Libri i Xhemi Nokshiqit “All because… of you”, një arritje për poezinë bashkëkohore
Nga Dr. Rovena VATA
Sot na ka bërë bashkë të gjithëve ne, Xhemi Nokshiqi Muzai, vajza nga Tropoja, e cila ka sjellë për lexuesin, librin e saj të parë me poezi “All because… of you”., të botuar nga shtëpia botuese Nacional. Si fillim duhet ta përgëzojmë autoren e këtij libri, duke i uruar asaj suksese e qoftë ky libër një ugur i mbarë në rrugën e gjuhës së shpirtit, pasi thuhet se fjala del nga del shpirti, e shpirti bëlbëzon të vërtetën që përjeton.
Sa herë ngjitesh lart në qiell ti percepton hartën e vendit tënd, e në këtë rast autorja percepton atë të Shqipërisë, duke i bashkangjitur asaj edhe ato troje të cilat sot nuk janë pjesë e kufijve zyrtarë të Shqipërisë, por që përbëjnë Shqipërinë etnike. Duke krijuar kështu një qilim shumë ngjyrësh, i cili krejt papritur të çon në një dimension tjetër, e kështu ndjehesh më i dashuruar pas tokës, por edhe pas qenies tënde.
Xhemi na vjen pikërisht kështu në poezitë e saj, ku lumi i Valbonës dhe mali i Sulbicës thërret në mes të Neë Yorkut, si një autobiografi në vargje, madhështinë e kristalit të ujit dhe hijes së maleve të larta, duke na treguar edhe një herë se guri peshon rëndë vetëm në vendin e tij. Malet shqiptare janë madhështore edhe për qeniet që gjallojnë brenda tyre, për mitet, legjendat, zanat dhe shtojzovallet, duke na kujtuar se kultura e huaj nuk e ka transformuar aspak autoren, duke ruajtur amanetin e kultit të të parëve, kultit të diellit, kultin e gjuhës së zemrës, gjuhës së nënës, kultit të vatrës, kultit të zjarrit. Kjo hartë e madhe përfaqësuese nga Vermoshi, Dardania, Çamëria, Nikshiqi, Plava, Gucia, Ilirida, po si Fishta që krijoi kryeveprën e tij me Lahutën e Malsisë, autorja vjen në këtë libër më poezi me poezinë: “Nokshiqasit luftën fillojnë”. Në këtë poezi autorja na kujton betimin e djemve dhe vajzave shqiptare për të cilët shkroi edhe historigrafia shqiptare dhe jo vetëm. Betimi për mbrojtjen e trojeve dardane, të cilët kanë si shenjë identiteti shqiponjën dhe flamurin, ku kutojmë vargjet:
Nokshiqas jemi e kemi gjak iliri,
zemër shkëmb e zjarr prej graniti,
bijë dardanësh në rrjedha shekullore,
fluturon shqipja në tokën arbërore…
Vargjet e kësaj poezie sjellin në kujtesën historike të dëshmive, fakteve historike për marrëveshjet e fshehta të cilat sot e kësaj dite qëndrojnë të vulosura, ku në ato letra është shkruar fati i trojeve shqiptare, i kësaj harte të dhëmbëzuar nga gjakatarët e Fuqive të Mëdha.
Vitet 1880 në arkiva ndry,
marrëveshje kobi Turqi-Rusi,
me zhba e tret’ Nanën Shqypni,
me marrë Nokshiqin, Plavë e Guci..
Nëpërmjet vargjeve të kësaj poezie gjejmë emrat e figurave që kanë dhënë kontributin e tyre për ruajtjen e identitetit shqiptar, si: Ali Smajl Mekuli, katër vllaznitë, siç janë Mekuli, Buçajt, Mehaj, Selimi, Ali Pashë Gucia, i cili u prin trimave me simbolet kombëtare, si një dallgë e egërsuar që vjen nga deti sjell lirinë Jakup Ferri. Zhujë Selmani rri në krah të zanave, për t’i dhënë forcë, duke mos u lejuar pushtuesve pushtimin.
Përveç kësaj autorja i ka kushtuar poezi edhe ndjenjës më sublime në jetën e çdo njeriu, dashurisë, por jo vetëm, përmes poezive: “Dashurinë më vrave”, “Eja ti”, Më çmend kurmi yt”, “Dashuria e parë”, “Dashuria”, “Dashuritë” etj.
Por gjatë këtij fluturimi u ndjeva jo vetëm e dashuruar, por herë herë si një Helenë e herë herë si një Penelopë, derisa shkela në tokë. Graviteti i tokës nënë më zgjoi rrënjët, ku më lidhen këmbët. E mbështolla trupin tim dhe aty gjeta mallin e prindërve, lotët e nënës dhe u ndejva pema e familjes, ajo çfarë të bën të jesh ekzistent.
Kujtojmë poezitë “Gjuha dhe fjala”, “Nënë moj”, “Te burimi”, “Pema”, “Te një krua”, “Ngrohtësia e nënës”, “Dheu i ëmbël”.
Në poezitë “Enigma”, Udhëtari i shpresës së thyer”, Çarçafi i mumjes”, poetja ngreh paradigmat e jetës mbi fenomentet e dy qytetërimeve të ndryshme, por ama duke mos harruar asnjëherë rrënjët e saj.
Koha që ne këmi në dispozicion për të folur për autoren dhe librin e saj është e pamjaftueshme për të paraqitur të gjithë elementet, që ajo ka trajtuar në këtë libër, për këtë arsye tashmë i mbetet lexuesit për ti zbuluar ato.