Kishte ikur nga vendi i saj, nga puna, kolektivi, shokët e shoqet,me kokë të mbetur pas. Tani nxitonte t’i ikte të kaluarës dhe të krijonte një jetë të re në vend të huaj. Donte t’i linte mbrapa të gjitha, hidhërime, gëzime, njerëzit të gjithë, të gjitha. Jo se nuk kishte nevojë për të kujtuar, por se tani kishte një nevojë tjetër të ngutshme, të gjente një punë, të rregullonte jetën, t’ia niste gjithçkaje nga e para.
Nuk ishte aspak e lehtë këtu. Gjithçka pështillej në një si kaos dhe mospranim. Ishte e vështirë, gjërat rrotulloheshin rreth të njejtit bosht. Mospranimit. Akoma nuk kishte gjetur një punë të rregullt. Punonte me orë dhe kur gjente.
Me shumë mundime dhe andrralla pati gjetur një shtëpi të vogël me qera. Shtëpia ishte aq e vogël, sa asaj, të mësuar me hapësirë dhe dritë, i dukej si një furrik. Djalli ta marrë, mendonte, ika nga rehatia, puna dhe shtëpia komode, për të jetuar në një kotec pulash. Ndodhte që përkujdesej me ditë punë për ndonjë plakë të vetmuar. Pas mërzisë së çastit, për faktin se i duhej të bënte punë të rëndomta, e ngrohte mirënjohja që lexohej në sytë e këtyre vetmitarëve…
Dhe tani ishte në zyrën e dikujt që kërkonte të punësonte një sekretare.
-Kemi biografinë tuaj përpara, – i tha burri përballë. -Kërkojmë një zonjë që të jetë e shkathët, e komunikueshme dhe mbi të gjitha e besuar.
Ai e mati me sy, sikur donte ta peshonte sa i vlente lëkura. Ajo qe ende e bukur, me një lëkurë të freskët e të hareshme, me buzë sensuale dhe sy të trazuar, me bisht…
-Nga jeni?-pyeti burri përballë, aty rreth të pesëdhjetave, zhytur në një koltuk të lartë ngjyrë mavije të errët.
-Jam shqiptare. Quhem Linda…Ajo tha emrin e saj, duke harruar se gjithçka qe saktësuar në biografinë e saj.
Tjetri mbeti një copë herë pezull, sikur e porsaardhura t’i kishte thënë ndonjë kumt alienor.
Pronari diç e pyeti greqisht dhe ajo u përgjigj po greqisht me një akcent aq të saktë, sa e habiti tjetrin. Komunikoi me të anglisht dhe ajo i përgjigjej rrjedhshëm, me një anglishte perfekte.
-Linda,-i mëshoi zërin ai që mund të bëhej punëdhënësi i saj. -Kam një pyetje jashtë formularit të aplikimit.
-Urdhëro,-foli greqisht Linda.-Po pres pyetjen tuaj…
-Çfarë do të thotë për ty “gjëja e tjetrit”?
Ajo mbeti një grimë herë pezull dhe herë vështronte pronarin e herë kolltukun e lartë ku ai qe zhytur…Pastaj si u çlirua nga një farë ngërçi, kroi zërin dhe iu përgjigj me një zë të kthjellët e kumbues:
-Shef, për mua “gjë e tjetrit” është çdo gjë që nuk është e imja…Kaq e thjeshtë është…
-E fitove vendin e punës,-foli tjetri dhe e shoqëroi drejt kthinës të ndarë me një derë të vogël ku ndodhej paradhoma e sekretares.
-Këtu,-foli shefi duke i treguar një komodinë të madhe,-janë dosje të vjetra që nuk hyjnë më në punë. Merri të gjitha dhe digji, sepse zënë vend kot. Por para se t’i djegësh, kontrolloi se mos ajo sekretarja e parë ka lënë aty ndonjë shkresë të vlefshme të këtij viti…Gjithçka që mendon se vlen të ruhet, ruaje, mos e digj.
Ajo nisi të rrëmonte në ato dosje të vjetra, ku shkresa të pafundme pasonin njëra tjetrën dhe nuk po haste në ndonjë gjë të vlefshme. Befas sytë i vajtën te një zarf e mbyllur. E hapi dhe…brenda saj ishin një shuk me euro…Asaj i rrahu zemra fort…Ta mendosh se mund t’i kishte djegur ato letra menjëherë…
E mori zarfin dhe ashtu të hapur e mbajti një copë herë në duart që i dridheshin. Pastaj nxitoi drejt zyrës së shefit…trokiti lehtë.
-Nuk ke nevojë të trokasësh,-i tha shefi.-Ti je sekretarja ime dhe mund të vishë në çdo kohë, pa lajmëruar, pa trokitur…
-Shef, -foli ajo,-në një nga dosjet për t’u djegur gjeta këtë zarf…me euro…
Tjetri e vështroi një copë herë me një kërshëri të përzier me respekt e admirim, por nuk foli. Iu hodhi një vështrim eurove në zarf, i cili ishte në dorën e saj dhe pa e prishur terezinë, me një qetësi të akullt, apostolike, foli:
-Lere zarfin aty, në tavolinën në skaj, Linda…Kaq. Nuk foli më, as faleminderit as plaç. Linda mbeti disi e trazuar nga indifernca e tij, por nuk e dha veten. “Të paktën të më thoshte faleminderit”, mendoi…
Linda hyri në kthinën e saj dhe u zhyt në monotoninë e punëve të saj të vogla, të cilave ajo e kishte për detyrë t’iu jepte drejtim. Kishin kaluar nja dy orë dhe dericka e saj e vogël u hap. Shefi hyri në kthinën e saj bashkë me një vajzë të re.
-Liroja vendin kësaj Linda, foli shefi.-Kjo do të jetë sekretarja e re…
“Po unë?!-deshi të klthite Linda. Po më pushon pa mbushur dyzet e tetë orë?! Ku vallë paskam gabuar?!”…Këto fjalë i çoi nëpër mend por nuk foli.
-Eja me mua Linda, foli shefi dhe e udhëhoqi tjetrën nëpër një korridor të gjatë, në dy anët e të cilit kishte zyra pa fund. Ajo ishte një firmë e madhe, mjaft e fuqishme dhe me një administratë të fryrë…
Në fund ishte dera e zyrës së madhe, ku ishte drejtoresha e kuadrit me disa punonjës. Ai e shtyu derën dhe Linda e pa veten në zyrën luksoze, të mobiluar me gjëra luksi, mbusur me kompjutera dhe dosje pune. Tre gra dhe një burrë u ngritën në këmbë. Ishin punoënjësit e kuadrit. Vendi i drejtoreshës qe bosh. Në kolltukun e saj nuk qe ulur askush. Ajo kishte disa javë që pati dalë në pension.
-Ulu këtu Linda, – e ftoi shefi të ulej në kolltukun bosh të drejtoreshës. Tjetra hezitoi për pak çaste, por zëri i tjetrit qe këmbëngulës dhe urdhërues.
Ajo u ul dhe po qëndronte si mbi gjëmba…
-Linda do të jetë drejtoresha juaj e re. Pas meje, ajo do të jetë figura numër dy në kompani,-foli shefi, ndërkohë që një murmurimë e lehtë përshkoi zyrën…
-Mos murmurisni. Ajo është njeriu im më i besuar. Dhe meqë po e shoh se ju ka mbërthyer kurioziteti, a e dini pse e bëra drejtoreshë, edhe pse nuk ka veçse ka dyzet e tetë orë që e njoh?!
-Joooo,-u dëgjua murmurima e tyre e mbytur, pasuar nga një kureshtje përpirëse…
-Lindën e bëra drejtoreshën tuaj dhe figurën dy të kompanisë, -foli qartë e prerë pronari, duke i vështruar sy më sy të pranishmit,- sepse ajo, përveç dhuntive dhe talenteve të shumta, ka dhe një cilësi natyrale, të cilën një njeri o e ka o nuk e ka. Kjo cilësi është e lindur dhe nuk edukohet dot…
Heshti sikur pati thënë gjithçka, duke e lënë gjindjen në një grimasë kurioziteti në shëprthim dhe vlim. Pastaj, më shumë sikur po monologonte me veten se sa me vartëset, që patën mbetur të stepura, foli duke i mëshuar zërit:
-Po, Linda ka një cilësi që është shumë e vlefshme në çdo punë e sipërmarrje. Ajo e di mirë se çfarë do të thotë “gjëja e tjetrit”…