Angela Kosta: ÇFARË FUNDI PËSUAN PAQJA DHE HUMANITETI ?!

*Shkrimtare, poete, eseiste, përkthyese, promovuese, gazetare

Ngjarjet e kohëve të fundit na paraqesin dhe dëshmojnë më se qartë situatën katastrofike që po pushton të gjithë planetin tonë. Popujt po heqin mbi supe vuajtjet e tmerrshme nga ata të cilët qeverisin keq e mos më keq dhe me lakmi, duke rihapur plagët dhe kontraditat e pashterueshme globale. Rruzulli ynë tokësor, në heshtje derdh lot gjaku së bashku me ata të cilët dëshirojnë të ndryshojnë diçka për të mirë, shpesh duke ngritur edhe zërin, për aq kohë sa askush nuk i dëgjon. Ata do të ishin gati për ndryshimin rrënjësor të gjithçkaje që prek interesat e një bote të pastër, duke luftuar me të gjithë forcën e tyre kundër atyre që pengojnë përparimin dhe zhvillimin, ose kundër atyre që e vënë evulimin në dispozicion për qëllime negative pushteti, duke shfrytëzuar miliona njerëz përfshirë këtu edhe shumë të mitur. Ka shumë pak persona që e vënë veten në dispozicion të të pambrojturve. Ka gjithashtu një neglizhim të theksuar situatash që duhet të jenë ptimare në zgjidhjen e problemeve kryesore. Askush nuk lejon t’i japë hapësirë dhe zë asaj çka na shqetëson çdo moment. Padrejtësitë, luftërat e pamëshirshme, konfliktet, kërcënimet vënë në rrezik të madh të ardhmen e Njerëzimit dhe e rrezikojnë atë. Le të ndalemi për një moment në fjalën e fundit. Ne e quajmë njerëzim edhe pse e dimë tashmë se në palcën e shtyllës së saj kurrizore, nuk ka mbetur asnjë gjurmë humane. Gjaku nuk rrjedh më në venat e Paqes, pasi vetë kjo e fundit ka humbur rrugën. Askush nuk do më askënd. Gjithkush është i vëmendshëm dhe i honepsur të vrapojë, që të arrijë i pari për të zhbërë atë që Perëndia ka krijuar, duke kënaqur kështu egon e tyre të sëmurë, pasojë e të gjitha të këqijave ndaj atyre që shfajësojnë dhe meditojnë veç të Mirën. Çdo individ i këtij rruzulli, është i vetëdijshëm se shpëtimi i natyrës dhe i planetit varet nga secili prej nesh. Çdo qenie e gjallë ka detyrën dhe duhet të ndjehet e detyrueshme ndaj asaj që do t’i jepte drejtësi me të drejtë dhe pa dyshim të Plotfuqishmit që vuri në dispozicionin tonë përsosmërinë e Tij, krijesat e Tij, mirësinë e Tij të shpirtit dhe të gjithë Pafundësinë e Mrekullive të natyrës. Le të vëzhgojmë për një çast atë çka na rrethon: do të kemi bindjen dhe konfirmimin se GJITHÇKA është krijuar nga dora e Zotit. Gjithashtu, duhet të vëzhgojmë duke reflektuar thellë pamjaftueshmërinë tonë të kujdesit; kjo ka ndodhur për shkak se është ajo që kemi dashur të ndodhë: transformimin total, duke vepruar dhe imponuar në kontrast me atë çka Krijuesi ynë do të kishte dashur dhe do ende mos të ndodhë. Askush nuk mund të mbetet indiferent ndaj këtyre morish gabimesh fatale që përfshijnë jo vetëm neve të pranishëm sot, por edhe ata që do të vijnë pas nesh: brezin e ri. Çfarë i pret nga ky llum me të cilën kemi “ngjyrosur” dhe “veshur” Botën, duke bërë që sytë të verbohen nga balta ndaj Askush nuk sheh më Askënd. Ja pse jemi bërë të akullt, të pandjeshëm ndaj të tjerëve të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Toka tashmë është e sëmurë dhe nuk kemi nevojë për tezën e një shkencëtari për ta zbuluar këtë. Kjo dihet dhe është e dukshme fare qartë. Toka jonë nuk është e shëndetshme ashtu sikurse e krijoi Zoti. Të gjithë ne banorët e saj jemi infektuar, dhe jo vetëm nga shumëllojshmëria e sëmundjeve patologjike apo onkologjike por edhe nga ato shpirtërore. Karma jonë bashkëjeton pa indulgjencë, pa ambicie, duke i atribuar vetëm famën dhe pamjen që i përket teknologjisë së sotme e cila, edhe pse evoluon dhe është gjithmonë në rritje, gjithësesi është dëm për shoqërinë e sotme. Shumica e njerëzve, duke përfshirë këtu shumë të rinj, e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre nëpër rrjetet sociale. Pothuajse askush nuk lexon poetët e famshëm, shkrimtarët bashkëkohorë; ka fare pak interes për artin dhe kulturën. Me dashje apo dashje, tashmë kemi krijuar një Botë virtuale të rreme, ku vihet re vetëm falsiteti dhe hiçi. Në shumë grupe, në platforma të ndryshme, revistat apo gazetat online, mbijnë si kërpudhat dhe botohen “poetë”, “shkrimtarë” dhe “artistë” të të gjitha zhanreve, pa asnjë vlerë, duke zbehur dhe duke ua hequr kështu, atyre që meritojnë me të vërtetë më shumë të çmohen. E gjithë kjo çon drejt një dëmi të pariparueshëm jo vetëm për shkrimin por edhe në denigrimin e letërsisë bashkëkohore në përgjithësi.