulesën e ngrohtë ende mbi divan. Përzemërsisht e ftova të rehatohej në shtrat ku do të pushnte më mirë ndërsa hera e dytë që ngrita kryet nga ky libër qe ora 2.05 e mëngjesit
Atëherë mbylla faqen e fundit të romanit “Margarita”
Një roman që lexohet me një frymë, të rrëmben menjëherë pasi protagonistët e tij janë të paktë e të memorizueshëm ndërsa tek shfleton faqet e tij ndien mallëngjimin për një kohë sa të tmerrshme po aq dhe të mrekullueshme sjellë me mjeshtëri, lehtësi e natyralitet të padiskutueshëm.
Lumturi plaku përpiqet të bindë lexuesit se personazhe si Margarita në këtë rast, kanë egzistuar me të vërtetë dhe i promovon ato fuqishëm duke i veshur me karakteristika krejt dalluese që vërshojnë nga të gjitha venat, kapilarët e poret e tyre…
Numri i madh i rastësive që në pamje të parë mund të na duken si kumt kanë qenë një domosdoshmëri për të shtjelluar me anë të artit, peshën morale dhe sociale të romanit por dhe të asaj kohe që sado duket e vjetëruar, tingëllon përherë aktuale.
Në këtë mënyrë autorja kapërcen kufijtë e vendlindjes dhe përcjellë portretin e vërtetë të femrës shqiptare portret i cili përmbush një sërë zbrazëtishë, shtrembërimesh e paragjykimesh duke e shndërruar atë në një altar të kristaltë, në perëndi
Ky akuarel i lëvizshëm ngritur kaq kujdesshëm, zgavron më shumë gjoksin pasi Margarita mund të ishte secila prej nesh. Secila prej nesh mund të ishte një margaritë.
Miti i peshës së Amanetit të nënës, mbetet i përjetshëm ndërsa prezenca e fuqishme e pjesës tjetër të familjes pohon ngjashmëritë tona te pamohueshme me personazhet.
Pasqyra e shoqërisë shqiptare e cila ndonëse për më shumë se gjysmëshekulli është përpëlitur propagandës së një refreni monoton, me gjithë pakënaqësitë e rastit, mbërrin e bardhë dhe krenare për moralin e saj
E gjithë kjo përmes gjetjes së mençur të protagonistes, kurajos intelektuale dhe zgjedhjes së kujdsshme e intelegjente të dialogjeve
Lumturia përshkruan magjishëm gjithçka të lindur nga përfytyrimi i shpenguar, duke përcjellë tek lexuesi çdo dalldisje, çdo shkrepëtimë që shndërrohet në yll, të bukurën deri në magjepsje, delikaten deri në dhimbje, joshësen përplot me ngulm dhe thjeshtësinë çarmatosëse.
Tradita mbërritur si nevojë e epërme e manifestimit të saj ngjall kërshëri por edhe respekt në familjen mikpritëse ndërsa bukuria e vashës shqiptare hyjnizohet në çdo çast.
Ndjenja e bukur e dashurisë që “lidh” protagonisten me prangat pafajësisë dhe situatat e pakëndshme që vijojnë të prezantohen gjatë narrativës shtojnë dhe më shumë kureshtinë e lexuesit që përfshirë tërësisht mezi pret të mbërrijë në fund
Ëndërron tek lexon, emocionohesh duke ikur nga realiteti për disa orë e duke “vrojtuar ” së afërmi personazhet.
Përveç gjendjeve, emocioneve, pavendosmërisë dhe kontradiktave, ky roman dashurie arrin të ofrojë edhe një rindërtim të shkëlqyer historik.
Kjo ia shton edhe më shumë vlerën
Një dashuri e pastër, në gjendje të krijojë atmosfera romantike dhe gotike në të njejtën kohë mbërrin tek lexuesi si një shpresë, si një ëndërr e bukur Dashuri është esenca e jetës dhe e letërsisë na mësojnë William Shakespeare, Lev Tolstoj ecc,
Stili personal por gjithmonë objektiv e mban të lidhur tekstin me autoren.
Ajo të detyron të mos kufizohesh në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të fjalëve por të shkosh më tej duke u përpjekur të kuptosh parimet që e shtyjnë atë të shkruaj ashtu.
Përshkrimi me fjalë fryme i ndjenjave vjen gjithnjë butësisht si një prekje prej fijëzash të padukshme siç di të bëjë një penë estetike si e Lumturi Plakut ndërsa personazhet negativë mbërrijnë tek ne përherë intrigantë dhe të paskrupullt.
Autorja nuk lodhet së vëni në provë dashurinë e qelibartë të dy të rinjve Markos dhe Margaritës, që triumfon në këtë konflikt traditash por dhe përpushjesh në këtë zjarr shpirti,
Ndonëse nga shtresa sociale, kulturore dhe mentalitete të ndryshme ata zgjojnë tek njëri tjetri vullkanët më të fshehtë të shpirtit ndërsa tek ne, ëndrrat, Hirushen që fle dhe një lloj krenarie të brendshme.
Njëmijë ndjesi të pushtojnë gjatë leximit të kësaj narrative të magjishme ku përmes formave shprehëse të artit autorja mbërrin e sigurt për emocionin që krijon dhe vlerat që përcjell.
Me këtë roman të mrekullueshëm ajo sjell dhimbjen dhe brishtësinë e një shpirti gruaje që guxon të sfidojë pa mëdyshje paragjykimet boshe,
por dhe mbështetjen e fuqishme të familjes si qeliza e parë e një shoqërie të shëndoshë
Për të përcjellë më së miri ndjesitë dhe historinë e kësaj dashurie autorja bën që personazhet të kryejnë gjeste në kufijt e ligjshmërisë ndërsa protagonistët ndiqen nga një fantazmë, e cila në fillim mund të duket si fantazma e fatit, por që në realitet rezulton të jetë një fantazmë konkrete që herët a vonë mund të shfaqet në jetën e gjithkujt.
Lumturi Plaku me këtë roman dëshiron ta ndalojë kohën nisur nga kujtesa e ngjallur dhe prania e modelit “Margaritë” ndërsa historia përparon dhe realisht lind dashuria e vërtetë.
Çdo çast mbërrin magjishëm përshkruar, ashtu siç di të bëjë një zonjë e mençur, shkrimtare e devotshme me përvojë të gjatë në fushën e letrave.
Autore tashmë e 24 librave, ajo beson te magjia e fjalës dhe lodhet për të përmbushur gjithnjë pritshmëritë e lexuesit të vëmendshëm.
Faleminderit Lumturi Lume Plaku!
Udhë të mbarë romanit “Margarita”! Suksese pa fund!